Negacionizmi dhe manipulimi me numrin e të vrarëve (17)

Me qëllim që “të dëshmohet” se në Kosovë numri i të vrarëve ishte i vogël dhe për këtë arsye krimet në Kosovë nuk mund të cilësohen si gjenocid, negacionistët lëshohen në “analiza” krahasuese të shifrave të përmendura nga natoistët[1] dhe të dhënave të siguruara nga “burime të besueshme” lidhur me numrin e kufomave të zhva­rrosura pas përfundimit të luftës.

Fillimisht Serge Halimi dhe kompania e tij[2] stërmadhuan shifrat që ishin thënë në formë hipoteze nga përfaqësues dhe institucione të shteteve pjesëmarrëse në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhe deklaratat që shprehnin brengosjen e “një përgjegjësi të admini­stratës amerikane, i cili, më 18 prill 1999, citohet të ketë thënë për televizionin ABC, se ndoshta dhjetëra mijëra të rinj ishin ekzekutuar… se, në të njëjtën frymë, Departamenti i Shtetit amerikan kishte shpallur që nuk kishte të dhëna për fatin e 500 000 kosovarëve dhe kishte shprehur frikën se mos ishin vrarë, ndërsa një muaj më vonë, ministri i Mbrojtjes, William Cohen, kishte theksuar se nuk dihej asgjë për fatin e 100 000 perso­nave…”[3]. Stërmadhimi i shifrave kishte për qëllim ta dramatizonte situatën, që, kur të jepen të dhënat për mijëra të vrarë, lexuesit të gëzohen që tragjedia e popullit shqiptar të Kosovës nuk kishte qenë e përmasave që kishin paraqitur “imperialistët amerikanë”.

Lidhur me shprehjen e brengosjeve të lartpërmendura, mendojmë se është e rëndësishme të rikujtojmë, se ka kaluar një çerek shekulli nga koha e atyre ngjarjeve dhe një numër lexuesish nuk kanë pasur mundësi t’i ndjekin zhvillimet e asaj periudhe. Madje mund të ketë lexues, që në atë kohë nuk kishin lindur ende apo ishin fare të vegjël. Prandaj po përmendim faktin, se me vendim të Qeverisë së Beogradit, të datës 25 mars 1999, u dëbuan gazetarët e huaj nga Jugosllavia[4]. Ky vendim synonte ta shndërronte Kosovën në një skenë, ku tragjedia shqiptare luhej në “teatër me dyer të mbyllura për mediet”[5]. Dëshmitë që vinin nga ata që kishin mundur t’i shpëtonin kasaphanës, krijuan brengën e arsyeshme për fatin e atyre që kishin mbetur në duart e “skenaristëve”, të cilët më parë kishin përgatitur dhe ekzekutuar gjenocidin në Vukovar dhe Srebrenicë. Megjithatë, për “armatën” e intelektualëve që kanë emërues të përbashkët antiamerikanizmin, deklarata të kësaj natyre nuk shprehnin shqetësimin për fatin e njerëzve të pafajshëm, por “ishin në funksion të manipulimit të opinionit publik”!

Në vijim të interpretimeve të tyre, autorët në fjalë manipuluan deklaratat, se “nuk dihej asgjë për fatin e qindra-mijëra shqiptarëve”, duke i prezantuar si deklarata “për qindra-mijëra të vrarë”! Një mënyrë e tillë manipulimi kishte si funksion të vinte në lojë të dhënat e mëposhtme të publikuara pas përfundimit të luftës dhe largimit të forcave serbe nga Kosova, kur “Foreign Office[6], më 17 qershor 1999, shpalli se në Kosovë ishin vrarë përafërsisht 10 000 persona, shifër që u përsërit nga presidenti amerikan, Bill Clinton, më 25 qershor, ndërkaq Bernard Kouchner[7], më 2 gusht, deklaroi për 11 000 kosovarë të zhvarrosur”[8].

Sa i përket publikimit të këtyre të dhënave në mediet franceze, Serge Halimi dhe Dominique Vidal shprehën pakënaqësitë e tyre, që e përditshmja “Le monde”, “në numrin e muajit gusht, kishte pohuar me shumë ngutje, se gjysma e 10 000 viktimave të supozuara ishin zhvarrosur”[9].

Për t’i banalizuar pohimet e lartpërmendura, në veprën e tyre “Opinioni përpunohet…” Serge Halimi dhe kompania e tij përfshinë në tërësi dy artikuj gazetash: artikullin e botuar në gazetën spanjolle “El Pais”, më 23 shtator 1999, të titulluar “Policët dhe juristët spanjollë nuk gjetën prova për gjenocid në veri të Kosovës” dhe artikullin e filozofit anglez, John Laughland-it[10], të publikuar më 20 nëntor 1999, në gazetën “The Spektator”[11].

