Shqipëria Siocialiste dhe Konventa mbi Gjenocidin (35)
Në preambulën e Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit vihet theksi në domosdoshmërinë e dënimit të këtij krimi “nga bota e civilizuar, sepse gjatë të gjitha periudhave të historisë i ka shkaktuar humbje të mëdha njerëzimit”. Siç do të shohim në fund të këtij studimi, armenët dhe Namibia e shfrytëzuan këtë instrument të së drejtës ndërkombëtare për të bërë të njohur në përmasa botërore krimin e gjenocidit që ishte zbatuar ndaj tyre. Mirëpo në mungesë të një shteti shqiptar, që do të artikulonte interesat tanë kombëtarë dhe do ta denonconte këtë gjenocid, çështja e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit mbeti në kuadër të peticioneve, memorandumeve dhe letrave të ndryshme të organizatave joqeveritare.
Duke pasur parasysh vështirësitë që e karakterizuan procesin e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, mund të kuptojmë që margjina e veprimit diplomatik të Shqipërisë, e tillë si u dizajnua në Konferencën e Ambasadorëve në Londër[1], ishte tepër e kufizuar. Mirëpo është e pakuptueshme heshtja e shtetit shqiptar, sidomos pas miratimit të konventës së lartpërmendur.
Republika Popullore e Shqipërisë aderoi në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit më 12 maj 1955. Sipas nenin VIII të konventës, “çdo nënshkrues i kësaj konvente mund të kërkojë nga organet kompetente të Kombeve të Bashkuara që, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të marrin masat që i sheh të përshtatshme për të parandaluar dhe dënuar veprat e gjenocidit ose të cilësdo vepër nga veprat e numëruara në nenin III”. Mirëpo, në vend që të shfrytëzohej kjo e drejtë dhe të ndërmerreshin nisma për të sensibilizuar institucionet ndërkombëtare dhe opinionin publik ndërkombëtar për gjenocidet e vazhdueshme që kishin kryer serbët, malazezët dhe grekët ndaj shqiptarëve, shteti shqiptar përvetësoi në tërësi rezervat[2] që kishte vënë BRSS-ja ndaj nenit IX dhe XII të konventës. Sa i përket nenit IX, që përcaktonte Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë si institucion, të cilit duhej t’i nënshtroheshin palët që kishin dallime rreth interpretimit të krimeve të kësaj natyre dhe çështjeve që kishin të bënin me përgjegjësinë e shtetit për gjenocidin ose cilëndo vepër nga veprat e numëruara në nenin III të konventës, Shqipëria nuk pajtohej me kompetencat e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe kërkoi që të sigurohet një marrëveshje paraprake e të gjitha palëve që kishin dallime në interpretime të krimeve, përpara se një rast i caktuar të shtrohet në gjykatë! Ndërkaq, për nenin XII, shteti shqiptar kërkoi që të gjitha klauzolat e konventës të zbatoheshin për “territoret joautonome dhe ato që ishin nën tutelë të OKB”[3].
Nëse rreshtimi i Shqipërisë Socialiste përkrah shteteve që kërkonin zbatimin e të gjitha klauzolave të konventës edhe për “territoret joautonome dhe ato që ishin nën tutelë” mund të kuptohet për shkak orientimit të saj ideologjik, kërkesa që të pajtohet paraprakisht shteti që ka kryer krimin e gjenocidit për ta trajtuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është absurd i llojit të vet! Së paku të rrallë janë ata që mund të besojnë se Serbia, Mali i Zi dhe Greqia do të pajtoheshin që të shtrohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë çështja e krimeve të gjenocidit, që shtetet e tyre kanë kryer në periudha të ndryshme historike kundër shqiptarëve.
Shqipëria Socialiste jo vetëm që nuk ndërmori asnjë hap konkret në rrafshin diplomatik ndërkombëtar, që të sensibilizojë institucionet politike ndërkombëtare dhe opinionin publik, por as në rrafshin e brendshëm nuk u bë asgjë: institucionet shtetërore nuk miratuan asnjë rezolutë apo vendim që dënonte gjenocidin ndaj shqiptarëve. Madje edhe më keq se kaq: një qëndrim i tillë mospërfillës ndaj gjenocidit që kishte përjetuar populli shqiptar nga shtetet fqinje u manifestua edhe në interpretimin zyrtar të historisë. Kështu, në 550 faqe të vëllimit të dytë të librit “Historia e Shqipërisë”, të botuar në vitin 1984 nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, nuk ka asnjë fjali të vetme për njërën nga tragjeditë më të mëdha kombëtare shqiptare: gjenocidin ndaj shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit gjatë periudhës 1877-1878!
