Djegia e trupave në funksion të fshehjes së krimit të gjenocidit (23)
Përveç për transferimin e trupave të civilëve shqiptarëve të vrarë nga Kosova dhe varrosjes në varreza masive në Serbi, Fondi për të Drejtën Humanitare i ka kushtuar një rëndësi të veçantë djegies së trupave të civilëve shqiptarë të vrarë. Kapitulli VI i dosjes së lartpërmendur “Largimi i provave për krimet gjatë luftës në Kosovë: Operacioni fshehja e trupave” i kushtohet kësaj çështjeje.
Në paragrafin 157 të kësaj dosjeje theksohet se “gjatë 12 viteve të fundit dëshmitarë dhe përfaqësues të sektorit civil kanë sjellë prova për djegien e kufomave të shqiptarëve të vrarë në shumë vende në Serbi dhe në Kosovë.
Fillimisht në dosje theksohet se në muajin dhjetor të vitit 2004, në një shkrim autorial për të përditshmen “Danas”, “drejtoresha e atëhershme e Fondit për të Drejtën Humanitare, Nataša Kandić, kishte publikuar artikullin ‘Asanacija duševnog mira’[1], në të cilin ajo zbulon të dhënat e grumbulluara nga burime të ndryshme për djegien e trupave të kufomave në kompleksin e aluminit në Maçkatica të Surdulicës, në jug të Serbisë”[2].
Në të njëjtën kohë saktësohet se “djegiet e trupave kanë ndodhur dy herë: herën e parë më 16 maj dhe herën e dytë më 24 maj 1999. Sigurimi i kryerjes së këtij procesi i është besuar Njësisë për Siguri Shtetërore të Serbisë, nën komandën Milorad Ulemek Legija, e cila e ka pasur bazën e vet në afërsi të fshatit Bela Voda, të Vranjës”[3].
Krahas informatave për vendin dhe komandën e operacionit, në dosje jepen sqarime shtesë për personat e përfshirë në djegien e trupave të shqiptarëve të vrarë: “Zoran Stošić (Stoshiq), shef i Sigurimit Shtetëror për rrethin Pčin (Peçin), Bratislav Milenković (Bratisllav Millenkoviq), shef i Sigurimit Sekret për Vladičin Han dhe Surdulicë, Dragan Stanković (Stankoviq), shef i Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Surdulicë, Miroslav Antić (Antiq), shef i Sigurimit Sekret për Vranjë, Dragan Lakićević (Llakiqeviq), drejtor i ndërmarrjes “Mačkatica” dhe zëvendësi i tij, Aca Đorđević (Gjorgjeviq). Projekti është punuar me mbështetjen e Dragomir Tomić (Tomiq), drejtorin e kompanisë “Holding Simpo”, njëherësh kuadër i lartë i Partisë Socialiste që qeveriste vendin”[4].
Për djegien e trupave të civilëve shqiptarë në shkritoren e kompleksit industrial “Ferronikel” në komunën e Gllogovcit[5], Fondi për të Drejtën Humanitare ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë për Krime Lufte të Serbisë. Këtë padi penale e ka mbështetur në informatat që përmban libri në dorëshkrim “Crtice” (Cërtice)[6], i autorit Sllobodan Maksimović (Maksimoviq), shkrimtar dhe oficer pensionist i Armatës Popullore të Jugosllavisë. “Në bazë të shënimeve të tij të ngjarjes së vërtetë që ka ndodhur në vitin 1999, trupat e 21 shqiptarëve të vrarë i kanë sjellë në kombinatin “Ferronikeli”, i kanë vendosur në lugën e ekskavatorit dhe i kanë hedhur në zjarrin e furrave. Deri sot Prokuroria për Krime Lufte në Beograd nuk ka zhvilluar hetime për djegien e trupave në ‘Ferronikel’”[7].
