Operacioni “Spastrimi”
Nga vetëvrasja në shkallët e Kuvendit të Serbisë më 2002 e deri te zgjedhjet e vitit 2022, shteti serb ka një të përbashkët: spastrimin e kufomave shqiptare dhe shpëlarjen e ndërgjegjes serbe
Nga Demush Shasha
“Qytetarët serbë, patriotë, do të dinë si të hakmerren”
Serbia mban një rekord kurioz. Gjatë dhjetë vjetëve të luftërave në ish-Jugosllavi, dy ministrat e njëpasnjëshëm të Punëve të Brendshme kanë bërë vetëvrasje. Zoran Sokoloviq vrau veten në veturën e tij, ndërsa Vlajko Stojilkoviq zgjodhi sfond më dramatik, duke hedhur trutë e veta në shkallët e Kuvendit të Serbisë. Siç duket, vetëvrasja ka qenë rrugëdalja e vetme nga krimet e ministrave të Brendshëm të Serbisë në vitet ‘90.
Vlajko Stojiljkoviq ka një lidhje famëkeqe me Kosovën. Ai ishte ministër i Punëve të Brendshme gjatë luftës në Kosovë. Si i tillë, ai ka qenë ndër personat më luajalë të Milosheviqit dhe ekzekutuesi kryesor i planeve të tij monstruoze për Kosovën. Siç është evidentuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, Stojilkoviq ka qenë njeriu kyç në operacionet e transportit dhe fshehjes së kufomave shqiptare në territorin serb. Po ashtu, siç ka konfirmuar vetë Vladimir Vukçeviqi, ish-prokurori serb për krime lufte, Stojilkoviqi personalisht ka dhënë urdhër për vrasjen e vëllezërve Bytyçi.
Roli i tij personal në krimet e Kosovës ka qenë edhe arsyeja për vetëvrasjen dramatike në shkallët e Kuvendit Serb më 11 prill 2002, disa orë pas miratimit të Ligjit për bashkëpunim me Tribunalin Ndërkombëtar në Hagë. Tribunali tashmë kishte ngritur aktakuzë kundër tij. Pas vetes ai kishte lënë një letër shpjeguese për vetëvrasjen e tij. A e dini kush e ka lexuar atë letër me lot në sy mbrëmjen e 11 prillit 2002? Vetë presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai e lexoi letrën me zë drithërues, duke thënë se për vetëvrasjen e Stojilkoviqit “qytetarët serbë, patriotë, do të dinë si të hakmerren”.
“S’ka kufomë, s’ka krim”
Kjo histori m’u kujtua duke e lexuar publikimin e fundit të Fondacionit për të Drejtën Humanitare të quajtur “Operacioni i Fshehjes së Kufomave”. Publikimi përmban incizimet e dëshmitarëve, fotografitë e lokacioneve, hulumtimet forenzike, shënimet e raporteve policore dhe shumë materiale të tjera që dëshmojnë zbatimin e operacionit të fshehjes së kufomave të civilëve shqiptarë, të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Operacioni ishte urdhëruar personalisht nga Milosheviqi dhe është zbatuar nga muaji mars deri në maj të vitit 1999 nga të gjitha nivelet policore dhe ushtarake të Serbisë. Po ashtu, ky operacion u fsheh nga organet e drejtësisë të Serbisë.
Pikënisja e operacionit ishte muaji mars 1999. Në fillim të marsit të 1999-s, Milosheviqi kishte zhvilluar mbledhjen në kabinetin e tij me Vlajko Stojilkoviqin, ministër i Punëve të Brendshme, Radomir Markoviqin, drejtor i Resorit të Sigurisë Shtetërore, dhe Vlastimir Xhorxheviqin, drejtor i Resorit të Sigurisë Publike në MPB të Serbisë. Gjatë takimit Milosheviqi ka ngarkuar ministrin Stojilkoviq me “ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për fshehjen e të gjitha dëshmive që mund të dëshmojnë krimet nga ana e forcave serbe të sigurisë në Kosovë”.
Duke parashikuar drejt se do të vijë koha kur do ta gjejë veten në Tribunalin e Hagës, në muajin maj të vitit 1999 Milosheviqi kishte thirrur edhe një takim, ku prezent ishte edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Obrad Stevanoviq. Në shënimet e tij të takimit, nën titullin “Presidenti!”, Obradoviq kishte shënuar: “S’ka kufomë – s’ka krim”.
“Spastrimi i terrenit”
Ajo çfarë ishte duke kërkuar Milosheviqi ishte e paligjshme. Rrjedhimisht për të akomoduar urdhrin e Milosheviqit brenda kuadrit ligjor, institucionet e sigurisë së Serbisë kanë institucionalizuar togfjalëshin “spastrimi i terrenit”. Ky ishte term zyrtar për identifikimin, bartjen dhe fshehjen e kufomave të civilëve shqiptarë. Thënë ndryshe: spastrimi i krimeve.
