Eugjenizmi dhe përmbajtja reale e “etničko čišćenje”-s serbe (31)

Eugjenizmi[1] dhe përmbajtja reale e “etničko čišćenje”-s serbe

Për të shpjeguar tipologjinë e dy qëllimeve specifike të krimeve në fjalë, dy negacionistë të tjerë, Jean-Arnauld Derens[2]-i dhe Cathrine Samary[3]-ja, mbështeten në kuptimet semantike të dy termave në gjuhën frënge: “purification ethnique”[4] dhe “nettoyage ethnique”[5]. Edhe pse këta autorë theksojnë se në shumë gjuhë të tjera ekziston vetëm një fjalë për këtë veprim dhe sjellin shembullin anglez, “ethnic cleansing” dhe atë serb dhe kroat, “etničko čišćenje”, ata insistojnë në dallimin francez të këtyre dy termave. Frën­gjishtja, sipas Derens-it dhe Samary-së, dallon këto dy fjalë në përputhje me qëllimin e aksionit të ndërmarrë. Nëse jo në mënyrë të qartë, atëherë në mënyrë të nënkuptueshme, termi ‘purification ethnique’ është i lidhur me politikën eugjeniste dhe raciale (pastrimin e racës ariane, që nuk synonte dëbimin e hebrenjve dhe romëve, por zhvendosjen në kampet e vdekjes, për t’i zhdukur nga toka ‘parazitët’). Për këtë arsye, kjo shprehje ngërthen një karakter gjenocidal, sepse zhdukja fizike e një populli përbën synimin e saj. Ndërsa, shprehja ‘nettoyage ethnique’ përdoret në rastet kur qëllimi nuk është zhdukja fizike e një populli, por dëbimi i tij me dhunë, që mund të nënkuptojë forma të ndryshme të poshtërimit, në mesin e të cilave edhe dhunimi, që konsiderohet si krim lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, si dhe vrasjet selektive me qëllim që të realizohet homogjenizimi kom­bëtar i territorit (…) Thelbi kryesor i dhunës së shkaktuar në ish-Jugosllavi nuk ishte ‘spastrimi etnik’ i një race, por kemi të bëjmë me ‘pastrimin etnik’ të territoreve. Qëllimi kryesor i dhunës nuk ishte zhdukja e një komuniteti, por dëbimi i tij”[6]. Me një fjalë, sipas Jean-Arnauld Derens-it dhe Cathrine Samary[7]-së nuk ka pasur gjenocid as në Kroaci, as në Bosnjë e as në Kosovë!

Në të njëjtën mënyrë siç shtirej se nuk ishte në dijeni të krimeve të tmerrshme që kishin kryer forcat serbe gjatë zbatimit të planit gjenocidal “Patkoi” dhe mohonte vërtetësinë e ekzistencës së këtij plani. Përkundër faktit se në mediet franceze ishin publikuar dëshmi të oficerëve serbë, Jean-Arnauld Derens lë në heshtje të plotë përmbajtjen reale të “etničko čišćenje”-s serbe dhe mohon thelbin eugjenik të tij.

Në vitin 1992, filozofi dhe etnologu serb Ivan Čolović (Çolloviq) denoncoi strategjinë e Entit Ushtarak Etnohigjienik, që i thurte lavde eugjenizmit. Në librin “Čista Srbija. Novi eugenetički praktikum” (Serbia e pastër. Praktikum i ri eugjenik), ky ent shpalosi “qëllimet dhe mjetet e luftës së zjarrtë për higjienën etnike të shtetit dhe të shoqërisë hyjnore serbe, (…)”[8]. Për të qenë sa më efikasë në realizimin e kësaj strategjie, në praktikum jepen sqarimet e mëposhtme:

“Meqenëse lufta për ruajtjen dhe forcimin e unitetit dhe pastërtisë së popullit serb zhvillohet në çdo çast dhe në çdo vend, ‘Čista Srbija’ do t’u ndihmojë luftëtarëve në front, nxënësve në bankat shkollore, fshatarëve në fusha, burrit dhe gruas në shtëpi, që më lehtë të dallojnë të veten nga e huaja, burimoren nga e prishura, të pastërtën nga e përziera, interesin e vërtetë kombëtar nga vlerat e rrejshme të së ashtuquajturës demokraci kozmopolite europiane. ‘Čista Srbija’ ju ofron të vërtetën shkencore për patejkalueshmërinë e vlerave kombëtare dhe të higjienës etnike, që praktikisht të ndiqni dhe të zbatoni të arriturat e kësaj shkence kombëtare. Libri ju jep mundësi të njiheni me njohuritë teorike të eugjenetikës dhe për mënyrën se si ta zbatoni në front dhe në prapavijë (…)

Është domosdoshmëri etnohigjienike mbajtja e gjendjes së luftës dhe ekzistimit të përhershëm të frontit të luftës. Bisedimet dhe armëpushimet janë të dëmshme për higjienën mendore të luftëtarëve. Ka rrezik ndotjeje, nëse lihen gjallë të zënët robër. Krijimi i territoreve etnikisht të pastërta nëpërmes mjeteve të luftës. Exterminatio sine qua non[9] dhe mënyrat e shfarosjes: spastrim, heqje e asaj që është e papastër ose e papërdorshme[10], klonimi, përndjekje,kthimi në të krishterë”[11].

