Programet politike për Serbinë e Madhe dhe gjenocidi (33)
Në pjesën e mësipërme theksuam orientimin e gabuar që, në vend se të mbështeten në kriteret e mirëfillta të së drejtës penale ndërkombëtare dhe t’i përqendrojnë hulumtimet e tyre në kontekstin e përgjithshëm të fushatave gjatë së cilave u kryen krimet dhe në përzgjedhjen e qëllimshme dhe sistematike të viktimave, për shkak të përkatësisë së tyre një grupi të veçantë që është vënë në shënjestër të shkatërrohet si i tillë, një numër i konsiderueshëm autorësh shqiptarë lëshohen në interpretime të programeve politike serbe, që janë publike, për të argumentuar krimin e gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve.
Si rezultat i këtij orientimi të gabuar, në qindra artikuj të autorëve shqiptarë që trajtojnë projektet serbe për krijimin e Serbisë si shtet etnikisht homogjen dhe të spastruar nga pjesëtarët e përkatësive të tjera etnike, “Naçertanije” e Ilija Garashaninit”[1] konsiderohet si plani i parë në vazhdën e planeve të shumta, që kishin për synim realizimin e këtij projekti.
Më sipër cituam historianin Frashër Demaj, i cili, në cilësinë e anëtarit të Këshillit Organizues të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, bëri parathënien e përmbledhjes së kumtesave të prezantuara në konferencën shkencore të mbajtur në Prishtinë, më 28 prill 2023[2].
Edhe pse zbatimi i “etničko čišćenje”-s serbe kishte filluar katër dekada përpara se Ilija Garashanini të shkruante “Naçertanije” dhe kryengritësit serbë të thernin të gjithë përfaqësuesit e përkatësive etnike të islamizuar që trajtoheshin në kategorinë “turq”, “pa kursyer as të plagosurit, as gratë dhe as fëmijët”, në interpretimin e tij, Frashër Demaj thotë: “Tendencat e Serbisë për gjenocid ndaj shqiptarëve zunë fill që nga gjysma e parë e shekullit XIX me ‘Naçertania’-n kur Serbia filloi me projekte të organizuara shtetërore antishqiptare më qëllim vrasjen, dëbimin dhe asimilimin e shqiptarëve dhe pushtimin e tokave të tyre”[3]. Në të njëjtën frymë, Hakif Bajramin shkruan se “në saje të planit që bazohej në paragrafet e ‘Naçertanisë’ 1844, më 1913 në Kosovë u dogjën 132 fshatra shqiptare, deri në temel”[4], ndërkaq për Nuridin Ahmetin “gjenocidi serb ndaj shqiptarëve i mori konturat e një programi zyrtar me “Naçertanien” e Ilija Garashaninit më 1844”[5].
Kur lexon konstatime të tilla nga historianë, të krijohet përshtypja se nuk e kanë lexuar fare “Naçertanijen” e Ilija Garashaninit, sepse nuk ka asnjë “paragraf” të vetëm të Naçertanijes që do të mundësonte të interpretohej nga këndvështrimi i së drejtës penale ndërkombëtare, si program që i ka dhënë “konturat gjenocidit serb ndaj shqiptarëve”.
Megjithëse kemi të bëjmë me historianë, është papërgjegjësi profesionale interpretimi i zhvillimeve historike me nocione juridike që nuk i njohin. Por çështja bëhet edhe më e rëndë, kur një jurist si Arsim Bajrami aderon në interpretime të paqëndrueshme të një historiani, se gjoja “gjenocidi serb ndaj shqiptarëve i mori konturat e një programi zyrtar me ‘Naçertanien’ e Ilija Garashaninit”[6] dhe, pa verifikuar saktësinë e pohimeve të tilla, ndikohet prej tyre dhe nxjerr konkluzionin paradoksal se “sipas Garashaninit, metodat, për realizimin e ati projekti, plotësisht, janë të lejuara, deri në përdorimin, zbatimin e gjenocidit mbi popullin shqiptar, projekt që nënkupton shfarosjen fizike të shqiptarëve”[7].
