Gjenocidi gjithmonë i ka shkaktuar humbje të mëdha njerëzimit! (45)
Në pjesën e parë të këtij studimi, kur trajtuam aspektet teorike të krimit të gjenocidit, nxorëm në pah se, përveç përkufizimit të gjenocidit dhe shndërrimit të këtij termi në kategori juridike, në preambulën e Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit theksohet se “Organizata e Kombeve të Bashkuara pranon faktin, se gjatë të gjitha periudhave të historisë, gjenocidi i ka shkaktuar humbje të mëdha njerëzimit” dhe e cilëson si “të dënueshme nga e tërë bota e civilizuar”[1].
Ky qëndrim hapi mundësinë e zbatimit të nocionit gjenocid edhe për cilësimin e rasteve që kanë ndodhur përpara se të miratohej ky instrument i së drejtës ndërkombëtare. Pikërisht për arsye të përfshirjeve të tyre në krime që mund të hynin në këtë kategori, një numër shtetesh kanë ngurruar ta miratojnë këtë konventë apo e kanë miratuar me rezerva të ndryshme! Mirëpo karakteri universal i këtij instrumenti, që kërkon nga bota e civilizuar ta dënojë këtë krim dhe të angazhohet që ta çlirojnë njerëzimin nga kjo mynxyrë e shëmtuar, u jepte mundësi popujve të ndryshëm të mobilizoheshin për të ndriçuar atë që kishin përjetuar në të kaluarën.
Në këtë kontekst do të ndalem në dy raste: në rastin e gjenocidit kundër armenëve nën Perandorinë Osmane dhe gjenocidin e shtetit gjerman ndaj grupeve etnike herero dhe nama të Namibisë. Megjithëse gjenocidi që ka kryer Perandoria Gjermane në Namibi ka ndodhur disa vite përpara gjenocidit armen, dhe një numër i konsiderueshëm historianësh e konsiderojnë si gjenocidi i parë i kryer në shekullin XX, shqyrtimin e kësaj çështjeje do ta filloj me rastin e armenëve, për shkak se është domethënës për këmbënguljet e pandërprera për të nxjerrë në dritë në përmasa botërore të vërtetën e asaj që kishin përjetuar dhe ky mobilizim pati ndikim në rrafshin ndërkombëtar edhe për rastin e gjenocidit në Namibi.
Gjenocidi armen
Në këtë shkrim nuk do të trajtohen divergjenca lidhur me numrin e viktimave[2] gjatë realizimit të krimit të gjenocidit në periudhën 24 prill 1915 – korrik 1916, por do të përqendrohem në këmbënguljen e të mbijetuarve të këtij gjenocidi dhe të pasardhësve të tyre për informimin lidhur me këtë tragjedi, si parakusht për të gjetur mbështetjen e nevojshme. Lidhur me këtë aspekt është me rëndësi të nxirret në pah fakti, se armenët që i mbijetuan gjenocidit u shpërndanë në katërta anët e botës. Tragjedia që kishin përjetuar i lidhi armenët me njëri-tjetrin dhe ndikoi që të gjenin format e organizimit, të përshtatshme me rrethanat politike dhe shoqërore të shteteve dhe kontinenteve ku u vendosën. Me këto forma të organizimit ata arritën të ruajnë identitetin e tyre kombëtar, fetar dhe kulturor dhe të krijojnë shoqata të përbashkëta miqësie me qytetarët e vendeve mikpritëse.
Falë punës së pandërprerë në informimin e plotë për atë që kishin përjetuar dhe kontakteve të drejtpërdrejta me qarqet politike, mediatike dhe shkencore të vendeve ku u vendosën, u hap rruga për njohjen politike të vuajtjeve të popullit armen, si prelud i njohjes politike të gjenocidit.
