“Luftë” apo “konflikt i armatosur” (28)
Në qindra artikuj dhe reagime të politikanëve, juristëve, ushtarakëve, historianëve dhe personaliteteve të fushave të ndryshme shqiptare theksohet se në “Kosovë ka pasur luftë e jo konflikt”. Përmasat e këtij qëndrimi na detyrojmë të sqarojmë këtë çështje.
Që në fillim po theksojmë se, përkundër qëndrimit të Arsim Bajramit, që “lufta e Kosovës ishte luftë ndërshtetërore, jo konflikt i brendshëm”[1] dhe se çështja e përkufizimit “luftë” apo “konflikt i armatosur” “nuk duhet të shikohet në pikëpamje dogmatike, vetëm nga ana juridike”[2], klasifikimi i përleshjeve të armatosura është çështje ekskluzivisht juridike, në kuadër të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Në Konventën e Gjenevës të 22 gushtit të vitit 1864[3] për përmirësimin e gjendjes së ushtarëve të plagosur, që është konventa e parë ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e kategorive të caktuara gjatë luftës (Jus in bello), pa marrë parasysh se cilës palë ndërluftuese i takojnë, çështja e përleshjeve të armatosura trajtohej tepër ngushtë: si “luftë” cilësoheshin vetëm rastet kur palë ndërluftuese ishin forcat qeveritare.
Mungesat e mëdha që ngërthente kjo konventë dolën në pah gjatë dy luftërave botërore. Për të plotësuar këto zbrazëtira në të drejtën ndërkombëtare humanitare, më 12 gusht 1949, në Gjenevë u miratuan katër konventa ndërkombëtare, që aktualisht përbëjnë bazën e së drejtës ndërkombëtare humanitare:
- Konventa e Parë e Gjenevës mbron ushtarët e plagosur ose të sëmurë në tokë gjatë kohës së luftës;
- Konventa e Dytë e Gjenevës mbron ushtarët e plagosur ose të sëmurë në det gjatë kohës së luftës;
- Konventa e Tretë e Gjenevës ka të bëjë me të burgosurit e luftës;
- Konventa e Katër e Gjenevës ka të bëjë me mbrojtjen e personave civilë, gjatë kohës së luftës.
Në funksion të shmangies së paqartësive, në katër konventat e lartpërmendura, neni 2, që ka të bëjë me zbatimin e konventës gjatë një lufte të shpallur apo çfarëdo konflikti të armatosur që shpërthen ndërmjet dy shteteve nënshkruese të konventës (konfliktet e armatosura ndërkombëtare), dhe neni 3, që ka të bëjë me dispozitat që duhet të zbatojnë të gjitha palët në një konflikt të armatosur jondërkombëtar, janë njëjtë.
Ndërsa koncepti i vjetër i “luftës” kufizonte përleshjet e armatosura vetëm në përkufizimet që u jepnin qeveritarët përleshjeve të armatosura ndërshtetërore dhe mohonin si të tilla konfrontimet e armatosura të popujve që synonin të dilnin nga zgjedha e pushtimit, konventat e vitit 1949 futën në rrafshin juridik nocionin “konflikt i armatosur” dhe përcaktuan kritere të tjera vlerësimi për kualifikimin e një situatë të caktuar, pavarësisht nëse qeveritarët e njihnin si të tillë apo jo.
Për të saktësuar edhe më shumë këtë çështje në përputhje me realitetin e krijuar të luftës antikoloniale dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje, më 8 qershor 1977 u miratuan dy Protokolle Shtesë të Konventave të Gjenevës.
Në paragrafin 4 të Protokollit të Parë Shtesë, konventës i shtohen edhe “konfliktet e armatosura, në të cilat popujt e shtypur luftojnë kundër sundimit kolonial dhe pushtimit të huaj dhe kundër regjimeve raciste për të ushtruar të drejtën e popujve për vetëvendosje, të përfshirë në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Deklaratën që ka të bëjë me parimet e së drejtës ndërkombëtare për raportet miqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara”[4].
