Negacionizmi dhe manipulimet me statistika (24)
Arroganca e negacionistëve arrin kulmin, kur manipulimit me statistika i shtojnë ironinë e tyre neveritëse. Pasi deklaroi se gjoja përfundimi i hulumtimeve “kishte zbuluar që gjatë luftës në Kosovë ishin vrarë rreth 4000 shqiptarë dhe serbë”[1], Serge Halimi jo vetëm që shtiret si i revoltuar “pse nuk i gëzohemi këtij fakti”, por ai përpiqet të “shpjegojë motivet” pse nuk i gëzohemi numrit shumë më të vogël të viktimave, në krahasim me atë që ishte shpallur. “U fsheh ky realitet dhe, si pasojë e saj, aktualisht pjesa më e madhe e njerëzve kanë përshtypjen se në Kosovë është kryer gjenocid. Sepse një gjë e tillë u është thënë shumë herë”[2].
Të bindur në efikasitetin e teknikës së manipulimit me opinionin publik nëpërmjet përsëritjes së gënjeshtrës, në të gjitha botimet dhe ribotimet e pamfleteve propagandistike të negacionistëve të lartpërmendur, sidomos nga autorët e veprës “Opinioni përpunohet…”, këmbëngulet në kor, se gjoja “nuk është zbuluar asgjë që të mbështeste akuzën për gjenocid, pos nëse banalizohet ky term duke e bërë sinonim të “masakrave” (…)”[3], se “në Kosovë nuk ka pasur gjenocid, por masakra (…) dhe përse të krahasohen këta mijëra viktima me miliona indianë të Amerikës, me armenë, hebrenj dhe ruandezë që ishin viktima të gjenocidit?”[4].
Cilësimi i krimeve serbe në Kosovë si “masakra” është i qëllimshëm, sepse, siç do të shohim më poshtë, ky term nuk bën pjesë në përkufizimin e krimit të gjenocidit.
Edhe në ribotimin e vitit 2006, pra shtatë vjet pas publikimeve në shtypin francez të artikujve që konfirmuan fshehjen e krimeve dhe përdorimin e furrave të shkritoreve për djegien e kufomave, Serge Halimi me kompaninë e tij i përsëritën në tërësi gënjeshtrat e lartpërmendura. Sa u përket shifrave të të vrarëve, i vetmi dallim qëndron në shtesën e titulluar “Pos-scriptum 2006: prova përmes budingut”. Në këtë shtesë, autorët përmendin shifrën prej “3685 kufomash të zhvarrosura, shifër që ishte përmendur nga Prokurorja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Carla Del Ponte, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, më 12 nëntor të vitit 2000”[5]!
Të njëjtën gjë e përsërit në të gjitha ribotimet e “Opinioni përpunohet…” deri te varianti i vitit 2023.
Në arsenalin e negacionistëve, Serge Halimi-t dhe kompanisë së tij, nuk mungon as sarkazma. Ata u referohen qëndrimeve të Laurent Joffri-n, drejtorit të atëhershëm të redaksisë së gazetës franceze “Libération”: “Një vit pas luftës, drejtori[6] i një të përditshmeje të madhe franceze pyet: ‘A ndryshojnë me të vërtetë gjërat nëse shpallen 4 000 në vend të 10 000 të vdekurve?’ Për një propagandist, përgjigjja është jo. Për një gazetar, përgjigjja është po.”[7] – i përgjigjen autorët e “Opinioni përpunohet…”.
Për gazetarët e llojit të Serge Halimit, shpallja e 3685 kufomave dallon nga numri 10 000 i të vrarëve dhe gjërat ndryshojnë, sepse ai dhe lloji i tyre pretendojnë se “nuk janë propagandistë”! Edhe pse nga koha e raportimit të Carla Del Ponte-s kishin kaluar gjashtë vjet dhe shifrat ishin sqaruar për të gjithë ata që dëshironin të dinin përmasat reale të vrasjeve në Kosovë, negacionistët kufizohen qëllimisht në të dhënat e vitit 2000. Qëllimi i këtij kufizimi është i qartë: minimizimi i dhunës së ushtruar nga regjimi serb në Kosovë dhe mohimi i gjenocidit. Të gjithë të interesuarit që janë informuar nga burime të paanshme për përmasat e vrasjeve në Kosovë, kanë pasur mundësi t’i sigurojnë të dhënat e publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare. Në bazë të shqyrtimit të 31 mijë dokumenteve, kjo organizatë joqeveritare serbe ka ardhur te konstatimi, se “gjatë luftës në Kosovë janë vrarë 13 535 persona, në mesin e të cilëve 10 812 ishin shqiptarë”[8].
