Zhvendosja e dhunshme e popullsisë, spastrimi etnik dhe veçoritë e “etničko čišćenje”-s serbe (29)
Në pjesën e sipërme të studimit tonë nxorëm në pah pazarllëqet që kishin bërë pushtetarët serbë me prokurorët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, për të fshehur qëllimin e Serbisë për shkatërrimin fizik, të tërësishëm ose të pjesshëm, të shqiptarëve si të tillë, që përbën qëllimin specifik të krimit të gjenocidit, dhe prezantimin e qëllimit të krimeve serbe si krime kundër njerëzimit, që gjoja kanë synuar zhvendosjen e dhunshme të popullsisë dhe spastrimin etnik të Kosovës.
Në këtë kontekst e shohim të domosdoshme të sqarojmë lexuesit, se çështja e dëbimit të popullsisë, deportimeve të dhunshme dhe spastrimit etnik u shtrua për diskutim edhe gjatë debateve për nenin II të variantit të dytë të projekt-konventës (E/794). Në atë kohë Siria dorëzoi amendamentet A/C.6/234, nëpërmjet së cilave kërkonte që të përfshiheshin si akte gjenocidale edhe “masat që detyrojnë anëtarët e grupit të braktisin vatrat e tyre, sepse, në raste të tilla kemi të bëjmë me krim shumë më të rëndë sesa keqtrajtimet”[1]. Amendamentet e Sirisë u shqyrtuan në seancën e tetëdhjetë e dytë, të mbajtur më 23 tetor 1948 dhe nuk gjetën mbështetjen e nevojshme. “Me 29 vota kundër, me 5 vota për dhe me 8 abstenime, amendamentet e Sirisë u hodhën poshtë”[2]. Për këtë arsye kjo kategori krimesh nuk bën pjesë në listën e pesë akteve gjenocidale që numërohen në variantin final të Konventës së gjenocidit.
Fillimisht zhvendosja dhe transferimi i dhunshëm i njerëzve u përfshinë te krimet kundër njerëzimit dhe te krimet e luftës. Kështu, në nenin 7, paragrafi 1(d) dhe në paragrafin 2(d) të Statutit të Romës lidhur me krimet kundër njerëzimit, “me zhvendosje ose transferim të detyrueshëm të popullsisë nënkuptohet fakti i zhvendosjes me forcë të personave nga një rajon ku jetonin në mënyrë të ligjshme, nëpërmjet dëbimit ose akteve të tjera detyruese, pa arsyet e lejuara nga e drejta ndërkombëtare”[3]. Sa u përket këtyre paragrafëve, tek Elementet e Krimeve saktësohet: “Termi ‘ka bartur nga një vend në vendin tjetër (deportuar) ose transferuar me forcë’ është i barasvlershëm me termin ‘ka zhvendosur me forcë’”, ndërkaq “termi ‘me forcë’ nuk kufizohet me dhunë fizike, por mund të përfshijë kërcënimin me forcë ose detyrimin prej frikës së dhunës, burgimit, ndalimit, presionit psikologjik ose shpërdorimit të pushtetit ndaj këtij personi ose këtyre personave apo një personi tjetër, ose duke përfituar nga mjedisi detyrues”[4].
Edhe në listën e krimeve të luftës përfshihet “transferimi i drejtpërdrejt ose i tërthorë nga ana e forcave pushtuese të një pjese të popullsisë civile të territorit të pushtuar, ose dëbimi apo transferimi i tërë popullsisë ose të një pjese të saj brenda ose jashtë territorit të pushtuar”[5].