Në të vërtetë, vetëm në një paragraf, ku flitet për ndikimin që pati në Ballkanin Perëndimor lufta ndërmjet Perandorisë Ruse dhe asaj Osmane, përmenden përciptazi edhe disa qytete të Sanxhakut të Nishit. Në këtë rast, akademikët që përgatitën për botim vëllimin e dytë të “Historisë së Shqipërisë” shkruajnë: “Nga paniku që pushtoi Perandorinë Osmane, përfituan ushtritë serbe, të cilat marshuan pa vështirësi drejt vilajetit të Kosovës dhe, pasi morën Pirotin, Nishin, Kurshumlinë dhe Vranjën, në fund të janarit arritën në Gjilan. Po ashtu ushtritë malazeze pushtuan më 10 janar Tivarin, më 19 janar Ulqinin dhe një javë më vonë dolën në brigjet e liqenit të Shkodrës dhe të lumit të Bunës”[4].
Një përshkrim i këtillë do t’u shkonte më mirë reportazheve të ekskursioneve turistike të atyre që vizitojnë Pirotin, Nishin, Kurshumlinë, Vranjën, Gjilanin, pastaj vazhdojnë, pa vështirësi, drejt brigjeve të detit Adriatik, për të bërë plazh në Tivar dhe Ulqin, dhe në fund dalin në brigjet e liqenit të Shkodrës dhe të lumit të Bunës, për të ngrënë tavë tradicionale shkodrane krapi ose ngjala. Por është joprofesionale kur një gjë e tillë shkruhet nga shkencëtarë, që kanë për obligim të hedhin dritë për periudhën që trajtojnë.
Nëse akademikët Aleks Buda, Kristaq Prifti dhe Kristo Frashëri, si bashkautorë të vëllimit II të librit “Historia e Shqipërisë”, nuk kanë qenë në dijeni për përmbajtjen e veprës “Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912…”[5], një gjë e tillë nuk mund të thuhet për redaktorin përgjegjës të vëllimit në fjalë, Stefanaq Pollon, sepse ky historian përgatiti edhe “Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912…”. Akademikët shqiptarë kanë pasur qasje në arkivat shtetërorë, ku letra, peticione, memorandume dhe dokumente të shumta dëshmojnë se ushtritë serbe dhe malaziase kanë qenë të angazhuara në ekspedita luftarake kundër popullsisë së paarmatosur shqiptare dhe kanë marshuar mbi kufoma shqiptare dhe gërmadha të vendbanimeve të djegura prej tyre. Kjo jo vetëm që nuk është shkencore, por është shtrembërim i të vërtetave historike dhe lihen qëllimisht në heshtje faktet, se “në vendet ku kanë vënë këmbët këta sundues, këta mizorë kanë vrarë egërsisht pleq, gra dhe fëmijë; kanë rrjepur njerëz para syve të popullsisë; kanë shtyrë prindërit të shohin çnderimin e familjeve të tyre; kanë çnderuan gra para syve të burrave dhe vëllezërve të tyre, kanë djegur shtëpitë dhe pronat e shqiptarëve, kanë plaçkitur çdo gjë që mund të grabitej...”[6]. Nuk ka asnjë arsye tjetër, pos atyre politike, që mund të shpjegojnë përse nuk u përfshirë në historinë zyrtare të Shqipërisë, faktet e shumta që dëshmojë për krimin e gjenocidit që kanë kryer forcat serbe ndaj shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit.
Në arkivat e Shqipërisë ka qenë edhe libri i diplomatit francez Justin Godart, “Shqipëria në vitin 1921”. Nuk e përjashtoj hipotezën që akademikët e lartpërmendur të kenë pasur njohuri për dëshmitë e këtij diplomati. Sidoqoftë, kushdo që e ka lexuar, së paku parathënien e këtij libri, do të kishte mësuar se D’Estournelles de Constant “kishte konstatuar vetëm gërmadha në Tivarin e gjorë, të bombarduar, të shkatërruar nga artileria që e kishte bërë rrafsh me tokën”[7].