Ivan Pajić (Pajiq) dhe babai i tij, Drago Pajić, ishin dëshmitarë për djegien e trupave të shqiptarëve në shkritoret e kompleksit të minierës së Borit[8]. As për këtë rast Prokuroria për Krime Lufte në Beograd nuk ndërmori asnjë hap për të zhvilluar hetime. Përkundrazi, të dy dëshmitarët u ballafaquan me kërcënime të shumta për të heshtur mbi këtë rast.
Operacioni në fjalë dhe veprime të tilla të pushtetarëve të Beogradit janë plotësisht të kuptueshme, kur dihet se “në të gjitha fazat e kryerjes së gjenocidit, fshehja e krimit e preokupon kriminelin…”[9]. Qëllimi i tyre ishte “shmangia prej përgjegjësisë së drejtpërdrejtë apo të tërthortë në kryerjen e gjenocidit”[10].
Sa i përket përgjegjësisë së drejtpërdrejtë në krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës, po përmendim rastin e shefit të Resorit për Siguri Publike në MPB të RS-së, gjeneralit Vllastimir Gjorgjeviq, i cili u dënua me 27 vjet burg nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.
Gjatë procesit të gjykimit të tij në Hagë, Vllastimir Gjorgjeviq deklaroi: “Në Kosovë, në vitin 1999 u bënë krime. Ato krime nuk i kam dashur dhe sikur të kisha pasur mundësi ta ktheja kohën prapa, do të kisha vepruar krejt ndryshe. Nuk kam pasur fuqi dhe mundësi t’i kundërvihem ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme, Vllajko Stojilkoviqit. Nuk i jam kundërvënë fshehjes së krimit. Për këtë ndihem fajtor. Ndiej keqardhje të thellë për të gjitha viktimat në Kosovë dhe vuajtjet që kanë përjetuar familjarët e tyre. Në veçanti u kërkoj falje[11] të gjitha familjeve të shqiptarëve të Kosovës, që kanë humbur jetë. U kërkoj falje edhe personave të shpërngulur dhe bashkëndiej dhembjen e tyre…”[12].
Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Serbisë dhe shefi i Resorit për Siguri Publike, Vllastimir Gjorgjeviq, pranoi publikisht se në Kosovë, me urdhër politik, janë bërë krime kundër shqiptarëve të Kosovës dhe deklaroi se ndihej përgjegjës që nuk i është kundërvënë strategjisë së fshehjes së krimeve. Vetëm Serge Halimi me kompaninë e tij (Dominique Vidal, Henri Maler dhe Mathias Reymon), Patrick Barriot, Regis Debray, Noam Chomsky[13], Jürgen Elsässer[14], Michel Collon[15], Jean-Arnault Dérens[16], Cathrine Samary[17], Xavier Raufer[18], Stéphane Quéré[19], Pierre Péan[20], Christophe Chiclet[21], Bernard Ravenel[22] dhe negacionistët e verbuar nga këndvështrimi ideologjik i antiamerikanizmit vazhdojnë të ngulin këmbë, se gjoja në Kosovë nuk ka pasur gjenocid dhe se “fshehja e kufomave ishte trillim i forcave të NATO-s”!
Sa i përket këmbënguljes së autorëve të lartpërmendur të shteteve perëndimore, dikujt mund t’i shkojë mendja se nuk kanë pasur mundësi t’i lexojnë shkrimet e shumta në gjuhën serbe lidhur me operacionet për fshehjen e fakteve dhe, si rezultat i mungesës së të dhënave, kanë ardhur në konstatime të gabuara. Fatkeqësisht, realiteti është krejt ndryshe. Negacionistët e lartpërmendur ishin në dijeni të plotë të fakteve, por heshtnin, me qëllim që të “përpunojnë opinionin…”[23], se gjoja “në Kosovë nuk ka pasur gjenocid por masakra (…)”[24].
