Të ngritet padi penale kundër vrasësve të Fehmi Aganit

Në kuadër të zbatimit të politikës gjenocidare të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, 22 vjet më parë, më 6 maj 1999, nga treni me të cilin dëboheshin mijëra shqiptarë në drejtim të Maqedonisë, forcat e armatosura serbe bënë përzgjedhjen e njerëzve që duhej vrarë. Në mesin e atyre që duhej të vriteshin ishte edhe Fehmi Agani profesor i Universitetit të Prishtinës dhe njëri nga sociologët më të shquar të ish-Federatës Jugosllave, i cili ishte nënkryetar i LDK-së dhe përfaqësues i Kosovës në të gjitha negociatat që ishin zhvilluar ndërmjet  Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një zgjidhjeje politike për Çështjen e Kosovës.

Ndarja e Fehmi Aganit nga familjarët e tij në prani të shumë qytetarëve të tjerë shqiptarë që ishin në të njëjtin tren me të dhe reagimet e shumta ndërkombëtare pas zbulimit të kufomës së tij më 7 maj 1999, Qeveria e Serbisë u përpoq të hiqte përgjegjësinë nga vetja.

Me qëllim që vrasja e Fehmi Aganit të mos paraqitej si vrasje e përgatitur nga strukturat e larta shtetërore, Gjykata e Qarkut në Prishtinë ngriti kallëzim penal kundër policëve serbë Predrag Nikoliq dhe Zoran Dzeletoviq të cilët bënë ekzekutimin e Fehmi Aganit dhe të pesë anëtarëve të familjes Blakçori: Miradija (50 vjeçe), Fehmiu (60 vjeç) Labinoti (14 vjeç), Mehmeti (56 vjeç) dhe gruan e tij, Sabilja (50 vjeçe). Si edhe në shumë raste të tjera që kishin lidhje me krimet serbe në Kosovë, edhe ndriçimi i këtij krimi iu besua gjykatëses hetuese Danica Marinkoviq, e njohur për besnikërinë e saj ndaj Sllobodan Millosheviqit.

Rezultati ishte i njëjtë: gjykatësja e preferuar e Sllobodan Millosheviqit, Danica Marinkoviq konstatoi se “faji ishte i shqiptarëve” dhe liroi kriminelët Predrag Nikoliq dhe Zoran Dzeletoviq me arsyetim se “ata ndershmërisht kishin kryer punën e tyre”.

Regjimi i moçëm i Serbisë e cilësonte si kryerje detyre me nder vrasjen e shqiptarëve dhe realizimin e projektit të gjenocidit. Ndërsa regjimi i ri Serbisë, me njerëzit e regjimit të vjetër, vazhdoi me të njëjtën strategji. Në funksion të fshehjes së gjurmëve të krimit të gjenocidit, vrasjet që kishin kryer forcat e armatosura serbe ia veshën UÇK-së. Për këtë qëllim ata përpiluan listën e civilëve gjoja të vrarë nga UÇK-ja dhe ua shpërndanë institucioneve politike dhe mediatike ndërkombëtare. Në këtë listë u fut emri i Fehmi Aganit; emri i profesorit tjetër universitar Latif Berisha; emri i avokatit Bajram Kelmendi dhe i dy djemve të tij, Kushtrimit 18 vjeç dhe Kastriotit 31 vjeç; emri i kryetarit të Kuvendit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Agim Hajrizi, i nënës së tij,  Nazmies dhe i djalit të tij Ilirit, i cili ende nuk i kishte mbushur 13 vjeç; emri i veprimtarit të shquar politik Gafurr Lokut dhe i djalit të tij Dritonit  20 vjeç; emri i aktores së re të teatrit, Adriana Abdullahu 23 vjeçe dhe emrat e qindra civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat serbe.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” kërkon që institucionet e drejtësisë së Kosovës të ngrenë padinë penale kundër Predrag Nikoliq dhe Zoran Dzeletoviq për vrasjen e Fehmi Aganit dhe të pesë anëtarëve të familjes Blakçori dhe të intensifikojnë përpjekjet për ndëshkimin e krimit të gjenocidit në Kosovë.

Share this post