“Etničko čišćenje”- Kornizë programore gjenocidale (32)
Thjeshtësimi i asaj që ka ndodhur në Kosovë gjatë zbatimit të planit gjenocidal “Patkoi” për realizimin e “Čista Srbija”-s, në “spastrim etnik” të përkufizuar nga negacionistët si “dëbim i popullsisë në funksion të krijimit të një shteti etnikisht homogjen, nëpërmjet ‘pastrimin etnik’ të territoreve”, është shtrembërim i përmbajtjes reale të asaj çfarë mbulon në aspektin semantik “etničko čišćenje” serbe. Një shtrembërim i tillë bëhet me qëllim, që tipologjia e qëllimeve specifike që i dallon krimet kundër njerëzimit nga krimi i gjenocidit t’u mundësojë interpretimin e akteve materiale të realizuara gjatë kryerjes së krimeve si “të ngjashme me njëri-tjetrin, por që ndjekin dy qëllime specifike shumë të ndryshme”[1]!
Le të ndalemi pak rreth origjinës së “spastrimit etnik” dhe të “etničko čišćenje”-s serbe!
Sa i përket shprehjes “spastrim etnik”, William A. Schabas-i citon Mark Kramer-in[2], i cili në parathënien e vëllimit I të veprës Redrawing Nations: Ethnic Cleansing in East-Central Europe, 1944-1948, të botuar nga Philipp Ther dhe Ana Siljak, shkruan:
“Ka gjasa që shprehja “pastrim etnik” të jetë përdorur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore nga polakët dhe çekët me qëllim që të ‘spastronin’ vendet e tyre nga gjermanët dhe ukrainasit. Por, nëse është kështu, ky term ka origjinë të drejtpërdrejt nga shprehja që përdornin nazistët për programin e tyre të ‘higjienës’ raciale. Këta të fundit kishin një term, sauberung, dhe qëllimi i tyre ishte të bënin nga territori gjerman një judenrein, që do të thotë një territor pa çifutë”[3]. Në vazhdim William A. Schabas-i mbështet tek autorë të shumtë për të ndriçuar origjinën e kësaj shprehjeje dhe vjen te përfundimi, se “Spastrimi etnik u rishfaq në mediet jugosllave në vitin 1981, për të shpjeguar krijimin e ‘territoreve të pastra etnikisht’ në Kosovë. Ky term hyri në fjalorin ndërkombëtar në vitin 1992 dhe u përdor për të përshkruar politikat e ndjekura nga palë të ndryshme të konfliktit jugosllav me qëllim të krijimit të territoreve etnikisht homogjene”[4].
Në këtë kontekst e shohim të nevojshme të sqarojmë lexuesit, se në pikën XIII të marrëveshjes që u arrit në Konferencën e Potsdamit[5], parashihej “transferimi në Gjermani i gjermanëve që kishin mbetur në Poloni, në Çekosllovaki dhe në Hungari”[6]. Nuk do të shqyrtojmë formën që mori “spastrimi” nga popullsia gjermane e shteteve që përmenden në marrëveshjen e lartpërmendur. Në studimin tonë do të kufizohemi në faktin se, përkundër asaj që në këtë marrëveshje as që përmendeshin 536 800[7] gjermanë që jetonin ndër shekuj në pjesën e Jugosllavisë, që dikur kishte qenë në përbërje të Austro-Hungarisë, Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë vuri në zbatim “etničko čišćenje”-n serbe. Një sintezë të shkurtër të zbatimit të “etničko čišćenje”-s serbe ndaj gjermanëve në Jugosllavi do ta përfshijmë në kuadër të studimit të rasteve të gjenocidit. Tani për tani po përmendim vetëm disa fakte:
“Me vendimin e Mbledhjes së Tretë të AVNOJ-it[8], të 21 nëntorit 1944, gjermanëve u merret tërësisht prona e luajtshme dhe e paluajtshme. Vendimi ishte formuluar në atë mënyrë që rrallë kush nga pjesëtarët e përkatësisë gjermane kishte mundur t’i shpëtonte shpronësimit të tërësishëm. Shumë shpejt pas këtyre masave, vijoi masa e vendosjes së gjermanëve në llogore përqendrimi dhe e të gjitha tmerreve që sollën këto masa: sipas burimeve gjermane, gjatë tri vjetëve, në llogore vdiqën 48477 Volksdeutsche[9]”[10].
