Konteksti si tërësi dhe “Revolta e Syzifit”, Bardhyl Mahmuti, 2026, si strukturë kontekstesh

Skicë/kornizë bazë e kumtesës së mbajtur në Institutin Albanologjik të Prishtinës. 19.05.2026

Virion Graçi

“Konteksti si tërësi dhe “Revolta e Syzifit”, Bardhyl Mahmuti, 2026, si strukturë kontekstesh.”

I-Letërsia&Konteksti
Leximi dhe rivlerësimi i letërsisë në kontekst është nevojë dhe realitet, domosdoshmëri; njohja e kontekstit kohë-hapësirë në të cilën ka lindur a është vendosur vepra, nuk mund ta zbehë vlerën e saj, sikurse vepra, me elementët e saj të sferës njohëse, na çon vetiu në kontekste pasi përfaqëson atë pjesë historie njerëzore që nuk mund ta rrokë narrativë tjetër veç asaj artistike. Një tufë veprash që i kanë mbetur fondit të zgjedhur të letërsisë së përbotshme që nga antikiteti e lexohen ende me endje si letërsi aktuale, dhe çdo vepër e re, e madhe që hyn në skenën letrare e bëhet nëpër vite trashëgimi e përbashkët kulturore, flet në të mirë të perceptimit/njohjes/gjykimit kritik të veprave edhe brenda konteksteve social-kulturorë.
Parë në vetvete, veprat e zgjedhura janë të mjaftueshme në kuptimet e tyre letrare, si fiksion, si histori që realizohen nëpër kategori të ndryshme estetike duke u lënë liri zbulimeve të natyrës njerëzore, përfytyrimeve e interpretimeve, bashkautorësisë me lexuesin dhe studiuesit. Por konteksti kohor/kulturor/ mund të zbulojë më tepër rreth autorit, burimeve të tij të formimit, frymëzimit, intencës shkrimore. Veprat e atilla janë të pasura me alegori, simbolikë, paralelizma; gjuha artistike sugjeron e provokon kuptime, konotacione në më shumë se një shtresë, në më shumë se një dimension; konteksti na mundëson ta përjetojmë më imtësisht tekstin duke sjellë afër nesh autorin që duke qenë njeri i rrethanave autentike, të papërsëritshme, i një periudhe tjetër në kalendarin astronomik, ka ditur të thurë rrëfime e të kumtojë ndjenja, mendime, ide edhe për ndjekësit.
Dobia e studimit të letërsisë në kontekst na çon në përfitime: Njohja e reagimeve, historia e pritjeve, e interpretimeve të veprës letrare, në prerje të veçanta kohore; na tregon njëherazi, pa e pasur fare qëllim më vete, zbulimin e horizontit të gjykimit e nivelit kulturor të vetë shoqërisë: mënyra si perceptojmë e interpretojmë veprat artistike shpesh tregon kush jemi ne si shije, si prirje, si orientim, si botëkuptim.
Në letërsi si e jona, që nuk shkon më gjatë se një shekull jetë normale, pra, me gjuhë amtare të pranuar zyrtarisht, e lëvruar vonë fare si gjuhë arti, me kushte krijuese e botuese kryesisht të cunguara, pranimi i letërsisë dhe shkrimi i historisë së saj e ka të domosdoshëm kontekstin kohor; ndryshe, nisur nga kritere të ngurta vetëm estetike, ose vetëm patriotike, ose vetëm ideologjike a edukative, do të na mbetej i përligjur, i arsyetuar, i mirëkuptuar vetëm segmenti përkatës që i përgjigjet normës, do të humbiste tërësia, të tjerat, ato jashtë kriterit të kulluar, do të quheshin të huaja, pa vend. Kështu, jashtë kontekstit historik, do të ishin të pa arsyetuara në të tashmen e më pas, si letërsi shqipe tekste të periudhës humaniste, ose, pothuajse çdo gjë e krijuar gjatë Rilindjes Kombëtare, ose shumëçka, botuar e promovuar në Shqipërinë e viteve 1945-’90, shkrimi letrar dhe kritika përcjellëse. Parja e trashëgimisë letrare në kontekstet përkatëse na ndihmon ta kuptojmë më gjerë, ta mirëkuptojmë, ta pranojmë edhe si lexues duke ditur shkaqet objektive pse nuk ka mundur të qëndrojë në kullën e fildishtë të artit të kulluar, art e vetëm art, pse është ashtu si është, tek e fundit.
