Luftërat Ballkanike dhe gjenocidi ndaj shqiptarëve (37)
“Golgota shqiptare”
Në mesin e intelektualëve që ngritën zërin kundër planeve që synonin shkatërrimin e popullit shqiptar, një vend të veçantë zë publicisti hebre që jetonte në Vjenë, Leo Freundlich (Leo Frojndlih).
Duke u mbështetur në burime të ndryshme informimi për krimet e tmerrshme që forcat serbe dhe malaziase kryenin kundër shqiptarëve, Leo Frojndlih ngriti zërin e revoltës për heshtjen e Europës ndaj masakrimit të dhjetëra mijëra persona pa mbrojtje, të përdhunimit të grave, të vrasjes së fëmijëve, të djegies së vendbanimeve shqiptare…
Të Dielën e Pashkës, më 23 mars 1913, ai u drejtoi një letër Fuqive të Mëdha, opinionit publik europian dhe, në veçanti, atij anglez dhe francez që të mos heshtnin, por të angazhoheshin “që të ndalej vala e shfarosjes së shqiptarëve dhe të formohej një komision hetimor ndërkombëtar, i cili do të hetonte akuzat që ishin bërë kundër qeverisë serbe”[1].
Në apelin e lartpërmendur, Leo Frojndlih theksonte se Konferenca e Ambasadorëve në Londër kishte propozuar që kufijtë e Shqipërisë të përcaktoheshin në bazë të statistikave të përkatësisë etnike dhe fetare që do të përpilonte nga terreni një komision i caktuar prej tyre. Serbët përshpejtuan t’ua përgatisnin statistikat me mitraloza, pushkë dhe bajoneta. Ata kanë kryer krime të tmerrshme (…)[2].
Për të ilustruar me shembuj konkretë përmbledhjen e rrëfimeve rrëqethëse, autori citon “Daily Chronicle” të datës 12 nëntor 1912. Në këtë shkrim pohohet vërtetësia e lajmit, se mijëra shqiptarë ishin masakruar nga serbët dhe saktësohej se “në Shkup numri i të masakruarve ishte 2000, ndërsa në Prizren 5000”[3]. Ndërsa gazeta “Frankfurter Zeitung” “përmend rastin e 300 lumjanëve të ekzekutuar në Prizren, pa proces gjyqësor, dhe se që nga koha kur forcat serbe kaluan kufirin dhe pushtuan territoret shqiptare, masakrat nuk kishin të ndalur”[4]. “Serbët janë duke bërë një luftë që ka për qëllim shfarosjen e kombit shqiptar dhe nëse do të mundnin, ata do ta çrrënjosnin të tërin”[5].
Në vijim, Leo Frojndlih mbështetet në gazetën “L’Humanité” të Parisit, e cila publikoi një procesverbal, që i ishte dorëzuar konsullatës franceze në Selanik, në të cilin përshkruheshin aktivitetet e Serbisë në Shqipëri: plaçkitje, shkatërrime, masakra. Sipas të dhënave të këtij procesverbali, “Serbia në mënyrë sistematike kishte shkatërruar tërësisht ose pjesërisht fshatrat shqiptare në rrethinën e Kumanovës, Shkupit, Shtipit, Krakovës, Koçanit, Zhujovës, Meshelit, Kavadarcit, Bogdancit, kurse në Drenovë u vranë të gjithë banorët. Madje në varrezat që u zbuluan ndërmjet fshatit Drenove dhe Palikura kishte ndodhur varrosja për së gjalli e shqiptarëve”[6].
Mizoritë e ushtrisë serbe kishin shkuar kaq larg, saqë edhe “Fritz Magnussen, korrespondenti i gazetës daneze “Riget”, i njohur për simpatinë e tij ndaj serbëve, në telegramin që kishte dërguar, theksonte se ushtria serbe bën një luftë të pashembullt krimesh duke përmendur masakrimin e 3000 shqiptarëve në Kumanovë dhe Shkup dhe 5000 të tjerëve në Prishtinë, fshatra shqiptare të rrethuar dhe të djegura, shqiptarë të dëbuar dhe të vrarë si minjtë”[7].
Në vazhdim Leo Frojndlih sjell të dhënat e dosjes së publikuar nga “Reichspost”, ku theksohej se “shqiptarët konsideroheshin si kafshë gjahu dhe nuk mbroheshin nga asnjë ligj dhe asnjë gjykatë”[8]. Si shembull për këtë pohim kjo agjenci përmend faktin, se “edhe në rastet kur popullsia shqiptare nuk rezistonte, siç ishte me banorët e pesë fshatrave të rrethinës së Shkupit, u vranë pothuajse të gjithë banorët, ndërsa fshatrat u dogjën. Hendeku prapa kalasë së Shkupit ishte i mbushur me kufoma të mbi njëqind viktimave të kësaj fushate, ndërsa në Kisela Voda u gjetën trupat e tetëdhjetë viktimave shqiptare”[9].
Përshkrimi i tmerreve vazhdon me krimet e kryera në rrethinën e Kumanovës, ku, sipas dëshmive të atyre që kishin marrë pjesë në këto krime, “shumë fshatarë që nuk kishin mundur të iknin, ishin strehuar në tavane të shtëpive. Ne ua vumë zjarrin dhe kur shtëpitë i përfshiu flaka, ata dolën si urithët nga shtrofullat e tyre duke bërtitur, duke u lutur dhe duke kërkuar mëshirë. I vramë te dera. Vetëm ndaj fëmijëve kursyem plumbat dhe përdorëm bajonetat…”[10].
