Negacionizmi – Mohim i gjenocidit (16)

Mohimi i gjenocidit si dukuri u shfaq pas Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos pas përkufizimit juridik të krimit të gjenocidit si nocion i së drejtës penale ndërkombëtare. Në shkrimin kushtuar kësaj problematike, historiani francez Yves Tornon (Iv Tornon) thekson: “Ky neologjizëm[1] shfaqet në një kon­tekst mjaft specifik: atë të përpjekjeve për të mohuar gjenocidin kundër hebrenjve”[2].

Nën pretekstin e rishikimit të historisë për të ardhur gjoja deri tek “e vërteta” për “gjenocidin kundër hebrenjve”, njerëz të profileve dhe të orientimeve të ndryshme rreshtohen në një front të përbashkët. Në këtë “front gjejmë ish-ushtarë të ushtrisë hitleriane të tipit të Warner Rademacher-it e Wilhelm Stäglich-it dhe njerëz të ekstremit të majtë, si Pierre Guillaume-i e Serge Thion-i; komunistë e socialistë si Paul Rassinier-i e Roger Garaudy[3], intelektualë të orientimit liberal, të orientimit konser­vator, të së djathtës ekstreme, neonazistë (…) Aty gjejmë autorë të përkatësisë nacionale gjermane, franceze, britanike, amerikane, italiane, suedeze, daneze, zvicerane, poloneze, ruse, spanjolle, marokene, jordaneze dhe të shumë nacionaliteteve të tjera. Sado paradoksale t’i duket dikujt, aty rreshtohen edhe hebrenj, si Joseph Ginsburg, Roger-Guy Dommergue, David Cole, Stephen Hayard…”[4].

Përkundër dallimeve politike, ideologjike apo kombëtare që kanë mes tyre, emërues i përbashkët për të gjithë negacionistët që rishikojnë këtë aspekt të historisë së Luftës së Dytë Botërore është mohimi i vërtetësisë së “gjenocidit kundër hebrenjve”. Sipas tyre, “gjenocidi është një sajesë e propagandës së aleatëve; është një gënjeshtër që ka për qëllim mashtrimin e publikut (…); Reich-i III dëshironte t’i shpërngulte hebrenjtë e jo t’i likuidonte (…) Pohimet se janë vrarë mbi një milion hebrenj në Aushvic janë gënjeshtra për të manipuluar opinionin publik…; Në Aushvic vdiqën maksimum 50 000 persona, kryesisht nga sëmundja e tifos (…); Nuk u gjet asnjë provë që të dëshmonte ekzistencën e dhomave të gazit (…); Gazi është përdorur për të shfarosur pleshtat (…); Asnjë provë për krematorët…; Djegia e kufomave është bërë për shkak se bartnin rrezikun e përhapjes së sëmun­djes së tifos! Hitleri nuk ka urdhëruar e as ka pranuar që cilido qoftë të vritet për shkak të racës apo fesë së vet (…). Shkurt, pretendimi për gjenocid është gënjeshtra më tragjike dhe më e përbindshme e të gjitha kohërave (…)”[5].

Edhe pse negacionizmi si nocion lindi në një kontekst mjaft specifik, ky term merr përmasa shumë më të gjera dhe mund të shërbejë për të analizuar qëndrimet që lidhen edhe me raste të tjera të mohimit të gjenocidit. Të gjithë atyre që u intereson të informohen për këtë nocion, shkrimi i lartpërmendur i historianit Yves Tornon jep një bazë të mjaftueshme për të orientuar hulumtimin. Në këtë analizë po kufizohemi vetëm në disa konkluzione, që më duken të rëndësishme për temën tonë.