Pikërisht në prag të 50-vjetorit të përkujtimit të këtij krimi erdhi vendimi i parë: më 20 prill të vitit 1965, Kuvendi dhe Senati i Uruguajt miratuan rezolutën, nëpërmjet së cilës ky shtet njihte zyrtarisht vuajtjet e popullit armen, pa përdorur termin gjenocid. Në përkujtim të viktimave të vitit 1915, Uruguaj shpall 24 prillin e vitit 1965 “Ditë e martirëve armenë”, radiot stacionet shtetërore urdhërohen t’i kushtojnë një pjesë të programit të tyre përkujtimit të këtyre viktimave dhe Shkolla së mesme nr. 156 e rajonit Mondevideo u emërua “Armenia”[3].
U desh të kalojë një gjysmëshekulli, derisa ky realitet tragjik të njihet zyrtarisht nga shteti i parë. Mirëpo njohja nga Uruguaj ishte inkurajuese për armenët dhe, në të njëjtën kohë, ua bëri të qartë se pa mobilizim të gjithanshëm informativ dhe shtrirjen e rrjeteve të miqësisë me popujt e shteteve që kishin hapur dyert për të mbijetuarit armenë, gjenocidi në fjalë do të mbetej në heshtje. Prandaj shtuan organizimet dhe aktivitetet e tyre në të gjitha kontinentet ku ishin të shpërndarë. Si rezultat i kësaj pune të pandërprerë kemi rezolutën e parë të një institucioni shtetëror, që njohu gjenocidin armen. Në paragrafi e parë të Rezolutës 74 të Kuvendit të Qipros të 29 prillit 1982 thuhet tekstualisht: “Me rastin e përvjetorit të gjenocidit ndaj popullit armen të filluar dhe të kryer më 1915 nga regjimi i moçëm turk, Dhoma e Deputetëve dënon sinqerisht krimin e kryer kundër popullit armen dhe e cilësojnë si gjenocid, i cili ka çrrënjosur armenët nga tokat e tyre stërgjyshore”[4].
Dy vite më vonë, në Rezolutën 247 të datës 12 shtator 1984, Senati dhe Dhoma Përfaqësuesve të SHBA-së vendosin të shpallin 24 prillin e vitit 1985 si “Ditë kombëtare e përkujtimit të akteve çnjerëzore të njeriut kundër njeriut dhe autorizoi presidentin e shtetit që të nxjerrë një proklamatë, nëpërmjet së cilës do të ftohej populli i SHBA-së ta konsiderojë këtë ditë si një ditë e përkujtimit të të gjitha viktimave të gjenocidit, dhe veçanërisht të një milion e gjysmë armenëve që ishin viktima të gjenocidit të kryer në Turqi ndërmjet 1915 dhe 1923, në përkujtim të të cilëve kjo datë shënohet nga të gjithë armenët dhe miqtë e tyre anekënd botës”[5].
Kjo rezolutë pati efektet e veta. Në sesionin e 38-të të Këshillit Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara, në paragrafin 24 të raportit të datës 2 korrik 1985[6] të Nënkomisionit për luftë kundër diskriminimit dhe për mbrojtjen e minoriteteve, në mesin e krimeve të cilësuara si gjenocid përmendet edhe gjenocidi armen.
Në frymë të përpjekjeve për të gjetur një përgjigje të përshtatshme për zgjidhjen e çështjes armene, Parlamentit Europian më 18 qershor 1987[7] solli një rezolutë.
Në paragrafin 2 të kësaj rezolute thuhet në mënyrë të qartë, se “ngjarjet tragjike që kanë ndodhur kundër armenëve në vitet 1915-1917 në territorin e Perandorisë Osmane përbëjnë një gjenocid në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit (…)”[8] dhe tërheq vëmendjen se “Turqia aktuale nuk mund të mbahet përgjegjëse për dramën që kanë përjetuar armenët e Perandorisë Osmane dhe thekson me forcë se pranimi i këtyre ngjarjeve historike si gjenocid nuk mund të shërbejë për asnjë kërkesë politike, juridike apo materiale.”[9].
