Elementet materiale dhe aspekti psikologjik i kryerjes së krimit (11)

Siç e pamë në pjesën e sipërme të studimit tonë, kushti kryesor që një akt kriminal të cilësohet si gjenocid në përputhje me dokumentet themelore të së drejtës penale ndërkombëtare, duhet të jetë pjesë përbërëse e akteve gjenocidale të numëruara në nenin II të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, në nenin 6 të Statutit të Romës dhe në nenin 6 të Elementeve të Krimit[1] dhe të jetë kryer kundër një grupi kombëtar, etnik, racial ose fetar, me qëllim shkatërrimin e tërësishëm ose të pjesshëm të grupit si të tillë.

Përveç elementeve materiale, në nenin 30 të Statutit të Romës parashihen edhe elementet psikologjike, që ndërlidhen me krimin e gjenocidit. Sipas këtij neni:

  1. “Askush nuk është penalisht përgjegjës dhe nuk mund të dënohet për një krim që është në kompetencë të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, pos në rastet kur elementi material i krimit është kryer me qëllim dhe në dijeni të pasojave të krimit;
  2. Në kuptimin e këtij neni qëllimi ekziston nëse:
  3. a) sa i përket mënyrës së veprimit, një person ka ndër mend ta pranojë një mënyrë të tillë veprimi;
  4. b) sa u përket pasojave, një person ka ndër mend ta shkaktojë këtë pasojë ose është i vetëdijshëm se një gjë e tillë do të ndodhë në rrjedhën normale të ngjarjeve”[2].

Duke u nisur nga fakti, se faktorët e natyrës psikologjike të kryerjes së krimit nxjerrin vështirësi të mëdha në rastet kur kryerësit e krimit mohojnë qëllimin e vërtetë të kryerjes së krimit, jurisprudenca e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën dhe ajo e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ka gjetur zgjidhje tek elementet objektive për të dëshmuar qëllimin gjenocidal, në rastet kur kemi të bëjmë me gjenocid.

Kështu, në procesin kundër Jean-Paul-Akayesu, Dhoma[3] I e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën thekson: “Kur kemi të bëjmë me kriteret se si të përcaktohet qëllimi specifik i atij që ka kryer këtë krim, Dhoma konsideron se qëllimi është faktor i natyrës psikologjike, të cilin është shumë e vështirë, madje e pamundur, ta perceptojmë. Për këtë arsye, në mungesë të pranimit nga ana e të akuzuarit, qëllimi i tij mund të nxirret nga një numër faktesh. Për shembull, Dhoma vlerëson se është e mundur të nxirret qëllimi i gjenocidit, duke e mbështetur në një akt të veçantë, për të cilin është akuzuar, në tërësinë e akteve dhe thënieve të të akuzuarit, ose nga konteksti i përgjithshëm i kryerjes së akteve të tjera të dënueshme, të drejtuara në mënyrë sistematike kundër të njëjtit grup, të kryera qoftë nga i njëjti person ose nga persona të tjerë. Faktorë të tjerë, si shkalla e armiqësive të kryera, karakteri i tyre i përgjithshëm në një rajon ose vend, apo fakti i përzgjedhjes së qëllimshme dhe sistematike i viktimave, për shkak të përkatësisë së tyre të një grupi të veçantë, duke i veçuar anëtarët e grupeve të tjera, i mundësojnë Dhomës që të nxjerrë qëllimin për gjenocid[4].

Në të njëjtën frymë, në procesin gjyqësor kundër Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, gjatë shqyrtimit të akteve të akuzës në kuadër të nenit 61 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, Dhoma e Shkallës I, përmenden fakte të shumta, që dëshmojnë për qëllimin gjenocidal të Forcave të Armatosura të Republikës Sërbska. Kështu, në paragrafin 14 veçohet “shkatërrimi sistematik i ndërtesave edhe në zonat ku nuk kishte pasur luftime, në ato ku luftimet kishin përfunduar apo zonat ku popullsia ishte dorëzuar pa rezistencë”[5]. Madje, në vendbanime ku popullsia ishte e përzier në aspektin e përkatësisë etnike dhe fetare, Forcat e Armatosura të serbëve të Bosnjës vepronin në mënyrë selektive ndaj pronave të pjesëtarëve “joserbë”. Si ilustrim në këtë paragraf përmendet rasti i qytetit “Foça, ku kuartet serbe dhe ato joserbe ishin pranë njëri-tjetrit, dhe ku serbët u mbrojtën me kujdes[6]. Më tej, në paragrafin e ardhshëm, Dhoma thekson se “në tërë territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës, që ishte nën kontrollin e forcave të serbëve të Bosnjës, këto forca shkatërruan pothuajse sistematikisht trashëgiminë kulturore myslimane dhe katolike dhe sidomos ndërtesat e shenjta. Sipas vlerësimeve në shifra u sollën gjatë audiencës nga dëshmitari i ftuar në cilësinë e ekspertit, Doktor Kaiser, gjithsej 1123 xhami, 504 kisha katolike dhe 5 sinagoga u shkatërruan ose u dëmtuan, kryesisht në vendet ku nuk kishte veprime ushtarake apo aty ku ishin ndërprerë luftimet”[7]. Për të ilustruar këtë mënyrë veprimi përmendet qyteti Banja Lluka, ku “u shkatërrua tërësisht trashëgimia islamike dhe katolike, megjithëse bëhej fjalë për një vend që ndodhej me dhjetëra kilometra larg nga pika më e afërt e luftimeve: xhamitë dhe kishat u shkatërruan tërësisht. Disa xhami u shkatërruan me eksploziv, ndërkaq gërmadhat u rrafshuan dhe u hodhën në vendet ku grumbulloheshin mbeturinat, me qëllim që të zhdukej çdo gjurmë e pranisë myslimane”[8]. Prandaj Dhoma vjen në përfundimin, se qëllimi specifik i krimit të gjenocidit mund të nxirret nga kryerja e krimeve që cenojnë themelet e grupit (…) Masiviteti i efekteve shkatërruese, numri i viktimave të seleksionuara, për shkak të përkatësisë së tyre një grupi të veçantë, veçoritë e mjeteve që u përdorën gjatë spastrimit etnik, përdhunimi sistematik i grave, shkatërrimi i xhamive, kishave, bibliotekave… synojnë të minojnë themelet e grupit”[9].

