Xhevdet Bajraj në përmbledhjen poetike “Dritë mbi plagë”
Me rastin e ndarjes nga jeta të poetit të madh shqiptar Xhevdet Bajraj, në shenjë respekti i mirënjohje për veprën e tij, po publikojmë poezitë e tij të cilat janë botuar në përmbledhjen poetike «Dritë mbi plagë».
Kjo përmbledhje poetike është një sprovë për antologji që i kushtohet viktimave të gjenocidit në Kosovë.
Botues: Qendra «Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur», 15 janar 2020.
ODE E USHTARËVE TË ARMIKUT
(E imja është veç dhimbja)
S’ngritën as mur të pushkatimit
as deriçkë që shpie në jetë s’lanë
i vranë si tufën e zogjve
në lastarin e lisit të jetës
ZJAAAARR
bubullimë
vetëtimë
dhe …
vlon gjaku
I shtrirë përtokë
tek po shuhej drita e jetës
Fatos Zhuniqi u përqafua me të birin
mbahu mos kij frikë vogëlushi im
po shkojmë në parajsë
Ç’t’i thoshte i vëllai të vëllait
babai të birit të mitur
i biri nënës
nëna mortit ç’t’i thoshte
S’di çfarë race djalli festonte
ditëlindjen e pesëdhjeteshtatë
por pesëdhjetë e shtatë qirinj jete fiku
veç me një frymë
Ndiqeshin dielli me hënën nëpër qiell
mespërmes klithmave të njerëzve
e krimbat majmeshin
nëpër këngët e braktisura nga vargjet
Pas dy dite i gjetën kufomat
të masakruarit flinin me engjëjt
dy orë iu deshën njerëzve
për t’i ndarë babë e bir nga përqafimi i ngrirë
Kjo poezi s’është e imja
këto vargje i kanë shkruar ushtarët e armikut
e imja është veç dhimbja
dhe ky vaj që … me ty e ndaj
NË VITRINË MORTI*
Duke zënë në thua mbi varret e njoma
liria ecte si zonjë e rëndë
më kot përpiqej ta fshinte me mëngë
shijen e vdekjes nga buzët
Majë gërmadhave të shtëpive
si urna të gjalla në vitrinë morti
njerëzit përtypnin kujtimet
diku larg
në qiellin e shqyer nga klithmat
të vrarët ngushëllonin njëri-tjetrin
për ata që mbetën gjallë
* Poezi e lexuar në ceremoninë e Ditës së të Vdekurve nga ana e poetit Javier Sicilia, lider i Lëvizjes për Paqe me Drejtësi dhe Dinjitet të Meksikës, te Engjëlli i Pavarësisë, 1 nëntor 2011, Mexiko City.
GJELLË SHQIPTARE
Ushtarët e armikut në Kosovë
kishin meny të pasur shqiptare
Në mëngjes
Qumësht nga gji të shqyer nënash
dhe foshnja të palindura të ziera në zjarr shtëpish
servirur me sy të zinj të kaltër apo ngjyrë kafe
dhe nga një shishe lot të valë
Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur
Në drekë
Zemra të plasura të të gjitha moshave
të ziera në lëng eshtrash në njërën anë
dhe mish kurrizi të pjekur në gacë
përcjellë me tru të fërguar fëmijësh
e sallatë klithmash spërkatur me uthull tmerri
dhe nga një litër e gjysmë gjaku vashash të dhunuara
Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur
Në darkë
Mushkëri të zeza e të bardha
aty – këtu ndonjë veshkë
mish fëmije të përzier me gjakun e nënave
ca tul plake a plaku pjekur në hell
njelmësuar me kripën që nxirrej nga lotët
Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur
Në meskohë
bluanin vesh të majtë e të djathtë
gishtërinj duarsh e këmbësh
aty – këtu ndonjë hundë të përgjakur
dhe ëndrrat tona të thara në murin e pushkatimit
Dikush kënaqej edhe veç me një kokë të pjekur
Piqnin e zienin në zjarre shtëpish
hanin e pinin nga kafka shqiptarësh
sikur të mos ishin njerëz
sikur të mos ishim njerëz
apo jo Zot
derisa vera i ktheu në dhéun e tyre
kur u majmën nga vdekja
NËNTËMBËDHJETË TË EKZEKUTUAR NË PADALISHTË
Zonja Lirije Imeraj dëshmon në Tribunalin e Hagës
si i vranë nëntëmbëdhjetë anëtarë të familjes Imeraj
mes tyre burrin e saj dhe djalin e saj të vogël
Afrimi ishte dy vjeç
kur ushtari ia këputi krahun me bajonetë
në atë moment fëmija filloi të qante dhe klithi
baba
ky njeri ma mori dorën
Ishte pranverë
duhej të shfaqej dhe të zhdukej nëntëdhjetë herë dielli
në dhé të huaj
për t’u kthyer njerëzit dhe për t’i varrosur
Tani të mbijetuarit kalojnë jetën e tyre
duke e pritur autobusin
për t’u kthyer në të kaluarën
ose për t’i mbartë në anën tjetër të jetës
Dhimbja është ende gjallë
mallkuar qoftë
gjëja më e keqe për ata që nuk mund të flenë
është se nuk mund të zgjohen