Gjenocidi i shteteve fqinje ndaj shqiptarëve (34)

Në vijim të këtij studimi do të ndalemi në periudhën e krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan, sepse pikërisht në këtë periudhë aktet gjenocidale morën përmasa të jashtëzakonshme. Në këtë kontekst historik, përfundimi i luftës ndërmjet Perandorisë Ruse dhe asaj Osmane[1] paraqet një ngjarje të rëndësishme. Pa u zgjeruar në këtë temë, po përmend në mënyrë telegrafike vetëm atë që më duket më e rëndësishme për çështjen që po trajtojmë.

Perandoria Osmane pësoi disfata të njëpasnjëshme dhe u detyrua të pranonte kushtet e vendosura nga Rusia cariste në Traktatin e Shën-Stefanit. Në këtë kontekst po citojmë Paul Henri Benjamin Balluet d’Estournelles de Constant[2], i cili në pranverë të vitit 1879 ishte emëruar sekretar i Komisionit të Caktimit të Kufijve mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Në parathënien e librit të diplomatit francez Justin Godart[3], të titulluar “Shqipëria në 1921”[4], D’Estournelles de Constant shkruan: “Qeveria ruse e detyroi sulltanin të nënshkruante një traktat, që do të ishte gabim të mos e konsideronim si shpërfaqje e qartë dhe publike e ambicieve pansllaviste, ashtu siç ekzistonte në shpirtrat dhe qarqet zyrtare, që nga ajo kohë”[5].

Me nënshkrimin e Traktatit të Shën-Stefanit, të datës 3 mars 1878, Perandoria Osmane detyrohej të tërhiqej nga rreth 80% e territoreve që zotëronte në Gadishullin Ballkanik dhe këto territore u jepeshin kryesisht sllavëve.

Kur kishte pranuar funksionin e sekretarit të Komisionit të Caktimit të Kufijve mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, D’Estournelles de Constant “nuk kishte pasur asnjë dyshim rreth misionit që i ishte ngarkuar. Por shumë shpejt u bind se në të vërtetë ata kishin shkuar ta gjymtonin, ta zvogëlonin territorin shqiptar në dobi të Malit të Zi”[6].

Në këtë kontekst historik, D’Estournelles de Constant tërheq vërejtjen “në fatin e veçane tragjik të shqiptarëve, viktima shekullore të Perandorisë Osmane, por të pamposhtur, të cilët u trajtuan si qytetarë turk nga Fuqitë e Mëdha. Ata që i qëndruan shumë mirë pushtimit dhe ruajtën zakonet e tyre, fenë e tyre, gjuhën e tyre, racën e tyre dhe në fund edhe personalitetin e tyre, që dallohet nga gjithë të tjerët, Fuqitë e Mëdha e panë të përshtatshme t’i injoronin, qoftë për t’i braktisur, qoftë për t’i rrjepur, qoftë për t’i dhënë si monedhë kusuritjeje për të kënaqur ata që kërkonin më shumë, apo atyre që ofronin më shumë në tregjet ndërkombëtare. Askujt nuk i vinte keq për shqiptarët. Ishin të vetmuar. Vae soli[7]! Ata nuk ekzistonin! Më kot i qëndruan zgjedhës turke me një trimëri të pathyeshme, trimëri të tillë saqë edhe Kostandinopoja nuk guxonte më t’u kërkonte tatime; më kot mbetën të bashkuar dhe pa dallime fetare (katolikë, ortodoksë, myslimanë) krijuan një bllok të përbashkët kundër turkut. Përkundër kësaj, edhe sikur të mbeteshin turq, kur të vinte koha, do t’i ndanin bashkë me pjesën tjetër të perandorisë”[8].

Në kuadër të politikës pansllaviste, D’Estournelles de Constant vë theksin në faktin, se “Mali i Zi ishte pararojë e marshimin brutal të sllavëve drejt Perëndimit dhe pikërisht për këtë arsye Traktati i Shën Stefanit ia dha pjesën më të mirë… E kishte dyfishuar, trefishuar sipërfaqen e tij. Me një të rënë të lapsit, kishte kaluar nga 4405 km2 në 15355 km2”[9], sepse asaj iu dhurua Ulqini, Tivari, pjesët e sipërme të bregut të lumit të Bunës, gati krejt liqeni i Shkodrës, Hoti, Gruda, Plava dhe Gucia, ndërsa lundrimi në lumin Buna duhej të rregullohej me marrëveshje tjetër ndërmjet Malit të Zi dhe Perandorisë Osmane”[10]. Nga ky traktat, Serbia përfitoi[11] 15 mijë kilometra katrorë të Sanxhakut të Nishit[12] në drejtim të Kosovës dhe nga “37,7 mijë kilometra katrorë sa kishte, territori i saj u rritë në 52,7 mijë kilometra katrorë, ndërsa Bullgaria u zgjerua deri në brigjet e liqenit të Ohrit, duke përfshirë Kaçanikun, Kumanovën, Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, Strugën, Ohrin, Prespën, Velesin etj.”[13].