Poezie moderne në Kosovë, në vitet ’70-80-të, mund të perceptohet realisht e tillë nëse e shohim atë në kontekstin e historisë gjegjëse të Kosovës, rrethanave shqiptare, në përgjithësi. Parë në kontekstin letrar-poetik europian, amerikan apo matur me çdo lëvizje letrare në botë, do të na zvogëlohej, do të na deformohej perceptimi i vlerave të saj, do të na kapte keqardhja ose nënçmimi i saj. Ajo që ishte thelbësore për poetët shqiptarë të Kosovës, nuk mund të ishte e tillë për kolegët e tyre në Europë dhe anasjelltas. Edhe në këtë rast, që përbën ende fazën më prodhimtare, më me prurje moderne në poezinë shqipe, konteksti social-kulturor është ai që e legjitimon letërsinë sikurse letërsia e përjetëson kontekstin, e ndriçon, e bën të dukshëm, të ditur, të perceptueshëm.
Leximi e studimi i letërsisë së shkruar e promovuar në Shqipëri gjatë periudhës së diktaturës komuniste, i tillë ishte shpallur regjimi me kushtetutë, ashtu funksiononte, e ka të domosdoshëm pamjen e plotë, tablonë e gjerë të kushteve krijuese, të marrëdhënieve me botuesin dhe shoqërinë: jo për ti përbaltur shkrimtarët, siç paragjykohen shpesh veprime të tilla në ueb-e duke shpallur tema tabu e emra tabu, të padiskutueshëm, por të t’i mirëkuptuar ata, zonat e tyre gri. Lidhur me kontekstin, pikërisht prodhimtaria nën diktaturë i ka të dyja anët e medaljes: nëse shkrimi artistik nuk ka shenja të theksuara politike, ideologjike, propagandistike a shërbese ndaj sistemit politik, interpretimi kritik i kohës, duke menduar se ja shton prestigjin, dinjitetin, lartësimin në publik, i ka dhënë vlera të tilla politike, ideologjike, propagandistike, partishmërie që nuk janë ose janë jo të asaj mase që përshkruhen. Për rrjedhojë, kjo e ka përmirësuar marr-dhënien e autorëve me regjimin, por u ka zhvendosur aksin artistik-ideor të veprës, gjë që ata nuk mund ta apelonin për rigjykim.
Tani nuk mund të hyjmë në kritikën gjenetike të romanit “Kështjella”, (Ismail Kadare, botimi i parë, 1970) për të parë transformim progresiv të tekstit, por e sjellim si shembull konkretizues i njërit prej aspekteve të letërsisë si e tillë, si zë i parë dhe kontekstit, si zë i dytë. Le ti cekim sa për ilustrim tre lexime/receptime të romanit, nëpër periudha kohore me ndryshme esenciale, sa i përket horizontit kulturor përkatës, varësisht prej situatave politike e ideologjike. Në vitet ‘70-të romani në fjalë është lexuar si histori e luftës së shqiptarëve për mbrojtjen e kështjellës së Krujës, ndonëse (1) topografia e elementë të tjerë bazikë në rrëfimin me klasifikim historik, nuk përputhem mjaftueshëm dhe (2) rrëfimi mbizotërues i përket kampit armik. Ky ka qenë njëri nga leximet/interpretimet: metaforë e qëndresës ndaj pushtuesit turk. Në të njëjtën kohë, është hedhur në qarkullim interpretimi me të cilin dhe autori i romanit ka rënë dakord, ose nuk ka mundur të ishte kundra: romani “Kështjella” është simbol i qëndresës së Shqipërisë komuniste përballë botës borgjezo-revizioniste, pra, kundër qytetërimit perëndimor. Interpretime të tjera, në shtypin e huaj dhe në Shqipërinë e post-komunizmit, të çojnë te ballafaqime kulturash, simbolikë e qëndresës së shqiptarëve të krishterë kundër otomanëve myslimanë, pra, përplasje qytetërimesh, kulturash. Dhe romani, besohet, për tu përshtatur maksimalisht në kontekste të ndryshme kohore-kulturore ka dalë i ri titulluar ose i nën titulluar: “Daullet e shiut”, në frëngjisht, apo në ribotimin në shqip “Rrethimi”. Te titulli “Rrethimi”, që ka mbetur përfundimtar pasi është dora dhe vullneti i autorit Ismail Kadare, duket se është hequr dorë nga simbolika a metafora e qëndresës dhe sfidës ndaj fuqive të mëdha borgjezo-revizioniste, sikurse ishte perceptuar nga bashkëkohësit në vitet 70-të’; mbase autori në liri të plotë krijuese, e ka hequr qafe “Kështjellën” si titull dhe për shkak të ndonjë kryevepre botërore me këtë titull, e cila kishte bërë emër para saj, (“Kështjella” e F. Kafkës, për të kujtuar më kryesoren). Por “Rrethimi”, ish “Kështjella”, që nga dita kur autori i saj e quajti ashtu, nuk është më ajo e leximeve të mëhershme, pa llogaritur ndërhyrjet në tekst: Ajo i kërkon lexuesit një kontekst të ri leximi-përfytyrimi-përjetimi.