Sipas normave të reja juridike të së drejtës ndërkombëtare humanitare, të saktësuara pas Luftës së Dytë Botërore, kemi konflikt të armatosur ndërkombëtar në rastet kur përdorimi i forcës së armatosur bëhet ndërmjet dy apo më shumë shteteve që janë nënshkruese të konventës. Ndërkaq, konflikt i armatosur jondërkombëtar cilësohet çdo rast, kur përleshjet e armatosura ballafaqojnë forcat e armatosura qeveritare me një apo më shumë grupe të armatosura, ose konfrontimet ndërmjet grupeve të tilla dhe që zhvillohen në territorin e një shteti që është pjesë e konventës[5]. Mirëpo praktika ka dëshmuar, se një konflikt i armatosur jondërkombëtar mund të jetë njëkohësisht edhe konflikt i armatosur ndërkombëtar, nëse forcat e një shteti tjetër ndërhyjnë në territorin e shtetit ku zhvillohet konflikt i brendshëm, ose kur forca të caktuara, të përfshira në kuadër të një konflikti të armatosur brenda një shteti, veprojnë në emër të një shteti tjetër.
Përveç klasifikimit të konflikteve të armatosura në konflikte të armatosura ndërkombëtare dhe në konflikte të armatosura jondërkombëtare, e drejta ndërkombëtare humanitare përcakton një numër kriteresh, të cilat mundësojnë klasifikimin e konflikteve të caktuara dhe t’i dallojë ato nga dhuna e izoluar, aktet e bandave dhe të organizatave terroriste, tensionet e brendshme, trazirat e paorganizuara që shprehin pakënaqësinë kundër qeverisjes së një vendi ose përleshje sporadike. Shkalla e organizimit të palëve pjesëmarrëse në konflikt, armatimi që përdoret, koha sa zgjatnin përleshjet, kontrolli i territoreve të caktuara nga forcat kundërshtare të pushteti shtetëror, efektet e përleshjeve te popullsia civile janë vetëm disa kritere, që mundësojnë të klasifikohet një konflikt i armatosur.
Këto saktësime janë të domosdoshme për të kuptuar shterpësinë e pseudoproblemit (“luftë” apo “konflikt i armatosur”), që e hasim vetëm tek intelektualët shqiptarë, sepse futja e nocionit “konflikt i armatosur” në kuadër të së drejtës ndërkombëtare humanitare jo vetëm që nuk përjashtoi “luftën”, por hapi mundësi që, në kuadër të së drejtës ndërkombëtare të përfshihen edhe format e tjera të luftërave, që nuk njiheshin si të tilla nga autoritetet qeverisëse të shteteve që dominonin skenën politike ndërkombëtare. Njëherësh, qartësimi i kritereve të lartpërmendura na mundëson të kuptojmë instrumentet juridike, me ndihmën e së cilave klasifikohen situatat kur kemi konfrontime të armatosura dhe mbi cilën bazë mbështeten institucionet ndërkombëtare për të vlerësuar një situatë të caktuar.
Le të shohim se si u veprua në rastin e Jugosllavisë.
Shpërbërja e Federatës së Jugosllavisë u karakterizua nga një numër vendimesh, nëpërmjet së cilave njësitë që përbënin këtë shtet shprehën vullnetin e tyre politik. Në këtë kontekst historik, Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet Deklaratës Kushtetuese të datës 2 korrik 1990, shpalli Kosovën njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të kësaj federate. Në përputhje të plotë me këtë deklaratë, më 7 shtator 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës miratuan tekstin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si aktin më të lartë juridik të vendit. Mirëpo dinamika e zhvillimeve politike në Jugosllavi krijoi një raport të ri forcash ndërmjet prirjes së Serbisë për ta mbajtur federatën të centralizuar dhe nën hegjemoninë e saj dhe forcave që synonin decentralizimin dhe demokratizimin e raporteve politike dhe shoqërore.
Në pamundësi që ta detyronin Serbinë të hiqte dorë nga ambiciet e veta hegjemoniste, pesë nga tetë njësitë federative që përbënin këtë shtet vendosën të braktisin Jugosllavinë. Hapin e parë e bëri Republika e Sllovenisë, e cila më 23 dhjetor të vitit 1990 mbajti referendum për të ardhmen e saj. 87% të pjesëmarrësve votuan për pavarësinë e Sllovenisë dhe, në përputhje me vullnetin e shprehur në këtë referendum, më 25 qershor të vitit 1991 Sllovenia shpalli pavarësinë e saj. Kroacia është republika e dytë, e cila organizoi referendum për shkëputje nga Federata e Jugosllavisë. Në referendumin e datës 19 maj 1991, 94% votuan për pavarësinë e vendit dhe ky vullnet i qytetarëve u jetësua më 25 qershor 1991, kur deputetët e Kuvendit të Kroacisë e shpallën Kroacinë shtet të pavarur.