Ndryshimet që ndodhën pas rënies së Murit të Berlinit dhe përmbysjet e sistemeve politike në vendet e Lindjes e zhvendosën gjetiu vëmendjen e prioriteteve. Ky kontekst historik ndikoi që çështja e gjenocidit armen të dalë në rend të dytë. Ndërsa në vitin 1995 vazhdoi njohja politike e tij. Kështu, më 14 prill të këtij viti, Duma ruse miratoi rezolutën, nëpërmjet së cilës shpalli 24 prillin “Ditë e përkujtimit për të gjitha viktimat e gjenocidit”[10]. Pason njohja nga Parlamenti i Greqisë[11] më 25 prill 1996, nga Senati belg[12] më 26 mars 1998, ndërsa në vitin e fundit të shekullit XX, në vitin 2000, kemi njohjen nga Parlamenti libanez[13], më 11 maj, njohjen nga Vatikani[14] më 10 nëntor dhe njohjen nga Parlamenti italian[15] më 17 nëntor.
Sa u përket vendimeve lidhur me njohjen politike të gjenocidit armen gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar vlen të përmendet rezoluta e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së e datës 11 qershor 1996, nëpërmjet së cilës kushtëzohen ndihmat amerikane për Turqinë me njohjen nga ana e këtij shteti të krimit të gjenocidit armen dhe të ndërmarrjes së masave të nevojshme për të nderuar kujtimin e viktimave të këtij gjenocidi[16].
Në dekadën e fundit të shekulli XX njerëzimi u ballafaqua me gjenocidin në Bosnjë dhe Hercegovinë, atë në Kroaci, në Ruandë dhe në Kosovë. Skenat e krimeve të tmerrshme të civilëve të masakruar, të viktimave të dhunës seksuale, të dëbimeve masive të njerëzve nga vatrat e tyre, të shkatërrimeve të objekteve arsimore, kulturore e historike që lidheshin me identitetin kombëtar, etnik, racial ose fetar, që ishte objekt i planit gjenocidar, i dhanë botës një pasqyrë të përafërt për të imagjinuar realitetin e popujve të tjerë, të cilët në të kaluarën kishin qenë objekt i krimit të gjenocidit.
Gjatë dy dekadave të shekullit XXI, gjenocidin armen e njohu zyrtarisht Franca[17], Zvicra[18], Argjentina[19], Kanadaja[20], Sllovakia[21], Holanda[22], Polonia[23], Gjermania[24], Venezuela[25], Lituania[26], Kili[27], Skocia dhe Irlanda[28]. Ndërkaq më 27 janar 2010, kryeministri i Uellsit njohu gjenocidin armen, pastaj edhe Suedia[29], Egjipti[30], Siria[31] dhe të dyja dhomat e kuvendit të Bolivisë[32].
Në këtë kontekst vlen të veçohet Franca, sepse është shteti i parë në botë, që njohjen e gjenocidit armen nuk e kufizoi vetëm në rezoluta të kuvendit, por më 29 janar 2001 e shndërroi në ligj shtetëror[33], nëpërmjet të cilit parashihen masat ndëshkuese kundër atyre që mohojnë këtë gjenocid[34].
Vlen të theksohet se një vit përpara 100-vjetorit të përkujtimit të gjenocidit armen, kabineti i kryeministrit të atëhershëm të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, më 23 prill 2014 lëshoi një komunikatë për shtyp, nëpërmjet së cilës u shprehin ngushëllime nipërve dhe mbesave të armenëve të vrarë në fillim të shekullit XX[35]. Paraprakisht edhe ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutoglu, e kishte cilësuar si “tragjedi çnjerëzore”[36] atë që kishte ndodhur me armenët.
Në vitin 2015, përkujtimi i 100-vjetorit të këtij gjenocidi mobilizoi armenët dhe organizata të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në katërta anët e botës. Në kuadër të kësaj fryme, Parlamenti Europian miratoi rezolutën[37], nëpërmjet së cilës “shprehte falënderime për deklaratat e Presidentit Rexhep Taip Erdogan dhe të Kryeministrit Ahmet Davutoglu dhe e inkurajonte Turqinë që të bënte edhe një hap përpara: të hapte arkivat dhe të njihte gjenocidin që ishte kryer kundër armenëve, si bazë e mirë për një pajtim të vërtetë”[38].