Të inkurajuar nga vendimet pansllaviste të këtij traktati, forcat serbe, malaziase dhe ato bullgare u vërsulën me tërë potencialin e tyre ushtarak kundër popullsisë shqiptare, boshnjake dhe të gjithë pjesëtarëve që, për shkak të përkatësisë religjioze, konsideroheshin “turq”, duke i vrarë dhe përdhunuar të gjithë ata që nuk mundën t’i iknin qëllimit politik për të shkatërruar çdo gjë që lidhej me identitetin e tyre.

Për interesa që nuk kishin të bënin me padrejtësitë e mëdha që përmbante ky traktat, por me qëllim që të ndalonin marshimin brutal të sllavëve drejt Perëndimit[14], Mbretëria e Bashkuar, Austro-Hungaria dhe Italia imponuan mbajtjen e Kongresit të Kombeve, që njihet si Kongresi i Berlinit[15].

Vendimi për të organizuar një konferencë të re diplomatike nuk pati asnjë efekt për të ndërprerë dhunën kundër shqiptarëve dhe popullsisë josllave të territoreve që ua kishte dhuruar Traktati i Shën-Stefanit serbëve, malazezëve dhe bullgarëve. Përkundrazi, përmasat e dhunës u rritën edhe më tepër. Me qëllim të sensibilizimit të Fuqive të Mëdha europiane të asaj kohe dhe Perandorisë Osmane për realitetin tragjik me të cilin ishin ballafaquar shqiptarët gjatë periudhës 1877-1878, të mbijetuarit e këtyre tmerreve u drejtuan peticione, memorandume dhe manifeste të shumta nga protestat që shpërthyen në katërta anët e vendit. Kështu, nga protesta e 25 qershorit të vitit 1878, përfaqësues të popullsisë së Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës, Vushtrrisë, Pejës, dhe Vranjës i drejtuan një letër Kongresit të Berlinit, kundër vrasjeve, mizorive dhe çnderimeve të kryera në popullsinë shqiptare prej ushtrive serbe, ruse, malazeze e bullgare. Në këtë letër, ndër të tjera, theksohet me sa vijon:

“Në vendet ku kanë vënë këmbën këta sundues, për shkak të padrejtësive dhe të mizorive të tyre, kanë ndodhur fatkeqësi të atilla, ku (…) sa e sa të mjerë dhe të dëshpëruar, sa e sa nëna e fëmijë kanë humbur jetët nëpër përrenj për t’i shpëtuar shpatës së armikut. Gjithashtu, ata që kanë rënë në duart e mizorëve, qofshin pleq, qofshin gra, qofshin fëmijë, nuk kanë mundur të tërheqin rënkimet e tyre mëshirën e armikut, i cili i ka vrarë egërsisht. Këta mizorë, me veprimet e tyre të poshtra, kanë grisur cipën e trurit dhe kanë përdorur midis lodrave të tyre atë të çmendurimit e të rrjepjes pa arsye të popullsisë, kanë bërë që të vuajnë njerëzit e mundur, me lloj-lloj mundimesh, kanë shtyrë prindërit të pranojnë çnderimin e familjeve të tyre, kanë vrarë ata që shfaqën urrejtje për këto veprime, gjë që është ende sot një mënyrë hakmarrjeje e egër kundër bashkatdhetarëve tanë. Sidomos bullgarët, armiqësia dhe urrejtja e të cilëve shtohet dita ditës, prekin jetën dhe nderin si dhe pasurinë e viktimave pa asnjë arsye. Bashkatdhetarët tanë, viktima të mizorive që ngjallin mëshirën e njerëzimit, na copëtojnë zemrën me ulërimat e tyre, dhe, padrejtësitë, mizoritë që na bien mbi kokë janë mbeturina të qëllimit të vjetër që ushqejnë sllavët kundër nesh.  Pjesa më e madhe e banorëve të vendeve tona, që janë turq dhe më se një e treta grekë dhe latinë, flasin vetëm shqip…”[16].