Shpronësimi i tërësishëm i gjermanëve dhe transferimi i tyre në tri lloje kampesh përqendrimi (llogore pune të detyrueshme, llogore qendrore dhe “llogore speciale” për likuidim) mundësuan shkatërrimin e tërësishëm të mbi gjysmë milioni gjermanësh në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë.
Për tmerret që përjetuan gjermanët gjatë zbatimit të “etničko čišćenje”-s serbe do t’i sugjeroja William A. Schabas-it të lexojë librin “Gjenocidi ndaj gjermanëve etnikë në Jugosllavi 1944-1948”[11]. Megjithatë, nuk e përjashtoj mundësinë që, pas leximit eventual të kësaj vepre, William A. Schabas-it të deklarojë, në mënyrë të ngjashme si për rastin e qëndrimit të Millosheviqit ndaj “Muslimanëve të Kosovës”, se gjoja “komunistët jugosllavë dëshironin t’i dëbonin gjermanët nga Jugosllavia dhe nuk shqetësoheshin nga ideja që ata të jetojnë gjetiu, në Gjermani apo në Austri, për shembull”. Mirëpo, siç do të shohim në pjesën kushtuar studimit të rasteve, nëse do të përdornim gjuhën e William A. Schabas-it, atëherë mund të pohojmë pa asnjë rezervë, se regjimi komunist i Beogradit përcaktoi si “ambicie modeste të eliminonte të gjithë gjermanët që jetonin në territoret që ishin nën kontrollin e tij, por sikur të kishte pasur mundësinë, do ta shtrinte fushatën e vet vrastare në tërë botën”.
Në pjesën e mësipërme tërhoqëm vëmendjen, se politika e “etničko čišćenje”-s serbe nuk ka të bëjë me dëbimin e popullsisë në funksion të krijimit të një shteti etnikisht homogjen, por bëhet fjalë për formën e gjenocidit që ka shërbyer si kornizë programore, në kuadër të së cilës përdoren të gjitha mjetet, me qëllim shkatërrimin e shqiptarëve, të kroatëve, të myslimanëve dhe pjesëtarëve të përkatësive të tjera etnike për realizimin e “higjienës etnike të shtetit dhe të shoqërisë hyjnore serbe”. Prandaj, me plot të drejtë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e cilësoi si “formë të gjenocidit”[12].
Pikërisht për arsye se “etničko čišćenje”-ja serbe ka specifikat e lartpërmendura gjenocidale si kornizë programore për shkatërrimin e grupeve të tjera kombëtare, etnike, raciale dhe fetare, që e dallon nga dëbimi i popullsisë civile gjatë konflikteve të ndryshme të armatosura, me qëllim “spastrimin e territorit”, ne do të përdorim në origjinal termin “etničko čišćenje”.
Sa i përket shfaqjes së shprehjes “etničko čišćenje” në hapësirën mediatike dhe politike, nuk janë të paktë autorët që kanë trajtuar konfliktet e armatosura në hapësirat e ish-Federatës së Jugosllavisë, që këtë term e ndërlidhin me shpërthimin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Një qasje e tillë nga autorë të huaj nuk është asgjë tjetër, pos përvetësim kallëp i interpretimit zyrtar të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë. Siç do të shohim në vijim të këtij studimi, realiteti është krejt ndryshe.
Në bazë të hulumtimeve që kemi bërë rreth kësaj çështjeje, përdorimi i termit serb “čišćenje” (spastrim) në raport me pjesëtarët e përkatësive të tjera etnike, ndërlidhet me periudhën historike të krijimit të shteteve në Ballkan. Që në kohën e kryengritjes së parë dhe të dytë serbe[13] u bë e qartë mënyra se si e parashihnin serbët të krijonin shtetin e tyre të pavarur. Në të gjitha vendet që arritën të merrnin pushtetin në duart e tyre, ata shkatërronin pjesëtarët e përkatësive të tjera etnike dhe fetare dhe çdo gjë që lidhej me identitetin e tyre. Nuk e dimë nëse është përmendur edhe nga autorë të tjerë serbë, por Vuk Karadžić-i (Vuk Karaxhiq)[14] e përdor fjalën “čišćenje” qysh në dekadat e para të shekullit XIX.