Të njëjtin qëndrim e gjejmë në procesin gjyqësor kundër Radisllav Kërstiqit. Në aktgjykimin e datës 2 gusht 2001 të Shkallës së Parë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë thuhet:

“Megjithatë, Dhoma e Shkallës së Parë është e shtrënguar të interpretojë Konventën, duke respektuar me përpikëri parimin nullum crimen sine lege[10]. Pra, ajo (Dhoma) pranon se përkundër zhvillimeve të reja, e Drejta Ndërkombëtare Zakonore kufizon definicionin e gjenocidit në aktet që synojnë shkatërrimin fizik ose biologjik, të tërësishëm ose të pjesshëm, të grupit. Prandaj nuk hyn në kuadër të përkufizimit të gjenocidit një vepër, që kryesisht merr për cak tiparet kulturore dhe sociologjike të një grupi njerëzor, me qëllim që të asgjësojë themelet e identitetit të tij. Megjithatë, Dhoma e Shkallës së Parë tërheq vërejtjen, se shkatërrimi fizik ose biologjik i grupit shpesh shoqërohet me shkatërrimin e të mirave dhe simboleve kulturore dhe fetare të grupit, që është marrë në shënjestër, që, në mënyrë legjitime, mund të llogaritet gjatë argumentimit PËR TË DËSHMUAR EKZISTENCËN E QËLLIMIT PËR SHKATËRRIMIN FIZIK TË GRUPIT. Dhoma konsideron që në këtë rast shkatërrimi i qëllimshëm i xhamive dhe i shtëpive që u takojnë anëtarëve të grupit është DËSHMI E QËLLIMIT PËR TË SHKATËRRUAR GRUPIN[11].

Edhe në aktgjykimin e datës 19 prill 2004 të këtij procesi gjyqësor, çështja e shkatërrimeve që lidhen me identitetin e grupeve të mbrojtura me normat e së drejtës penale ndërkombëtare zë një vend të rëndësishëm. Në paragrafin 52 dhe 53 të këtij vendimi[12] thuhet:

“Për të qenë i kujdesshëm, e shoh të udhës të saktësoj dy gjëra. E para, çështja është të dihet nëse i akuzuari kishte qëllimin që kërkohet dhe jo nëse një gjë e tillë ka ndodhur. Së dyti, analiza paraprake nuk është një mbrojtje në favor të njohjes së gjenocidit kulturor. Është e qartë se shkatërrimi i kulturës së një grupi nuk përbën në vetvete një gjenocid, pasi nuk kërkon zbatimin e asnjërit prej mjeteve të numëruara në nenin 4, paragrafi 2 të Statutit[13]. Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm. Shkatërrimi kulturor mundëson të konfirmohet ekzistenca e qëllimit për të shkatërruar grupin, si të tillë, i bazuar në prova të konstatuara në rrethana të tjera. Në këtë rast, shkatërrimi i xhamisë kryesore konfirmon se kishte qëllim që të shkatërrohej një pjesë e myslimanëve të Bosnjës që jetonin në Srebrenicë”[14]. “Si konkluzion, konsideroj që Statuti duhet të interpretohet në atë mënyrë, që të shprehë qëndrimin se, në rastet kur është kryer një akt gjenocidal (fizik ose biologjik), qëllimi për të shkatërruar grupin si të tillë duhet të nxirret nga provat e ekzistencës së vullnetit që të shkatërrohet grupi tërësisht ose pjesërisht edhe në mënyrë tjetër, përveç shkatërrimit fizik, pos në rastet kur shkatërrimi fizik i grupit kërkohet me Statut. Në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me një gjë të tillë. Fakti se u është lejuar grave, fëmijëve dhe personave të moshuar të mbijetojnë, nuk do të thotë se i akuzuari ka pasur qëllim tjetër pos shkatërrimit të grupit si të tillë.”[15].