Vlen të theksohet se, përkundër pranimit të “tragjedisë” që kishte përjetuar populli armen dhe “shprehjes së ngushëllimeve”, Turqia nuk është e gatshme të pranojë krimin e gjenocidit. Prandaj kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, reagoi ashpër kundër rezolutës së Parlamentit Europian dhe e cilësoi si “raciste”[39].
Më 22 prill 2015, “Parlamenti austriak mbajti një minutë heshtje për viktimat e gjenocidit armen dhe njohu edhe përgjegjësinë e vet si aleate e Perandorisë Osmane. Në të njëjtën kohë i kërkoi edhe Turqisë që të ballafaqohet ndershmërisht me kapitujt e hidhur të historisë së vet, të njohë gjenocidin që ka kryer ndaj armenëve nën Perandorinë Osmane”[40]. Një ditë më vonë, edhe presidenti gjerman, Joachim Gauck, pranoi bashkëfajësinë e Gjermanisë në krimin e gjenocidit armen”[41]
Njohjet politike të gjenocidit armen vazhduan njëra pas tjetrës: më 6 maj ishte Kuvendi i Luksemburgut[42], që e miratoi unanimisht rezolutën për gjenocidin armen; më 2 qershor Senati i Brazilit[43]; më 18 qershor, në emër të Qeverisë së Belgjikës, kryeministri Charles Michel deklaroi se ngjarjet tragjike të kryera ndërmjet viteve 1915-1917 duhet të konsiderohen si gjenocid[44]; më 23 korrik, Kuvendi[45] i Belgjikës miratoi rezolutë për këtë çështje. Përpos miratimeve veç e veç nga kuvendet dhe senatet e disa shteteve të Amerikës Latine, më 31 korrik 2015, Parlamenti latino-amerikan[46], ku bëjnë pjesë 23 shtete të Amerikës Latine[47], e miratuan rezolutën për njohjen e gjenocidit armen.
Njohja politike e gjenocidit armen vazhdoi edhe në vitet që pasuan 100-vjetorin e përkujtimit të këtij krimi. Kështu, më 2 qershor 2016, Bundestagu gjerman njohu edhe përgjegjësinë e Perandorisë Gjermane në krimin e gjenocidit armen, si aleat kryesor i Perandorisë Osmane të asaj kohe[48]. Pak ditë më vonë, gjatë vizitës së tij në Armeni, më 24 qershor, Papa Françesku e cilësoi si gjenocid atë që u kishte ndodhur armenëve gjatë viteve 1915-1916. Në fjalën e tij Papa deklaroi se, “fatkeqësisht, ky gjenocid inauguroi listën e trishtueshme dhe të tmerrshme të katastrofave të shekullit të fundit, që u mundësuan nga motive të çmendura raciale, ideologjike ose fetare, që errësuan shpirtrat e xhelatëve deri në atë shkallë, sa të përcaktojnë si qëllim asgjësimin e popujve të tërë”[49], ndërsa më 1 gusht, Komisioni për Edukim, Kulturë dhe Sport i Kuvendit të Izraelit (Knesset) miratoi një rezolutë që “dënonte gjenocidin ndaj armenëve dhe ftoi qeverinë të bënte të njëjtën gjë”[50]. Në vitin 2017 të njëjtën gjë bëri Kuvendi i Çekisë, në vitin 2018 ai i Holandës, ndërsa në vitin 2019 Kuvendi i Portugalisë.
Në përvjetorin e 106-të të krimit të gjenocidit armen, më 24 prill 2021, presidenti amerikan, Joe Bajden, zyrtarisht njohu si gjenocid krimin që Perandoria Osmane kishte kryer kundër armenëve[51].
Në bazë të informatave që kam mundur të siguroj nga faqet e ndryshme të internetit të organizatave armene dhe nga faqja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Armenisë, deklarata e Parlamentit të Letonisë për njohjen e krimit të gjenocidit armen është njohja e fundit politike[52], mirëpo beteja politike për njohjet të tjera janë duke u zhvilluar brenda institucioneve të shteteve të ndryshme në katërta anët e botës.
[1] Shih shtojcën Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, f.
