Negacionizmi dhe fshehja e gjurmëve të krimit të gjenocidit (22)
Le t’i kthehemi operacionit të fshehjes së gjurmëve të krimit!
Përsëritjet e shpeshta të shifrës prej 2108 personash të vrarë, “pjesëtarë të grupeve të ndryshme etnike në Kosovë”, kishte për funksion të përgënjeshtronin pohimet, se gjatë luftës në Kosovë forcat e armatosura serbe kishin vrarë rreth 10 000 shqiptarë. Sipas negacionistëve të gjenocidit në Kosovë, arsyet e dallimeve të shifrave të lartpërmendura qëndrojnë në gënjeshtrat e natoistëve, të cilët “akuzojnë serbët, se gjoja i kanë humbur gjurmët e krimit, duke përfshirë edhe krematorët”[1]. Për t’u dukur sa më bindës një pohim i tillë, Serge Halimi dhe kompania e tij citojnë shkrimin e dy gazetarëve të tjerë të të njëjtit këndvështrim ideologjik[2], të cilët, më 31 dhjetor 1999, kishin shkruar në “Wall Street Journal”, se gjoja “tre xhandarë francezë, speleologë, kishin bërë hulumtime në minierën e Trepçës dhe nuk kishin gjetur asnjë kufomë. Një ekip tjetër kishte analizuar hirin dhe nuk kishte gjetur as dhëmbë të mbetur e as shenja të trupave të djegur”[3]! Në funksion të kësaj teze, pa cituar burimin e informacionit, autorët e “përpunimit të opinionit…” ia atribuojnë Halit Beranit të ketë thënë se, “i pyetur në atë kohë për Trepçën, një zëdhënës i Pentagonit është përgjigjur: ‘gjatë dhjetë javëve të fundit ka pasur shumë raporte, sipas të cilave në zona industriale të Kosovës janë djegur trupa njerëzish’. Disa komentues e kanë paraqitur këtë teori si fakt… Të gjithëve u kam thënë se ishin supozime dhe jo një informatë e konfirmuar”[4].
Dyshimet rreth të dhënave që vijnë nga zonat e luftimeve kudo qofshin në botë, mund të arsyetohen me vigjilencën që duhet të ketë një intelektual për të shmangur grackat e qarqeve propagandistike. Mirëpo vazhdimi për 24 vite rresht i mohimit të fshehjes së krimeve edhe nëpërmjet djegies së trupave të civilëve shqiptarë të vrarë, të konfirmuara edhe nga vetë autoritetet shtetërore të Serbisë dhe institucionet joqeveritare serbe, nuk mund të interpretohet ndryshe, pos si angazhim me vetëdije të plotë në shpërndarjen e sajesave të Shtabit Strategjik të Sllobodan Millosheviqit në funksion të “përpunimit të opinionit” që të mohohet gjenocidi.
Në këtë kontekst e shohim të udhës të rikujtojmë faktet që hedhin dritë rreth kësaj çështjeje. Pas përmbysjes së pushtetit të Sllobodan Millosheviqit, kryeministri i ri serb, Zoran Gjingjiq, bëri publike operacionet e fshehjes së fakteve lidhur me krimet e bëra në Kosovë. Sa për ilustrim po sjellim për lexuesin një pjesë të shkurtër nga e përditshmja serbe, “Vreme”. Në numrin e saj të 31 majit 2001, kjo gazetë botoi artikullin hulumtues të gazetarit Jovan Dulović (Dulloviq), të titulluar “Si u fshehën gjurmët e krimit…”[5]. Në këtë artikull, ndër të tjera, autori sjell detaje të raportit të grupit punues që kishte themeluar Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë për të ndriçuar operacionin “Thellësia 2”[6]. Në bazë të këtij raporti, “në muajin mars të vitit 1999, në kabinetin e Sllobodan Millosheviqit, kryetarit të atëhershëm të Republikës Federative të Jugosllavisë, u mbajt një mbledhje, në të cilën morën pjesë, krahas Millosheviqit, edhe ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Vllajko Stojiljkoviq, shefi i Resorit për Siguri Publike në MPB të RS-së, gjenerali Vllastimir Gjorgjeviq, shefi i Resorit të Sigurimit Shtetëror, Radomir Marinkoviq dhe të tjerë[7]. Në këtë mbledhje Millosheviqi urdhëroi Vllajko Stojiljkoviqin që të ndërmerrte të gjitha masat për të fshehur të gjitha gjurmët që mund të çonin në dëshmitë e ekzistencës së fakteve për krimet e kryera. Stojiljkoviqi e urdhëroi Vllastimir Gjorgjeviqin që të kujdeset për zhvarrimin e civilëve të vrarë në Kosovë dhe fshehjen e kufomave, për t’ua pamundësuar hetuesve të Gjykatës së Hagës t’i gjenin”[8].