Në tekstin në gjuhën serbe përdoret fjala “istrbljenje”, të cilën e kam përkthyer me termin “shfarosje”. Kjo fjalë ka origjinën etimologjike nga “is+trijebiti” që do të thotë: spastrim, heqje e asaj që është e papastër ose e papërdorshme. “Istrbljenje” është “sinonim i shkatërrimit, vrasjeve masive, çrrënjosjes, shfarosjes, asgjësimit, “etničko čišćenje”[12]-s etj.

Në “Čista Srbija” qytetet prezantohen si problem etnohigjienik për pastërtinë e kombit serb, ndaj të cilëve duhet të veprohet nëpërmjet “vukovarizimit[13] të tyre, pa pasur komplekse morale dhe duke përdorur si mjete: minimin, bombardimin, shkaktimin e urisë, spastrimin etnik të terrenit, shpartallimin në pjesë më të vogla, etnikisht të pastra”[14], ndërkaq Sarajeva dhe Mostari krahasohen me Sodomën dhe Gomorën biblike. Të mos harrojmë se shpërndarja e librit u bë në kohën kur zhvillohej luftë në Kroaci dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Me qëllim që lexuesi ta kuptojë përdorimin e termit “vukovarizim”, i cili i referohet qytetit kroat Vukovar, do të citojmë gazetarin britanik, Julian Borger, sepse nxjerr në pah rezultatet e “strategjisë etnohigjienike për realizimin e pastërtisë së kombit serb”:

 “Shkatërrimi i qytetit kroat të Vukovarit në vitin 1991, është qyteti i parë europjan i cili u shkatërrua që nga koha e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ky shkatërrim u bë me një barbari që na rikujton epokën e nazizmit. Më së paku 264 kroatë dhe të tjerë që nuk ishin serbë u morën në spitalin e Vukovarit dhe u dërguan në një stallë derrash që ndodhej në afërsi. Aty u torturuan përpara se të vriteshin dhe u hodhën në një varrezë masive”[15].

Siç shihet nga kjo pjesë e shkrimit të Julian Borger-it, për të shmangur “rrezikun nga ndotja, nëse lihen gjallë të zënët robër”, forcat serbe torturuan dhe ekzekutuan në stallë derrash 264 personat që zunë në spitalin e Vukovarit, shumica e të cilëve ishin pacientë nga mosha 16-vjeçare deri në moshën 77-vjeçare. Jo rastësisht gazetarit britanik, barbaria serbe i kujton epokën naziste. Ndërkaq, përmendja e Sodomës dhe Gomorës, qytete që, sipas rrëfimit biblik, Zoti i kishte shkatërruar me squfur dhe me zjarr, me të gjithë banorët dhe gjithçka mbinte mbi tokë[16], është aluzion i qartë se si duhej vepruar me Sarajevën dhe Mostarin. Vetëm negacionistët si Jean-Arnauld Derens-i, Cathrine Samary-ja, William A. Schabas-i dhe të llojit të tyre mund të mohojnë qëllimin gjenocidal të krimeve të forcave serbe.

Një vit pas denoncimit publik të kësaj strategjie nga filozofi dhe etnologu serb, Ivan Čolović-i, shtëpia botuese “Fayard” botoi në frëngjisht veprën “Le nettoyage ethnique”[17]. Në pjesën e titulluar “Serbia e Madhe e spastruar”[18], autorët përfshinë në tërësi fragmentet e cituara nga Ivan Čolović-i të librit “Čista Srbija” dhe tërhoqën vërejtjen se “ndërmjet luftës për pushtim dhe barbarisë, nga njëra anë, dhe zgjidhjes paqësore, demokratike dhe europiane, nga ana tjetër, Serbija aktualisht, nën komandën e njerëzve që ka, shkon, në mënyrë të pashmangshme, drejt fushatave të reja ushtarake (në Sanxhak, në Kosovë, në Maqedoni dhe në Vojvodinë) dhe drejt tmerreve të reja”[19].

Vepra “Le nettoyage ethnique” u bë libër reference për shumicën dërmuese të autorëve frankofonë që trajtonin këtë aspekt të luftës, e cila shoqëroi shpërbërjen e Federatës Jugosllave, ndërkaq institucionet shtetërore të Serbisë dhe negacionistët e gjenocideve që kanë kryer forcat serbe në Kroaci, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë, u munduan ta mbajnë të fshehur strategjinë për higjienën etnike serbe. Mirëpo, siç thotë një shprehje e njohur popullore, “Ata që mbarsen tinëz, kopili u del në shesh”!