Po përmendim vetëm një fakt, që dëshmon se ata ishin në dijeni të plotë për strategjinë e fshehjes së gjurmëve të krimit dhe djegies së kufomave të shqiptarëve të vrarë gjatë zbatimit të planit gjenocidal. Nga reagimet e shumta për operacionin e fshehjes së fakteve, të publikuara në mediet e shteteve perëndimore, reagimi i humanistes serbe, Nataša Kandić (Natasha Kandiq), themelueses dhe udhëheqëses së Fondit për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd, pati jehonë më të madhe, se shkrimet e tjera që trajtojnë të njëjtën temë. Shkrimi i lartpërmendur “Asanacija duševnog mira” u botua edhe në portalin “Le courrier des Balkans”, portal i themeluar dhe i udhëhequr nga Jean-Arnault Dérens, negacionist i gjenocidit në Kosovë.
Në këtë artikull të përkthyer në gjuhën frënge, me titull “Kosova: shërbimet sekrete serbe kanë fshehur krimet e luftës”[25], Nataša Kandić publikoi emrat e zinxhirit komandues, që shkon nga “kreu i shtetit, kryeministri, ministri i Punëve të Brendshme, shefi i Sigurisë Publike, shefi i Sigurimit Shtetëror e deri te strukturat policore dhe të sigurisë në nivel lokal, që ishin të përfshirë në djegien e kufomave të civilëve shqiptarë në furrat 4 dhe 5 të uzinës ‘Mačkatica’ në Surdulicë”[26]. Katër muaj më vonë, i njëjti portal publikoi artikullin “Kosova: dëshmi të reja konfirmojnë djegien e trupave në Surdulica”[27].
Pas publikimit të dëshmive të shumta për djegien e trupave të civilëve shqiptarë, pati nga ata që kërkuan falje publike. Mirëpo shumica e atyre që ishin të përfshirë në këto krime heshtën, ndërkaq një numër shumë i vogël, sidomos ata që mendojnë se duke fshehur krimin kanë kryer “detyrën patriotike”[28], vazhdojnë ta mohojnë djegien e trupave të civilëve shqiptarë të vrarë.
Në të njëjtën logjikë si negacionistët, që mohojnë djegien e trupave të hebrenjve nga nazistët, me arsyetimin se gjoja nuk ishin gjetur prova për ekzistencën e krematorëve, negacionistët e lartpërmendur vazhduan ta mohojnë këtë krim të dyfishtë dhe të ribotojnë nga një libër në tjetrin gënjeshtrën, se gjoja “tre xhandarë francezë, speleologë, kishin bërë hulumtime në minierën e Trepçës dhe nuk kishin gjetur asnjë kufomë. Një ekip tjetër kishte analizuar hirin dhe nuk kishin gjetur as dhëmbë të mbetur e as shenja të trupave të djegur”[29]! Me një fjalë, lexuesve të pamfleteve të tyre propagandistike, negacionistët përpiqen t’u hedhin syve “hirin që gjoja paskëshin analizuar speleologët francezë”, në funksion të përpunimit të opinionit, sesa të pranojnë si të vërtetë mohimin e djegies së trupave të civilëve shqiptarë, mohimin e transferimit të trupave dhe varrosjen në varrezat masive në Serbi, minimizimin të përmasave të vrasjeve…
-Vijon-
[1] “Asanacija duševnog mira”, (Spastrimi i paqes shpirtërore), “Danas”, 24 dhjetor 2004.
[2] Dosija: Uklanjanje dokaza o zločinima tokom rata na Kosovu: Operacija srkivanja tela, f. 49.
[3] Po aty, f. 49.
[4] Po aty.
[5] Pas përfundimit të luftës, emri i qytetit të Gllogovcit është ndryshuar ka marrë emrin Drenas.
[6] Fjala “crtice” do të thotë “shënime”.
[7] Dosija: Uklanjanje dokaza o zločinima tokom rata na Kosovu: Operacija srkivanja tela, f. 50-51, paragrafët 164-167.