Vlen të theksohet se gjatë pushtimit nga Perandoria Osmane, përkatësia e njerëzve bëhej në baza fetare: në kategorinë “turk” futeshin të gjithë pjesëtarët e besimit islam, në atë “grek” hynin të krishterët ortodoksë, ndërsa në kategorinë “latinë” bënin pjesë të krishterët katolikë. Ky element është tepër i rëndësishëm jo vetëm për të kuptuar domethënien e pohimit të nënshkruesve të letrës së lartpërmendur të datës 25 qershor 1878, se “pjesa më e madhe e banorëve të vendeve tona, që janë turq dhe më se një e treta grekë dhe latinë, flasin vetëm shqip”, por edhe vështirësitë që nxjerr një regjistrim i tillë i popullsisë për të përcaktuar strukturën etnike të banorëve në territoret e pushtuara nga Perandoria Osmane. Pikërisht për shkak të kësaj mënyre veprimi, askush nuk mund ta dijë me saktësi se cili ishte numri i shqiptarëve të përkatësisë islame që u vranë apo që u detyruan të braktisnin vatrat e tyre për t’i shpëtuar gjenocidit, apo i ortodoksëve shqiptarë që u asimiluan.

Edhe në letrën e 26 qershorit të vitit 1878, drejtuar Kongresit të Berlinit nga protesta e 6200 shqiptarëve të dëbuar nga kazatë[17] e Nishit, Leskovcit, Prokuples dhe Kurshumlisë kundër vrasjeve në masë dhe çnderimeve të kryera nga ushtritë serbe e bullgare thuhet:

“…Duke qenë të detyruar të mërgonim vitin e kaluar për shkak të ardhjes së armikut, përveç pronave, gjatë ikjes sonë kemi humbur të gjitha plaçkat tona, që na i grabitën (…) Bullgarët, që ngritën krye rreth rrugës sonë, vranë më shumë se dy mijë burra dhe fëmijë dhe, meqë vijat e komunikacionit ishin të zëna nga bullgarët, duke ikur mal më mal, ne arritëm në Vranjë, Prishtinë dhe që andej në Gjilan, pasi humbëm më shumë se dy mijë të tjerë për shkak të të ftohtit të madh. Armiku, pasi veçoi disa gra nga një mijë e treqind familje, që nuk mundën të ikin dhe pasi i çnderoi para syve të burrave dhe të vëllezërve të tyre, i vrau në mes të vuajtjeve të tyre njëzet e tetë burra dhe dy fëmijë, që nuk mund t’i duronin këto mizori dhe deshën t’i kundërshtonin këto veprime, i pushkatuan në Leskovc”[18].

Përkundër asaj se populli shqiptar nuk kishte asnjë formë të autonomisë politike apo kulturore nën Perandorinë Osmane, Lidhja Shqiptare e Prizrenit arriti të mobilizojë jo vetëm shqiptarët që jetonin në trojet e veta në Prevezë, Janinë, Selanik, Shkup, Tetovë, Dibër, Prizren, Pejë, Prishtinë, Shkodër, Vlorë, Ulqin, Guci, Senicë, Jini Pazar, por edha ata që kishin migruar në Stamboll, Bukuresht, Romë, Sofje, Paris, Berlin, Vjenë etj. Meqenëse në Kongresin e Berlinit u shtrua edhe çështja e përcaktimit të kufirit ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Greqisë[19], Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Mbrojtjen e Shqipërisë së Jugut u angazhua maksimalisht për të sensibilizuar Fuqitë e Mëdha, pjesëmarrëse në konferencën diplomatike në Berlin, për rrezikun që u kanosej shqiptarëve nëse një pjesë e tokave të Shqipërisë i jepej Greqisë[20].  Falë veprimtarisë këmbëngulëse të këtij komiteti dhe Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të mbajtur në Prevezë më 11 janar 1879, u pamundësua, së paku përkohësisht, zbatimi i protokollit 13 të Kongresit të Berlinit[21]. Megjithatë, në qershor të vitit 1881, grekët pushtuan qytetin e Artës dhe filluan dëbimin e shqiptarëve myslimanë dhe asimilimin e shqiptarëve ortodoks[22].