Nëse numri i të vrarëve do të kishte qenë “gënjeshtër në funksion të manipulimit për të arsyetuar ndërhyrjen ushtarake të NATO-s”, siç pretendojnë negacionistët, dhe nëse realisht do të dilnin parashikimet e atyre që mendonin se numri përfundimtar i viktimave do të jetë maksimum 2500 persona, atëherë me bindje të plotë mund të pohojmë se mijëra familje shqiptare të Kosovës nuk do të jetonin me dhembjen e përhershme për të afërmit e vrarë gjatë kësaj lufte.
Sikur të kishin qenë të interesuar të mësonin të vërtetën rreth krimeve serbe në Kosovë dhe të “zgjidheshin nga zinxhirët…”[9] e ideologjisë së antiamerikanizmit që minimizonte vrasjen e shqiptarëve, negacionistët francezë që pretendojnë se “gjatë gjashtë muajve të hulumtimeve që bënë 500 kriminologët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, ishin gjetur gjithsej 2018 kufoma (serbë dhe të komuniteteve të tjera)”[10] dhe se “ekipi spanjoll i ekspertëve të fushës së kriminalistikës dhe juristë civilë kishte zbuluar se nuk kishte pasur varreza masive, se kufomat ishin varrosur në varreza individuale, në të shumtën e rasteve të drejtuar nga Meka, për të respektuar besimin fetar të shqiptarëve të Kosovës dhe se kufomat nuk kishin pasur shenja torturash… dhe se serbët nuk janë aq të këqij sa na i kanë përshkruar…”[11] kanë pasur mundësi të sigurojnë informata edhe nga dëshmitarë francezë.
Dominique Lecompte (Dominik Lëkont), udhëheqëse e atëhershme e Institutit Mjeko-Ligjor të Parisit, e cila pas përfundimit të luftës kishte qëndruar në Kosovë me mandat të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, botoi librin: “Peroni i hijeve – Njëzet vjet në shërbim të të vdekurve”[12]. Në pjesën e titulluar “Në greminën e vdekjes”, ekspertja e mjekësisë ligjore publikoi dëshmitë lidhur me misionin që kishte pasur në Kosovë, ku ndër të tjera shkruan:
“Një sprovë mes aq sprovave të tjera: sapo u zhyta në greminën e vdekjes. Vetëm të vdekur! Kishim kaluar shtatë ditë punë në një varrezë masive, në një fushë ku toka ishte rrotulluar në thellësi. Kishte afër njëqind e pesëdhjetë trupa burrash, sidomos burra të vrarë me plumba, shumica nga pushkë lufte, plumbat e të cilave shkaktojnë shkatërrime të brendshme të tmerrshme. Disa prej tyre, që nuk kishin dhënë shpirt menjëherë, kishin përfunduar me nga një plumb në zverk. Një numër i konsiderueshëm kishin qenë duke ikur, që dëshmohet nga plagët vdekjeprurëse pas shpine. Gjatë gjithë kësaj kohe thosha: ‘Është luftë dhe çdo luftë shkakton të vdekur’. (…)
Gjatë njëzet viteve kam parë çdo ditë tmerre, por kam përshtypjen se ky mision i pasluftës i tejkalon të gjitha. Kam para syve gjurmët më të llahtarshme të natyrës njerëzore (…) Në fushën tjetër janë të varrosur rrëmujshëm, në mushama të gjelbra, njerëz që, sipas të gjitha gjasave ishin nga qyteti, sepse ishin të veshur mirë. Gati të gjithë kishin gjurmë torturash. Nyjat e duarve dhe të këmbëve u ishin thyer (…)
Fryma të zihej nga era e djegies, e bërllokut dhe e të vdekurve që lëshonin shtëpitë e rrënuara dhe pa kulm (…) “Në fund të bunarit ka gra”, tha njëri që ishte tepër i shqetësuar. Kishte të drejtë! Me të vërtetë ishte pika kulmore e tmerrit! Do të bëjmë çdo gjë që t’i nxjerrim.