Shpërthimi i luftës gjatë shpërbërjes së Federatës së Jugosllavisë dhe pasojat e kësaj lufte vunë në sprovë institucionet ndërkombëtare. Në këtë kontekst do të veçojmë qëndrimet e tyre ndaj pasojave që shkaktoi lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe përpjekjet e raportuesit special të Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për Jugosllavinë, Tadeusz Mazowiecki[6], për të shpjeguar qëllimin e këtyre konflikteve.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në seancën 3106 të datës 13 gusht 1992 miratoi Rezolutën 771, nëpërmjet së cilës “dënoi ashpër të gjitha shkeljet e së drejtës ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë edhe atë që përmban praktika e ‘spastrimit etnik’”[7]. Ndërkaq, raportuesi special i Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për Jugosllavinë, Tadeusz Mazowiecki, në raportin e dytë të datës 27 tetor 1992 tërhoqi vëmendjen “për shkeljet e rënda dhe masive të të drejtave të njeriut në territorin e ish-Jugosllavisë. Konflikti[8] ushtarak në Bosnje e Hercegovinë, që synon realizimin e ‘spastrimit etnik’ mbetet çështje që kërkon trajtim skajshmërish urgjent”[9]. Mirëpo përveç shqetësimeve që shprehte në këtë raport, Mazowiecki u përpoq të shpjegonte qëllimin e këtyre konflikteve: “Raportuesi special, si dhe vëzhgues të tjerë, mendojnë se qëllimi kryesor i konfliktit ushtarak në Bosnje e Hercegovinë është krijimi i regjioneve etnikisht homogjene. Spastrimi etnik nuk është pasojë e luftës, por qëllimi i saj! Masakrat, vrazhdësia, dhunimet, shkatërrimi i shtëpive dhe kërcënimet synojnë realizimin e këtij qëllimi, i cili pjesërisht është arritur”[10].
Qëndrimet e Tadeusz Mazowiecki-t ishin qëndrime të një gazetari dhe politikani e jo të një juristi. Duke përcaktuar “spastrimin etnik” si qëllim të luftërave serbe, në vend të sqarimit, kjo qasje ngatërron qëllimin e vërtetë të “etničko čišćenje”-s serbe dhe, në mënyrë të pavetëdijshme, zhvendos krimet serbe nga kategoria e gjenocidit në krime kundër njerëzimit. Siç do të shohim më poshtë, “etničko čišćenje” (etniçko çishqenje) serbe nuk ka të bëjë me dëbimin e popullsisë në funksion të krijimit të një shteti etnikisht homogjen, por bëhet fjalë për një kornizë programore gjenocidale në kuadër të së cilës përdoren “masakrat, vrazhdësia, dhunimet, shkatërrimi i shtëpive dhe mjete të tjera me qëllim të shkatërrimit të Myslimanëve, kroatëve dhe shqiptarëve si të tillë dhe realizimin e “higjienës etnike të shtetit dhe të shoqërisë hyjnore serbe”. Prandaj Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e cilësoi si “formë të gjenocidit politikën e neveritshme të ‘spastrimit etnik që zbatonin serbët’”[11]. Në të njëjtin vlerësim erdhi edhe Konferenca Botërore e të Drejtave të Njeriut, e organizuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Vjenë nga 14-25 qershor 1993: “Praktika e spastrimit etnik e agresionit serb përbën gjenocid dhe shkelje të rëndë të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit”[12].
Pa e kuptuar përmbajtjen reale të “etničko čišćenje”-s serbe, një numër juristësh dhe historianësh ndërkombëtarë kanë interpretuar aktet kriminale të forcave serbe si akte, që kinse kishin për qëllim dëbimin e popullsisë nga një territor i caktuar, e jo shkatërrimin e një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racial ose fetar si të tillë. Në mbështetje të kësaj qasjeje ata përmendin faktin, se dëbimi i popullsisë nuk kishte hyrë si akt gjenocidal në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit. Qëndrimet e juristëve dhe historianëve ndërkombëtarë rreth kësaj çështjeje ndikuan tek autoritetet e Serbisë, që ta orientojnë propagandën e tyre drejt fshehjes së qëllimit të vërtetë të akteve gjenocidale dhe t’i ambalazhojnë si pjesë të projektit, që gjoja kishte për qëllim krijimin e një shteti etnikisht homogjen të serbëve të Bosnjës dhe ndarjen e Bosnjës në baza etnike.