[2] Sipas të dhënave të Perandorisë Osmane, numri i të vrarëve shkon nga 300 mijë deri në 800 mijë, ku përfshihen edhe turq të vrarë, ndërsa për shumicën e historianëve të shteteve perëndimore, ky numër shkon nga 1,2 milionë deri në 1,5 milionë armenë të vrarë.
[3]Résolution du Sénat et de la Chambre des Représentants de l’Uruguay, le 20 Avril, 1965,
http://www.genocide-museum.am/fr/states.php#
[4] Résolution de la Chambre des Représentants de Chypre, (Rezolutë e Kuvendit të Qipros), 29 prill, 1982.
http://www.genocide-museum.am/fr/states.php#
Shih gjithashtu: L’Imprescriptible, Claude Mutafian, L’avalanche des reconnaissances du gjenocide (Orteku i njohjeve të gjenocidit),
https://archive.wikiwix.com/cache/index2.php?url=http%3A%2F%2Fwww.imprescriptible.fr%2Fbrochure%2Fb26.htm#federation=archive.wikiwix.com&tab=url
[5] U.S. House of Representatives Joint Resolution 247, September 12, 1984,
https://archive.wikiwix.com/cache/index2.php?url=http%3A%2F%2Fwww.genocide-museum.am%2Feng%2FU.S._House_of_Representatives_Joint_Resolution_247.php#federation=archive.wikiwix.com&tab=url
[6] Conseil économique et social des Nations Unies, Commission des droits de l’hommes, Sous-Commission de la luttë contre la discrimination et de la protection des minodités, Trente-hutième sesion, 2 juillet 1985.
[7] Résolution du Parlement européen sur une solution politique de la question arménienne, (Rezoluta e Parlamentit Europian për një zgjidhje politike të çështjes armene), 18 qershor 1987. https://www.cvce.eu/obj/resolution_du_parlement_europeen_sur_une_solution_politique_de_la_question_armenienne_18_juin_1987-fr-91fbffca-0721-49d5-9e53-f95393d470b2.html
[8] Po aty, paragrafi 2.
[9] Po aty.
[10] Russia Duma Resolution, 14 prill 1995,
https://archive.wikiwix.com/cache/index2.php?url=https%3A%2F%2Fwww.armenian-genocide.org%2FAffirmation.151%2Fcurrent_category.7%2Faffirmation_detail.html#federation=archive.wikiwix.com&tab=url
[11] Ministère des Affaires étrangères de la République d’Arménie, Reconaissance,
https://www.mfa.am/fr/recognition/
[12] Proposition de résolution relative au génocide des Arméniens de Turqie en 1915, 26 mars 1998.
https://www.senate.be/www/?MIval=/Registers/ViewReg&COLL=H&PUID=16780404&TID=16784751&POS=1&LANG=fr
[13] Ministère des Affaires étrangères de la République d’Arménie, Reconaissance,
https://www.mfa.am/fr/recognition/
[14] Shkrimi i cituar më lart: L’Imprescriptible, Claude Mutafian, L’avalanche des reconnaissances du gjenocide (Orteku i njohjeve të gjenocidit).
[15] Ministère des Affaires étrangères de la République d’Arménie, Reconaissance,
https://www.mfa.am/fr/recognition/
[16] US House of Representatives Resolution 3540, 11 juin 1996.
https://www.armenian-genocide.org/Affirmation.159/current_category.7/offset.50/affirmation_detail.html
[17] Ministère des Affaires étrangères de la République d’Arménie, Reconaissance. Më 29 janar 2001. https://www.mfa.am/fr/recognition/
[18] Po aty, Rezolutë e Kuvendit të Zvicrës. Më 16 dhjetor 2003.
[19] Po aty. Më 31 mars 2004 (Deklaratë e Senatit), më 20 prill 2005 (Rezolutë e Senatit), 19 prill 2006 (Deklaratë speciale e Senatit).
[20] Po aty. Më 13 qershor 2002 rezolutë e Senatit kanadez dhe më 21 prill 2004, rezolutë e Kuvendit të Komunave të Kanadasë.
