Skender Hajdari: “Eskadronët e vdekjes” të bëhet film dhe literaturë e obligueshme për të përjetësuar kujtimin për viktimat e gjenocidit

Skender Hajdari është një veprimtar i njohur i çështjes kombëtare. Ai ka qenë i burgosur politik si dhe e gjithë familja e tij ka qenë e persekutuar nga regjimi pushtues serb.   

Ka dhënë një ndihmesë të konsiderueshme në përhapjen e së vërtetës për gjenocidin në Kosovë, përveç tjerash edhe duke bërë faqosjen e librave të autorit Bardhyl Mahmuti si “Mashtrimi i madh” në gjuhën angleze, pastaj “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë” si dhe romanin e tij “Eskadronët e vdekjes”  

Kjo është letra të cilën ai ia ka drejtuar autorit Bardhyl Mahmuti, ku shpalos përshtypjet e tij pas leximit të romanit “Eskadronët e vdekjes”.  

 

I nderuri Bardhyl  

Desha të të njoftoj se sapo përfundova leximin e romanit tënd të shkëlqyeshëm “Eskadronët e vdekjes”.  

Unë nuk jam kritik letrar dhe nuk di të gjykoj anën estetike të kësaj vepre, por rrëfimi i ngjarjeve më ka rrëmbyer tërësisht. E kam lexuar shpejt dhe me shumë emocione. E kam përjetuar shumë thellë dhe kam ndie keqardhje me të gjitha viktimat që përmenden në roman.  

Kronologjia e ngjarjeve dhe mënyra se si janë rrëfyer paraqesin një material të shkëlqyer për ta shndërruar në skenar filmi, të cilin skenaristët profesionistë dhe regjisorët do ta shndërronin në film artistik që do të përjetësonte kujtimin për viktimat e gjenocidit që Serbia ka kryer kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së fundit.  

Bardhyl, unë nuk kam mundësi të shprehem e të shkruaj për të gjitha përjetimet që pata gjatë leximit të këtij romani të shkëlqyer, por të falënderoj dhe të jam mirënjohës që ma solle në kujtesë pjesën më tragjike të asaj që kemi përjetuar si komb në fund të shekullit XX.  

Jam shumë i sigurt se kush nuk e ka lexuar këtë roman dokumentar, nuk e di saktësisht se çka ka ndodhur në Kosovë gjatë luftë 1998-1999. Madje as ne që kemi qenë të angazhuar në të! Nëse fjala ime do të kishte peshë, do të kisha bërë të obligueshme leximin e këtij romani për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme në të gjitha viset shqiptare. Vetëm kështu do të përjetësonim kujtimin për të gjithë fëmijët, gratë, pleqtë dhe shqiptarët e të gjitha moshave që u vranë gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë!  

Me shumë respekt  

Skënder Hajdari 


 

Share this post