Në vijim të dinamikës së shpërbërjes së Federatës së Jugosllavisë, më 8 shtator 1991 Maqedonia organizoi referendumin, të cilin shqiptarët e bojkotuan. Pro pavarësisë së vendit u deklaruan 96,46% të votuesve që morën pjesë në referendum dhe kjo datë konsiderohet si data e pavarësisë së shtetit të Maqedonisë.
Në rrethana tejet të vështira që mbretëronin në Kosovë, për shkak të dhunës shtetërore të Serbisë, më 30 shtator të vitit 1991 u shpall rezultati i referendumit treditor, ku kishin marrë pjesë 87,19% nga numri i përgjithshëm i qytetarëve që kishin të drejtë vote: 99,87% e qytetarëve që votuan, u deklaruan për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Në fund të këtij procesi, më 15 tetor 1991, Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë e vet.
Republika e Serbisë nuk u ndal vetëm në kundërshtimin e pavarësimit të Kosovës dhe të republikave të lartpërmendura. Ajo shfrytëzoi të gjithë mekanizmat për të futur në duart e saj armatimin e Armatës Jugosllave dhe armatosjen e serbëve lokalë anekënd Jugosllavisë.
Përballë kontekstit historik të shpartallimit të federatave socialiste (BRSS-së, RSFJ-së, Çekosllovakisë), çështja e Federatës së Jugosllavisë doli si përparësi e Komunitetit Europian. Më 27 gusht 1991, Këshilli i Ministrave i Komunitetit Europian krijoi Komisionin e Arbitrazhit, që kishte për qëllim propozimin e zgjidhjeve politike për t’i dhënë fund rrezikut që i kanosej kësaj pjese të Europës. Fatkeqësisht, Komisioni i Arbitrazhit nuk mori parasysh vullnetin e popullit të Kosovës të shprehur me referendum. Për pasojë, çështja e Kosovës mbeti si çështje që lidhej me respektimin e të drejtave të njeriut brenda Republikës Federative të Jugosllavisë (Serbi dhe Mal i Zi).
Qëndrimet e Komisionit të Arbitrazhit patën një ndikim të rëndësishëm në rekomandimet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që të pranonte pavarësitë e republikave të ish-Federatës së Jugosllavisë si shtete anëtare të OKB-së. Më 22 maj 1992, Asambleja e Përgjithshme pranoi si anëtare të OKB-së Bosnjën dhe Hercegovinën[6], Kroacinë[7] dhe Slloveninë[8], ndërkaq Maqedonia u pranua më 8 prill 1993, me emrin Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë[9].
Shpërthimi i luftës së armatosur dhe përmasat e krimeve në Kroaci dhe në Bosnjë-Hercegovinë imponuan krijimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, që do të shqyrtonte shkeljet e së drejtës ndërkombëtare humanitare gjatë konflikteve të armatosura në këto vende. Në përputhje me normat juridike të së drejtës ndërkombëtare humanitare, në të gjitha rezolutat e Kombeve të Bashkuara dhe dokumentet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë përdoret nocioni “konflikt i armatosur” për të karakterizuar luftërat në këto shtete.
Nga momenti kur në hapësirën tonë mediale u shfaq pseudoproblemi nëse në Kosovë ka pasur “luftë” apo “konflikt të armatosur”, është dashur të ndërhyjnë juristët dhe të sqarojnë rëndësinë e madhe që ka pasur cilësimi i luftës së Kosovës si konflikt i armatosur. Në vend që të hedhë dritë rreth kësaj çështjeje, juristi Arsim Bajrami u ofron lexuesve të librit të tij qëndrime që janë në kundërshtim të plotë me përkufizimin e “luftës” dhe të “konflikteve të armatosura” në të drejtën ndërkombëtare humanitare. Sipas Arsim Bajramit, është “fatkeqësi” që “edhe në dokumente të ndryshme të OKB-së, e sidomos me Rezolutën 1244, në shumë rregullore të UNMIK-ut, edhe në pjesë të legjislacionit, ende lufta e Kosovës trajtohet si një konflikt i armatosur dhe mendoj se ky është një gabim dhe padrejtësi që i bëhet popullit, shtetit dhe historisë së Kosovës, me qëllim të shtrembërimit të së vërtetës se në Kosovë ka ndodhur një luftë me të gjitha kriteret ushtarake ndërkombëtare”[10].