[21] Po aty. Rezolutë e Kuvendit të Sllovakisë. Më 30 nëntor 2004.
[22] Po aty. Rezolutë e Kuvendit të Holandës. Më 21 dhjetor 2004.
[23] Po aty. Rezolutë e Kuvendit të Polonisë. Më 19 prill 2005.
[24] Po aty. Rezolutë e Bundestagut gjerman. Më 15 qershor 2005
[25] Po aty. Rezolutë e Kuvendit të Venezuelës. Më 14 korrik 2005.
[26] Po aty. Rezolutë e Kuvendit të Lituanisë. Më 15 dhjetor 2005.
[27] Po aty. Rezolutë e Senatit të Kilit, më 7 korrik 2007 dhe e Kuvendit të Kilit, më 14 prill 2015.
[28] Po aty. Në janar të vitit 2010.
[29] Po aty. Më 11 mars 2010.
[30] Le Président Égyptien par intérim déclare reconnaître le Génocide des Arméniens (Ushtruesi i detyrës së Presidentit të Egjiptit deklaron se njeh gjenocidin armen). Më 18 gusht 2013.
Le Président Égyptien par intérim déclare reconnaître le Génocide des Arméniens
[31] Le président syrien reconnaît le génocide arménien (Presidenti sirian njeh gjenocidin armen). Më 30 janar 2014: https://archive.wikiwix.com/cache/index2.php?url=https%3A%2F%2Farchive.ph%2FjoTYh#federation=archive.wikiwix.com&tab=url
Më 30 janar 2014, presidenti i Sirisë, Bashar El Asad, e cilësoi si gjenocid krimin kundër armenëve, ndërsa më 13 shkurt 2021 edhe Parlamenti i Sirisë miratoi rezolutë për gjenocidin armen.
La Croix, Le Parlement syrien reconnaît le génocide arménien (Parlamenti sirian njeh gjenocidin armen)
https://www.la-croix.com/Monde/Moyen-Orient/Le-Parlement-syrien-reconnait-genocide-armenien-2020-02-13-1201078131
[32] La Bolivie reconnaît et condamne le génocide des Arméniens (Bolivia njeh dhe dënon gjenocidin ndaj armenëve) më 30 nëntor 2014.
https://archive.wikiwix.com/cache/index2.php?url=http%3A%2F%2Fwww.genocide-museum.am%2Ffr%2F01.12.2014-Bolivia.php#federation=archive.wikiwix.com&tab=url
[33]Shkrimi i cituar më lart: L’Imprescriptible, Claude Mutafian, L’avalanche des reconnaissances du gjenocide (Orteku i njohjeve të gjenocidit).
[34] Çështja e divergjencave që ka shkaktuar ky ligj qoftë në kuadër të juristëve francezë, atyre turq apo armenë nuk është objekt i këtij shkrimi.
[35] Erdogan présente ses condoléances aux petits-enfants d’Arméniens tués en 1915.
https://www.france24.com/fr/20140423-turquie-erdogan-presente-condoleances-petits-fils-armeniens-massacres
[36] Libération, Génocide arménien =: des mots, pas les bons. (Gjenocidi armen: fjalë, por jo ato të mirat).
https://www.liberation.fr/planete/2014/04/24/genocide-armenien-des-mots-pas-les-bons_1003932/
[37] Résolution du Parlement européen sur le centenaire du génocide arménien (Rezoluta e Parlamentit Europian për 100 vjetorin e gjenocidit armen), 15 prill 2015.
https://www.europarl.europa.eu/doceo/document/RC-8-2015-0342_FR.html?redirect
[38] Po aty. Pika 5 e rezolutës.
[39] Le Point, “Controverse sur le génocide arménien: Davutoglu dénonce le ‘racisme’ de l’Europe”, (Kundërthëniet për gjenocidin armen : Davudoglu denoncon ‘racizmin’ e Europës), më 17 prill 2015.
https://www.lepoint.fr/monde/controverse-sur-le-genocide-armenien-davutoglu-denonce-le-racisme-de-l-europe-17-04-2015-1922318_24.php#11
[40] Le Figaro, “Autriche: le génocide arménien symboliquement reconnu”, (Austri: Gjenocidi armen u njoh simbolikisht), më 22 prill 2015.
