Reagim ndaj Adri Nurellarit

Në valën e mbështetje që ka marrë kërkesa që lulëkuqja me katër petale të jetë simbol i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë ka edhe disa zëra kundër. Nga këta zëra kundër, reagimi i z. Adri Nurellari meriton një vëmendje të veçantë për disa arsye:

Së pari, ky këshilltar politik i disa udhëheqësve të institucioneve shtetërore të Kosovës, lëshohet në vlerësimin e qëllimit të nismës tonë dhe e cilëson si “qëllim fisnik i disa veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare që (…) vlen për t’u lavdëruar dhe duartrokitur”.

Iniciativa për të pasur një simbol përkujtimor për viktimat e gjenocidit nuk është çështje që lavdërohet apo duartrokitet”! Është çështje që kullon gjak, lot dhe dhembje dhe aktiviteti jonë disa dekadash është pikërisht të mos harrohet se kemi të bëjmë me një “PLAGË TË HAPUR”;

Së dyti, z. Nurellari deklaron se personalisht për dy dekada me radhë të veprimtarisë së tij publike është përpjekur që të shkruaj, ngre zërin e loboj për të mbajtur gjallë kujtesën kolektive dhe për të pasur nisma shtetërore serioze në këtë sferë.

Jemi në përmbyllje të çerekut të shekullit nga koha kur Serbia zbatoi gjenocidin e fundit kundër shqiptarëve të Kosovës. Si këshilltar politik i bartësve të Qeverive dhe Kuvendit të Kosovës do të kishte qenë mirë të na tregonte konkretisht se cila këshillë e tij politike për dy dekada rezultoi me nismë shtetërore serioze për të mbajtur gjallë kujtesën kolektive për gjenocidin në fjalë.

Përse gjatë dy dekadave të veprimtarisë së tij publike nuk u ndërmor asnjë “nismë serioze” që do të dëshmonte “kreativitetin për të krijuar simbolikën tonë domethënëse, unike e të pangatërrueshme me një tjetër lidhur me gjenocidin”, por në momentin kur doli nisma e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” dhe hasi në një mbështetje plebishitare, ai del dhe e cilëson “si nismë të gabuar qoftë në formë e qoftë në përmbajtje, sepse përzgjedhja e lulëkuqes i duket si imitim i simbolit të lulëkuqes që përdoret nga shumë shtete”.

Sikur z. Nurellari të kishte lexuar kërkesën që u kemi dërguar bartësve të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe sqarimet shtesë ai do të kishte parë se që në fjalinë e parë të arsyetimit tonë kemi theksuar se “Në disa vende të botës, së paku prej një shekulli, lulëkuqet kanë shërbyer si simbol për të përkujtuar të rënët gjatë luftërave anekënd globit. Kështu, për shembull, në Britaninë e Madhe dhe në disa vende të Komonuelthit, lulëkuqja, me ngjyrën e saj të gjakut, është simbol i përkujtimit të luftëtarëve të rënë në fushëbeteja, veçanërisht të rënëve gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe i solidarizimit me familjet e tyre”.

Gjithashtu kemi saktësuar në sqarimin shtesë se “Mbretëria e Bashkuar, Kanada, Skocia, SHBA-ja, Zelanda e Re dhe çdo shtet tjetër që ka përzgjedhur lulëkuqet si simbol kanë përcaktuar një dizajn të veçantë të lulëkuqes, për ta dalluar nga simbolet-lulëkuqe të vendeve të tjera. Dhe askush askënd nuk e akuzon për “plagjiaturë” apo “kopjacë”;

Sikur z. Nurellari të kishte lexuar sqarimet shoqëruese lidhur me këtë çështje, ai do ta kishte kuptuar se askush nuk ka monopol të një luleje, siç nuk kanë monopol ngjyrash.

Nëse i hedhim një sy flamujve shtetëror, që janë simbol nëpërmjet të cilit identifikohen shtete e kombe të botës, do të konstatojmë se ngjyra e kuqe, e kaltër dhe e bardhë janë ngjyrat me të cilat identifikohen një numër shumë i madh shtetesh nga SHBA-ja dhe Franca, Koreja e Veriut dhe Kuba, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia, Autralia dhe Zelanda e Re, Kroacia dhe Serbia dhe shumë shtete të tjera të botës dhe askush nuk e akuzon tjetrin për “plagjiaturë” apo “kopjacë”;

Sikur z. Nurellari të kishte lexuar sqarimet shoqëruese lidhur me lulëkuqen me katër petale të dizajnuar nga Adnan Asllani, kuadër i shkolluar në Zvicër, ai do të kishte kuptuar se në dallim nga të gjitha lulëkuqet-simbol të shteteve të tjera, nuancat e ngjyrës së kuqe në simbolin tonë janë nuanca e ngjyrës së kuqe të flamurit tonë kombëtar.