Kongresi i Berlinit e rishikoi Traktatin e Shën-Stefanit, por prapëseprapë “i lanë Podgoricën malazezëve me vetëm gjysmën e liqenit dhe Shkodrën shqiptarëve. Kështu territori i Malit të Zi mbeti në sipërfaqe prej 8655 km2, që ishte dyfishi i asaj që kishte qenë përpara Traktatit të Shën Stefanit”[23]. Kërkesat e popullit shqiptar jo vetëm që nuk u përfillën as nga kjo konferencë diplomatike, por, ashtu siç deklaroi D’Estournelles de Constant, territoret shqiptare vazhduan të shërbejnë si “monedhë kusuritjeje për ata që kërkonin më shumë, apo për ata që ofronin më shumë në tregjet ndërkombëtare”[24]. Me një fjalë, indiferencës së Traktatit të Shën-Stefanit karshi dhunës që ushtrohej ndaj popullsisë josllave në territoret e pushtuara nga Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria, Kongresi i Berlinit i shtoi edhe mospërfilljen ndaj kërkesave të shqiptarëve të Çamërisë, Prevezës, Nartës, Janinës, Konicës, Negovanit…

Në bazë të hulumtimeve që janë bërë për atë periudhë, studiues të ndryshëm, në mesin e të cilëve edhe ata shqiptarë nuk mund të thonë me saktësi për numrin e shqiptarëve të vrarë, të dhunuar, të dëbuar nga territoret e veta dhe të detyruar të ballafaqohen me kushte të tilla të jetës, që sollën vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve, për shkak se u nxorën nga shtëpitë e tyre në pikë të dimrit, dhe ashtu të zhveshur e të zbathur u përpoqën të kalonin malet me dëborë për të gjetur strehë në vendet ku ende nuk kishte shkelur thundra e pushtuesve të rinj. Mirëpo, pa specifikuar përkatësitë etnike të atyre që kishin qenë objekt i dhunës së paparë deri në atë kohë, studiuesi turk, Bilal Shimshir, i cituar në veprën e Jusuf Osmanit “Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit – Muhaxhirët”, pohon se gjatë periudhës 1877-1878 “më shumë se 1,5 milionë njerëz u shndërruan në muhaxhirë, ndërsa të paktën 450.000 vetë u vranë ose vdiqën gjatë rrugës”[25].

Përpjekjet e organizatave patriotike dhe mobilizimet e shqiptarëve anekënd botës për të njoftuar opinionin publik dhe qarqet politike të Fuqive të Mëdha të asaj kohe për padrejtësitë që u ishin bërë shqiptarëve, mbetën përpjekje me ndikim shumë të vogël. Për Fuqitë e Mëdha që vendosën për fatet e popujve të kësaj pjese të Ballkanit, çështja shqiptare u trajtua vetëm si çështje që kishte të bënte me respektimin e të drejtave fetare brenda shteteve të reja që synonin pavarësinë. Kështu, në nenin 35 të aktit final të Kongresit të Berlinit, të datës 13 korrik 1878, përcaktohej qartë se “në Serbi dallimi i besimeve dhe i përkatësive fetare nuk mund të shërbejë kundër askujt si motiv për ta përjashtuar ose për t’ia pamundësuar gëzimin e të drejtave civile dhe politike, të pranohet në administratën publike, në funksione dhe pozita të respektueshme ose të ushtrojë profesione apo zanate të ndryshme në cilindo vendbanim qoftë”[26] dhe se “liria dhe shprehja publike e të gjitha kulteve u garantohen të gjithë qytetarëve të Serbisë dhe atyre të huaj, dhe asnjë pengesë nuk mund t’u nxirren as kur bëhet fjalë për organizimin hierarkik të grupeve fetare, as në raport me udhëheqësit e tyre shpirtëror”[27].

Mirëpo, në vend të respektimit të obligimeve që dilnin nga vendimet e lartpërmendura, për një periudhë të shkurtër Serbia vrau, dhunoi dhe dëboi me dhjetëra mijëra shqiptarë dhe shkatërroi tërësisht çdo gjë që lidhej me identitetin e shqiptarëve në territoret që përfshiheshin në Sanxhakun e Nishit[28]. Nëse kemi parasysh se në përkufizimin juridik të gjenocidit hyjnë të gjitha aktet e numëruara në nenin II të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, kur krimi është bërë me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racial ose fetar, si i tillë, atëherë, pa asnjë ngurrim, mund të themi se gjatë periudhës 1878-1881 Serbia kreu gjenocid ndaj shqiptarëve.

 


[1] Në funksion të ambicieve të veta pansllaviste, më 24 prill 1877 Perandoria Ruse i shpalli luftë Perandorisë Osmane.

[2]Paul Henri Benjamin Balluet d’Estournelles de Constant (Pol Anri Benzhamin Balye d’Esturnel de Konstan) ishte baron, diplomat, politikan dhe shkrimtar francez, laureat i çmimit “Nobel” për paqe në vitin 1909. Në vijim do ta përmendim vetëm si D’Estournelles de Constant.