Sa i përket “Naçertanijes”, duhet të theksojmë se në periudhën kur shiheshin shenjat e shpërbërjes së Perandorisë Osmane, Ilija Garashanini[8] përpiloi programin e politikës së jashtme dhe asaj kombëtare të Serbisë, i cili duhej të mbështetej në “historinë e pasur dhe të lavdishme të perandorisë serbe të shekullit XIII dhe XIV”[9]. Në funksion të këtij qëllimi ai shtroi shtyllat orientuese të punës që duhej të bënte Serbia jo vetëm ndaj Austro-Hungarisë dhe Rusisë, por edhe ndaj Bullgarisë, Sllovenisë, Kroacisë dhe me theks të veçantë ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Shqipërisë Veriore[10].
Ambiciet për të krijuar shtetin e ri serb në territoret që dikur përfshiheshin në mbretërinë e Dushanit[11], do të përcaktojnë orientimin politik të Serbisë. Në fund të pikës 5 të kësaj “skice”, Ilija Garashanini sugjeron që të dërgohen “spijuj në veri të Shqipërisë dhe të Mal të Zi, sepse këta dy popuj janë pikërisht ata popuj që kanë çelësat e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Detit Adriatik. Është i bindur se veprimi politik i Serbisë për të vendosur agjenci serbe në këto vende do të kishte vlerë të veçantë për ata popuj dhe lidhja e ngushtë e këtyre banorëve me Serbinë do të mund të bëhej shumë lehtë”[12].
Nga asnjë fjali e “Naçertanijes” së Ilija Garashaninit nuk mund të nxirret konkluzioni, se gjoja “Sipas Garashaninit, metodat, për realizimin e ati projekti, plotësisht, janë të lejuara, deri në përdorimin, zbatimin e gjenocidit mbi popullin shqiptar, projekt që nënkupton shfarosjen fizike të shqiptarëve”.
Me të pavërteta të tilla, që mund t’i përgënjeshtrojë çdo lexues i “Naçertanijes”, jo vetëm që nuk dëshmohet “përgatitje serioze, shkencore e profesionale”[13], por, përkundrazi, pretendimet e sajuara nga Arsim Bajrami mund t’u japin kundërshtarëve tanë argumente, që të na akuzojnë si sajues gënjeshtrash.
Mbi njëzet programe, skica, projekte, memorandume serbe për krijimin e Serbisë së Madhe janë publike dhe shteti serb nuk mohoi asnjëherë autenticitetin dhe vërtetësinë e asnjërin prej tyre. Mirëpo asnjë program që shërbeu si kornizë programore për gjenocidet e kryera nga forcat serbe nuk doli në publik. Zbulimi i planit të fshehtë gjenocidal “Patkoi”, që u zbatua gjatë luftës së viteve 1998-1999, u mohua tërësisht nga autoritetet serbe dhe negacionistët e gjenocidit në Kosovë. Ky aspekt i problematikës është tepër i rëndësishëm dhe do ta trajtojmë si temë të veçantë.
Nuk e dimë ndikimin reciprok të vendeve ballkanike në përpilimin e aspiratave të tyre kombëtare, por ajo që mund të konstatohet ka të bëjë me faktin, se në vitin 1844 edhe Greqia shpalosi publikisht programin e vet politik për krijimin e shtetit kombëtar. Në një fjalim të mbajtur në Kuvendin e Greqisë, më 14 janar 1844, kryeministri Joanis Kotelis i përcaktoi për mision Greqisë “të ndriçonte Lindjen, që ishte në të djathtë të saj, dhe Perëndimin, që e kishte në të majtë”[14]. Mirëpo, për të arritur këtë mision, ai shpalli Idenë e Madhe (Megal Idea) “të bashkimit brenda kufijve të një shteti jo vetëm ata që jetojnë në Mbretërinë e Greqisë, por edhe helenofonët që jetonin në Janinë, në Thesali, në Seres, në Adrianopojë, në Kostandinopojë, Trabzon, në Kretë, në Samos apo në cilin do vend që ka të bëjë me historinë e racës greke”[15]. Me një fjalë, kryeministri grek shtroi platformën ekspansioniste për pushtimin e territoreve, të cilat mendonin t’i përfshinin në kuadër të shtetit të ri grek.