Edhe pse shumëkush ishte në dijeni të operacioneve për fshehjen e krimeve, këto operacione ishin shpallur si fshehtësi shtetërore. Gazetari serb, Jovan Dulović, përfundoi artikullin e tij hulumtues me hipotezën, se koha do të dëshmonte për atë se sa ia kishin arritur qëllimit t’i fshihnin krimet e kryera në Kosovë!
Rreth kësaj çështjeje, Fondi për të Drejtën Humanitare publikoi dosjen prej 88 faqesh: “Largimi i provave për krimet gjatë luftës në Kosovë: Operacioni ‘fshehja e trupave’”[9]. Në faqet 40-49 të kësaj dosjeje jepen të dhëna të sakta për identitetin dhe funksionet e personave të përfshirë në operacionin e fshehjes së trupave të viktimave të gjenocidit në katër qendra:
- në pavijonin e Njësive Speciale Antiterroriste në Batajnicë[10], ku gjatë vitit 2001 janë zhvarrosur 744 trupa;
- në Qendrën Mësimore për Trajnimin e Forcave Speciale të Policisë së Serbisë, në Petrovo Sello[11], ku gjatë vitit 2001 janë zhvarrosur 61 trupa;
- në liqenin Peruqac[12], ku gjatë vitit 2001 janë zhvarrosur 84 trupa;
- në Rudnicë[13], ku gjatë vitit 2013 janë zhvarrosur 52 trupa[14].
Procesi i ndriçimit të këtij krimi të dyfishtë ende nuk ka përfunduar. Më 29 shtator 2014, gazeta beogradase “Danas” njoftoi se “Prokuroria e Gjykatës për Krime Lufte në Beograd kishte urdhëruar për hulumtime të reja në lokalitetin e varrezave masive në Batajnicë, pohoi për radion “Europa e Lirë” zëvendësprokurori Bruno Vakarić (Vakariq). Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, deri tani në Serbi janë zhvarrosur trupat e rreth 900 shqiptarëve nga Kosova, ku më parë ishin zbuluar rreth 900 trupa të shqiptarëve të Kosovës, të zhdukur gjatë luftës në territoret që ishin nën kontrollin e forcave serbe”[15].
Deri tani janë kthyer trupat e 941 shqiptarëve të vrarë (të të dyja gjinive dhe të të gjitha moshave). Fatkeqësisht, as sot e kësaj dite nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1600 shqiptarëve të tjerë të zhdukur gjatë operacionit të fshehjes së gjurmëve të gjenocidit. Arsyet e ndërprerjes së ndriçimit të këtij krimi qëndrojnë në pozitat e reja që morën në kuadër të strukturave politike, ushtarake dhe të Sigurimit Shtetëror në Serbi, njerëzit më të besueshëm të Sllobodan Millosheviqit pas vrasjes së Zoran Gjingjiqit[16].
Përveç Božidar Delić-it, komandantit të Brigadës 549 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, që mori funksionin e nënkryetarit të Parlamentit të Serbisë dhe anëtar i të ashtuquajturit “Komiteti për Kosovë”, po përmendim edhe rastin e komandantit të Brigadës 37 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, Ljubiša Diković (Lubisha Dikoviq), ndaj të cilit Fondi për të Drejtën Humanitare ka bërë kallëzim penal për krimet e kryera në Kosovë[17].
Pas tërheqjes së Brigadës 37 nga Kosova dhe vendosjes në rajonin e Rashkës, më 16 qershor 1999 Sllobodan Millosheviq e dekoroi Ljubiša Diković-in me dekoratën Heroi i popullit[18], ndërsa më 12 dhjetor 2011, kryetari i Republikës së Serbisë, “demokrati” Boris Tadić-i (Boris Tadiq), e emëroi në postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe.
E përmendëm rastin e Ljubiša Diković-it, për arsye se në kohën kur u zbulua varreza masive në Rudnicë, në vendin ku u vendos pas tërheqjes nga Kosova, “ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Bratislav Gašić, shpalli arkivin e Brigadës 37 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave në fshehtësi të shkallës më të lartë”[19].
Sipas ligjeve serbe, “këtë shkallë të fshehtësisë shtetërore mund të kenë vetëm ato dokumente, të cilat, nëse dalin në publik, do t’u shkaktonin dëm të madh interesave të Republikës së Serbisë”[20].
Ky aspekt ligjor i shtetit serb na mundëson të kuptojmë se, përveç vullnetit politik për të mbrojtur shefin e Shtabit të Përgjithshëm, që ka komanduar krimet e tmerrshme gjatë zbatimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës, ndriçimi i plotë i fshehjes së gjurmëve të krimit do të dëmtonte interesin shtetëror të asaj Serbie, që dëshiron të fshehë krimin e gjenocidit që ka kryer gjatë luftës në Kosovë.