[3] Justin Godart, avokat, diplomat, humanist francez. Ishte kryetar i Komisionit Ndërkombëtar Hetues për Luftërat në Ballkan, që u organizuar nga Fondacioni Karnexhi për Paqe Ndërkombëtare (Carnegie Endowment for International Peace) në vitin 1913,  për raportin e të cilit do të flasim më poshtë. Në vitin 1918 Jostin Godart themeloi Ligën Kundër Kancerit dhe ishte kryetar i kësaj organizate derisa vdiq, më 1956.

[4]Justin Godart, L’Albanie en 1921, Les Presses Universitaires de France, Paris, 1922.

[5] Po aty, f. 3.

[6] Po aty, f. 2.

[7] D’Estournelles de Constant  përdor shprehjen latine Vae soli, që do të thotë “mjerë për njeriun që është i vetëm”, në kuptimin pa mbrojtje. Kjo thënie është e nxjerrë nga Libri i Kishtarit, kapitulli IV, vargu 10.

[8] Justin Godart, vepra e cituar, L’Albanie en 1921, f. 10.

[9] Po aty, f. 9.

[10] Jusuf Osmani, Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit – Muhaxhirët, Libri 1, Botues: Qendra Dokumentare Shkencore Prishtinë, 2021, f. 321-322; dhe: La Digithèque de matériaux juridiques et politiques, Grands traités politiques, Paix de San-Stefano, 1878. Paragrafi 1 dhe 2 i këtij traktati.

https://mjp.univ-perp.fr/traites/1878sanstefano.htm

[11] Traktati i cituar Paix de San-Stefano, 1878, paragrafi 3 përshkruan vijën e re kufitare të Serbisë.

[12] Sanxhaku ishte njësi administrative në kohën e Perandorisë Osmane.

[13] Vepra e cituar e Jusuf Osmanit, Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit…, f. 321-322, si dhe

Traktati i cituar Paix de San-Stefano, 1878, paragrafi 6 përshkruan vijën e re kufitare të Serbisë.

[14]Justin Godart, vepra e cituar, L’Albanie en 1921, f. 5.

[15] Kongresi i Berlinit u mbajt nga data 13 qershor 1878 deri më 13 korrik 1878.

[16]Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, (Memorandume, vendime, protesta, thirrje), përgatitur nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha, Tiranë, 1978, f. 52.

[17] Kaza ishte njësi administrative, ku shtrihej pushteti i kajmekamit (funksion në kohën e sundimit osman).

[18] Akademia e Shkencave të Shqipërisë, vepra e cituar, Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, f. 52.

[19] Protocoles du Congrès de Berlin et Traité de Berlin du 13 juillet 1878, Protocole Nr.13. Séance du 5 Juillet 1878 (Protocolete Kongresit të Berlinit dhe Traktati i Berlinit i 13 korrikut 1878, Protokolli nr. 13, seanca e 5 korrikut 1878, f. 108-113: https://books.google.ch/books?id=VUK_541JUHoC&pg=PA4&hl=fr&source=gbs_toc_r&cad=3#v=onepage&q&f=false

[20] Për këtë çështje shih: Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, f. 74-89.

[21] Më hollësisht rreth kësaj çështjeje shih: Kristo Frashëri, Historia e Çamërisë (Vështrim historik), Tiranë, 2015, f. 161-183.

[22] Arben P. Llalla, Kolaboracionistët grekë, projektuesit dhe udhëheqësit e gjenocidit në Çamëri (1944-1945), (E vërteta e bashkëpunimit të çamëve me gjermanët), 2016, f. 16.

[23] Justin Godart, vepra e cituar, L’Albanie en 1921, f. 9.

[24] Po aty, f. 10.

[25] Jusuf Osmani, Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit – Muhaxhirët, Libri 1, Botues: Qendra Dokumentare Shkencore Prishtinë, 2021, f.559.

Blerina Namik Sadiku, Lindja e çështjes çame (1820-1943), Naimi, Tiranë 2011.

Blerina Namik Sadiku, Çështja çame: vështrim historiko-juridik (1913-1939), Disertacion doktorate, Universiteti Evropian i Tiranës, 2017.

https://uet.edu.al/wp-content/uploads/2021/11/Blerina_Sadiku-final.pdf

Kristo Frashëri, Histoiria e Çamërisë (Vështrim historik), Tiranë, 2015, f.161-183.

[26] La Digithèque de matériaux juridiques et politiques, Grands traités politiques, Congrès de Berlin de 1878.

https://mjp.univ-perp.fr/traites/1878berlin.htm

Përkthimi i nenit 35 nga gjuha frënge është imi.

[27] Po aty.

[28] Të mos harrojmë se bëhet fjalë për një territor prej 15 mijë kilometrash katrorë, një herë e gjysmë më i madh se territori i sotëm i  Kosovës.

Share this post