Mungesa e përfshirjes së dëbimit të dhunshëm të popullsisë në Konventën mbi Gjenocidin pati ndikimin e vet edhe në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me padinë e Bosnjës dhe Hercegovinës kundër Serbisë dhe Malit të Zi, ku saktësohet:
“Zbatimi i masave që detyrojnë njerëzit të braktisin shtëpitë e tyre për t’iu shmangur kërcënimit të keqtrajtimit të mëvonshëm, nuk bën pjesë në përkufizimin e gjenocidit siç është bërë me Konventën e vitit 1948 dhe nuk përbën formë të gjenocidit në përputhje me këtë Konventë, pos nëse ato masa përkojnë me njërën nga kategoritë e përcaktuar në nenin II të Konventës mbi Gjenocidin ose që lidhet me ndonjërën nga kategoritë e saj.
As qëllimi i shprehur nëpërmjet një politike që synon ta bëjë një zonë ‘etnikisht homogjene’, dhe as operacionet që zbatohen për të realizuar një politikë të tillë, nuk munden, si të tilla, të kualifikohen me termin ‘gjenocid’: qëllimi që e karakterizon gjenocidin synon të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht një nga grupet e mbrojtura me konventë. Zhvendosja e anëtarëve të një grupi të veçantë, qoftë edhe me forcë, nuk do të thotë me automatizëm që ky veprim e shkatërron grupin si të tillë dhe një shkatërrim i tillë nuk pasqyrohet në mënyrë automatike nga një zhvendosje e dhunshme. Mirëpo kjo nuk do të thotë se aktet që përfshihen në ‘spastrimin etnik’ nuk mund të kualifikohen si akte gjenocidi. Këto akte mund të kualifikohen si gjenocid, nëse qëllimisht e vënë grupin e caktuar në kushte të tilla jetese që mund të shkaktojë shkatërrimin fizik të tërësishëm ose të pjesshëm të grupit që është në kundërshtim me nenin II të Konventës, por me kusht që qëllimi i këtyre akteve të jetë shkatërrimi i grupit e jo dëbimi i tij. Vetëm dëbimi i një grupi ose i një pjese të tij nuk është kriter i vetëm për t’u kualifikuar si gjenocid. Me fjalë të tjera, që të dihet nëse një operacion i veçantë i paraqitur si operacion që ka të bëjë me ‘spastrimin etnik’ është apo nuk është gjenocid varet nga ekzistenca apo mosekzistenca e akteve materiale të numëruara në nenin II të konventës, që janë me qëllim të shkatërrimit të grupit si të tillë”[13].
Të njëjtin qëndrim mban edhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në procesin gjyqësor kundër Radovan Karaxhiqit:
“Të gjitha ligjërimet që arsyetojnë qëllim e krijimit të shtetit etnikisht homogjen të serbëve të Bosnjës dhe ndarjen e Bosnjës në baza etnike nuk dëshmojnë se konkluzion i vetëm i arsyeshëm që do të mund të nxirrej ishte se për të realizuar një synim të tillë, udhëheqja e serbëve të Bosnjës ka pasur për qëllim shkatërrimin e Muslimanëve[14] të Bosnjës ose/dhe kroatëve të Bosnjës”[15].
Edhe në paragrafin 2625 trupi gjykues i rikthehet të njëjtës çështje dhe thekson: “Trupi gjykues rikujton se qëllimi ka qenë krijimi i shtetit serb etnikisht i pastër, si dhe ndërlidhja e regjioneve serbe, që do të kërkonte një shpërndarje të re të popullsisë dhe jo shkatërrim fizik të banorëve. Serbët e Bosnjës promovuan idenë se ata nuk mund të jetonin me askënd tjetër, prandaj Bosnja dhe Hercegovina duhej të ndaheshin në baza kombëtare. Rezultatet në terren ishin në përputhje me këtë qëllim… Duke i shikuar në këtë kontekst, trupi gjykues nuk u bind përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se i vetmi konkluzion që do të mund të nxirrej nga përshkrimi i krimeve të lartpërmendura është se ka ekzistuar qëllimi për të shkatërruar pjesërisht grupin e Muslimanëve të Bosnjës dhe të Kroatëve të Bosnjës si të tillë, në komunat e përmendura në pikën 1 të aktakuzës”[16].