Është e kuptueshme kur një ushtarak si Dilaver Goxhaj mbështetet në doracakë ushtarakë për të trajtuar dallimin ndërmjet “luftës” dhe “konfliktit të armatosur” dhe, në mungesë të njohurive në rrafshin juridik, deklaron se “për sa i përket konfliktit të armatosur, për fat të keq, traktatet juridike ndërkombëtare nuk përmbajnë ndonjë përkufizim të veçantë për këtë term”[11]. Mirëpo është tepër e dëmshme për mendimin tonë shkencor, kur një jurist, që është me ndikim në formimin e juristëve të rinj të Kosovës, jo vetëm që nuk sqaron ushtarakët se këto çështje janë të përkufizuara në Konventat e Gjenevës dhe në Protokollet Shtesë të saj dhe se klasifikimi i përleshjeve të armatosura është çështje ekskluzivisht juridike, në kuadër të së drejtës ndërkombëtare humanitare, por edhe vetë mbështetet në “kritere ushtarake ndërkombëtare” për të cilësuar konfrontimet e armatosura! Për më tepër, ai pretendon se çështja e përkufizimit “luftë” apo “konflikt i armatosur” “nuk duhet të shikohet në pikëpamje dogmatike, vetëm nga ana juridike”[12]!
Në vijim të mendimit të tij rreth kësaj çështjeje, Arsim Bajrami pohon se “UÇK-ja ka pasur kryesisht karakter mbrojtës dhe është zhvilluar brenda territorit të njohur ndërkombëtarisht të Kosovës”. Ky qëndrim shpërfaq mungesë serioziteti dhe profesionalizmi nga ana e një juristi, sepse të gjithë ata që kanë ndjekur zhvillimet e asaj kohe, e dinë fare mirë se, fatkeqësisht, “territori i Kosovës” nuk njihej ndërkombëtarisht si territor i Kosovës, por si pjesë e “integritetit territorial të Republikës Federative të Jugosllavisë (Serbi dhe Mali i Zi)”. Madje edhe gjatë Konferencës Ndërkombëtare në Rambuje, kur bëheshin përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, çështja e ruajtjes së “integritetit territorial të Jugosllavisë” u shtrua si një nga dhjetë parimet e panegociueshme (parimi nr. 5), ndërkaq pas përfundimit të luftës, në pjesën hyrëse të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në aneksin I, paragrafi 6 dhe në aneksin II, paragrafi 8, u përsërit “përkushtimi për të ruajtur integritetin territorial të Republikës Federative të Jugosllavisë” deri në momentin e përcaktimit të statutit final të Kosovës (që del nga paragrafi 11 i rezolutës, ku saktësohen përgjegjësitë e pranisë ndërkombëtare civile në Kosovë).
Përpara se të shpërthenin konfrontimet e armatosura ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave të armatosura ushtarake dhe policore serbe, dhuna dhe diskriminimi që ushtronte Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës trajtohej vetëm në kuadër të organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Mirëpo lufta krijoi një kontekst të ri.
Pas krimeve që kryen forcat serbe ndaj shqiptarëve gjatë muajit mars 1998, më 31 mars, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 1160[13]. Në paragrafin tre të kësaj rezolute, Këshilli i Sigurimit “dënoi përdorimin e tepërt të forcës nga ana e forcave të armatosura të policisë serbe kundër civilëve dhe manifestuesve paqësorë në Kosovë, si dhe të gjitha aktet terroriste të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ose nga çfarëdolloj grupi apo individi tjetër. Në të njëjtën kohë dënohej çfarëdolloj mbështetjeje e jashtme për aktivitete terroriste në Kosovë, sidomos në formë të burimeve financiare, të armëve apo trajnimeve”[14].
Duke trajtuar krimet e forcave të armatosura serbe si “përdorim i tepërt i forcës”, ndërsa aksionet e UÇK-së si “akte terroriste”, kjo rezolutë përjashtoi ta konsideronte luftën në Kosovë si “konflikt të armatosur”[15]. Megjithëse Rezoluta 1160 nuk e trajtoi luftën në Kosovë në të njëjtën mënyrë siç i trajtoi luftërat në Slloveni, në Kroaci dhe në Bosnjë-Hercegovinë, në pikën 17 të kësaj rezolute, Këshilli i Sigurimit e angazhoi Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë që “të fillonte grumbullimin e informatave lidhur me aktet e dhunës në Kosovë”.