Mospërfshirja e këtij gjenocidi në interpretimin zyrtar të historisë së Shqipërisë ka pasur për efekt negativ, që gjenocidi ndaj shqiptarëve të Saxhakut të Nishit të mbetet i panjohur për shqiptarët e “Shqipërisë londineze”. Fatkeqësisht, interpretime të tilla nuk mbeten pa ndikim edhe tek autorë të Kosovës. Kështu, për shembull, Jusuf Buxhovi, pa cituar fare burimin e të dhënave, në veprën “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878, protokollet dhe vendimet”, shkruan: “Meqë në fillim të janarit të vitit 1878 në fushëbeteja gjendja u përmbys në mënyrë drastike në dëm të Osmanëve dhe në dobi të Rusëve, gjë që e gjitha përfundoi me disfatën e Osmanëve dhe kur këtë kolabim ushtarak të forcave osmane që filluan të ikin në të gjitha drejtimet do ta shfrytëzojë ushtria serbe për të marshuar drejt Vilajetit të Kosovës me ç’rast morën Pirotin, Nishin, Kurshumlinë, Prokupën dhe Vranjën dhe në fillim të janarit arritën në Gjilan, ndërkohë që ushtritë malazeze pushtuan në janar Tivarin dhe pas pak edhe Ulqinin dhe dolën edhe në brigjet e Liqenit të Shkodrës e të lumit Buna…”[8]. Asnjë fjalë për pasojat!
Siç shihet, kemi të bëjmë me një përsëritje pothuajse të fjalëpërfjalshme të të njëjtit konstatim, me të vetmin ndryshim, që në tekstin e Jusuf Buxhovin ishin hequr datat kur kishin mbërritur forcat serbe në Tivar, Ulqin dhe Gjilan.
Për temën tonë është e parëndësishme të dimë nëse forcat serbe kishin mbërritur në Gjilan “në fillim” apo “në fund të janarit” dhe për datat e pushtimit të Tivarit, Ulqinit dhe vendbanimeve të tjera shqiptare. Saktësimi i këtyre datave u takon historianëve. Ajo që është thelbësore për hulumtimin tonë dhe që nuk përmendet fare, lidhet me pasojat e këtij pushtimi.
Për çështjen e Tivarit cituam dëshminë e D’Estournelles de Constant, ndërkaq, sa i përket pushtimit të Ulqinit po përmend shkrimin e gazetës gjermane “Hamburgische Correspondent”.
Në numrin e 12 tetorit të vitit 1880 kjo gazetë shkruan:“Evropa u ka shpallur luftë shqiptarëve! Një popull i vogël i Ballkanit tash e dy vjet nuk po dorëzohet dhe po kërkon me këmbëngulje t’i mbrojë të drejtat e veta! Së voni, për t´i nënshtruar ata, pasi një gjë e tillë nuk u shkoi ndoresh as turqve e as Malazezve, u desh të bashkohej flota e fuqive të mëdha, që në rast nevoje t´u sulet, po qe se ushtria turke nuk ia del t´i shtrojë dhe Ulqinin t´ua dorëzojë Malazezve. …Pas një lufte heroike me një armatë të tërë, shqiptarët u mundën, por u mundën ngase nuk patën rrugëdalje tjetër përballë rrezikut të shfarosjes së përgjithshme të tyre, që i kërcënonte, në mos nga gjenerali turk, atëherë nga flota evropiane po se po”[9].
Falë hulumtimeve të vazhdueshme të historianëve nga Kosova, si Daut Dauti[10], Hakif Bajrami[11], Jusuf Osmani[12], Reshat Avdiu[13], Sabit Uka[14], Skender Rizaj[15] dhe historianëve të tjerë që janë marrë me këtë çështje, është arritur të sistemohet një numër i konsiderueshëm faktesh, që dëshmojnë për krimin e gjenocidit në Sanxhakun e Nishit. Mbetet që tërësia e këtyre fakteve të ndriçohet edhe nga këndvështrimi juridik, në përputhje me nocionet dhe aktet normative të së drejtës penale ndërkombëtare dhe, të përkthyera në gjuhë të huaj, t’u ofrohen studiuesve që janë të interesuar të kuptojnë të vërtetën për këtë tragjedi njerëzore.