Më tej, autorë të njohur të realizmit socialist, kemi parasysh periudhën, jo stigmatizimin e tyre, kanë ribotuar poemat e poezitë duke u hequr fjalët komunizëm, parti, e të tjera shenja si këto, duke ja dedikuar një tjetër dashurie krijimin, frymëzimin, vargun poetik, rrëfimin lirik. Edhe në këto ndërhyrje autoriale e editorie, konteksti bëhet kryefjalë jo në krijimin në vetvete se sa në propozimin e tij për publikun lexues, nevojë e autorëve për t’i shpëtuar vjetërsimit të veprave të tyre, shmangie e perceptimit të artit të tyre të dikurshëm si zejtari shërbese ndaj aparatit shtetëror. Nuk teprohet kur themi se dhe ripërkthimet e kryeveprave, rishkrimet e historive të letërsisë, rishqyrtimet kritike, teorike e estetike nuk janë më shumë se rikontekstualizime, rivlerësime në kontekstin e radhës.
II-“Revolta e Syzifit”, B. Mahumti, roman strukturash kontekstuale.
Historia e Kosovës, e pas viteve ’90-të përbën paradigmën e tragjedive të lashta e moderne, përbën, në gjuhë figurative-simbolike të Dante Alighierit, Ferrin njerëzor, Purgatorin dhe Parajsën. Nëse poeti fiorentinas i ka lënë frerë të lirë imagjinatës së begatë, duke përshkruar me gjuhë të zgjedhur poetike luftërat e brendshme për pushtet mes krahëve të ndryshëm politikë, intrigat, korrupsionin moral të elitave të kohës, nga autoritetet fetare deri te ata të pushtetit laik, në Kosovë e për Kosovën, nuk është dashur të kesh imagjinatë pjellore për të pasur rrëfime tragjike, elegjiake, groteske. Të gjitha këto ndodhën në dhjetë vitet e fundit të shek. XX-të, në sytë e botës, të mediumeve, të opinionit ndërkombëtar: gazetarë, reporterë televizivë, organizatave të drejtave të njeriut, organizatave humanitare, vëzhgues, diplomatë e inspektorë të ndryshëm. Megjithëse e dokumentuar, ploja në Kosovë, masakrat dhe krimet e gjithfarshme kundër njerëzimit aty, civilëve shqiptarë, ende ruan në gjirin e saj drama, tragjedi, pësime biblike të pa rrëfyera, të para përciptas, si statistikë ose rrumbullakosur me formulime që nuk prekin, nuk godasin dhe aq vetëdijen, ndërgjegjen.
Romani dokumentar “Revolta e Syzifit”, Bardhyl Mahmuti, 2026, “QENDRA GJENOCIDI NË KOSOVË PLAGË E HAPUR”, është rrëfim dantesk që e monumentalizon tragjedinë e veçantë të një familjeje në Poklekun e vjetër, duke e bërë parabolë të gjenocidit që ndodhi aty, etnocidit, në fakt. Mund të quhet roman tipik sa u përket konteksteve: është roman i mirëfilltë realist, me fakte historike, me prova të bollshme dokumentare, verbale e fotografike, është roman i gjuhës shprehëse artistike, i inkuadrimeve në ndeshjet diplomatike, në rrëfimet e imtësuara të viktimave, duke siguruar unitetin e narrativës dhe harmonizimin e lëndës nëpërmjet një zgjidhjeje efikase: udhëtimi viktimë -narrator Kosovë-Shqipëri e kthim në vendin e krimit, në fshat. Përgjatë udhëtimit, si dikur Dante me shoqëruesin e vet, prijësin shpirtëror, modelin e zejes poetike, zbulohen aktet e tragjedisë kosovare, karakterizohet protagonisti prej gjesteve e ligjërimit, qetësohet lexuesi midis akteve me pauza të shkurtëra: hollësi udhëtimi të zakonshëm, rrugës automobilistike, jo rrugëve të kujtesës.
Lidhur me paradigmën sizifiane, autori lidh organikisht mundimet tragjike të Sifizit mitologjik me njeriun e Kosovës së vitit 1999, Syzifin. Me kulturë të gjerë letrare-filozofike, shkrimtari Bardhyl Mahmuti e ka marrë Sizifin nga mishërimi/aktualizmi tij më i afërt në kohë, nga Sifizi i Kamysë, duke e shartuar në titull me esenë tjetër filozofike të të njëjtit autor, “Njeriu i revoltuar”.

Share this post