Në çdo rast që u jepej mundësia nxënësve të shkollave fillore dhe atyre të mesme të Serbisë, brohoritnin njëzëri: “Ubi Hrvata, da Šiptar nema brata!” (Vraje kroatin, që shqiptari të mos ketë vëlla!), “Ubi! Ubi, Turčina![20] (Vraje! Vraje turkun!), “Ubi! Zakolji! Da Šiptar ne postoji!” (Vra! Ther! Që shqiptarët të mos ekzistojnë!). E njëjta gjë ndodhte me tifozët e ekipeve sportive: sallat dhe stadiumet buçisnin nga të njëjtat refrene. Pikërisht këto brohoritje shpërfaqin qëllimin e projektit serb të higjienës kombëtare dhe Serbisë së spastruar, duke shkatërruar kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët si të tillë.

Edhe pas një çerekshekulli nga përfundimi i luftës në Kosovë, parulla të tilla shkruhen nëpër muret e shkollave anembanë Serbisë dhe brohoriten nga tifozët serbë kudo që zhvillojnë ndeshje ekipet e tyre! Do të marr si shembull zhvillimet në Kampionatin Botëror të Futbollit, që u mbajt në Katar nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor 2022. Për shkak se në ekipin e Zvicrës luanin dy lojtarë me prejardhje shqiptare nga Kosova[21], në ndeshjen e Serbisë kundër Zvicrës, tifozët serbë brohoritën parullat nxitëse për të kryer gjenocid ndaj shqiptarëve. Për këtë veprim FIFA e ndëshkoi Serbinë me një gjobë prej 50 mijë frangash zvicerane.

Terminologjia që përdoret në planin gjenocidal për të shkatërruar shqiptarët si të tillë është tërësisht e harmonizuar. Në përputhje me fjalën “patkua”, që emërton planin që bartte me vete porosinë që shqiptarët të trajtohen si kafshë, edhe në moton “Ubi! Zakolji! Da Šiptar ne postoji!” përdoret folja “zakolji”, që emërton therjen e kafshëve duke u prerë gabzherrin.

 


[1] Eugjenizmi – pretendimi “shkencor” që nënkupton tërësinë e hulumtimeve biologjike dhe gjenetike që kanë për qëllim ta bëjnë “racën” njerëzore “më të mire”, “më të pastër”, “më të shëndetshme”, duke bartur kriteret e evolucionit dravinian dhe të seleksionimit natyror të llojeve të gjallesave, ku mbijetojnë më të fortit, në funksion të “spastrimit higjienik” të “racave” njerëzore.

[2] Historianin dhe gazetar francez, i cituar më lart.

[3] Ekonomiste dhe bashkëpunëtore e të përmuajshmes franceze Le monde diplomatique.

[4] Spastrimi etnik.

[5] Pastrimi etnik.

[6] Jean-Arnauld Derens & Cathrine Samary, Les 100 portes des Conflits Yougoslaves, Les Éditions de l’Atelier, Paris 2000, f. 238-239.

[7] Ekonomiste dhe bashkëpunëtore e së përmuajshmes franceze Le monde diplomatique.

[8] Ivan Čolović, “Čista Srbija”, 16 maj 1992.

https://pescanik.net/cista-srbija/ dhe Helsinški Odbor za Ludska Prava u Srbiji, Šta su govorili Ivan Čolović – Čista Srbija (Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi- Çka folën Ivan Çolloviqi – Serbia e pastër)

ŠTA SU GOVORILI Ivan Čolović – Čista Srbija

[9] Exterminatio sine qua non (shfarosja si kusht i domosdoshëm). Edhe në tekstin serbisht, kjo shprehje është me kursive.

[10] Në gjuhën serbe përdoret fjala “istrebljenje”, që ka origjinën etimologjike nga “is+trijebiti” që do të thotë: spastrim, heqje e asaj që është e papastër ose e papërdorshme.

[11] Ivan Čolović, “Čista Srbija”, 16 maj 1992: https://pescanik.net/cista-srbija/

[12] Fjalori elektronik, Kontekst.io, Slični izrazi i sinonimi u savremenom hrvatskom, slovenskom i srpskom

https://www.kontekst.io/srpski/istrebljenje

[13] Vukovari, qytet në Kroacinë Lindore, që u bombardua nga forcat serbe për 87 ditë rresht (25 gusht-18 nëntor 1991).

[14] Ivan Čolović, “Čista Srbija”, 16 maj 1992: https://pescanik.net/cista-srbija/

[15] The Guardian, Julian Borger, The hunt for the former Yugoslavia’s war criminals: mission accomplished, 3 gusht 2011: https://www.theguardian.com/world/2011/aug/03/former-yugoslavia-war-crimes-hunt.

[16] Në bazë të kapitullit 19 të librit biblik “Zanafilla”, kishte shpëtuar vetëm Loti, nip i Abrahamit.

[17] Mirko Grmek, Marc Gjidara et Neven Šimac, “Le nettoyage ethnique” (Documents historique sur une idéologie serbe), (Spastrimi etnik- Dokumente historike mbi një ideologji serbe), “Fayard” 1993.

[18] Po aty, f. 325-329.

[19] Po aty, f. 325.

[20] Në ligjërimet raciste serbe, myslimanët e Bosnjës konsiderohen “turq”, për shkak të islamizimit të tyre.

[21] Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.

Share this post