[8] Bori është qytet në Serbi, në afërsi të kufirit me Rumaninë.
[9] Yves Ternon, “La problématique du négationnisme”, Revue l’Arche, numri i muajit maj, 2003:
shih: http://www.imprescriptible.fr/dossiers/ternon/negationnisme
[10] Po aty.
[11] Nuk mund të gjykoj për sinqeritetin e pendimit të këtij kryepolici! Këtë ta gjykojë vetë lexuesi.
[12] “Kurir”, “Priznao krivicu: Vlastimir Đorđević se izvinio žrtvama na Kosovu”, (Pranoi fajin: Vllastimir Gjorgjeviq u kërkoi falje viktimave nga Kosova) 13 maj 2013:
http://www.kurir-info.rs/priznao-krivicu-vlastimir-dordevic-se-izvinio-zrtvama-na-kosovu-clanak-787765
[13] Noam Chomsky, Le Nouvel Humanisme militaire, leçons du Kosovo, Cahier libret, 2000,
[14] Jürgen Elsässer, La RFA dans la guerre au Kosovo, Chronique d’une manipulation, Harmattan, 2002, (libri është botuar në gjuhën gjermane në vitin 2000).
[15] Michel Collon, Monopoly- l’OTAN à la conquête du monde, Editions Epo, Bruxelles, 2000.
[16] Jean-Arnauld Derens, Le piège du Kosovo, Editions Non Lieu, 2008 dhe Jean-Arnauld Derens et Cathrine Samary, Les 100 portes des Conflits Yougoslaves, Les Éditions de l’Atelier, Paris, 2000.
[17] Bashkautore me Jean-Arnauld Derens, Les 100 portes des Conflits Yougoslaves, Les Éditions de l’Atelier, Paris, 2000.
[18] Xavier Raufer-in dhe Stéphane Quéré, La mafia albanaise – Une menace pour l’Europe, Editions Favre, Lausanne, 2000.
[19] Bashkautor me Xavier Raufer, La mafia albanaise – Une menace pour l’Europe…
[20] Pierre Péan, Kosovo: une guerre “juste” pour un Etat mafieux, Fayard, 2013.
[21] Christophe Chiclet, Bernard Ravenel, Kosovo: le piège, L’Harmatann, 2000.
[22] Bashkautore me Christophe Chiclet, Kosovo: le piège, L’Harmatann, 2000
[23] Shprehje që u pëlqen Serge Halimi-t, Dominique Vidal-it, Henri Maler-it dhe Mathias Reymond-it, të cilët “përpunimin e opinionit” që ua veshin “natoistëve”, e kanë edhe në titullin e librit-pamflet të tyre.
[24] Serge Halimi, Dominique Vidal,… L’Opinion, ça se travaille…, f. 105.
[25] Le Courrier des Balkans, “Kosovo: les services secrets serbes ont couvert les crimes de guerre” (Kosovë: Shërbimet Sekrete Serbe fshehën krimet e luftës), shkrim i përkthyer në frëngjisht nga Thomas Claus.
Publikuar në shtyp më 30 dhjetor 2004 dhe i hedhur në internet më 4 janar 2005: http://balkans.courriers.info/article4945.html dhe tekstin integral në gjuhën frënge mund ta lexoni edhe në:
[26] “Mačkatica kao Aušvic”. Surdulica është qytet në jug të Serbisë.
[27] Kosovo: de nouveaux témoignages confirment les crémations de corps à Surdulica, (Kosova: dëshmi të reja konfirmojnë djegien e trupave në Surdulicë), 26 prill 2005 në: http://balkans.courriers.info/article5399.html
[28] Shprehje e përdorur nga Nataša Kandić-i
[29] Serge Halimi et Dominique Vidal, L’Opinion, ça se travaille…, po aty, f. 55-56.