Në veprën kushtuar Kryengritjes së Parë Serbe (1804-1813) dhe udhëheqësit të saj, Kara Gjorgje Petroviqit[15] dhe Kryengritjes së Dytë Serbe (1815), nën udhëheqjen e Millosh Obrenoviqit[16], Vuk Karaxhiqi përdor termin “čišćenje” për të përshkruar “300 mynxyrat që kryengritësit serbë u kishin shkaktuar turqve”[17]. Sipas të dhënave që sjell ai, “pasiqë serbët morën Beogradin në vitin 1807 dhe e spastruan nga turqit, qeveria u zhvendos nga Smedereva në Beograd”[18]. Detaje më të hollësishme për veprimet që hynin në kuadër të këtij termi sjell biografi i Kara Gjorgje Petroviqit, Konstantin Nenadović (Konstantin Nenadoviq): “Kryengritësit serbë i thernin turqit kudo që i gjenin, pa kursyer as të plagosurit, as gratë dhe as fëmijët”[19].
Një trajtim i tillë i pjesëtarëve të përkatësive të tjera etnike dhe fetare do të ngulitet thellë në perceptimin e “hapësirës së shtetit kombëtar serb”, ku nuk ka vend për “të tjerët” dhe do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zbatimin e “etničko čišćenje”-s për të krijuar “tokën e shenjtë serbe”, duke shkatërruar të tjerët!
Vuk Karadžić-i dhe Konstantin Nenadović-i përshkruajnë pasojat e dy kryengritjeve serbe, por nuk thonë asnjë fjalë të vetme për programet, mbi bazën e së cilave u kryen aktet gjenocidale: ato mbetën të fshehta për publikun dhe nuk janë bërë publike as pas dy shekujsh. Nuk e dimë nëse ka pasur një program të vetëm për të dyja kryengritjet apo dy programe që ndryshojnë prej njëri-tjetrit, por ajo që mund të konstatojmë nga përshkrimet e Vuk Karadžić-it dhe Konstantin Nenadović-it, është se korniza programore e “etničko čišćenje”-s ishte e njëjtë. Sidoqoftë, mbajtja sekret e programeve të tilla nuk u jep të drejtë autorëve shqiptarë të pretendojnë, siç bën historiani Frashër Demaj, se gjoja“tendencat e Serbisë për gjenocid ndaj shqiptarëve zunë fill që nga gjysma e parë e shekullit XIX me ‘Naçertania’-n kur Serbia filloi me projekte të organizuara shtetërore antishqiptare me qëllim vrasjen, dëbimin dhe asimilimin e shqiptarëve dhe pushtimin e tokave të tyre”[20].
Kushdo që trajton këto çështje, nuk duhet të harrojë se Ilija Garašanin-i ka ushtruar një numër të madh funksionesh, qoftë në dinastinë e Obrenoviqëve, qoftë në atë të Karagjorgjeviqëve. Gjatë sundimit të Millosh Obrenoviqit I (Miloš Obrenović) ai u emërua shef i armatës serbe dhe pak më vonë shef i policisë ushtarake, ndërsa gjatë sundimit të Aleksandar Karagjorgjeviqit (Alexandre Karađorđević) ai ishte ministër i Punëve të Brendshme, themelues i Shërbimit Sekret Serb, ministër i Punëve të Jashtme dhe kryeministër i vendit. Të gjitha këto funksione i dhanë atributin e “Bizmarkut serb”[21]. Gabon kushdo qoftë që mendon, se themelues i Shërbimit Sekret Serb nuk e ka ditur se çka duhet të mbahet sekret dhe të mos përmendet fare në “skicën” (Naçertanije) e përpiluar prej tij. Kam bindjen e plotë, se ai ka qenë i mirinformuar deri në detaje për kornizën programore gjenocidale të “etničko čišćenje”-s që zbatuan Karagjorgjeviqët dhe Obrenoviqët, katër dekada përpara se ai të përpilonte “Naçertanie-n”, dhe nuk e përjashtoj mundësinë që, pikërisht Ilija Garašanin-i, të ketë përpiluar strategjinë që kjo kornizë programore gjenocidale të mbetet sekret i përhershëm shtetëror i Serbisë.
[1] William A. Schabas, Genocide in International Law: The Crimes of Crimes, Cabridge University Press, Botimi 2009. f. 234.
[2] Mark Kramer është drejtues i “The Cold War Studies Project” në “Davis Center”, autor i shumë studimeve dhe William A. Schabas, Genocide in International Law: The Crimes of Crimes, Cabridge University Press, Botimi 2009. f. 221.tues i serisë së veprave “The Harvard Cold War Studies” dhe “Journal of Cold War Studies”.
[3] William A. Schabas, Genocide in International Law: The Crimes of Crimes, Cabridge University Press, Botimi 2009. f. 221.
[4] Po aty, f. 221.
[5] Konferencë trepalëshe (SHBA-BRSS dhe Mbretëria e Bashkuar) e mbajtur në qytetin gjerman Potsdam nga 17 korrik deri më 2 gusht 1945.
