Një vështrim i shkurtër për romanin e Bardhyl Mahmutit “Eskadronët e vdekjes”

Majlinda Sinani – Lulaj
Shkrimtare

Nuk e shoh veten te lexuesit e zakonshëm, për shume arsye. Një prej tyre, mënyra se si përzgjedhë çfarë të lexoj. Tjetra, mënyra e përçudme se si lexoj. Në fundvit, kur përditshmëria ime është fort frymëzëne së, leximi jashtë atyre materialeve që lidhen me punën, është një luks të cilin për vite të tera nuk e kam. Çfarë dua të mos më shmanget nga vëmendja, e skajoj veçmas, për më vonë.

Sidoqoftë, me librin e Bardhyl Mahmutit “Eskadronët e vdekjes” nuk ndodhi e njëjta gjë. Ndoshta ishte emri i Bardhylit, si një njeri për të cilin respekti është i veçantë, ndoshta ishte lulëkuqja në kopertinë, që kërkonte jo vetëm vëmendjen, por edhe respektin, një shenjë, si një trokitje, në atë pjesë të kujtesës, që kërkon nderim përulësisht, që me shtyu të shfletoj faqet e para, pasditen që e mora, pak ditë para ndërrimit të moteve.

Dedikimi në hyrje, të sinjalizon diçka nga lajtmotivi që përshkon librin. Që në faqet e para, lexuesi e kupton se dimensioni i dedikimit përshkon mbi 500 faqe shtresëzim të një retro vështrimi jo të largët historikisht, të shtrirë kronologjikisht dhe të ndërthurur artistikisht. Bashkë me këtë linjë, qe ecë një hap para, pason argumentimi dhe dokumentimi orientimor (herë datash, herë artikujsh, herë subjektesh, herë rrethanash…) i asaj kasaphane të (për)jetuar, që vazhdon e interpretohet shtrembër, jo vetëm prej injorancës, por edhe qëllimshëm, shpesh strategjikisht.

Libri, ka një logjikë teksti që nuk të humbet, por të mban me këmbë në tokë. E tronditë lexuesin, por jo deri aty sa ta braktisë leximin. E ngarkon me anën emocionale, po jo sa për të humbur arsyen. Qartëson anët, ndan rrugët, nuancon dhimbjet, por racionalisht krijon baraspeshën rrëfyese dhe ndërton konvergjencën kontekstuale të tragjikes. Kjo gjë, mendoj unë, i krijon librit veshjen e duhur për të hyrë dhe përmbushur misionin, holleve e salloneve (edhe mondane), ku ndonjëherë politika dhe diplomacia jonë nuk kanë një vend, apo në raste kur e kanë, harrojnë pse janë aty.

Është shumë e rëndësishme për popujt si i yni, që rrugëtimin e qenësisë e kanë pasur nëpër tragjedi që zhbëjnë, të dinë ta paketojnë dhimbjen me lidhjen e fjongon që duhet dhe ta plasojnë atë, nëse jo për betejat e domosdoshme ekzistencialiste të shtetësisë, për memorien kolektive njerëzore, në fund të fundit. Arti, sikur letërsia në këtë kuptim, e kanë mundësinë edhe mjetet. Bardhyli e ka bërë këtë gjë mjeshtërisht. Jo vetëm artistikisht. E ka bërë edhe njerëzisht. Nuk ka ushqyer krenari shterpe e mendjemadhësi. Nuk ka përbuzur. Nuk ka mbajtur distancë nga të vërtetat që shihen përtej syve tanë. Nuk ka ndjekur një stil pompoz rrëfimi që të largon, por ka hapur rrugën për të mos mbetur zë vetmitar në mbledhjen dhe dokumentimin (qoftë edhe artistik) të një periudhe, jo veç tragjike, por edhe historike; të një tragjedie që, përveç pasojave të dukshme e të dhembshme fort, sot e kësaj dite, ka prodhuar një realitet të ri, jo ngushtësisht e vetëm për shqiptarët, por një ekzemplar shume dimensional e kompleks në rrafshin regjional e global.

Gjuha korrekte, e saktë, e thjeshtë, e kuptueshme, e bën “Eskadronët e vdekjes” një libër të përshtatshëm për lexuesin e moshave të ndryshme. Ndërlidhja e rrëfimit, referencave kohore e rrethanore, prezenca dhe roli që mbartin subjektet, vulosen me pohimin e autorit në përmbyllje se ngjashmëria e përjetimeve me ecejaket e njerëzve të veçantë, është bërë me qëllim. Ka disa breza që njëpërnjëshëm dhe bashkërisht mund të identifikojnë veten faqeve të këtij romani. Rezolucioni me të cilin autori vendos të nxjerr në pah rolin dhe dorën e shtetit serb në gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve (e jo vetëm), shpalosë rrëfime e imazhe psikologjike që të shumtën kanë vdekur me njerëzit. Shpesh herë edhe tek të gjallët e pakallur.

Sado në presion kohe e përgjatë janarit, që përvitshëm më rëndon sa s’mbaj, do t’më vinte keq sikur do ta kisha humbur pa e lexuar, Bardhyl! T ‘falënderoj shumë që e ke nisur edhe tek unë, por përtej kësaj, mirënjohëse që ke vënë në letër, me përkushtimin e seriozitetin që meritojnë, gjurmët e shumë jetëve të irnosura, që ndoshta shpesh më lehtë do ta kishin pasur përtej varrit, se mbi dhe.

Online

Share this post