Veprimtari i shquar Fatmir Lekaj kërkon nga miqtë e tij që t’i bashkohen nismës që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë
Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare që për dekada të tëra ka vepruar në rrafshin diplomatik në shtetet skandinave në përgjithësi dhe në Norvegji në veçanti, politologu dhe shkrimtari Fatmir Lekaj kërkon nga miqtë e tij që t’i bashkohen nismës që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë dhe të kërkojnë nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë që të miratojnë kërkesën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.
Në rrjetin social facebook, ky atdhetar i devotshëm shkruan:
Të nderuar miq,
Ju ftoj të bashkoheni me nismën humanitare në vijim, duke e shpërndarë nëpër muret tuaja logon dhe tekstin si vijon:
Si njeri dhe si shqiptar kërkoj nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë të miratojnë kërkesën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë.
Kjo lulëkuqe duhet të jetë simboli i përkujtimit dhe vigjilencës që gjenocidi të mos lejohet kurrë më në Kosovë.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur” falënderon përzemërsisht atdhetarin dhe intelektualin e shquar për këtë mbështetje shumë të rëndësishme dhe apelin drejtuar miqve të tij.
Bardhyl Mahmuti- Kryetar
Adnan Asllani- Zëvendës Kryetar