Mjeti i rëndë i Xhenios, me të cilët bashkëpunonim prej disa ditësh, u vu në lëvizje. Hapi një të çarë për të depërtuar në fund të bunarit. Lopatëzat depërtuan dhe e hapën. Pastaj nxorën gërmadha dhe trupa grash të varura si kukulla në kthetrat e lopatës. Unë e drejtoja makinën që trupat të vendoseshin me kujdes mbi mushamatë në tokë.
Janë të ruajtura mirë, por duhet punuar shpejt, sepse dekompozimi dhe mizat fitojnë në kohë. Unë dhe kolegu im, këmbadoras, i zhveshëm kufomat. Teshat e tyre ishin përplot me ujë. Kishim hapur mushamatë për të mos na vëzhguar të tjerët. Ekzaminimi mjekësor ishte shumë i mundimshëm: këto gra ishin dhunuar dhe hedhur për së gjalli në bunar, ku janë mbytur. Në këtë fshat, çdo gjë është bërë rrafsh: burrat e grumbulluar janë vrarë me mitraloz pranë një muri të bërë shoshë nga plumbat (…) Në një fshat tjetër kanë hyrë në një shtëpi dhe kanë vrarë të gjithë anëtarët e familjes: gjaku i thatë shihet gjithkah, gratë dhe fëmijët janë vrarë në sy të burrave, të cilët pastaj u vranë në rrugë, me nga një plumb pas shpine.
Më kujtohet një vend ku të gjitha shtëpitë ishin rrënuar. Një burrë na tregonte goditjet e plumbave në mur dhe grumbullin e hirit në oborr, duke na shpjeguar se plaku që ruante shtëpinë ishte vrarë me një plumb dhe ishte djegur në zjarrin e shtëpisë. Nga shtëpia në shtëpi na tregonte të njëjtin skenar dhe në fund na dërgoi te një tendë e bardhë që kishin ngritur organizatat humanitare ndërkombëtare, ku strehohej familja e tij. Dëshironte të na kënaqte me diçka dhe na solli një tabaka me gota me shurup dhe një shtambë të mbushur me ujë. “Është ujë bunari”, – na tha ai. Për një çast u ndala. Shikimi im u kryqëzua me të kolegut tim. Në kujtesë kam dramën e bunarit dhe e kam të vështirë ta pi këtë gotë. Gotën e mbajta në dorë për një kohë të gjatë, sepse kisha frikë të mos lëndoja nikoqirin. Kolegu im, duke parë hutimin tim, e mori dhe e piu me një gjest miqësie dhe ndarjeje dhimbjeje. Më vinte turp! Atë ditë u largova me kokën poshtë, sepse me të vërtetë nuk u tregova e guximshme (…) Me t’u kthyer në Paris, mendoj se një problem i ri do të më dalë: do të më duhet të pajtohem me qenien njerëzore![13]
Le t’i kthehemi edhe një herë deklaratës së shefit të ekipit mjeko-ligjor spanjoll, Emilio Pérez Pujol, se “policë dhe juristë spanjollë kishin shkuar në qytezën e Istogut të përgatitur për të bërë autopsinë e 2000 personave, e realisht kishin zbuluar vetëm 187 kufoma!”[14].
Me qëllim që të sqarohet lexuesi për formën e manipulimit që bart me vete kjo deklaratë, duhet të theksojmë se Istogu nuk ishte “zona më e keqe e Kosovës”[15], siç pretendojnë këta juristë spanjollë, por një komunë e vogël. Gjatë luftës Istogu ishte zonë ku operacionet luftarake ishin në “kompetencat” e Brigadës 125 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave. Përveç Istogut, shtrirja territoriale e operacioneve të kësaj brigade përfshinte territorin e Leposaviqit, Zveçanit, Mitrovicës, Zubin Potokut, Skenderajt, Vushtrrisë, Klinës dhe Deçanit.
Sipas të dhënave të publikuara nga organizata joqeveritare serbe, Fondi për të Drejtën Humanitare, “vetëm në territorin ku operonte Brigada 125 u vranë 1813 civilë shqiptarë, ndërsa 216 persona konsiderohen ende të zhdukur. Në mesin e të vrarëve 236 ishin fëmijë, ndërsa 327 ishin femra”[16].