Nëse është e qartë se shkatërrimi i kulturës së një grupi nuk përbën në vetvete një gjenocid dhe, rrjedhimisht, nuk është i qëndrueshëm pohimi se gjoja “tipologjia dalluese e gjenocidit serb në Kosovë ishte kulturocidi, përkatësisht shkatërrimi i kulturës së shqiptarëve”[16], atëherë jurisprudenca e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën, ajo e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Elementet e Krimeve[17] na mundësojnë që, përveç provave që lidhen me vrasjet dhe nënshtrimin e qëllimshëm në kushte të tilla jetese, që mund të shkaktojnë shkatërrimin fizik të tërësish ose të pjesshëm të shqiptarëve si të tillë, të sjellin prova nga kryerja e krimeve që cenojnë themelet e grupit, për të dëshmuar ekzistencën e qëllimit për shkatërrimin fizik të shqiptarëve si të tillë. Pikërisht në kuadër të provave për të argumentuar QËLLIMIN GJENOCIDAL të Serbisë gjatë luftës në Kosovë në periudhën 1998-1999, marrin vlerën e saktë juridike shkatërrimet e tërësishme ose dëmtimet e pjesshme të 100 589 shtëpive dhe të 88 101 objekteve përcjellëse që ishin pronë e shqiptarëve; i 358 shkollave, ku nxënësit ishin të përkatësisë etnike shqiptare; i 30 shtëpive kulturore; i 93 bibliotekave; i 123 institucioneve shëndetësore në vendbanimet ku banorët ishin kryesisht shqiptarë; i 220 objekteve të kultit fetar (215 xhami, teqe, tyrbe dhe 5 kisha katolike) dhe të çdo gjëje thelbësore për shqiptarët si grup (kombëtar, etnik apo religjioz) i ndryshëm nga serbët.

-Vijon-


[1] Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, nenin 2; Statuti i Romës, neni 6; Elementet e Krimeve, neni 6.

[2] Cour Pénale Internationale, Statut de Rome de la Cour Pénale Internationale, (Gjykata Penale Ndërkombëtare, Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare), neni 30: https://www.icccpi.int/sites/default/files/NR/rdonlyres/ADD16852-AEE9-4757-ABE79CDC7CF02886/283948/RomeStatuteFra1.pdf

[3] Në terminologjinë juridike termi “dhomë” përkufizohet si trup i brendshëm i një juridiksioni, në përbërje të të cilit janë kryetari dhe, së paku, dy persona të tjerë që kanë mundësi të sjellin vendim.

[4] Tribunal Pénal International pour le Rwanda, Le procureur contre jean-paul-akayesu,

Affaire N°ICTR-96-T, Jugement, 2 septembre 1998, § 523.

https://violences-sexuelles.ifjd.org/app/uploads/sites/2/2021/05/3.-TPIR-Jean-Paul-Akayesu-min.pdf

[5] Nations Unies, Tribunal international chargé de poursuivre les personnes présumées responsables de violations graves du droit international humanitaire commises sur le territoire de l’ex-Yougoslavie depuis 1991.

Affaires no: IT-95-5-R61 / no: IT-95-18-R61, 11 juillet 1996.

Examen des actes d’accusation dans le cadre de l’article 61 du Règlement de la procédure et de preuve, f. 8, § 14: https://www.icty.org/x/cases/karadzic/tdec/fr/960711.pdf.

[6] Po aty.

[7] Po aty, f .8-9, § 15.

[8] Po aty, f. 9.

[9] Po aty, f. 59-61, § 94-95.

[10] Sentenca latine “Nullum crimen, nulla poena sine lege” do të thotë: nuk ka as krim dhe as masë ndëshkuese pa ligj.  

[11] Nations Unies, Tribunal international chargé de poursuivre les personnes présumées responsables de violations graves du droit international humanitaire commises sur le territoire de l’ex-Yougoslavie depuis 1991,

Affaire no : IT-98-33-T, 02 août 2001, Krstic (IT-98-33), Jugement, § 580.

https://www.icty.org/x/cases/krstic/tjug/fr/010802f.pdf

Dallimi me ngjyrë të theksuar dhe me shkronja të mëdha është yni.

[12] Nations Unies, Tribunal international chargé de poursuivre les personnes présumées responsables de violations graves du droit international humanitaire commises sur le territoire de l’ex-Yougoslavie depuis 1991,

Affaire no : IT-98-33-T,

19 avril 2004, Krstic (IT-98-33), Jugement, § 53-54: https://www.legal-tools.org/doc/f61310/pdf

[13] Bëhet fjalë për Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Në këtë statut, krimi i gjenocidit është në nenin 4. Në § 2 të nenit 4 numërohen aktet gjenocidale.

[14] Dosja e cituar më lart, Krstic (IT-98-33), Jugement, § 53.

[15] Po aty, § 54.

[16] Arsim Bajrami, vepra e cituar “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – Aspekte juridike”, f. 344.

[17] Shih Elementet e Krimeve, hyrja e përgjithshme, § 3.

Share this post