Në rastin e Kosovës, shprehja “tentim gjenocidi” është mohim i gjenocidit (43)

Nga kjo që u tha më lart e shohim të rëndësishme të tërheqim vëmendjen rreth përdorimit të pasaktë të shprehjes “tentim gjenocidi”, që dëgjohet në ligjërime te ne.

Është e vërtetë se Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit parasheh dënimin edhe të akteve që mbesin pa u realizuar, pra si “tentim gjenocidi” (neni III, paragrafi d) dhe Statuti i Romës (neni 25, paragrafët b, c, d dhe f). Mirëpo në rastin e krimeve gjatë luftës në Kosovë, vrasjet, dhuna seksuale dhe përdhunimet, dëbimet e dhunshme dhe shkatërrimet e objekteve që lidhen me identitetin historik, kulturor, fetar dhe pronësor të shqiptarëve nuk kanë mbetur në tentativë, por janë kryer nga forcat serbe. Prandaj shprehja “tentim gjenocidi” jo vetëm që është e pasaktë, por është mohim i gjenocidit që ka zbatuar Serbia gjatë luftës 1998-1999.

 

Përdorimi i gabuar i termit “eksod” për “spastrimin etnik” (44)

Një ndër gabimet e rënda që hasim në qindra shkrime, punime të prezantuara në konferenca shkencore, libra dhe aktivitete që u kushtohen pasojave të realizimit të planit gjenocidal “Patkoi” është emërtimi i datës 19 prill 1999 si “Dita e eksodit të shqiptarëve të Kosovës”! Ky term ka gjetur një shtrirje kaq të madhe, saqë u imponua edhe në variantin përfundimtar të rezolutës së Kuvendit të Kosovës për gjenocidin në Kosovë, të datës 18 maj 2019. Nga qindra shkrime dhe ligjërime për këtë term kam përzgjedhur të citoj vetëm akademikun Hivzi Islami, sepse kumtesa e tij u publikua në kuadër të botimit nga Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Në kumtesat e prezantuara në konferencë shkencore të mbajtur në Prishtinë, më 28 prill 2023, Hivzi Islami thekson: Pas eksodit masiv të shqiptarëve të Kosovës nga ndërmarrjet gjenocidale serbe gjatë kohës së bombardimeve (24 mars deri 10 qershor 1999) shumë shqiptarë u strehuan në vende të ndryshme të Europës dhe jashtë saj, ku një numër edhe mbeti atje”[1]. Përveç përdorimit të termit të gabuar “eksod”, Hivzi Islami kufizon pasojat e planit gjenocidal “Patkoi” vetëm në periudhën gjatë kohës së bombardimeve!

Që të mund të kuptohet drejt ku qëndron përdorimi i gabuar i termit “eksod”, do të përmend shkurtimisht atë që më duket e domosdoshme. Përhapja e madhe e këtij termi lidhet me përkthimin në greqisht të Biblës së judaizmit. Librat e Torahut[2] në gjuhën hebraike janë të titulluar me njërën nga fjalët e para, me të cilat fillon çdonjëri nga pesë librat që e përbëjnë. Libri i dytë i Torahut mban titullin “Shamot”, që në gjuhën shqipe do të thotë “emrat”, sepse ky libër fillon me fjalët: “Këta janë emrat e bijve të Izraelit, që bashkë me Jakobin, hynë në Egjipt…”.

Në këtë libër kemi rrëfimin biblik të skllavërisë katërqindvjeçare të pasardhësve të Abrahamit, të cilët kishin ardhur si TË HUAJ në tokën e Egjiptit, para se “populli i tij të merrte në zotërim pronën e premtuar nga Zoti”. Të jemi të qartë: flas për rrëfim biblik e jo për realitetin historik të ngjarjeve që përshkruhen në këtë libër.

Në bazë të këtij rrëfimi, pas përfundimit të periudhës së skllavërisë të paralajmëruar nga Zoti (madje shumë më shumë se katërqind vjet), Zoti dërgoi Moisiun që ta nxirrte popullin hebre nga sundimi i Faraonit, emri i të cilit nuk përmendet asnjëherë në Bibël.