Nuk do të zgjatemi rreth të dhënave konkrete të krimeve që përshkruhen në këtë dosje, sepse vrasjet masive në fshatin Oshlan, Dubravë, Obri, Skenderaj, Lubeniq, Krelan, Staradran, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq janë të ngjashme me ato që u cituan më lart, kur përmendëm krimet e Brigadës 549. Të gjithë të interesuarit mund të shohin dosjen komplete të krimeve të Brigadës 125, në faqen zyrtare të kësaj organizate joqeveritare serbe[17]. Kjo dosje nxjerr në shesh, se informimi i ekipeve mjeko-ligjore spanjolle për rreth 2000 të vrarë në këtë pjesë të Kosovës përkonte me përmasat e krimeve të kryera. Është çështje tjetër përse dikujt i ka interesuar t’i manipulojë këto të dhëna sikur të ishin të dhëna “për Istogun, si zona më e keqe e Kosovës”[18]!
Nëse pyetjen e Laurent Joffrin-it, drejtorit të redaksisë së gazetës “Libération”, e shtrojmë në raport me krimin e gjenocidit dhe sjellim shifrat e sakta, atëherë çështja është të dihet “a ndryshojnë me të vërtetë gjërat nëse shpallen 3685 në vend të 13 535 të vrarëve dhe të zhdukurve?”. Për një propagandist të regjimit të Millosheviqit dhe për një negacionist të gjenocidit në Kosovë, përgjigjja është po. Prandaj ata përpiqen të minimizojnë numrin. Ndërsa për juristët, politologët, sociologët, historianët, gazetarët… përgjigjja është jo!
Siç e pamë më lart, numri i të vrarëve mund të lidhet me përmasat e dhunës e jo me qëllimin specifik të krimit të gjenocidit. Edhe në këtë kontekst po e përsërisim, se tekstet fondamentale të së drejtës penale ndërkombëtare saktësojnë se aktet gjenocidale të numëruara në paragrafët a), b), c), d) dhe e) të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, të Statutit të Romës dhe të Elementeve të Krimeve duhet të jenë kryer kundër NJË APO MË SHUMË PERSONAVE, me qëllim që të shkatërrohet, tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racial ose fetar si i tillë.
-Vijon-
[1] Serge Halimi, Les médias pendant la guerre du Kosovo (2/3): http://www.dailymotion.com/video/x4crs7_les-medias-pendant-la-guerre-du-kos_news
[2] Po aty.
[3] Serge Halimi et Dominique Vidal, vepra e cituar, L’Opinion, ça se travaille… f. 45.
[4] Po aty, f. 105.
[5] Po aty, f. 105.
[6] Fjala është për Laurent Joffrin, drejtorin e të përditshmes franceze “Libération”.
[7] Serge Halimi et Dominique Vidal, L’Opinion, ça se travaille… f. 105.
[8] Fond za humanitarno pravo, Kosovske knjige pamćenja, “31.600 dokumenata nedvosmisleno potvrđuje smrt ili nestanak 13.535 osoba tokom rata na Kosovu”, 06.02.2015: http://www.hlc-rdc.org/?p=28185
[9] Titull i librit të dëshmitarit në mbrojtje të Sllobodan Millosheviqit Patrick Barriot: “Djajtë u zgjidhën nga zinxhirët…”[9]. Les diables sont déchainés: chronique des temps deshuma-nisants, Editions l’Age d’Homme, 2000.
[10] Patrick Barriot, Les diables sont déchainés…, f. 222.
[11] Serge Halimi, Dominique Vidal, Henri Maler, Mathias Reymond, “L’opinion, ça se travaille….”, botimi 2014, f. 48.
[12] Dominique Lecompte, Quai des ombres-Vingt ans au servile des morts, Edition Fayard, 2012.
[13] Dominique Lecompte, Quai des ombres-Vingt ans au servile des morts, Edition Fayard, 2012, f. 209-218.
[14] Po aty, f. 46-48.
[15] Serge Halimi et Dominique Vidal, “L’opinion, ça se travaille….”, f. 46-47.
[16] Fond za humanitarno pravo, Dosije “125. motorizovana brigada Vojske Jugoslavije”, f.1 (Dosja: Brigada e 125 e motorizuar e Ushtrisë së Jugosllavisë): http://www.hlc-rdc.org/wp-content/uploads/2013/10/Dosije-125.pdf
[17] Në faqen e cituar në shënimin paraprak.
[18] Serge Halimi et Dominique Vidal, “L’opinion, ça se travaille….”, f. 46-47.