Krahas ngritjeve në detyrë të ushtarakëve të përfshirë në ekzekutimin e planit gjenocidal ndaj shqiptarëve në Kosovë, e njëjta gjë ndodhi edhe me njerëzit e Shërbimit Sekret të Serbisë. Në hulumtimin ekskluziv për gazetën beogradase “Vreme”, Dejan Anastasijević (Anastasijeviq) theksoi se, kur bëhet fjalë për Shërbimin Sekret Serb, nuk duhet të harrohet se kemi të bëjmë “me një organizatë që, për dekada të tëra, ka qenë mjeti i mbikëqyrjes politike dhe i shtypjes. Gjatë sundimit të Millosheviqit kjo organizatë u bë tërësisht e kriminalizuar”[21].
Gazetari hulumtues serb, Dejan Anastasijević-i, alarmoi se, përkundër faktit që “u dëshmua se 15 të akuzuarit për atentatin kundër kryeministrit serb ishin zyrtarë aktivë ose bashkëpunëtorë shumëvjeçarë të BIA-s[22], Qeveria e Serbisë edhe sot e kësaj dite nuk e sheh nevojshme të ndryshojë diçka thelbësore në këtë shërbim”[23].
Ky gazetar serb denoncoi faktin se, përveç udhëheqësit të Njësisë për Operacione Speciale, Milorad Ulemek-Legija-s, zëvendësit të tij, Dušan Marićić Gumar-it, dhe shefit të Shërbimit, Radomir Marković-it, asnjë nga pjesëtarët e Sigurimit Shtetëror nuk u largua nga detyra. Përkundrazi, me anë të rokadave dhe të transferimeve të kuadrove nga një drejtori në tjetrën, një pjesë e madhe e pjesëtarëve të këtij shërbimi, që ishin të përfshirë në krime, ishin ngritur në funksione edhe më të larta.
Nuk po sjellim këtu skemën organizative të dhjetë drejtorive të Shërbimit Sekret Serb dhe lëvizjet e personelit në funksion të ruajtjes së kuadrove të shkolluara dhe të edukuara në frymën e regjimit diktatorial të Millosheviqit, por do të ndalemi vetëm në shembullin e Qendrës së Shërbimit Sekret për kryeqytetin serb, për shkak të rolit të madh që kjo qendër ka luajtur në rrjedhat politike të Serbisë.
Deri më 5 tetor të vitit 2000, në krye të Qendrës së Shërbimit për qytetin Beograd ishte Milan Radonjić (Radojniq), i akuzuar për atentatin ndaj Vuk Drašković-it, kundërshtarit të Millosheviqit, mirëpo u lirua nga akuza për “mungesë provash”!
Në krye të Seksionit të Parë të Kundërzbulimit të Qendrës në Beograd ishte Goran Živković (Zhivkoviq), ndërsa në krye të Seksionit të Dytë ishte Miša Milićević (Misha Milliqeviq). Të dy u morën në pyetje për vrasjen e kryeministrit serb dhe të dy u liruan për “mungesë provash”!
Në vend të ndëshkimit, ata fillimisht u shkarkuan nga detyrat që kishin në kuadër të Shërbimit për Beogradin si kryeqytet dhe, pak kohë më vonë, u emëruan në funksionet më të larta të Shërbimit Sekret të Serbisë! Kështu, “ish-shefi i Seksionit të Dytë të Kundërzbulimit për Beogradin, Miša Milićević, u emërua shef i Agjencisë Informative të Sigurisë (BIA), ndërsa ish-shefi i Seksionit të Parë të Kundërzbulimit të Qendrës Beograd, Goran Zivković, u bë zëvendësshef i Agjencisë Informative të Sigurisë (BIA)”[24].
Në krye të Seksionit të Parë të Kundërzbulimit të Qendrës Beograd ishte Goran Živković (Zhivkoviq), ndërsa në krye të Seksionit të Dytë ishte Miša Milićević (Misha Milliqeviq). Të dy u morën në pyetje për vrasjen e kryeministrit serb dhe të dy u liruan në “mungesë provash”!
Në vend të ndëshkimit, ata fillimisht u shkarkuan nga detyrat që kishin në kuadër të Shërbimit për Beogradin si kryeqytet dhe, pak kohë më vonë, u emëruan në funksionet më të larta të Shërbimit Sekret të Serbisë! Kështu, “ish-shefi i Seksionit të Dytë të Kundërzbulimit për Beogradin, Miša Milićević, u emërua shef i Agjencisë Informative të Sigurisë (BIA), ndërsa ish-shefi i Seksionit të Parë të Kundërzbulimit të Qendrës Beograd, Goran Zivković, u bë zëvendësshef i Agjencisë Informative të Sigurisë (BIA)”[25].