E njëjta gjë ndodhi edhe me shqiptarët e Tetovës[11]. “Tetëdhjetë e pesë shqiptarë u masakruan në shtëpitë e tyre në Tetovë, pa asnjë rezistencë të armatosur, ndërsa vendi u plaçkit. Janë të papërshkrueshme aktet neveritëse të çnderimit të grave dhe vajzave, duke përfshi edhe fëmijë të moshës 12 vjeçare. Për të kurorëzuar të gjitha këto tmerre, baballarët dhe burrat e viktimave u detyruan, nën kërcënimin e revolverit, t’ua mbanin qirinjtë dhe të ishin dëshmitar të poshtërimit që u bëhej vajzave dhe grave të tyre, në shtëpitë e veta”[12].
Në përmbledhjen e sintetizuar të krimeve më të tmerrshme serbe, Leo Frojndlih përmend “vrasjen e 1200 shqiptarë në Ferizaj dhe pothuajse të gjithë banorët shqiptarë të Gjilanit. Kësaj fushate shfarosëse i kishin shpëtuar vetëm një numër shumë i vogël i atyre që arritën të iknin”[13].
Barbaritë shkuan deri aty, sa grave shtatzëna ua shqyenin barkun me bajoneta dhe u nxirrnin fëmijët. Kështu, për shembull, autori përmend se pasi “kishin shkatërruar tërësish 27 fshatra të zonës së Lumës, u vranë të gjithë njerëzit, deri te fëmijët. Këtu i mbështollën ngratë dhe fëmijët me kashtë, si të ishin mullarë sane, dhe i dogjën për së gjalli përpara burrave dhe baballarëve të tyre, që ishin të lidhur. I plaçkitën gratë shtatzëna dhe, me bajoneta, ua nxorën foshnjat nga barku[14]. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe në fshatin Gjylekar[15].
Vazhdojnë të dhënat për vrasjet: “60 shqiptarë të masakruar në Tërstenik, 32 në Smirë, 20 në Vërban, 19 në Lubizhdë… Në Komogllavë, që numëronte 50 familje, u vranë të gjithë burrat pa përjashtim… Mbetën pak të mbijetuar në Preshevë”[16].
Nga të gjitha të dhënat që kishte grumbulluar, autori vjen te përfundimi, se “Prishtina dhe Prizreni ishin shndërruar në ‘Mbretëri të vdekjes’, ku u vranë të gjithë, pa dallim moshe dhe gjinie”[17], ndërsa Gjakova e rrënuar dhe popullsia e masakruar.
Në këtë kontekst vlen të përmendet dëshmia e sekretarit të kryeministrit serb, Nikolla Pashiq. “Zoti Tomiq kishte raportuar se gjatë udhëtimit të tij nga Prizreni në Pejë, në të dyja anët e rrugës nuk kishte parë asgjë tjetër, pos gërmadhave të fshatrave të djegura që ishin bërë rrafsh me tokë. Në shtyllat e shumta përskaj rrugëve, rrinin varur trupat e shqiptarëve. Rruga e Gjakovës ishte shndërruar në një ‘Bulevard varjesh’”.[18]
Nga shembujt e shumtë të krimeve që përmenden në veprën e Leo Frojndlih kam përzgjedhur raportin e të dërguarit special të “Daily Telegraph”, i cili kishte ardhur te konkluzioni i mëposhtëm:
“Të gjitha tmerret e historisë janë tejkaluar me veprimet e tmerrshme të trupave të gjeneral Jankoviqit. Kanë vrarë jo vetëm shqiptarë të armatosur, por në egërsinë e tyre edhe njerëz të paarmatosur, persona të moshuar, gra, fëmijë, madje edhe foshnje në gjirin e nënave të tyre. Oficerët serbë, në dehjen e tyre nga fitorja, gjetën zgjidhjen se mënyra më efektive për të qetësuar Shqipërinë ishte shfarosja e plotë e shqiptarëve. Për të shuar etjen e tyre për gjak, ushtarët serbë zbuluan metoda të reja të kasaphanës: burrat vriteshin në sy të grave dhe fëmijëve të tyre, ndërsa gratë e gjora detyroheshin të shihnin se si ua copëtonin fëmijët.”[19] . “Për shkak të tokës së ngrirë, të vetmin telash që kishin ushtarët serbë ishte hapja e varreve. Prandaj i hidhnin në bunarë. Në rrethin e Shkupit një informator kishte numëruar 38 bunarë të mbushur me kufoma shqiptarësh”[20].
[1] Leo Freundlich, Albaniens Golgatha: Anklageakten gegen die Vernichter des Albanervolkes (Golgota shqiptare: Dosjet e akuzës kundër shfarosësve të popullit shqiptar), Wien 1913. Verlag der Buch-und Kunstdruckerei Josef Roller & Co. III., Seldlgassa, f. 4-6.
[2] Po aty, f. 6.
[3] Po aty, f. 8.
[4] Po aty, f. 7.
[5] Po aty, f. 8.
[6] Po aty, f. 8-9.
[7] Po aty, f. 9.
[8] Po aty, f. 11.
[9] Po aty, f. 10.
[10] Po aty, f. 11.
[11] Në shkrim përdoret emri turqisht i Tetovës, Kalkandele.
[12] Po aty, f. 12.
[13] Po aty, f. 12
[14] Po aty, f. 15.
[15] Po aty, f. 17.
[16] Po aty, f. 16.
[17] Po aty, f. 13.
[18] Po aty, f. 19.
[19] Po aty, f. 18.
[20] Po aty, f. 11.