Luftërat Ballkanike dhe gjenocidi ndaj shqiptarëve (39)
Gjenocidi ndaj shqiptarëve në Çamëri
Në të njëjtën kohë që ushtritë serbe dhe malaziase bënin krimet më të tmerrshme kundër popullit shqiptar, forcat e armatosura greke zbatonin urdhrin që kishin marrë të digjnin fshatrat, të masakronin të rinjtë me synim të qartë të mos shpëtonte askush, përveç atyre që nuk ishin në gjendje të vijojnë racën e vet dhe atyre që ishin në moshë aq të re sa mund të humbin përkatësinë përmes edukimit grek”[1].
Më 18 tetor të vitit 1912 forcat greke hynë në viset shqiptare të Çamërisë. Pas një lufte të pabarabartë, më 7 mars të vitit 1913 ato arritën të pushtonin Janinën. “Të nesërmen e pushimit të luftimeve në Janinë dhe në rrethinat e saj mund të shiheshin grumbuj me kufoma shqiptarësh. Të njëjtat skena rrëqethëse u shënuan në qytetet dhe fshatrat e Paramithisë, Filatit e Margëlliçit. Gjatë pushtimit grek u shkatërruan shtëpitë e fshatrave të kazasë së Paramithisë dhe të Filatit, përkatësisht Gardhiqi me 300 shtëpi, Dhragumi me 200, Petronica me 75, Minina me 60, Ninati me 120, Markati me 120, Janjari me 150. Sipas disa përfaqësuesve çamë të kësaj periudhe, popullsia e Çamërisë ishte përgjysmuar për shkak të “masakrave, urisë dhe emigracionit”[2].
Tri javë më vonë, më 27 mars të vitit 1913, “72 krerë të parisë së Çamërisë u thirrën për t’u paraqitur te Komandanti i Qarkut në Paramithi. (…) Po atë ditë, në mes te rrugës që çon nga Skupica në Paramithi, në vendin e quajtur Livër, rreth dy kilometra pranë fshatit Selan, që të gjithë u vranë dhe u masakruan mizorisht me armë zjarri, bajoneta dhe thika.”[3].
Çështja e krimeve greke kundër shqiptarëve në Çamëri u shtrua edhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (më 1913). Përballë fakteve të pakontestueshme, përfaqësuesi grek në konferencë u shtrëngua të pranonte vërtetësinë e krimeve në Çamëri, por, për të shpëtuar shtetin grek nga përgjegjësia, ai ua atribuoi krimet “çetave andarte”[4], që gjoja ishin jashtë kontrollit shtetëror. Megjithatë, diplomatët e pranishëm hodhën poshtë pretendime të tilla dhe bënë përgjegjës shtetin grek, sepse faktet dëshmonin për kontrollin efektiv të këtyre grupeve të armatosura nga ushtria e rregullt e Greqisë[5].
Përkundër faktit se për krimet ndaj shqiptarëve në Greqi ishin të informuara qarqet diplomatike të Fuqive të Mëdha, Greqia vazhdoi gjatë periudhës 1913-1915 të përdorë të gjitha mjetet e mundshme për të realizuar planet e shkatërrimit të qenies shqiptare në këto territore: vrasje, masakra, tatime të rënda, uzurpim pronash, përjashtim i popullsisë nga pjesëmarrja në administratë shtetërore, ndalim i dhunshëm i mësimit në gjuhë amtare etj.[6]. Kështu që, për një kohë të shkurtër, popullsia e Çamërisë ishte përgjysmuar për shkak të ‘masakrave, urisë dhe emigracionit’[7].
Nëse kemi parasysh të dhënat, se “Krahina e Çamërisë, që shtrihej prej Kepit të Stillos deri në gjirin e Artës kishte 130 000 banorë shqiptarë”[8], atëherë mund të krijojmë përshtypjen e përmasave të zbatimit të planit grek të gjenocidit kundër shqiptarëve.
Përgjysmimi i popullsisë së Çamërisë mund të konstatohet edhe nga regjistrimi i parë i popullsisë së kësaj krahine që bëri Ministria e Ekonomisë Kombëtare të Greqisë në vitin 1913, pas aneksimit të saj. Sipas të dhënave të kësaj ministrie, “në Çamëri ishin regjistruar të paktën 68 587 banorë”[9].