[41] Le monde, Le président allemand reconnaît le “génocide” des Arméniens (Presidenti gjerman njeh ‘gjenocidin’ ndaj armenëve), më 23 prill 2015.
https://www.lemonde.fr/europe/article/2015/04/23/le-president-allemand-reconnait-le-genocide-des-armeniens_4621763_3214.html
[42] Le quotidien, La Chambre reconnaît le génocide arménien (Kuvendi njeh gjenocidin armen), më 7 maj 2015.
[43] Le monde, Reconnaissance du génocide des Arméniens: la Turquie rappelle son ambassadeur au Brésil (Njohja e gjenocidit ndaj armenëve: Turqia thirr ambasadorin e vet në Brazil), më 10 qershor 2015.
https://www.lemonde.fr/international/article/2015/06/09/reconnaissance-du-genocide-des-armeniens-la-turquie-rappelle-son-ambassadeur-au-bresil_4650717_3210.html
[44] Le Soir, Charles Michel reconnaît le génocide arménien à la Chambre, më 18 qershor 2015.
https://www.lesoir.be/art/911911/article/actualite/belgique/2015-06-18/charles-michel-reconnait-genocide-armenien-chambre
[45] La Libre, La reconnaissance du génocide arménien adoptée par la Chambre (Njohja e gjenocidit armen u miratua nga Kuvendi, më 23 korrik 2015.
https://www.lalibre.be/belgique/2015/07/23/la-reconnaissance-du-genocide-armenien-adoptee-par-la-chambre-J3ANSNP2QJCSPMX2EIUSVSFCWM/
[46] Le Parlement latino-américain reconnaît le génocide arménien (Parlamenti latino-amerikan njeh gjenocidin armen). Më 3 gusht 2015.
https://archive.wikiwix.com/cache/index2.php?url=http%3A%2F%2Fwww.collectifvan.org%2Farticle_print.php%3Fid%3D90444#federation=archive.wikiwix.com&tab=url
[47] Parlamenti latino-amerikan (PARLATINO) u themelua në vitin 1987 dhe anëtarë të tij janë: Argjentina, Aruba, Bolivia, Brazili, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Kuba, Kuraçao, Ekuatori, Guatemale, Hondurasi, Meksika, Nikaragua, Panama, Paraguai, Peru, Republika Dominikane, Sen-Martin, Salvadori, Suriname, Uruguai dhe Venezuela
[48] Le monde, En réaction à la reconnaissance du génocide arménien par l’Allemagne, la Turquie rappelle son ambassadeur à Berlin (Si reaksion për njohjen e gjenocidit armen nga Gjermania, Turqia ftoi ambasadorin e saj në Berlin). Më 2 qershor 2016.
https://www.lemonde.fr/europe/article/2016/06/02/les-deputes-allemands-veulent-la-reconnaissance-du-genocide-armenien_4931205_3214.html
[49] Le monde, En Arménie, le pape dénonce le “génocide” des Arméniens (Në Armeni, papa denoncoi “gjenocidin” ndaj armenëve). Më 24 qershor 2016.
https://www.lemonde.fr/international/article/2016/06/24/en-armenie-le-pape-denonce-le-genocide-des-armeniens_4957726_3210.html
[50] La commission de l’Education de la Knesset reconnaît le génocide arménien, (Komisioni për Edukim… Knesset, njeh gjenocidin armen). Më1 gusht 2016.
https://fr.timesofisrael.com/la-commission-de-leducation-de-la-knesset-reconnait-le-genocide-armenien/
[51] Biden officially recognizes the massacre of Armenians in World War I as a gjenocide (Bajden njeh zyrtarisht masakrën ndaj armenëve në Luftën e Parë Botërore si gjenocidt), 24 prill 2021.
https://edition.cnn.com/2021/04/24/politics/armenian-genocide-biden-erdogan-turkey/index.html
[52] Latvia recognizes the Armenian Genocide (Letoni njeh gjenocidin armen), më 6 maj 2021.