Faraoni refuzonte kërkesën e Moisiut, sepse Zoti “ia ngurtësonte zemrën që të mos pranonte lirimin e bijve të Izraelit”. Vajtje-ardhjet e Moisiut për ta bindur Faraonin u shoqëruan me dhjetë mynxyra, që Zoti do t’ia dërgojë Egjiptit (shndërrimin e lumit Nil në gjak, ngordhjen e peshqve, qelbjen e lumit, vërshimin e bretkosave në vend, shndërrimin e pluhurit në mushkonja, ngordhjen e të gjitha kafshëve dhe, ajo që është më e rënda, vrasjen e fëmijëve të lindur në çdo familje egjiptiane…), derisa Faraoni pranoi t’i linte hebrenjtë të dilnin nga Egjipti (skllavëria).

Si rezyme të këtij rrëfimi biblik, që mund të jetë me interes për rastin tonë, mund të përmendim se Faraoni bëri përpjekjet maksimale që ta mbante popullin hebre dhe të mos e lejonte të dilte nga Egjipti.

Pikërisht këtë aspekt të rrëfimit biblik shfrytëzojnë përkthyesit në gjuhën greke dhe e titullojnë librin “Eksod”, që ka kuptimin “dalje” (termi “eksod” përbëhet nga dy fjalë: nga fjala “ex”, që në gjuhën greke do të thotë “jashtë”, dhe nga fjala “hodos”, që do të thotë “rrugë”). Pra, fjala “eksod” ka kuptimin e “rrugëtimit jashtë një vendi”. Pa marrë parasysh nëse është i vërtetë në aspektin historik, rrëfimit biblik shënon realizimin e premtimit hyjnor të daljes së popullit hebre nga skllavëria që kishin përjetuar në një VEND TË HUAJ dhe rrugëtimi drejt “tokës së premtuar” për ta.

Në rastin e Kosovës kemi të kundërtën. Shqiptarët janë banorë autoktonë të Kosovës dhe vetëm ata që kanë rënë nën ndikimin e propagandës serbe, pretendojnë se gjoja “shqiptarët kanë ardhur në Kosovë me ndihmën e Perandorisë Osmane”. Përdorimi i termit “eksod”, ose i shprehjes “eksodi biblik”, që shpesh e hasim në ligjërime politike dhe mediatike, përligj propagandën serbe që trajton shqiptarët si të “huaj” në Kosovë.

Shqiptarët nuk dolën nga Kosova si të “huaj”, për të shkuar në “tokën e premtuar nga Zoti” dhe as u penguan nga “faraoni serb”, që të mos dilnin nga Kosova. Përkundrazi, pushteti i “faraonit” të Serbisë kishte përgatitur planin për shkatërrimin e pjesshëm të shqiptarëve si grup etnik dhe dëbimin me dhunë të pjesës së mbetur. Dhe pas vrasjeve dhe dhunimeve të dhjetëra-mijëra shqiptarëve, ardhacakët sllavë që okupuan vendin tonë dëbuan pjesën tjetër të banorëve autoktonë të Kosovës dhe shkatërruan çdo gjë që lidhet me identitetin tonë historik, kulturor, fetar dhe pronësor.

Prandaj përdorimi i termit “eksod“ për të përkufizuar atë që përjetoi populli shqiptar gjatë periudhës 1998-1999 është i gabuar.

Duke pasur kuptimin e “çlirimit nga skllavëria dhe realizimin e një projekti hyjnor”, termi “eksod” nuk u përfshi si kategori juridike e së drejtës penale ndërkombëtare. Për këtë arsye ky term nuk figuron në asnjë tekst juridik, që përkufizon krimin e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.

Gabimi i dytë që lidhet me përdorimin e termit “eksod” është përcaktimi i datës 19 prill si “Dita e eksodit” dhe i vitit 1999, si “Viti i eksodit”. Rrjedhimisht, vëmendja përqendrohet në periudhën pas bombardimeve të caqeve serbe nga NATO-ja, siç bën edhe akademiku Hivzi Islami.