Z, Nurellari, i cili për dy dekada me radhë të veprimtarisë së tij publike është përpjekur që të shkruaj, ngre zërin e loboj për të mbajtur gjallë kujtesën kolektive dhe për të pasur nisma shtetërore serioze në këtë sferë, duhet ta dijë se me dokumentet e të Drejtës penale ndërkombëtare vrasjet, dhuna seksuale, spastrimi etnik dhe shkatërrimet e shtëpive, të shkollave, të shtëpive kulturore, të bibliotekave, të institucioneve shëndetësore dhe të objekteve të kultit fetar hyjnë në kategorinë juridike të gjenocidit vetëm nëse këto vepra kriminale janë të drejtuara qëllimisht për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup të caktuar kombëtar, etnik, racor apo religjioz, si të tillë.

Pikërisht për arsye se plani gjenocidar i Serbisë synonte shkatërrimin e shqiptarëve si grup i veçantë kombëtar, etnik dhe fetar, i ndryshëm nga serbët, ne përzgjodhëm lulëkuqen, sepse ka ngjyrat kuq e zi, me të cilat identifikohen shqiptarët kudo qofshin në botë.

Sikur z. Nurellari të kishte shikuar me vëmendje simbolin e propozuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”, ai nuk mund të ishte i verbër dhe të mos shihte se në vend të kokrrave të zeza të farës së lulëkuqes, në “zemër të lulëkuqes” tonë janë prezantuar në rreth figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash, për të kujtuar njerëzit e të gjitha moshave dhe gjinive që ishin viktima të këtij gjenocidi. Pasqyrimi në formë rrethi i figurave që simbolizojnë viktimat e gjenocidit është bërë për arsye se në aspektin figurativ, rrethi simbolizon bashkimin e fuqishëm të njerëzve që kanë ide të njëjta, interesa të njëjta, qëllime të njëjta…Pra qëllimi është të nxjerrim në pah domosdoshmërinë e bashkimit për të ndriçuar në përmasa botërore tragjedinë që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës gjatë luftës së fundit, si parakusht i ngadhënjimit të drejtësisë. Në të kundërtën, plagët tona do të mbeten të hapura dhe vuajtjet do të jenë ciklike, pambarimisht, në këtë rreth tmerri!

Jo vetëm nuancat e ngjyrës së kuqe dhe “zemra e lulëkuqes” që dallojnë tërësisht nga të gjitha dizajnët e simboleve tjera, por edhe domethënia e petaleve dhe prerja e tyre në simbolin tonë dallon tërësisht nga çdo formë tjetër e dizajnuar e lulëkuqes.

Në dallim nga petalet e lulëkuqeve-simbol të vendeve të tjera, katër petalet e lulëkuqes në simbolin e dizajnuar nga Adnan Asllani paraqesin katër forma të akteve gjenocidare, që Serbia e zbatoi gjatë luftës së fundit në Kosovë:

1. Vrasje

Për të përfshirë mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë dhe të gjymtuar, të të gjitha moshave dhe gjinive,

2. Dhuna seksuale

Për të përfshirë mbi njëzet mijë viktima të dhunës seksuale.

3. Spastrimi etnik

Për të përfshirë rreth një milion viktima të spastrimit etnik.

4. Shkatërrimi i objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar

Për të përfshirë shkatërrimi në vendbanimet shqiptare i 100589 shtëpive, i 358 shkollave, i 30 shtëpive kulturore, i 93 bibliotekave, i 123 institucioneve shëndetësore dhe i 220 objekteve të kultit fetar (215 xhami, teqe, tyrbe dhe 5 kisha katolike).

Prerja e petaleve është bërë në atë formë që të transmetojnë mesazhin se kemi të bëjmë me plagë të hapura nga rrjedh gjaku i pafajshëm i viktimave të gjenocidit, dhe janë të vendosura në formë të shkronjës X, për arsye se gjatë luftës në Kosovë, në disa vendbanime ku popullsia ishte e përzier në aspektin e përkatësisë etnike, okupatorët serbë kishin shënjuar shtëpitë e shqiptarëve me një X, me qëllim që të udhëzoheshin forcat e armatosura serbe drejt vendeve ku duhej të kryheshin krimet.

Dhe për fund, të gjithë ata që e kanë shqyrtuar me seriozitet kërkesën tonë publike dhe vullnetare kanë mundur të shohin se simboli që propozojmë ne dallon si në aspektin e dizajnit ashtu edhe në përmbajtjen dhe domethënien e çdo detali nga të gjitha lulëkuqet-simbol të vendeve të tjera.

Për të vërejtur dallimet e lartpërmendura nuk duhen “dy dekada me radhë të veprimtarisë publike dhe përpjekje si ato të z. Adri Nurellari për të shkruar, ngritur zërin e lobuar për të mbajtur gjallë kujtesën kolektive dhe për të pasur nisma shtetërore serioze në këtë sferë”. Mjafton të lexosh pa paragjykime!

Bardhyl Mahmuti- Kryetar i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”

Share this post