Gjatë verës së vitit 1998 forcat serbe ndërmorën një ofensivë të përmasave të gjera, gjatë së cilës u vranë mbi 2000 civilë shqiptarë, u rrënuan mijëra shtëpi dhe objekte që ishin pronë e shqiptarëve dhe qindra mijëra të tjerë u detyruan të braktisnin vatrat e tyre. Kjo situatë e detyroi Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që më 23 shtator 1998 të miratonte një rezolutë të re[16].
Në Rezolutën 1199, Këshilli i Sigurimit i OKB-së shprehte brengosjen për “përdorimin e dhunës së tepërt dhe pa dallim caku nga forcat serbe të sigurisë policore dhe atyre ushtarake jugosllave, të cilat kanë shkaktuar vrasjen e shumë viktimave civile dhe, sipas vlerësimeve të Sekretarit të Përgjithshëm, zhvendosjen e më shumë se 230 mijë personave (…), 50 mijë prej të cilëve kishin mbetur pa strehë mbi kokë”[17]. Ky realitet bëri që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të vinte në përfundimin, se kishte një rrezik të madh, “që së shpejti të ndodhte një katastrofë humanitare në Kosovë”[18].
Ajo që është më e rëndësishmja për çështjen që po trajtojmë, ka të bëjë me ndryshimin e qëndrimit të Këshillit të Sigurimit ndaj luftës në Kosovë. Në paragrafin 5 të kësaj rezolute theksohet se KS i OKB-së ishte në dijeni për faktin, se më datë 7 korrik 1998, Prokurorja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Louise Arbour (Luiz Arbur), i kishte dërguar letër Grupit të Kontaktit[19], në të cilën vlerësohej se “situata në Kosovë përbënte një konflikt të armatosur, në kuptimin e termave të mandatit të kësaj gjykate”. Në këtë frymë, Këshilli i Sigurimit erdhi në përfundim, se “përkeqësimi i situatës në Kosovë përbënte rrezik për paqen dhe sigurinë e rajonit” dhe, rrjedhimisht, kjo çështje duhej të trajtohej në kuadër të Kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Me kualifikimin e ballafaqimit të forcave të armatosura të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe atyre të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si konflikt i armatosur, u hoq cilësimi i aksioneve të UÇK-së si “aktet terroriste”. Ky aspekt paraqet një hap të madh në drejtim të trajtimit të çështjes së Kosovës në të njëjtin nivel siç ishin trajtuar çështjet e tjera në procesin e shpërbërjes së Federatës së Jugosllavisë. Pikërisht për shkak të konkluzioneve të prokurores së atëhershme të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Louise Arbour, për ta cilësuar situatën në Kosovë si “konflikt i armatosur”, regjimi i Sllobodan Millosheviqit shprehu revoltën e vet dhe këmbëngulte në qarqet diplomatike, se “aksionet e saj ishin operacione policore kundër terroristëve shqiptarë”. Revolta e Serbisë u shfaq edhe më fuqishëm, kur prokurorja Louis Arbour deshi të hynte në Kosovë për të hulumtuar krimin gjenocidal në Reçak, që forcat serbe kishin kryer më 15 janar 1999: shteti serb nuk ia lejoi hyrjen në Jugosllavi, me arsyetim se “mandati i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë kishte të bënte me konfliktet e armatosura, e jo me operacionet policore kundër terroristëve”[20].
Në vend që t’u shpjegojë lexuesve vlerën juridike që ka shprehja “konflikt i armatosur”, Arsim Bajrami mbështetet në “kritere ushtarake ndërkombëtare” (!), të cilat nuk i citon fare, për të shpjeguar arsyet përse “lufta e Kosovës trajtohet padrejtësisht si konflikt i armatosur”. Fillimisht hedh poshtë si “të pabaza qasjet që tentojnë që luftën e Kosovës ta konsiderojnë si një konflikt i brendshëm. Fatkeqësisht këto qasje vijnë jo vetëm nga Serbia, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila edhe në aspektin legal, në shumë dokumente dhe akte ligjore e trajton luftën e Kosovës si një konflikt i brendshëm i shqiptarëve me Serbinë. Kjo qasje nuk e pranon Kosovën si palë ndërluftuese, por bazohet në teorinë, se UÇK-ja si një formacion gueril ka zhvilluar një luftë me shtetin serb. Një qasje e tillë bazohet në konceptin se Kosova ishte pjesë e Serbisë, përkatësisht e Jugosllavisë, dhe si e tillë nuk konsiderohej si shtet, e rrjedhimisht edhe kryengritja e armatosur dhe lufta e UÇK-së trajtohen si një konflikt i brendshëm e jo si një luftë ndërshtetërore”[21].