Përkundër premtimeve të shumta, se shqiptarët nuk do të përfshiheshin në shkëmbimin e detyrueshëm të popullsisë, të parashikuar me Traktatin e Lozanës[10], Greqia shfrytëzoi edhe këtë rast për të vazhduar spastrimin etnik të Çamërisë, sepse shkëmbimi i popullsisë ndërmjet Turqisë dhe Greqisë bëhej mbi baza të përkatësisë fetare.
Në funksion të realizimit të projektit për shkatërrimin e shqiptarëve dhe të pranisë së tyre në Çamëri, Greqia miratoi një numër dekretesh për shpronësimin e pronarëve shqiptarë, ndryshime të dispozitave ligjore për të vështirësuar gjendjen e shqiptarëve, manipulime me numrin e personave që përcaktoheshin si të pashkëmbyeshëm dhe pretendimet se gjoja “Komisioni i Paramithisë nuk ishte gjetur asnjë person me origjinë shqiptar, pra i pashkëmbyeshëm, ndërkaq në raportin e Margëlliçit shënohet se banorët nuk kanë origjinë shqiptare por kanë lindur në Epirin e Jugut prej shekujsh dhe kanë origjinë turke”[11], e kështu me radhë.
[1] Po aty, f. 148.
[2] G.A.Colonnna di cesaro, L’Italia nella Albania Meridionale. Note e documenti (1917-1918), Folingo, 1922, f. 75, cituar në Blerina Namik Sadiku, Lindja e çështjes çame: 1820-1943, SHB “Naimi”, Tiranë 2011, f. 112-113.
[3] Agron Alibali, Administrimi italian në Çamëri në vitin 1917, Studime Historike 03-04:057-077, f. 61:
https://www.ceeol.com/search/article-detail?id=143292
[4] Andartët ishin pjesëmarrës në çetat e komitëve grekë, që ishin në shërbim të ushtrisë dhe të qeverisë greke.
[5] Arkivi Politik i Vjenës për Shqipërinë, vj. 23, f. 189. Raporti i konsullit austriak në Janinë, për Ministrinë e Jashtme, March, 13, 1913; po aty vj. 23. 9. 964, Raport i Belinskit për Kontin Berhtold, Octobre, 27, 1913, cituar në Beqir Meta, Tragjedia çame, Tiranë 2010, f. 29.
[6] Për më hollësisht shih Beqir Meta, Tragjedia çame, Tiranë 2010, f. 28-30.
[7] G.A.Colonnna di cesaro, L’Italia nella Albania Meridionale. Note e documenti (1917-1918), Folingo, 1922, f.182, cituar në veprën e Blerina Namik Sadiku, Çështja çame: Vështrim historiko-juridik (1913-1939), f. 45.
https://uet.edu.al/wp-content/uploads/2021/11/Blerina_Sadiku-final.pdf
[8] Beqir Meta, Tragjedia çame, Tiranë 2010, f. 28.
[9] Blerina Namik Sadiku, Çështja çame: Vështrim historiko-juridik (1913-1939), f. 136.
[10] Traktati i Lozanës (Traité de Lausanne) u mbajt më 24 korrik 1923 në qytetin Lozanë të Zvicrës dhe ishte marrëveshja e fundit që kishte të bënte me Luftën e Parë Botërore. Në këtë traktat u përcaktua transferimi i detyrueshëm i popullsisë së krishterë nga Turqia në Greqi dhe asaj myslimane nga Greqia në Turqi. Për hollësi të këtij traktati shih tekstin e plotë të marrëveshjes: Traité de paix (traité de Lausanne)
https://jusmundi.com/fr/document/treaty/fr-traite-de-paix-traite-de-lausanne-1923-traite-de-paix-traite-de-lausanne-tuesday-24th-july-1923
[11] IAYE. Lidhja e Kombeve /1923/11/3/1/1/ Guvernatori i Përgjithshëm i Epirit. Telegram nr. 19436 mbi Shkëmbimin e Myslimanëve. [Marrë nga Ministria e Çështjeve të Jashtme të Greqisë më 13 dhjetor 1923. (nr. i mbërritjes 2862, nr. i protokollit 39071 (në Ministrinë e Çështjeve të Jashtme të Greqisë). Cituar në veprën e Blerina Namik Sadiku, Çështja çame: Vështrim historiko-juridik (1913-1939), f. 84.
Një sintezë të shkëlqyer të procesit të shkëmbimit të detyrueshëm të popullsisë dhe manipulimeve që janë bërë rreth përfshirjes së shqiptarëve në këtë shkëmbim mund ta gjeni në këtë vepër të Blerina Namik Sadikut, të cilën mund ta gjeni falas në internet.