Përgjegjësit e krimit të gjenocidit në Kosovë janë të vetëdijshëm se, nëse nuk arrihet të dëshmohet që dëbimi i shqiptarëve dhe politika e spastrimit etnik ishte pjesë e një projekti shtetëror, që synonte shkatërrimin e shqiptarëve si të tillë, asnjë arsyetim ideologjik apo politik nuk është i mjaftueshëm për ta kualifikuar këtë krim si krim të gjenocidit. Për këtë arsye, strategjia për të mohuar ekzistencën e planit gjenocidal “Patkoi” u shndërrua në sistem të fshehjes së gjurmëve të shkatërrimit të së vërtetës dhe futjes së dyshimit për vërtetësinë e krimit.

Në rend të parë të propagandës së negacionistëve që mohojnë gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë ishte krijimi i përshtypjes se nuk bëhej fjalë për plan të përgjithshëm gjenocidal, por për “largim të popullsisë, për shkak të frikës nga bombardimet e NATO-s”!

Në vijim të këtij studimi do të ndalemi rreth pretendimeve, se gjoja zhvendosja e popullsisë shqiptare ka filluar në kohën e bombardimeve të NATO-s, duke mos harruar për asnjë çast se “spastrimi etnik” përbën vetëm një segment të planit “Patkoi”.

Nëse u referohemi shifrave zyrtare të publikuara nga institucionet ndërkombëtare përpara ndërhyrjes së NATO-s, do të shohim kurthin ku kanë rënë ata që propagandojnë për “Eksodin ‘99”.

Në rezolutën e 23 shtatorit të vitit 1998 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara thuhet: “Thellësisht të shqetësuar për shkak të luftimeve të ashpra që u zhvilluan në Kosovë dhe në veçanti të brengosur me përdorimin e tepërt dhe pa dallim të forcës nga ana e njësive të sigurisë serbe dhe të Armatës Jugosllave, që shkaktoi viktima të shumta civile dhe sipas vlerësimeve të Sekretarit të Përgjithshëm mbi 230 000 persona janë zhvendosur dhe kanë qenë të detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre. Sipas Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara, nga ata që ishin zhvendosur në brendësi të Kosovës, 50 mijë persona ishin pa çati mbi kokë dhe në mungesë të gjërave elementare.”[3].

Fakti se dimri po afrohej, shtonte brengosjen deri në përmasa alarmuese, për shkak të imponimit kësaj pjese të popullsisë të jetonte në kushte të tilla, që mund të shkaktonte shkatërrim të pjesshëm të grupit etnik shqiptar. Për këtë arsye, në rezolutën e 23 shtatorit 1998, anëtarët e Këshillit të Sigurimit “shprehën shqetësimin e tyre të thellë për degradimin e situatës në Kosovë dhe alarmuan për rrezikun potencial të një katastrofe humanitare”[4].

Një muaj më vonë, “më 23 tetor 1998, Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatë numëroi 285 500 njerëz të dëbuar nga shtëpitë e tyre, ndërsa më 18 mars 1999 ky numër ishte 333 300 refugjatë.”[5].

Shifra minimale zyrtare e publikuar nga institucionet ndërkombëtare prej 333 300 personash të zhvendosur me dhunë nga shtëpitë e tyre gjatë zbatimit të planit gjenocidal “Patkoi” përpara ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, duhet të shihet në kontekstin real: kjo shifër paraqiste rreth 20% të popullsisë së përgjithshme të Kosovës!

Sikur një gjë e tillë të ndodhte me popullsitë civile të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë dhe të SHBA-së, ky proporcion do të manifestohej me rreth 15 milionë britanikë, rreth 17 milionë francezë, rreth 18 milionë gjermanë dhe me 70 milionë amerikanë të zhvendosur nga shtëpitë e veta pa kulm mbi krye!

Prandaj, as data 19 prill dhe as viti 1999 nuk prezantojnë drejt politikën serbe të spastrimit etnik të Kosovë, si një nga pasojat e planit gjenocidal “Patkoi”.

