Gjenocidi ndaj grupeve etnike herero dhe nama në Namibi (46)

Rasti i dytë që kam zgjedhur si shembull për këtë temë, ka të bëjë me gjenocidin që ka kryer Perandoria Gjermane në Namibi, i cili konsiderohet nga historianë të shumtë si gjenocidi i parë i kryer në shekullin XX[1].

Nuk do të zgjatem rreth aspekteve historike të këtij vendi, por po veçoj vetëm të dhënat që ndërlidhet me çështjen e gjenocidit në fjalë.

Në vitin 1884, Perandoria Gjermane pushtoi territoret, që sot janë në kuadër të shtetit të Namibisë[2] dhe i futi nën “protektoratin” e vet. Trajtimi çnjerëzor i banorëve autoktonë të këtyre territoreve nxiti një revoltë të përgjithshme të popullit herero. Si kundërpërgjigje ndaj kësaj revolte,  ushtarët dhe kolonët gjermanë vetëm gjatë periudhës 1904-1908 vranë 60 mijë pjesëtarë të grupit etnik herero dhe rreth 10 mijë të tjerë të grupit etnik nama[3]. Dhuna ishte kaq e tmerrshme, saqë ata që u shpëtuan masakrave u detyruan të kërkonin strehim në shkretëtira, që nuk ofronin asnjë mundësi jetese. Si pasojë e vrasjeve sistematike të pjesëtarëve të këtij komuniteti etnik dhe kushteve të tilla të jetës, që sjellin shkatërrimin e plotë fizik ose të pjesshëm të tij, kemi arritur në situatë të tillë, ku “grupi etnik herero aktualisht përbën vetëm 7% të popullsisë së Namibisë, përderisa përpara gjenocidit përbënte 40 % të popullsisë së vendit”[4].

“Protektorati” gjerman i këtyre territoreve nuk zgjati shumë: Në vitin 1915 kjo koloni gjermane u pushtua nga Unioni i Afrikës së Jugut dhe meqenëse Gjermania ishte humbëse e Luftës së Parë Botërore, këto territore u futën nën “protektoratin” britanik të Afrikës së Jugut dhe, në vitin 1920, një gjë e tillë u përligj me mandatin që i dha Lidhja e Kombeve[5].

Ndërrimi i “protektoratit” nuk lehtësoi asgjë. Përgjatë një shekulli, populli i këtyre trevave përjetoi format më të rënda të diskriminimit racial, duke përfshirë edhe aparteidin. Në rrethana të tilla politike dhe shoqërore, çështja e gjenocidit që kishin përjetuar dy etnitë e Namibisë kishte mbetur në heshtje të plotë.

Edhe pas përfundimit të mandatit në vitin 1946 dhe revokimit[6] të mandatit nga ana e OKB-së në vitin 1971, gjendja nuk ndryshoi. Gjatë gjithë procesit që çoi deri te krijimi i Namibisë si shtet i pavarur[7], vëmendja u përqendrua kryesisht në luftën e armatosur për çlirimin e vendit nën udhëheqjen e SWAPO[8].

Përfundimi i luftës dhe krijimi i shtetit të pavarur të Namibisë krijuan një kontekst të favorshëm, që t’u jepej një zgjidhje e drejtë padrejtësive të shumta që i ishte bërë popullsisë vendase, në mesin e së cilave mund të veçohej gjenocidi ndaj grupeve etnike herero dhe nama.

Një ndër problemet kryesore që kishin trashëguar institucionet e shtetit të ri kishte të bënte me çështjen e pronave. Politika koloniale e shpronësimit kishte prekur të gjitha komunitetet etnike, sepse deri në pavarësinë e vendit, “të bardhët”, që përbënin minoritet në këtë vend, zoëronin 97,3% të tokave të punueshme, ndërsa “fshatarët e zinj kishin vetëm 2,7% të këtyre tokave”[9].