Sipas analizës krahasuese që ndërmerr Yves Tornon, “në të gjitha fazat e kryerjes së gjenocidit, fshehja e krimit e preokupon kriminelin (…). ‘Negacionizmi’ nënkupton tërësinë e qëndrimeve të miratuara dhe shpjegimeve të dhëna për të mohuar vërtetësinë e gjenocidit ose një krimi kundër njerëzimit. Në këtë aspekt, mohimi i gjenocidit mund të konsiderohet si pjesë përbërëse e krimit, e ndërthurur me të, sepse përcakton strategjinë e shkatërrimit të së vërtetës dhe kujtesës. Ai nuk fillon me komplotin kriminal që projekton vrasjen e një grupi njerëzor, por kur gjeno­cidi është kryer, atëherë kur e vërteta del në shesh, ‘negacionizmi’ synon të shkatërrojë bindjen lidhur me krimin dhe të futë dyshime për vërtetësinë e krimit (…). Si përfundim, ‘negacionizmi’ është organizim i gënjeshtrës në një sistem, funksioni i të cilit është shmangia nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në kryerjen e gjenocidit”[6].

Pikërisht në funksion të shmangies së përgjegjësisë në kryer­jen e gjenocidit, arsenali propagandistik i regjimit të Millosheviqit dhe ata që shihnin te Sllobodan Millosheviqi “politikanin që i reziston imperializmit amerikan”, e ngritën në sistem mohimin e gjenocidit në Bosnjë, në Kroaci dhe në Kosovë. Në këtë kontekst duhet të shihen artikujt, veprat, emisionet televizive dhe konferencat e mbajtura për të fshehur gjurmët e krimit. Pikërisht në funksion të kësaj strategjie, politologu francez Serge Halimi, që në të njëjtën kohë ishte drejtor i të përmuajshmes franceze Le monde diplomatique, deklaroi se gjoja “u vërtetua që Plani ‘Patkoi’ kishte qenë i rrejshëm… se i kishin mashtruar për gjenocidin në Kosovë… se tani e dinin që nuk ka pasur gjenocid, por vetëm masakra, të cilat nuk përngjajnë me gjenocidin…”[7]. Për këtë autor dhe negacionistët e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës, krimi i gjenocidit lidhet vetëm me numrin e vrasjeve dhe ky “term” është “i rezer­vuar” vetëm për “indianët e Amerikës, për armenët, hebrenjtë dhe ruandezët”[8].

-Vijon-


[1] Termi “negacionizëm” përmendet për herë të parë nga historiani francez, Henry Rousso, në veprën “Le syndrome de Vichy (1944-1987”, Le Seuil, coll. “xxe siècle”, Paris, 1987.

[2] Yves Ternon, “La problématique du négationnisme”, Revue l’Arche, numri i muajit maj 2003,

Shih: http://www.imprescriptible.fr/dossiers/ternon/negationnisme

[3] Ky filozof komunist, ateist dhe ithtar i përbetuar i stalinizmit, konvertohet në krishterim dhe pas disa vitesh eksperimentime me këtë religjion u konvertua në religjionin islam!

[4] Historical Revisionism – International and Independent Scientific Historical Research: http://vho.org/Intro/GB/index.html dhe “Controverse sur l’extermination des juifs pas les Allemands”, (Kundër­thëniet lidhur me shfarosjen e hebrenjve nga gjermanët): http://archive.org/stream/LaControverseSurLexterminationDesJuifsParLesAllemands/bdf2_djvu.txt

[5] Përveç veprës “Kundërthëniet lidhur me shfarosjen e hebrenjve nga gjermanët”,, informata të mjaftueshme për logjikën “negacioniste” të atyre që kërkojnë “rishikimin e historisë për t’i përmirësuar gënjeshtrat për gjenocidin kundër hebrenjve” lexuesi mund t’i gjejë, mes të tjerash, edhe në këto vepra të publikuara në internet:

Pierre Vidal-Naquet, “Les assassins de la mémoire” (Vrasja e kujtesës) në:

http://www.anti-rev.org/textes/VidalNaquet87c/ dhe Bernard Comte, “Le génocide nazi et les négationnistes” , (Gjenocidi nazist dhe negacionizmi) në: http://www.phdn.org/negation/comte/IA.html

[6] Revue l’Arche, Yves Ternon, “La problématique du négationnisme”, numri i muajit maj 2003:

shih: http://www.imprescriptible.fr/dossiers/ternon/negationnisme

[7] Serge Halimi, “Les médias pendant la guerre du Kosovo (1/3)”

[8] Po aty, f. 105.

Share this post