[6] Les accords de Potsdam, Communiqué final, Berlin, 2 gusht 1945: https://mjp.univperp.fr/traites/1945potsdam.htm
[7] Geza C. Paikert, “The German Exodus”, The Haague 1962, f. 2, fusnota 1 dhe pasqyra e statistikave përpara shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, f. 97.
[8] AVNOJ – (Antisfašističko vjeće narodnog oslobodjenja Jugoslavije) Këshilli Antifashist për Çlirimin Kombëtar të Jugosllavisë. Institucion i krijuar nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, që udhëhoqi luftën në këtë shtet gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe vendosi themelet e një sistemi federativ të organizimit shtetëror të pasluftës.
[9] Volksdeutsche (folkdojçe) – Emërtim për gjermanët që jetonin jashtë Gjermanisë.
[10] Janjetović, Zoran (1997) shkrimi i cituar, Odlazak vojvođanskih Švaba – proterivanje ili iseljavanje. Tokovi istorije (3-4), f. 116: http://inisdr.bg.ac.rs/40/1/1997_3-4_06_Janjetovic.pdf
[11] Genocid nad etničkim nemcima u Jugoslaviji 1944-1948, Beograd 2004, i përkthyer nga anglishtja: Documentation Project Committet, Genocide of the ethnik Germans:
https://fr.scribd.com/document/489685550/Genocid-Nad-Podunavskim-Nemcima-1944.
[12] Kombet e Bashkuara, Asambleja e Përgjithshme, Rezoluta 47/121, 18.12.1992.
[13] Kryengritja e Parë Serbe kundër Perandorisë Osmane shpërtheu më 14 shkurt 1804 dhe zgjati deri më 7 tetor 1813, ndërsa Kryengritja e Dytë ka zgjatur katër muaj, nga 11 prill 1815 deri më 25 tetor 1815.
[14] Vuk Stefanović Karadžić (Vuk Stevanoviq Karaxhiq), 1787-1864, është shkrimtar, gjuhëtar dhe historian serb. Njihet si reformator i gjuhës letrare serbe.
[15] Kara-Đorđe Petrović (1768-1817), themeluesi i dinastisë serbe të Karagjorgjeviqëve, për të cilin, si shumë historianë serbë, edhe Dimitrije Tuceviq mendon se ka origjinë shqiptare nga fisi Kelmendi.
Vuk Stefanović Karadžić- Pravitelstvujušči sovjet serbski za vreme Kara-Đorđijeva ili Otimanje ondašnjijeh velikaša oko vlasti, Shtëpia botuese Nolit, Beograd, 1969, f.88.
[16] Miloš Obrenović (1780-1860).Vuk Stefanović Karadžić – Miloš Obrenović, Knjaz Serbije ili Građa Za Srpsku Istoriju Našega Vremena, 1828, f. 9. Versioni elektronik:
https://www.digitale-sammlungen.de/en/view/bsb10787007?page=102,103
[17] Vuk Stefanović Karadžić. Vepra e lartpërmendur “Pravitelstvujušči sovjet serbski za vreme Kara-Đorđijeva…”, f. 88.
Popullsia shqiptare, boshnjake dhe të gjithë pjesëtarët e popujve të tjerë ballkanikë që ishin islamizuar gjatë periudhës së sundimit osman, konsideroheshin “turq”.
[18] Вук Стефановић Караџић, Први и други српски устанак, (Vuk Stefanoviq Karaxhiq, Kryengritja e Parë dhe e Dytë Serbe), Botues: Институт за националну историју (ИНИ) (Instituti për Historinë Kombëtare), Петровац, 2022, versioni elektronik, f. 64.
https://drive.google.com/file/d/1Ku194b5D1u90kTv6lc84GP1h4xxMgd_x/view
[19] Shih: Konstantin N. Nenadović, Život i dela velikog Đorda Petrovića Karađorda, shtypshkronja “Jovan N”. Vernaja,1883, f. 166. Versioni elektronik:
https://books.google.ch/books?redir_esc=y&hl=fr&id=b2jFnQEACAAJ&q=klali#v=onepage&q=klali&f=false
[20] Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës , “Gjenocidi dhe masakrat e Serbisë në Kosovë”, Prishtinë, më 28 prill 2023, f. 7.
[21] Për këtë çështje shih: Gérald Arboit, Le premier service de renseignement serb. 1844-1914 (Shërbimi i parë sekret serb:1844-1914) f.2; https://hal.science/hal-01152732/document