Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve dhe gjeonocidi (40)
Kur trajtuam çështjen e gjenocidit në raport me programet politike për Serbinë e Madhe nxorëm në pah gabimet e shumta të hulumtuesve tanë, të cilët lëshohen në interpretime të gabuara të programeve politike serbe, që janë publike, për të argumentuar krimin e gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve. Në kontekst të kësaj çështjeje, do të ndalemi shkurtimisht në Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, të vitit 1986, për arsye të vendit që zë në hulumtimet e autorëve shqiptarë dhe ndikimin negativ që mund të kenë interpretime të tilla.
Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve u përpilua gjatë viteve 1985-1986, nga një komision prej 16 anëtarësh të kësaj akademie. Ende pa u diskutuar në strukturat drejtuese të saj, që duhej ta miratonte si dokument përpara se t’u dorëzohej strukturave udhëheqëse të Lidhjes Komuniste të Serbisë, në shtator të vitit 1986 e përditshmja serbe Veçernje novosti publikoi detaje të përmbajtjes së tij.
Thelbin e këtij memorandumi e përbënte prezantimi i shtrembëruar i pozitës së serbëve në Jugosllavi, si të diskriminuar, për shkak të shkapërderdhjes së tyre territoriale që kishte bërë Partia Komuniste e Jugosllavisë me vendimet për formën federative të organizimit që duhej të merrte Jugosllavia Socialiste pas Luftës së Dytë Botërore. Një aspekt i veçantë i kritikave lidhet me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974 dhe zgjerimin e shkallës së autonomisë për Kosovën dhe Vojvodinën.
Për të qenë sa më bindës në prezantimin e gjendjes së “mjerueshme të serbëve” në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, në Memorandum theksohet disa herë, se “serbët janë të ballafaquar me gjenocidin që është ushtruar dhe ushtrohet ndaj tyre në Kosovë”. Ndërkaq, në rrafshin ekonomik fajësojnë decentralizimin e federatës nga Titoja[1] dhe Kardeli[2], njëri kroat e tjetri slloven, që i mundësuan Kroacisë dhe Sllovenisë të zhvilloheshin shumë në krahasim me Serbinë dhe republikat e tjera të federatës.
“Për të shmangur mundësinë që kriza që kalonte Jugosllavia në atë kohë të përfundonte me protesta shoqërore, që do të kishin pasoja të paparashikueshme, duke mos e përjashtuar as përfundimin katastrofik të shpërbërjes së bashkësisë shtetërore jugosllave”, autorët e Memorandumit propozojnë “ndryshime të tilla të kushtetutës, që do t’i mundësonin Serbisë të fitonte trajtim të barabartë në kuadër të federatës”. Kjo qasje nënkuptonte heqjen e autonomisë Kosovës dhe Vojvodinës dhe riorganizimin e tërësishëm të federatës sipas pikëpamjeve të tyre.
Mediatizimi i përmbajtjes së këtij memorandumi shtrëngoi qeverinë e Jugosllavisë dhe atë të Serbisë që ta dënonin si dokument që nxit nacionializmin.
Pa marrë parasysh se një numër i konsiderueshëm analistësh e shohin Memorandumin si katalizator të shpërbërjes së Federatës së Jugosllavisë, me të gjitha pasojat tragjike që e karakterizuan, në asnjë paragraf të tij nuk mund të mbështetemi për të ardhur te konkluzioni, siç bën Arsim Bajrami, se “Memorandumi i ASSHA-së ishte platformë ideologjike për gjenocid ndaj popullit shqiptar dhe atij musliman”[3].
Publikimi i të pavërtetave të tilla na shkakton një dëm të madh në rrafshin ndërkombëtar edhe për faktin se janë botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, ndërkaq në rrafshin e brendshëm, ka rrezik që këto qasje të gabuara të barten edhe në shkrimet e juristëve të tjerë.
Të gjithë ata që i qasen analizës së programeve publike serbe ndaj pjesëtarëve të përkatësive të tjera etnike duhet t’i kenë parasysh faktet e lartpërmendura, se jurisprudenca e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë nuk e cilësojnë si gjenocid as qëllimin e shprehur nëpërmjet një politike, që synon ta bëjë një zonë ‘etnikisht homogjene’ dhe as operacionet që zbatohen për të realizuar një qëllim të tillë.
Po e përsëris për të disatën herë: sipas së drejtës penale ndërkombëtare, vetëm projektet që kanë për qëllim shkatërrimin fizik ose biologjik, tërësisht ose pjesërisht, të një grupi kombëtar, etnik, racial ose fetar si të tillë, mund të shërbejnë si fakte për të dëshmuar qëllimin gjenocidal të krimeve të kryera. Në rastin e Kosovës, vrasjet, dhuna seksuale, dëbimi sistematik nga shtëpitë e tyre dhe shkatërrimet e objekteve që lidhen me identitetin historik, kulturor, kombëtar të shqiptarëve mund të jenë prova materiale, që dëshmojnë qëllimin gjenocidal të akteve kriminale, nëse janë kryer me qëllim që të shkatërrohen shqiptarët si të tillë dhe, kurrsesi, nëse janë kryer me qëllim të dëbimit të shqiptarëve.
Një gjë duhet ta kemi të qartë! Asnjërit nga projektet për krijimin e “Serbisë së Madhe”, nga “Naçertanije” e deri te Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencës dhe të Arteve, nuk i mohohet as autorësia, as vërtetësia. Madje as nga vetë serbët nuk mohohet vërtetësia e tyre, për arsye se janë të vetëdijshëm që projekte të tilla nuk mund të cilësohen si “platforma ideologjike për gjenocid”.
Mënyra se si u veprua në rastin e zbulimit të planit gjenocidal “Patkoi” na jep mundësi të shmangim interpretimet e gabuara të programeve politike serbe, që tanimë janë bërë publike, dhe të orientojmë argumentimin drejt fakteve të pakontestueshme.
[1] Josop Broz, i njohur si Tito (1892-1980), ishte udhëheqës i Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe i shtetit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Zyrtarisht thuhet se ka lindur në Kumrovac të Kroacisë, por për identitetin e tij ka shumë hipoteza, që nuk janë me interes për problematikën që po trajtojmë.
[2] Edvard Kardel (1910-1979) ishte ekonomist dhe politikan slloven. Një ndër personalitetet më të rëndësishme të Partisë Komuniste Jugosllave dhe të pushtetit në Jugosllavinë Socialiste.
[3] Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Arsim Bajrami, “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë-Aspekte juridike”, Prishtinë 2023, f. 269.