[1] Konferenca e Ambasadorëve në Londër, njohur edhe si “Konferenca e Paqes në Londër”, u mbajt nga muaji shtator i vitit 1912, deri më 30 maj të vitit 1913. Në këtë konferencë gjashtë Fuqitë e Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia) vendosën për fatin e territoreve të Ballkanit Jugor në perëndim të vijës midis Enosit në Detin Egje dhe Midias në Detin e Zi. Për Shqipërinë u vendos më 29 korrik 1913, kur u njoh Principata e Shqipërisë, që linte jashtë kufijve të shtetit shqiptar territoret e Vilajetit të Kosovës dhe Çamërisë.
[2] Për tekstin e plotë të rezervave të Shqipërisë kur miratoi Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit shih në: Recueil des Traités des Nations Unies, vol. 210, f. 332-333: https://treaties.un.org/doc/publication/UNTS/Volume%20210/v210.pdf
Kur më 19 korrik 1999 qeveria shqiptare tërhoqi rezervat që kishte shfaqur gjatë aderimit në këtë konventë.
[3] Kapitulli XI (Deklarata lidhur me territoret joautonome) dhe kapitulli XII (Regjimi ndërkombëtar i tutelës) i Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara përkufizojnë vendet që do të konsiderohen si joautonome dhe që do të viheshin nën tutelë derisa të arrijnë pavarësinë e tyre. Këta dy kapituj përbëjnë bazën legale të procesit historik, që njihet si “Lufta për shkolonizim”.
[4] Akademia e Shkencave e RPS-së të Shqipërisë, Historia e Shqipërisë, Vëllimi II, (Vitet ‘30 të shek. XIX-1912), Stefanaq Pollo (redaktor përgjegjës), Aleks Buda, Kristaq Prifti, Kristo Frashëri, Tiranë 1984, f. 195.
[5] Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, (memorandume, vendime, protesta, thirrje), përgatitur nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha, Tiranë, 1978.
[6] Letra që i dërguan Kongresit të Berlinit 6200 shqiptarë të Pirotit, Nishit, Kurshumlisë, Vranjës dhe vendbanimeve të tjera të Sanxhakut të Nishit. Akademia e Shkencave të Shqipërisë, vepra e cituar, Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, f. 52.
[7] Po aty, f. 9.
[8] Jusuf Buxhovi, Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878, Protokollet dhe vendimet, (botim i plotësuar), f. 31. Versioni elektronik në internet: https://pdf.arkiva.me/Kongresi-i-Berlinit/2008-PDF-kongresi-i-berlinit-dhe-lidhja-shqiptare-1878.pdf
[9] Po aty, f. 83.
[10]Daut Dauti, Çështja shqiptare në diplomacinë britanike 1877-1880, LOGOS-A, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2012.
[11] Hakif Bajrami, Politika e shfarosjes së shqiptarëve dhe kolonizimi serb i Kosovës 1844-1995, Prishtinë 1995.
Hakif Bajrami, Shqiptarët dhe Kosova në rrjedha tragjike të historisë (1878-1999), Prishtinë, 2019.
[12] Jusuf Osmani, Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit i Muhaxhirët, Libri 1-7 (7 vëllime), Botues: Qendra Dokumentare Shkencore Prishtinë, 2021.
[13] Reshat Avdiu, Dhunë dhe terror ndaj shqiptarëve të Masuricës dhe Vranjës 1878-1999), Preshevë 2006,
Reshat Avdiu, Shqipëria e vjetër Verilindore e Nishit dhe Toplicës (1878-1913), Preshevë 2011.
Reshat Avdiu, Kusaritë ballkanike ndaj tokave shqiptare, Preshevë 2019.
[14] Sabit Uka, Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877-1878, libri 1, Prishtinë 1994.
Sabit Uka, Vendosja dhe pozita e shqiptarëve në Kosovë 1878-1912, libri 2, pjesa e parë, Prishtinë 1994.
Sabit Uka, Kryengritjet shqiptare në Sanxhakun e Nishit (1823-1844), IHK “Kosova”, nr. 17/1988.
[15] Skender Rizaj, Dhjetë dokumente të papublikuara angleze mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Gjurmime albanologjike – Seria e shkencave historike VIII-1978, Prishtinë 1979.
Skender Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet angleze, Arkivi i Kosovës, Prishtinë 1978.