SHKRIMTARI DHE PIKTORI GANI BYTYÇI: NJË FIGURË ME SIMBOLIKË TË SHUMËFISHTË

Ka kohë që në rrjetet shoqërore është hedhur një ide për përkrahjen e kësaj figure që të njihet e pranohet si simbol i gjenocidit të kryer në Kosovë. Kjo ide është propozuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, me seli në Gjenevë. Përkrahja po bëhet gjithnjë e më e gjerë dhe e njëzëshme. Deri tani ky propozim ka gjetur përkrahjen e personaliteteve, të shkrimtarëve, të artistëve, të intelektualëve, të institucioneve dhe të individë nga Kosova, nga Shqipëria, nga Kosova Lindore dhe nga gjithë hapësira ku frymojnë shqiptarët.

Qëllimi i kësaj ideje është sa human, po aq edhe moral, kombëtar e historik. Është detyrim njerëzor e moral që të respektohen viktimat e një barbarie, që janë torturuar, janë vrarë, janë masakruar e janë zhdukur në mënyrën më makabre. Është detyrim kombëtar, sepse ato janë viktima të një përkatësie etnike, të shkaktuara nga urrejtja etnike ndaj tjetrit. Është historike sepse, derisa drejtësia nuk është vënë në vend (qoftë edhe vetëm moralisht), ajo ngel pezull dhe rruga mbetet e hapur, që krimi kurdoherë të përsëritet. Është detyrim kombëtar për ta kthyer në kujtesë historike flijimin dhe çmimin jashtëzakonisht të lartë që një popull ka paguar për lirinë e tij.

Estetika e figurës

Autori ka zgjedhur për simbol një lulëkuqe, figurë historikisht e njohur si simbol nga populli ynë. Ai ka përzgjedhur katër petale duke i vënë në një harmoni e simetri gati të përkryer. Petalet kanë ngjyrën e tyre të natyrshme: ngjyrën e kuqe. Të kuqen e gjakut. Në mes të petaleve, mu në zemër të tyre, është krijuar një hapësirë rrethore e mbushur me hije qeniesh njerëzore. Kjo shkakton dridhje dhe tronditje shpirtërore. Secili që ka njeriun a njerëzit e vet të zhdukur, do të mendojë se aty, në atë hapësirë rrethore të mbushur me hijet e njerëzve, mund të jetë një familjar apo disa familjarë të tij. Nga ana estetike, figura ka të gjitha elementet, që e bëjnë atë të pranueshme dhe tërheqëse. Janë forma, harmonia, eleganca, simetria e koloriti ato që figurën e bëjnë të këndshme. Që të gjitha petalet janë të njëjta. Hapësira mes tyre po ashtu është e njëjtë. Pozicioni në të cilën autori i ka vendosur krijojnë përshtypjen se ato janë në një lëvizje të përhershme. Petalet e figurës formojnë simetri të dyfishtë. Të njëjta, ashu siç janë, krijojnë simetrinë dy me dy ose një me një. Edhe hijet, figurat ngjyrëzeza në harkun e brendshëm të figurës, krijojnë harmoni e simetri të dyfishtë e të shumfishtë.

Simbolika

Koloriti dyngjyrësh (kuq e zi), i figurës është simbol i shumëfishtë. Dyngjyrëshi është koloriti i Flamurit Kombëtar. Në kontekstin e figurës katërpetalëshe, ngjyrat kuq e zi janë shumë shprehëse. E kuqja dhe e zeza, sapo të na shfaqen, na e sjellin para sysh valëvitjen e Flamurit tonë kombëtar. Ndërkaq, si nëntekst, ato na e simbolizojnë përmasën e dhembjes nga krimi e gjenocidi i kryer mbi njerëzit tanë të pafajshëm. E kuqja na e jep ndjesinë e gjakut, ndërsa e zeza në formë hijesh, paraqet diçka të errët, të dhembshme e gjithë trishtim. Katër petalet e lulëkuqes, të kthyera në simbol, shfaqin edhe ngjashmërinë me simbolin tjetër, atë të qëndresës dhe flijimit për liri, Emblemën e UÇK-së.

Si e tillë, kjo figurë i përmbush kriteret, estetike, kombëtare, historike dhe njerëzore për t’u kthyer në simbol që shpreh e bart vlera artistike, kombëtare, historike e njerëzore.

*   *   *

E përkrah këtë propozim, i bindur se edhe përpjekja jonë kundër gjenocidit do të jetë kontribut për progresin tonë kombëtar e shoqëror dhe përparimin e gjithë shoqërisë njerëzore, në luftë kundër dhunës, kundër padrejtësisë, kundër krimit e kundër gjenocidit.

Gani Bytyçi

Gani Bytyçi lindi në Arllat të Drenasit. Aty kreu shkollën tetëvjeçare. Shkollën Normale e kreu në Ferizaj. Studimet për letërsi i mbaroi në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti 1969 ka jetuar në Ferizaj. Prej vitit 1990 jeton në Zvicër. Ka bërë gazetari e publicistikë. Shkruan prozë e poezi, për të rritur dhe për fëmijë, kritikë letrare dhe kritikë arti. Me krijimtari letrare merret që nga mosha e re. Tregimet dhe poezitë e tij i gjejmë të botuara në të gjitha gazetat dhe revistat e kohës, si: Rilindja, Rilindja për fëmijë, Pionieri, Gazeta e pionierëve, Shkëndija, Kosovarja, Drita, Fjala, Teuta, Nëntori, Republika, Bota sot e të tjera. Prej më shumë se dy dekadash i është përkushtuar edhe pikturës, fushë në të cilën ka pasur shumë sukses me ekspozita të shumta personale e kolektive ne Zvicër, Francë, Kosovë, Shqipëri e gjetiu. Ka botuar dy libra, “MAKTH”,  përmbledhje tregimesh dhe “FLETËZA DHEMBJEJE”, eseistikë. Është anëtar i Ldhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i lidhjes së “Autoreve dhe Autorëve Zvicëranë” dhe i Shoqatës së artistëve francezë “Art-Villamagna”. Gani Bytyçi jeton në Zvicër (Cyrih).

Share this post