Nuk dimë nëse Greqia ka pasur programe të fshehta përpara vitit 1844, që kishin për qëllim shkatërrimin e shqiptarëve. Për të shmangur qasjen e gabuar që përpiqet të gjejë në programet politike publike serbe apo greke, elemente që do të vërtetonin qëllimin gjenocidal të krimeve të forcave të tyre, hulumtuesit duhet të mbështeten në vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën në procesin kundër Jean-Paul-Akayesu, që shërben si shtyllë orientuese si të veprohet. E shohim të nevojshme që, edhe në këtë kontekst, të citojmë vendimin e kësaj gjykate, sepse sqaron drejtimin që duhet të ndjekin të gjithë ata që dëshirojnë të hedhin dritë mbi një krim të gjenocidit: në mungesë të programeve apo deklaratave që do të vërtetonin qëllimin e krimeve, qëllimi gjenocidal mund të nxirret “nga konteksti i përgjithshëm i kryerjes së akteve të dënueshme, të drejtuara në mënyrë sistematike kundër të njëjtit grup, të kryera qoftë nga i njëjti person ose nga persona të tjerë. Faktorë të tjerë, si shkalla e armiqësive të kryera, karakteri i tyre i përgjithshëm në një rajon ose vend, apo fakti i përzgjedhjes së qëllimshme dhe sistematike i viktimave, për shkak të përkatësisë së tyre të një grupi të veçantë, duke i veçuar anëtarët e grupeve të tjera”[16].
Në pjesën e mësipërme cituam vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me padinë e Bosnjës dhe Hercegovinës kundër Serbisë dhe Malit të Zi, ku saktësohet se “As qëllimi i shprehur nëpërmjet një politike që synon ta bëjë një zonë ‘etnikisht homogjene’, dhe as operacionet që zbatohen për të realizuar një politikë të tillë, nuk munden, si të tilla, të kualifikohen me termin gjenocid: qëllimi që e karakterizon gjenocidin synon të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht një nga grupet e mbrojtura me konventë. Zhvendosja e anëtarëve të një grupi të veçantë, qoftë edhe me forcë, nuk do të thotë me automatizëm që ky veprim e shkatërron grupin si të tillë dhe një shkatërrim i tillë nuk pasqyrohet në mënyrë automatike nga një zhvendosje e dhunshme. Mirëpo kjo nuk do të thotë se aktet që përfshihen në ‘spastrimin etnik’ nuk mund të kualifikohen si akte gjenocidi. Këto akte mund të kualifikohen si gjenocid, nëse qëllimisht e vënë grupin e caktuar në kushte të tilla jetese, që mund të shkaktojë shkatërrimin fizik të tërësishëm ose të pjesshëm të grupit që është në kundërshtim me nenin II të Konventës, por me kusht që qëllimi i këtyre akteve të jetë shkatërrimi i grupit e jo dëbimi i tij. Vetëm dëbimi i një grupi ose i një pjese të tij nuk është kriter i vetëm për t’u kualifikuar si gjenocid. Me fjalë të tjera, që të dihet nëse një operacion i veçantë i paraqitur si operacion që ka të bëjë me ‘spastrimin etnik’ është apo nuk është gjenocid varet nga ekzistenca apo mosekzistenca e akteve materiale të numëruara në nenin II të konventës, që janë kryer me qëllim të shkatërrimit të grupit si të tillë”[17].
Prandaj edhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në procesin gjyqësor kundër Radovan Karaxhiqit mban të njëjtin qëndrim dhe konstaton se “të gjitha ligjërimet që arsyetojnë qëllim e krijimit të shtetit etnikisht homogjen të serbëve të Bosnjës dhe ndarjen e Bosnjës në baza etnike nuk dëshmojnë se konkluzion i vetëm i arsyeshëm që do të mund të nxirrej, ishte se për të realizuar një synim të tillë, udhëheqja e serbëve të Bosnjës ka pasur për qëllim shkatërrimin e Muslimanëve[18] të Bosnjës ose/dhe kroatëve të Bosnjës”[19].