Nga ajo që u tha më sipër del qartë se interpretimet, të cilat “gjenocidin ndaj shqiptarëve e shohin në funksion të spastrimit etnik”[17] apo “spastrimi me detyrim si kulmi i krimeve gjenocidale”[18], të kryer “me QËLLIM spastrimin etnik të Kosovës”[19] janë të pasakta, sepse përcaktojnë si qëllim të krimeve serbe diçka tjetër nga ajo që ka ndodhur realisht. Ngatërrimi i qëllimit të akteve kriminale jo vetëm që nuk është “serioz, shkencor, profesional”[20], por tërësisht i gabuar dhe, si i tillë, i bën dëm të rëndë Republikës së Kosovës, sepse në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës u jepen “prova” negacionistëve t’i zhvendosin krimet serbe ndaj shqiptarëve në kategorinë e krimeve kundër njerëzimit dhe, në këtë mënyrë, Serbia shfajësohet për krimin e gjenocidit!
Me një fjalë, përdorimi i termave “deportime të dhunëshme” dhe “spastrimi etnik” në aktakuzën kundër Sllobodan Millosheviqit nuk është “gjuhë tipike për krimet e gjenocidit”, siç pretendon Arsim Bajrami, për arsye se kemi të bëjmë me terminologji të përbashkët për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës. Fatkeqësisht, këto nocione përdoren si instrumente manipulimi nga negacionistët për të mohuar gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Sipas jurisprudencës së Gjykatës Penale Ndërkombëtare, “Praktika e spastrimit etnik mund të përbëjë gjenocid nëse shoqërohet me elementet e tjera objektive të gjenocidit, të parapara në nenin 6 të Statutit të Romës dhe Elementeve të Krimeve dhe në përputhje me qëllimin specifik që të shkatërrohet, tërësisht ose pjesërisht, si i tillë, grupi që është vënë në shënjestër”[21].
Kur kemi të bëjmë me qëllimin specifik që i karakterizon aktet gjenocidale, rikujtojmë se, në mungesë të programeve apo deklaratave që do të na mundësonin të vërtetonim qëllimin gjenocidal të krimeve të caktuara, vendimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën në procesin kundër Jean-Paul-Akayesu, sqaron se ky qëllim mund të nxirret “nga konteksti i përgjithshëm i kryerjes së akteve të dënueshme, të drejtuara në mënyrë sistematike kundër të njëjtit grup, të kryera qoftë nga i njëjti person ose nga persona të tjerë. Faktorë të tjerë, si shkalla e armiqësive të kryera, karakteri i tyre i përgjithshëm në një rajon ose vend, apo fakti i përzgjedhjes së qëllimshme dhe sistematike i viktimave, për shkak të përkatësisë së tyre të një grupi të veçantë, duke i veçuar anëtarët e grupeve të tjera, i mundësojnë Dhomës që të nxjerrë qëllimin për gjenocid”[22].
[1] Dokumentet e cituara më sipër: Documents officiels de la Troisième Session de l’Assemblée Générale…, f. 184: https://digitallibrary.un.org/record/698144?ln=fr
[2] Po aty, f. 185-186.
[3] Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 7, § 2(d), f. 4: https://www.icc-cpi.int/sites/default/files/NR/rdonlyres/ADD16852-AEE9-4757-ABE7 9CDC7CF02886/283948/RomeStatuteFra1.pdf
[4] Cour Pénale Internationale, (Gjykata Penale Ndërkombëtare), Documents, Textes juridiques fondamentaux, Elements de crimes, f. 7, fusnotat :12,13.