Në këtë kontekst na duhet të sqarojmë për lexuesit, se në asnjë nen të së drejtës ndërkombëtare humanitare nuk përmendet tipologjia “luftë e brendshme”/”luftë e jashtme”, por kemi tipologjinë: konflikte të armatosura ndërkombëtare dhe konflikte të armatosura jondërkombëtare.
Edhe pse Sllovenia, Kroacia dhe Bosnja-Hercegovina asnjëherë nuk kanë qenë pjesë të Serbisë, por njësi të veçanta të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në të gjitha rezolutat e OKB-së lufta në këto shtete u cilësua si konflikt i armatosur! Këtë cilësim e patën edhe pasi u anëtarësuan në Organizatën e Kombeve të Bashkuara!
Në fillim të luftës, të tria raste u cilësuan si konflikte të armatosura jondërkombëtare, ndërkaq pas goditjeve të NATO-s kundër caqeve të serbëve të Bosnjës në rrethinën e enklavës Goražde[22], lufta në Bosnjë hyri edhe në kategorinë e konflikteve të armatosura ndërkombëtare. E njëjta gjë ndodhi edhe me Kosovën. Fillimisht u fut në kategorinë e konflikteve të armatosura jondërkombëtare, por pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s dhe bombardimeve 78-ditëshe të caqeve serbe në tërë territorin e Serbisë, konflikti i armatosur i Kosovës u bë, në të njëjtën kohë, edhe konflikti më i madh i armatosur ndërkombëtar për sa i përket pjesëmarrjes së shteteve në këtë luftë.
Është tërësisht i pasaktë konstatimi, se “autorët që përfaqësojnë konceptin e një konflikti të armatosur marrin për bazë konfliktet e tjera të ngjashme që kanë ndodhur në shtete të ndryshme, si: Irlanda, disa pjesë të Spanjës, lufta kurde, lufta palestineze, madje edhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni[23], e cila realisht ka qenë një konflikt i brendshëm sepse shqiptarët realisht nuk kanë pasur kërkesa për pavarësi dhe shtetndërtim, por për të drejta dhe tretman kushtetues të barabartë me maqedonët”[24].
Të gjithë jemi dëshmitarë, se agresioni i Rusisë kundër Ukrainës pasqyron luftën me pasoja më të mëdha të shekullit XXI: “qindra mijëra njerëz të vrarë dhe të plagosur; mbi 8 milionë ukrainas janë të regjistruar si refugjatë anekënd Europës; 5,4 milionë ukrainas janë të zhvendosur brenda territorit të Ukrainës si pasojë e shkatërimeve të shtëpive të tyre; më shumë se gjysma e fëmijëve të këtij kombi kanë qenë të detyruar të braktisin vatrat e tyre…”[25]. Përveç Federatës së Rusisë dhe mbështetësve të saj, për të cilët nuk ka “agresion kundër Ukrainës, por operacion special kundër nazistëve ukrainas”, shumica e fjalimeve të përfaqësuesve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit, pjesëmarrës në seancën e 24 shkurtit 2023, përdorën shprehjen “konflikt” për të përkufizuar luftën në Ukrainë. Madje edhe ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, në fjalën e tij përdori termin “konflikt”.
Edhe në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të miratuar më 23 shkurt 2023[26] , së cilës iu referua edhe ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, “kërkohet nga të gjitha palët në konfliktin e armatosur që trajtimi ndaj robërve të luftës të jetë në përputhje me dispozitat e Konventës së Gjenevës, të 12 gushtit 1949, për trajtimin e robërve të luftës dhe Protokollit të Parë shtesë të Konventës së Gjenevës të 1949”[27]. Ndërkaq, në paragrafin 7 “kërkohet nga të gjitha palët në konfliktin e armatosur të respektojnë tërësisht detyrimet që kanë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare për kujdesin sistematik që të mbrojnë popullsinë civile dhe… (numërohen disa nga detyrimet që u dalin palëve të përfshira në konflikt të armatosur – shënim yni)[28].