[1] Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Arsim Bajrami, “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë-Aspekte juridike”, Prishtinë 2023, f. 202. [Arsim Bajrami e merr citatin nga një forum interneti (https://fv.al/t/nga-nacertania-deri-te-pavarsia-e-kosovës.10407) dhe nuk përmend as emrin e autorit!].
[2] Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, “Gjenocidi dhe masakrat e Serbisë në Kosovë”, Prishtinë, më 28 prill 2023.
[3] Po aty, f. 7.
[4] Hakif Bajrami, Dy shekuj gjenocid të programuar serb ndaj shqiptarëve, “Kosova sot”, më 8 prill 2024.
https://www.kosova-sot.info/opinione/713232/dy-shekuj-gjenocid-te-programuar-serb-ndaj-shqiptareve/
[5] Nuridin Ahmeti, Nga “Naçertania” deri te Pavarësia e Kosovës, 08/05/2012
https://orientalizmi.wordpress.com/2012/05/08/nga-nacertania-deri-te-pavaresia-e-kosoves/
[6] Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Arsim Bajrami, “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë-Aspekte juridike”, Prishtinë 2023, f. 202. [Arsim Bajrami e merr citatin nga një forum interneti (https://fv.al/t/nga-nacertania-deri-te-pavarsia-e-kosovës.10407) dhe nuk përmend as emrin e autorit!].
[7] Po aty, f. 205. Citohet pa asnjë ndërhyrje rreth shenjave të pikësimit.
[8] Ilija Garašanin është personaliteti më i shquar politik serb i shekullit XIX. Ai ushtroi një numër të madh funksionesh qoftë në dinastinë e Obrenoviqëve, qoftë në dinastinë e Karagjorgjeviqëve. Gjatë sundimit të Millosh Obrenoviqit I (Miloš Obrenović), ai u emërua shef i armatës serbe dhe pak më vonë shef i policisë ushtarake, ndërsa gjatë sundimit të Aleksandar Karagjorgjeviqit (Alexandre Karađorđević), ai ishte ministër i Punëve të Brendshme, themelues i Shërbimit Sekret Serb, ministër i Punëve të Jashtme dhe kryeministër i vendit. Të gjitha këto funksione i dhanë atributin “Bismarku serb”. Për këtë çështje shih: Gérald Arboit, Le premier service de renseignement serb, 1844-1914 (Shërbimi i parë sekret serb:1844-1914) f.2;
https://hal.science/hal-01152732/document
[9] Ilija Garašanin, Načertanije, Program spoljašne i nacionalne politike Srbije na koncu 1844. Godine. (Skicë, Program i politikës së jashtme dhe asaj kombëtare të Serbisë në fund të vitit 1844), f. 3.
http://www.institut-genocid.unsa.ba/pdf/NACERTANIJE.pdf
[10] Po aty, f. 10-14.
[11] Po aty, f. 3
[12] Po aty, f. 13.
[13] Po aty.
[14] Richard Clogg, A Concise History of Greece, Cambridge, Cambridge U. P., 1992, f. 47.
[15] Po aty.
[16] Tribunal Pénal International pour le Rwanda, Le procureur contre jean-paul-akayesu,
Affaire N°ICTR-96-T, Jugement, 2 septembre 1998, § 523.
https://violences-sexuelles.ifjd.org/app/uploads/sites/2/2021/05/3.-TPIR-Jean-Paul-Akayesu-min.pdf
[17] Cour International de Justice, Application de la convention pour la prévention et la répression du crime de génocide (Bosnie-Herzégovine c. Serbie-et-Monténégro), arrêt, C.I.J. Recueil 2007, Intention et “nettoyage ethnique”, § 190, f. 83-84. (Nënvizimi dhe shënjimi me ngjyrë të theksuar është yni).
[18] Pjesëtarët e përkatësisë fetare islame në Bosnjë dhe Hercegovinë identifikohen si komb Mysliman, me shkronjë të madhe, për t’u dalluar nga pjesëtarët e kombeve të tjera të përkatësisë fetare islame.
[19] Nation Unies, Tribunal Pénal International pour l’ex-Yougoslavie, Affaire no : IT-95-5/18-AR98bis.1, Le Procureur c/ Radovan Karadţić, 11 july 2013, § 2598.