Të gjitha faktet dëshmojnë se zhvendosja e popullsisë shqiptare ka filluar si pasojë e shkatërrimeve të vendbanimeve shqiptare nga forcat serbe shumë kohë përpara ndërhyrjes ushtarake të NATO-s. Në funksion të fshehjes së gjurmëve të gjenocidit që ka kryer në Kosovë, shteti serb dhe negacionistët e gjenocidit në Kosovë vendosin pasojat e planit gjenocidal “Patkoi” në kontekstin kohor pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s.

Jo vetëm në rastin e Kosovës, por edhe në rastin e krimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë shprehja “eksod biblik” ka një shtrije të gjerë përdorimi. Sa për ilustrim po përmend rastin e akademikut shqiptar, Kristo Frashërit. Duke u mbështetur në rezultatet e hulumtimeve të historianëve gjermanë, suedezë, italianë e të tjerë, në veprën “Historia e Çamërisë”, Kristo Frashëri argumentoi bindshëm se “provinca e Epirit mori të paktën në shekullin IX p.e.s. nga fytyrë pellazge në identitet etnik ilir”[6], ndërkaq prania helene daton disa shekuj më vonë dhe “popullsia greke ka përfaqësuar kurdoherë pakicën”[7] e kësaj province.

Mirëpo, mosnjohja e përmbajtjes reale të rrëfimit për “eksodin biblik”, ka bërë që edhe ky historian me famë në Shqipëri ta përdorë gabimisht këtë shprehje për të krahasuar tragjedinë që kanë përjetuar shqiptarët e Çamërisë, banorët autoktonë të kësaj treve përgjatë 3000 viteve të fundit, me sajesën për “eksodin” e të bijve të Izraelit nga Egjipti:

“Pas masakrave të kryera në ditët e para në Filat qytetarët çamë u detyruan të largoheshin në Shqipëri. Filloi kështu eksodi biblik i çamëve i cili të kujton eksodin e izrailitëve biblikë, ndodhur 3300 vjet më parë. Duke u larguar ata linin pas shtëpi të djegura, kufomat e të afërmëve të pavarosur dhe të pushtuar nga tmerri. Gratë e fëmijët mezi ecnin. Fëmijët qanin. Ditë të tëra udhëtonin pa vënë gjë në gojë”[8].

Si në rastin e Kosovës, ashtu edhe në rastin e Çamërisë përdorimi i termit“eksod” dhe i shprehjes “eksodi biblik” është i pasaktë, sepse përligj propagandën serbe dhe greke, që trajton shqiptarët si “të huaj” në Kosovë dhe në Çamëri.

 

 


 

[1] Hivzi Islami, Tendencat serbe për shkatërrimin e themeleve të jetës së shqiptarëve, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, “Gjenocidi dhe masakrat e Serbisë në Kosovë”, Prishtinë, më 28 prill 2023, f. 86.

[2] Torahu përbën pesë librat e parë të Biblës së judaizmit (Zanafilla, Eksodi, Levitiku, Numrat dhe Ligji i përtërirë).

[3] Kombet e Bashkuara, Këshilli i Sigurimit, S/RES/1199 (1998), 23 shtator 1998, f. 1-2.

https://digitallibrary.un.org/record/260416?ln=fr&v=pdf

[4] Po aty, f. 2.

[5] Jürgen Elsässer, La RFA dans la guerre au Kosovo, Chronique d’une Manipulation, Harmattan, 2002, f. 50.

[6] Kristo Frashëri, Historia e Çamërisë (Vështrim historik), Shtëpia Botuese Universitare “UET Press”, Tiranë, 2015, f. 16.

[7] Kristo Frashëri, Historia e Çamërisë (Vështrim historik), Shtëpia Botuese Universitare “UET Press”, Tiranë, 2015, f. 30.

[8] Kristo Frashëri, Historia e Çamërisë (Vështrim historik), Tiranë, 2015, f. 300.

Share this post