Nga ajo që u tha më lart, shihet qartë se futja e nocionit “konflikt i armatosur” në kuadër të së drejtës ndërkombëtare humanitare jo vetëm që nuk përjashtoi nocionin “luftë”, por hapi mundësi, që në kuadër të së drejtës ndërkombëtare të përfshihen edhe format e tjera të luftërave, që nuk njiheshin si të tilla nga konventat dhe traktatet e mëparshme.
[1] Arsim Bajrami, libri i cituar, f. 461.
[2] Po aty, f. 461.
[3] Convention de Genève du 22 août 1864 pour l’amélioration du sort des militaires blessés dans les armées en campagne. Genève, 22 août 1864: https://ihl-databases.icrc.org/fr/ihl-treaties/gc-1864
[4] Protocole additionnel aux Conventions de Genève du 12 août 1949 relatif à la protection des victimes des conflits armés internationaux (Protocole I), 8 juin 1977: https://ihl-databases.icrc.org/fr/ihl-treaties/api-1977
[5] Comment le terme « conflit armé » est-il défini en droit international humanitaire ? (Si përkufizohet termi “konflikt i armatosur” në të drejtën ndërkombëtare humanitare?)
https://www.icrc.org/fr/doc/assets/files/other/opinion-paper-armed-conflict-fre.pdf
[6]Nations Unies, Assamblée Générale, A/RES/46/237, të datës 22 maj 1992.
https://documents.un.org/doc/undoc/gen/n92/353/06/img/n9235306.pdf?token=XAZ1CqGBYnVp0LvpF1&fe=true
[7] Nations Unies, Assamblée Générale, A/RES/46/238, të datës 22 maj 1992.
https://documents.un.org/doc/undoc/gen/n92/353/12/img/n9235312.pdf?token=kFWKRGjDuOgjGInCMp&fe=true
[8] Nations Unies, Assamblée Générale, A/RES/46/236, të datës 22 maj 1992.
https://documents.un.org/doc/undoc/gen/n92/353/00/img/n9235300.pdf?token=eugTq51gYn2xX3NkGR&fe=true
[9] Nations Unies, Assamblée Générale, A/RES/47/225, të datës 8 prill 1993.
https://digitallibrary.un.org/record/166464?ln=fr&v=pdf
[10] Arsim Bajrami, libri i cituar, “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë-Aspekte juridike”, f. 463.
[11] Dilaver Goxhaj, Kishte luftë apo konflikt në Kosovë?, 22.10.2012.
[12] Po aty, f. 461.
[13] S/RES/1160(1998): https://www.undocs.org/Home/Mobile?FinalSymbol=S%2FRES%2F1160(1998)&Language=E&DeviceType=Desktop&LangRequested=False
[14] Po aty.
[15] Të interesuarit për këtë çështje mund të lexojnë më hollësisht në librin që do të botohet së shpejti: Bardhyl Mahmuti, Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Nga heqja e…..
[16] Nations Unies, Conseil de Sécurité, Résolution 1199 (1998) / adopted by the Security Council at its 3930th meeting, on 23 September 1998: https://digitallibrary.un.org/record/260416?ln=fr&v=pdf
[17] Resolution 1199 (1998), cituar më lart.
[18] Po aty.
[19] Grupi i Kontaktit për Kosovën përbëhej nga ministrat e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Irlandës Veriore, Italisë, Federatës Ruse dhe SHBA-së.
[20] INA.FR, Le nouvel affront de Milosevic: http://www.youtube.com/watch?v=gv1yB7O7Jpk
[21] Arsim Bajrami, libri i cituar, “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë-Aspekte juridike”, f. 462.
[22] Bombardimet e NATO-s u bënë më 10 prill 1994.
[23] Në kuadër të këtij studimi nuk do të ndalem në interpretimin e gabuara që i bën luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, sepse del jashtë suazave të hulumtimit tonë.
[24] Arsim Bajrami, libri i cituar, “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë-Aspekte juridike”, f. 462.
[25] Nations Unies, Conseil de Sécurité, Séance 9269 E, CS/15211, 24 février 2023.
https://press.un.org/fr/2023/cs15211.doc.htm
[26] Nations Unies, Assamblée Générale, A/RES/ES-11/6, 23 février 2023.
https://undocs.org/Home/Mobile?FinalSymbol=A%2FRES%2FES-11%2F6&Language=E&DeviceType=Desktop&LangRequested=False
[27] Po aty, § 6.
[28] Po aty, § 7.