Kësisoj, më 31 mars 1999, komandanti i Korpusit të Prishtinës, gjenerali Vladimir Lazareviq, kishte nxjerrë urdhrin mbi spastrimin e fushëbetejës në kuadër të të cilit ishin urdhëruar të gjitha brigadat ushtarake të Serbisë në Kosovë për spastrimin e terrenit, në bashkëpunim me njësitet policore dhe organet e tjera shtetërore. Ishte kërkuar që çdo brigadë ushtarake të ngrejë departamentin e spastrimit. Ende sot, ushtria e Serbisë mban sekret raportet e punës të këtyre brigadave ushtarake.
Sidoqoftë, disa të vërteta kanë dalë në sipërfaqe. Literalisht. Në prillin e ‘99-s, në sipërfaqen e Liqenit Perućac janë shfaqur fillimisht 5-7 kufoma njerëzore. Nuk kishte zgjatur shumë dhe në sipërfaqe kishte dalë një kamion i tërë frigoriferik. Vlastimir Xhorxheviq, drejtor i Resorit të Sigurisë Publike në MPB të Serbisë, urdhëroi “spastrimin e terrenit”. Nën organizmin masiv të organeve shtetërore, kamioni dhe kufomat u nxorën dhe u fshehën në afërsi të liqenit. Është e dëshmuar tani se në kuadër të këtij operacioni ka qenë i përfshirë tërë zingjiri komandues, nga ministri i Punëve të Brendshme, Stojilkoviq, e deri te nëpunësit e thjeshtë të kompanisë publike “Elektroizgradnja”. Në vitin 2001 do të zbulohet varreza masive tek Liqeni Perućac. Aty u gjetën 84 kufoma shqiptare.
Më 4 apo 5 prill 1999, një peshkatar lokal në fshatin Tekija kishte vërejtur në sipërfaqen e Danubit një kamion frigoriferik. Gjatë nxjerrjes së kamionit nga lumi, nga dera e pasme ishin të varura këmbët dhe duart e kufomave. Kur u hap kamioni, brenda ishin 83 kufoma dhe 3 koka të njerëzve. Përsëri, Vlastimir Xhorgjeviq, drejtor i Resorit të Sigurisë Publike në MPB të Serbisë, urdhëroi “spastrimin e terrenit”. Të gjitha kufomat janë bartur me kamionin e llojit “FAP” të ndërmarrjes publike “Komunalac” dhe një kamion civil i llojit “Mercedes” drejt Batajnicës në qendrën “13 Maj” të njësitit anti-terrorist të Serbisë. Në vitin 2001, në qendrën “13 Maj” në Batajnicë janë zbuluar tetë varreza masive, me gjithsej 744 kufoma.
Më 5 prill 1999, komandanti i brigadës së motorizuar 37 jugosllave, Lubisha Dikoviq, në përudhje me urdhrin e gjeneralit Vladimir Lazareviq për spastrimin sistematik të fushëbetejës në Kosovë, kishte nxjerrë vendim për “spastrimin e fushëbetejës” së Rrezallës. Në masakrën e Rrezallës u ekzekutuan 98 civilë shqiptarë. Trupat e tyre do të gjenden në varrezën masive, tek gurëthyesi në fshatin Rudnicë.
“Heronjtë” e Serbisë
Pas luftës në Serbi, gjenerali Lazareviq u dekorua për veprat e tij gjatë luftës në Kosovë dhe u avancua në komandant i forcave tokësore, por nuk kaloi shumë kohë dhe ai u dënua në Hagë me 14 vjet burgim për krime të luftës të ndërmarra si pjesë e organizatës së përbashkët kriminale. Pas lirimit nga Haga, Lazareviq u prit me nderime nga ministri i Mbrojtjes, Bratislav Gashiq, ministri i Drejtësisë, Nikola Selakoviq, shefi i Armatës serbe, Lubisha Dikoviq, dhe nga peshkopi Teodosije. Po ashtu, ai u bë ligjërues në Akademinë Ushtarake të Serbisë mbi temën e “heroizmit dhe njerëzimit”. Ironikisht, në Hagë ai u dënua për krime lufte dhe për aktet kundër njerëzimit. Vitin e kaluar Komuna e Pantelejit, e udhëhequr nga partia e Vuçiqit, e shpalli Lazareviqin “qytetar nderi”.