Në këtë kontekst po përmend se, në bazë të të dhënave për strukturën e popullsisë, në Namibi jetojnë një duzinë etnish. Grupi etnik ovambo përbën rreth gjysmën e popullsisë së këtij vendi dhe ka ndikimin më të madh në institucionet shtetërore. Mirëpo ky grup etnik nuk ka qenë objekt i krimit të gjenocidit gjatë periudhës koloniale dhe jo vetëm që nuk është përpjekur të ndërmarrë hapa konkretë për ngadhënjimin e drejtësisë në interes të etnive herero dhe nama, por kur iu dha mundësia që t’i jepte një përgjigje të drejtë çështjes së pronave dhe t’ua kthenin pasardhësve të këtyre dy etnive të shpronësuara gjatë periudhës koloniale, ata nuk e përfillën aspak këtë të drejtë. Gjatë procesit të reformës agrare pronat u ndanë sipas interesave të tjerë[10] dhe përfitues më të mëdhenj nga ky proces dolën pjesëtarët e grupit etnik ovambo[11].

Është tepër e rëndësishme që të tërhiqet vëmendja në një çështje: përkujtimi i datave që lidhen me krimin e gjenocidit ka pasur një ndikim shumë të madh për të nxjerrë në dritë rastet konkrete. Siç e pamë më sipër në rastin e armenëve, në 50-vjetorin e përkujtimit të viktimave të këtij gjenocidi erdhën njohjet e para politike, ndërsa në prag të 100-vjetorit të kësaj tragjedie dolën edhe qëndrimet e para “të keqardhjes dhe të ngushëllimeve” nga bartësit e institucioneve shtetërore të Turqisë.

Edhe në rastin e gjenocidit kundër grupeve etnike herero dhe nama ndodhi e njëjta gjë. Më 14 gusht 2004, me rastin e 100-vjetorit të Betejës së Waterbergut[12], e cila simbolizon fillimin e gjenocidit që kanë kryer forcat shtetërore gjermane dhe kolonët gjermanë në Namibi, ministrja gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Heidemarie Wieczorek-Zeul, pranoi se “ajo që kishte ndodhur në të kaluarën ishte një luftë shfarosëse, që sot e quajmë gjenocid”[13]. Prandaj në fjalën e vet përpara rreth 5000 hererove pjesëmarrës në manifestim, ajo kërkoi falje publike për krimet e bëra dhe shtoi: “Ne, gjermanët, pranojmë përgjegjësinë morale dhe historike dhe fajësinë e gjermanëve të asaj kohe”[14].

Mirëpo dhjetë vite më vonë, në kontekst të përkujtimit të 100-vjetorit të gjenocidit armen, kur Gjermania mori përsipër edhe përgjegjësinë e vet si aleate e Perandorisë Osmane, ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank-Walter Steinmeier, pranoi se lufta 1904-1908 mund të cilësohet “si krim lufte dhe si gjenocid”[15].

Në këtë kontekst historik, ku çështja e gjenocidit në përgjithësi dhe ai armen në veçanti ishte temë aktuale në mediet e fuqishme ndërkombëtare, në fund të vitit 2015 Gjermania dhe Nigeria filluan bisedimet për këtë çështje. Meqenëse qëllimi i këtij shkrimi nuk ka të bëjë me procesin e negociatave ndërmjet dy vendeve që solli deri te ky vendim, nuk do të ndalem në përmbajtjen e tij dhe as te pakënaqësitë që ka shkaktuar vendimi në fjalë.

Pas pesë vitesh negociata dhe vështirësive që i karakterizuan[16], më 28 maj 2020, Gjermania Federale njohu zyrtarisht se e ka kryer këtë gjenocid dhe u angazhua për të paguar një miliard euro si ndihma për zhvillim të Namibisë!

Fatkeqësisht edhe në këtë rast, ndihmat nuk do të shkojnë për të kompensuar pasardhësit e grupeve etnike herero dhe nama, por institucionet shtetërore të Namibisë, të dominuara nga pjesëtarët e grupit etnik ovambo, do t’i menaxhojnë ato!

Procesi i njohjes së gjenocidit në Namibi nga ana e Gjermanisë është një hap shumë i rëndësishëm, mirëpo vështirësitë që dalin nga përmbyllja e këtij procesi dëshmojnë se rruga për të vënë drejtësinë në vend është e gjatë dhe kërkon mobilizim të gjithanshëm.

 

 


 

[1] Po aty.

[2] Zyrtarisht u emërua si territor që u vu nën protektoratin e Gjermanisë dhe u quajt Jug-Perëndimi i Afrikës gjermane!