“Sipas dëshmive të policëve dhe juristëve spanjollë, ata kishin ardhur në qytezën e Istogut[12] të përgatitur për të bërë autopsinë e 2000 personave, ndërsa realisht kishin zbuluar vetëm 187 kufoma!”[13]. Ndërkaq, John Laughland-i pohoi se “Gjykata Ndërkombëtare e Hagës kishte zbuluar gjithsej 2108 kufoma, dhe kjo shifër është sa 1/5 e shifrës së shpallur nga “Foreign Office”, është sa 1/50 e shifrave të shpallura nga William Cohen dhe sa 1/250 e shifrave të shpallura nga Departamenti i Shtetit amerikan”[14].

Të njëjtat të dhëna i përdori edhe Patrick Barriot, kolonel i ushtrisë franceze, i cili kishte qëndruar në mision me trupat e OKB-së në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe gjatë procesit kundër Sllobodan Millosheviqit shërbeu si dëshmitar i ftuar nga mbrojtja e “Kasapit të Ballkanit”!

Në veprën “Djajtë u zgjidhën nga zinxhirët…”[15], Patrick Barriot (Patrik Bario) shkruan: “E vërteta është se në fund të vitit 1999, gjatë gjashtë muajve të hulumtimeve që bënë 500 kriminologët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, ishin gjetur gjithsej 2018 kufoma (serbë dhe të komuniteteve të tjera)”[16]. Ky dëshmitar në mbrojtje të Millosheviqit zvogëloi edhe më tepër shifrën e manipuluar që citonin autorët e lartpërmendur dhe nga numri 2108 i të vrarëve, sa pretendonin të tjerë, ai pohon se ishin gjetur vetëm 2018 kufoma të “serbëve dhe të komuniteteve të tjera”, pa përmendur fare shqiptarët në mesin e viktimave!

Në vazhdën e manipulimit me numrin e të vrarëve, Patrick Barriot përmend hipotezën e përgjegjësit të ekipit mjeko-ligjor spanjoll, Emilio Pérez Pujol, i cili kishte deklaruar se “llogariste që numri përfundimtar i viktimave të ishte maksimumi 2500 persona, duke përfshirë edhe numrin e të vde­kurve për arsye të pasqaruara dhe që nuk mund t’i vishen asnjë kampi të veçantë”[17].

 -Vijon-


[1] Neologjizëm që emërton mbështetësit e NATO-s.

[2] Flas për kompaninë e Serge Halimit, për arsye se pamfletin propagandistik “L’Opinion ça se travaille…” e botoi si bashkautor me gazetarin tjetër të Le monde diplomatique, Dominique Vidal (Dominik Vidal), ndërkaq në ribotimet që pasuan deri te botimi i fundit në janar të vitit 2023 ai ka shtuar emra të rinj si bashkautorë (Henri Maler, Mathias Reymon).

[3] Serge Halimi & Dominique Vidal me Henri Maler, vepra e cituar, L’Opinion ça se travaille…, 2006, f. 42.

[4] Les Cahiers du Journalisme, Renaud de la Brosse, “La couverture médiatique de la guerre au Kosovo ou le journalisme impossible”, qershor 2000, no 7, f. 196-210: http://www.cahiersdujournalisme.net/pdf/07/10_Brosse.pdf

[5] “Teatër me dyer të mbyllura për mediet” ishte shprehje që u përdor në atë kohë për të përshkruar strategjinë serbe të dëbimit të gazetarëve që vinin nga shtetet e demokracive perëndimore.

[6] Foreign Office (Forin Ofis), Zyra për Marrëdhënie me Jashtë e Mbretërisë së Bashkuar. Është shkurtesë e Foreign and Commonwealth Office.

[7] Bernard Kouchner, politikan dhe humanist francez, u emërua Përfaqësues i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Misionin e Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

[8] Serge Halimi & Dominique Vidal me Henri Maler, L’Opinion ça se travaille…, botim i vitit 2006, f. 45.

[9] Po aty.

[10] Që ishte administrator i British Helsinki Human Rights Group

[11] Serge Halimi et Dominique Vidal, L’Opinion…, f. 48-53.

[12] Istogu është një komunë e vogël në veriperëndim të Kosovës.

[13] Serge Halimi & Dominique Vidal me Henri Maler, vepra e cituar, L’Opinion ça se travaille…, 2006, f. 46-48

[14] Po aty, f. 48.

[15] Patrick Barriot, Les diables sont déchainés: chronique des temps deshuma-nisants, Editions l’Age d’Homme, 2000.

[16] Patrick Barriot, Les diables sont déchainés…, f. 222.

[17] Po aty, f. 222.

Share this post