[5] Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 8, 2(b) (VIII) f. 8.
https://www.icc-cpi.int/sites/default/files/NR/rdonlyres/ADD16852-AEE9-4757-ABE7-9CDC7CF02886/283948/RomeStatuteFra1.pdf
[6] Tadeusz Mazowiecki (Tadeush Mazovjecki), 18 prill 1927-28 tetor 2013. Shkrimtar, gazetar dhe politikan polak. Në gusht të vitit 1992 u emërua raportues special i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Jugosllavi dhe këtë detyrë e kreu deri në muajin korrik 1995, kur dha dorëheqje pas masakrës së Srebrenicës.
[7] UN Doc. S/RES/771, 13 août 1992, f. 2, § 2: https://digitallibrary.un.org/record/148182?ln=fr
[8] Tadeusz Mazowiecki përdor termin “konflikt” e jo “luftë”, term i vetëm që përdorej në dokumentet zyrtare të OKB-së gjatë periudhës së shpërbërjes së Federatës së Jugosllavisë.
[9] Nation Unies Rapport sur la situation des droits de l’homme dans le territoire de l’ancienne Yougoslavie, soumis par M. Tadeusz Mazowiecki, Rapporteur spécial de la Commission des droits de l’homme, en application du paragraphe 14 de la résolution 1992/S-1/1 de la Commission, en date du 14 août 1992, f. 2, § 1.
https://digitallibrary.un.org/record/152801?ln=fr
[10] Po aty, f. 3, § 6.
[11] Kombet e Bashkuara, Asambleja e Përgjithshme, Rezoluta 47/121, 18.12.1992.
[12] Nations Unis, Distr. Générale, A/CONF.157/24 (Part I), 13 octobre 1993.
[13] Cour International de Justice, Application de la convention pour la prévention et la répression du crime de génocide (Bosnie-Herzégovine c. Serbie-et-Monténégro), arrêt, C.I.J. Recueil 2007, Intention et “nettoyage ethnique”, § 190, f. 83-84. (Nënvizimi dhe shënjimi me ngjyrë të theksuar është yni).
[14] Pjesëtarët e përkatësisë fetare islame në Bosnjë dhe Hercegovinë identifikohen si komb Mysliman, me shkronjë të madhe, për t’u dalluar nga pjesëtarët e kombeve të tjera të përkatësisë fetare islame.
[15] Nation Unies, Tribunal Pénal International pour l’ex-Yougoslavie, Affaire no : IT-95-5/18-AR98bis.1, Le Procureur c/ Radovan Karadţić, 11 july 2013, § 2598.
[16] Po aty, § 2625.
[17] Limon Rushiti, Krimi-gjenocidi ndaj shqiptarëve më 1912-1915 në funksion të spastrimit etnik dhe vazhdimi i tij më 1918-1921, shkrim i botuar veprën e cituar më lart të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, “Gjenocidi dhe aktet gjenocidale…”, f. 87-96.
[18] Hakif Bajrami, Vrasjet masive dhe gjenocid serb kundër shqiptarëve prej vitit 1877 deri në vitin 1999.
[19] Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Arsim Bajrami, “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë-Aspekte juridike”, f. 377. Dallimi me ngjyrë të theksuar dhe me shkronja të mëdha është yni.
[20] Arsim Bajrami, vepra e cituar “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë-Aspekte juridike”, f. 548.
[21] Cour Pénal Internationale Dosja N°: ICC‐02/05‐01/09, 4 mars 2009., § 144-145, f. 55-56.
https://www.legal-tools.org/doc/001e1b/pdf
Dallimi me shkronja më të theksuara dhe nënvizimi janë tonat.
[22] Tribunal Pénal International pour le Rwanda, Le procureur contre jean-paul-akayesu,
Affaire N°ICTR-96-T, Jugement, 2 septembre 1998, § 523.
https://violences-sexuelles.ifjd.org/app/uploads/sites/2/2021/05/3.-TPIR-Jean-Paul-Akayesu-min.pdf