Nëse këtyre të dhënave u shtojmë faktin, se ministri i propagandës së Sllobodan Millosheviqit, Joseph Goebbels-i i Ballkanit, Aleksandar Vuçiq u ngjit në majë të pushtetit politik: zëvendëskryeministër (2012-2013, kryeministër (2014-2017) dhe që nga viti 2017 e deri më sot President i Serbisë, e kuptojmë më mirë përse Serbia vazhdon mohimin e gjenocidit dhe vazhdon të mbajë të fshehur fatin e mbi 1600 civilëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
-Vijon-
[1] Serge Halimi et Dominique Vidal,vepra e cituar L’Opinion, ça se travaille…, f. 55
Të njëjtin qëndrim kanë edhe autorët e tjerë, të cituar më lart.
[2] Daniel Pearl dhe Robert Block.
[3] Serge Halimi et Dominique Vidal, L’Opinion, ça se travaille…, po aty, f. 55-56.
[4] Serge Halimi, Dominique Vidal, Henri Maler, Mathias Reymon, L’Opinion, ça se travaille…, botimi i gjashtë, dhjetor 2014, f. f. 61-62.
[5] Vreme, Jovan Dulović, “Kako su uklanjani tragovi zločina, gde su završili leševi iz hladnjače, da li je postojala ‘Dubina 1’” (Si u fshehën gjurmët e krimit, ku përfunduan kufomat nga frigoriferët, a ka ekzistuar “Thellësia 1”) nr. 543, 31, maj 2001: http://www.vreme.com/cms/view.php?id=235705
[6] “Dubina 2” në gjuhën serbe.
[7] Gazetari shtron pyetjen se kush fshihet prapa “të tjerëve” në Raportin e Grupit të Punës të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
[8] “Vreme”, artikulli i cituar: “Kako su uklanjani tragovi zločina…”
[9] Fond za humanitarno pravo, Dosije: Uklanjanje dokaza o zločinima tokom rata na Kosovu: Operacija srkivanja tela, Beograd, Janar 2017: https://www.hlc-rdc.org/wp content/uploads/2017/01/Dosije_OPERACIJA_SKRIVANJA_TELA.pdf
[10] Batajnica ndodhet rreth 20 km në periferi të Beogradit.
[11] Petrovo Selo është fshat në komunën Kladovo, të qarkut të Borit, në afërsi të kufirit me Rumaninë.
[12] Liqeni Perućac ndodhet në afërsi të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Bosnjës.
[13] Fshati Rudnica ndodhet në komunën e Rashkës, jo larg kufirit me Kosovën.
[14] Rreth shifrave të trupave të zhvarrosura në këto varreza masive shih dosjen e cituar: Uklanjanje dokaza o zločinima tokom rata na Kosovu: Operacija srkivanja tela, f. 7.
[15] Dansa, Vekarić: Nova ispitivanja kod grobnice u Batajnici (Vakariq: Hulumtime të reja në varrezat e Batajnicës) 29.09.2014.
[16] Kryeministër i Serbisë pas përmbysjes së Sllobodan Millosheviqit. U vra më 12 mars 2003 nga strukturat e Shërbimit Sekret të Serbisë.
[17] Shih: Fond za humanitarno pravo, Dosije Diković Ljubiše, (Dosja e Lubiša Diković-it):
http://www.hlc-rdc.org/wp-content/uploads/2012/01/Januar-23-2012-Dikovic-Ljubisa-Dosije.pdf
[18] E-Novine, FHP optužuje generala Ljubišu Dikovića, Načalnik Generalštaba-heroj ili zlikova, (Fondi për të Drejtën Humanitare akuzon Ljubiša Diković-in, shef i Shtabit të Përgjithshëm, hero apo kriminel):
http://www.e-novine.com/srbija/vesti/57638-Naelnik-Generaltaba—heroj-ili-zlikovac.html
[19] Radio “Slobodna Evropa”, FHP: Gašić arhivu 37. motorizovane brigade proglasio tajnom, (Gašić e shpalli arkivin e Brigadës 37 të Motorizuar si fshehtës), më 12 qershor 1995: https://www.slobodnaevropa.org/a/fhp-gasic-arhivu-37-motorizovane-brigade-proglasio-tajnim/27068479.html
[20] Po aty.
[21] “Vreme”, Dejan Anastasijević, Večni plamen (Flaka shekullore), nr. 666, 09.10.2003: http://www.vreme.com/cms/view.php?id=354426
[22] Shërbimi Sekret i Serbisë: Bezbednosno Informativna Agencija (Agjencia Informative e Sigurisë).
[23] Po aty.
[24] Dejan Anastasijević, artikulli i cituar, “Večni plamen”.
[25] Dejan Anastasijević, artikulli i cituar, “Večni plamen”