[3] Të interesuarit për këtë gjenocid, që lexojnë në gjuhën frënge, mund të shohin shkrimin “Le premier génocide du XXe siècle” dhe “Le génocide des Herero et Nama”, të publikuar në “Mémoire de la Shoah”

https://genocide-herero-nama.memorialdelashoah.org/ressources.html?_ga=2.190935722.1677103663.1675258907-1097673776.1675258907 dhe

Le génocide des Herero et Nama

[4] Le Monde Afrique, Le génocide oublié des Herero et des Nama en Namibie (Gjenocidi i harruar i herero dhe nama në Namibie): https://www.youtube.com/watch?v=_8hUPcqE_Cg&t=77s

[5] Lidhja e Kombeve është organizata e parë ndërqeveritare në rrafshin ndërkombëtar dhe konsiderohet se është pararendëse e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. U themelua me nismën e presidentit amerikan, Woodrow Wilson, në shkurt të vitit 1919, por mbledhja e parë e asamblesë u mbajt më 15 nëntor të vitit 1920.

[6] Goy Raymond. L’indépendance de la Namibie. (Pavarësia e Namibisë). Në: Annuaire français de droit international, volume 37, 1991. f. 387.

DOI: https://doi.org/10.3406/afdi.1991.3023

[7] Proclamation d’indépendance de la Namibie Shpallja e pavarësisë së Namibisë). 21 mars 1990

https://perspective.usherbrooke.ca/bilan/servlet/BMEve/644

[8] South West Africa People’s Organisation (SWAPO)

[9]CAIRN.INFO, Steffen Bruendel, La Namibie et l’Allemagne, une relation postcoloniale, (Namibia dhe Gjermania, një raport postkolonial), f. 170. Në: Association pour la connaissance de l’Allemagne d’aujourd’hui,

2016/3 N° 217 | faqe 166 à 181,

https://www.cairn.info/revue-allemagne-d-aujourd-hui-2016-3-page-166.htm

[10] Të interesuarit për këtë temë mund të shohin: Eduard Gargallo, Beyond Black and White: Ethnicity and Land Reform in Namibia, (Përtej të zezës dhe të bardhës: etniciteti dhe reforma agrare në Namibi). Në Politique africaine 2010/4 (N° 120), faqe 153-173: https://www.cairn.info/revue-politique-africaine-2010-4-page-153.htm

[11] Shkrimi i cituar: CAIRN.INFO, Steffen Bruendel, La Namibie et l’Allemagne, une relation postcoloniale, (Namibia dhe Gjermania, një raport postkolonial), f. 170.

[12] Beteja e Vaterbergut u zhvillua më 11 gusht 1904 në fushën me të njëjtin emër, të banuar nga etnia herero.

[13] DW, Germany Asks for Namibians’ ‘Forgiveness’, August 14, 2004

https://www.dw.com/en/germany-asks-for-namibians-forgiveness/a-1298060

dhe

The Conservation, Génocide en Namibie: pourquoi l’offre de réparation de l’Allemagne ne suffit pas. (Gjenocidi në Namibi  Përse oferta e Gjermanisë për dëmshpërblim nuk mjafton). Më 10 qershor 2021.

https://theconversation.com/genocide-en-namibie-pourquoi-loffre-de-reparation-de-lallemagne-ne-suffit-pas-162556

[14] L’OBS, L’Allemagne demande “pardon” au peuple Herero (Gjermani i kërkon falje popullit herero), 19 gusht 2004.

https://www.nouvelobs.com/culture/20040815.OBS4690/l-allemagne-demande-pardon-au-peuple-herero.html

[15]Le monde, L’Allemagne reconnaît le génocide des Herero et des Nama en Namibie (Gjermania njohu gjenocidin ndaj herero dhe nama në Namibi), më 15 qershor 2015.

https://www.lemonde.fr/international/article/2015/07/16/l-allemagne-reconnait-le-genocide-des-herero-et-des-nama-en-namibie_4685553_3210.html

[16] Për disa vështirësi lidhur me këto negociata shih :

The Conservation, Genocide negotiations between Germany and Namibia hit stumbling blocks (Negociatat e Gjermanisë dhe të Nigerisë për gjenocidin hasin në pengesa). Më 10 janar 2018.

https://theconversation.com/genocide-negotiations-between-germany-and-namibia-hit-stumbling-blocks-89697

Share this post