Pas luftës në Serbi, Lubisha Dikoviq u avancua në një numër të pozitave të rëndësishme ushtarake, të cilat kulmuan me emërimin e tij si shef i Shtabit të Përgjithshëm. Në vitin 2018 ai u pensionua dhe u dekorua nga presidenti Vuçiq me dekoratën më të lartë “Urdhri i Yllit të Shkallës së Parë të Karagjorgjes”. Kësisoj, gjenerali Dikoviq iu bashkua të vetmit person tjetër të dekoruar më ketë dekoratë: Novak Gjokoviq. Gjenerali Dikoviq nuk u hetua asnjëherë për krimet në Kosovë, përkundër dëshmive të shumta për krimet e brigadës së motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave që ishte nën udhëheqjen e tij. Kur ish-prokurori serb për krime lufte, Vukçeviq, paralajmëroi hetimin kundër Dikoviqit, presidenti i atëhershëm serb, Tomislav Nikoliq, e paralajmëroi prokurorin Vukçeviq që “të këtë kujdes kur gropon nëpër Serbi”. Hetimi u mbyll.
Pas luftës, Tribunali i Hagës ngriti aktakuzë ndaj Vlastimir Xhorxheviqit, drejtorit të Resorit të Sigurisë Publike në MPB. Ai u fsheh deri në vitin 2007, kur u arrestua në Mal të Zi. Asokohe, presidenti i sotëm i Serbisë, Vuçiq, deklaroi se arrestimi ishte shenjë se pushteti në Serbi është duke zbatuar urdhrat e okupatorëve dhe të Carla del Pontes. Xhorxheviq u dënua nga Tribunali i Hagës me 18 vjet burgim për krime lufte. Në kuadër të procesit gjyqësor, ai e pranoi ndërmarrjen e fushatave të spastrimit gjatë luftës në Kosovë. Vitin e kaluar atij iu refuzua lirimi i parakohshëm.
Pesë varreza masive, për të cilat dimë
Nga viti 2001 deri më sot, në Serbi janë zbuluar pesë lokacione me varreza masive të 948 civilëve shqiptarë të Kosovës: Batajnicë, Petrovo Selo, Liqeni Perućac, Rudnicë dhe Kizhevak. Përveç fshehjes së trupave të vrarë, Fondi për të Drejtën Humanitare ka dokumentuar edhe tri lokacione ku janë djegur kufomat e viktimave: kompleksi i aluminit në fshatin Mačkatica, kompleksi Ferronikli në Drenas dhe shkritorja e Borit.
Tanimë e kuptojmë se fshehja e krimeve në Kosovë ka qenë një projekt shtetëror i urdhëruar nga presidenti serb dhe i zbatuar nga të gjitha institucionet shtetërore të Serbisë. Gjithçka çfarë dimë rreth varrezave masive në Serbi, dimë kryesisht falë punës së një organizate joqeveritare. Fondi për të Drejtën Humanitare ka arritur këtë, duke u ballafaquar me pengesa dhe kërcënime të jashtëzakonshme nga të gjitha institucionet serbe. Shteti serb ende ka informacione të cilat do të ndihmonin në zbulimin e fatit të personave të zhdukur. Ai refuzon t’i bëjë këto publike. Ai refuzon t’i zbulojë krimet ndaj shqiptarëve me shpresën se fshehja e këtyre krimeve do të mbajë të lirë ndërgjegjen e qytetarëve serbë.
E ardhmja e frikshme
Javën e kaluar u bë publike se Boxhidar Deliq do të jetë prijës i listës zgjedhore të njërit nga koalicionet opozitare në zgjedhjet e ardhshme në Serbi. Deliq ishte komandant i brigadës së motorizuar 549 të ushtrisë jugosllave, përgjegjëse për zonën e Pashtrikut. Nën komandën e tij vlerësohet se janë vrarë 2100 civilë, ndërsa 450 janë ende të zhdukur.
Koalicioni i listës së cilës do t’i prijë Deliqi quhet NADA dhe përbëhet prej 25 partive të ndryshme. Në gjuhë serbe NADA është SHPRESA. Pra, shpresën e qytetarëve serbë do ta përfaqësojë një person, i cili dyshohet se është përgjegjës për masakrën e Mejës, të Krushës së Madhe dhe shumë të tjerave. Një person, i cili mendon se Milosheviqi dhe Mladiqi janë heronj. Një person, i cili mendon se me “šiptari” nuk ka dialog dhe se Serbia duhet të jetë e gatshme që të luftojë përsëri për Kosovën. Me rastin e pranimit të nominimit për prijës të listës SHPRESA, Deliqi deklaroi se me fitoren e tyre, “Serbia do të kthehet drejt së ardhmes së saj”. Imagjinoni këtë të ardhme.
[Ky shkrim është publikuar në gazetën KOHA Ditore. © KOHA Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.]