“Paanshmëria” e negacionistëve – Pjesa e dytë (19)
Sa i përket vrasjes së civilëve shqiptarë, numrin e të cilëve nuk e përmend asnjëherë, Regis Debray i referohet Vuk Drashkoviqit, kryetarit të Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe, i njohur si kundërshtar politik i Millosheviqit, i cili i paskësh thënë se “ishin arrestuar dhe paditur rreth 300 individë “të pakontrolluar” nga pushteti për dhunën e ushtruar në Kosovë”[1]!
Pa përjashtuar vërtetësinë e pohimit të Regis Debray-së, na duket e çuditshme që Vuk Drashkoviq ta ketë thënë një gjë të tillë në muajin maj 1999, gjatë kohës kur Regis Debray qëndroi në Serbi. Sa për informim, për ata që nuk kanë pasur mundësi t’i ndjekin zhvillimet e asaj kohe, po përmendim faktin se në momentet kur opinioni publik ndërkombëtar ishte tmerruar nga krimet që forcat serbe kishin bërë në fshatin Reçak (më 15 janar 1999) dhe reagimet kishin arritur kulmin me kërkesa për ndërhyrje ushtarake kundër Serbisë, më 18 janar 1999, ky politikan serb u emërua zëvendëskryeministër i Jugosllavisë dhe u ngarkua të udhëhiqte marrëdhëniet me jashtë. Këtë funksion e ushtroi deri më 29 prill 1999, në kohën kur u shkarkua, për shkak të kritikave publike kundër qeverisë dhe këmbënguljes së tij që të pranoheshin kushtet për ndërprerjen e bombardimeve. Pikërisht për arsye se Vuk Drashkoviqi ishte shkarkuar nga funksionet për mospajtim me politikën që ndiqej, na duket e çuditshme të ketë pohuar një gënjeshtër të tillë. Sidoqoftë, edhe pse nuk pati asnjë proces gjyqësor që do të vërtetonte pohimin për “kallëzimin penal ndaj 300 pjesëtarëve që kishin bërë krime kundër civilëve shqiptarë të Kosovës”, kjo sajesë nuk u hoq nga arsenali propagandistik i negacionistëve qoftë brenda Serbisë, qoftë në hapësirën mediale dhe intelektuale të shteteve perëndimore. Madje 13 vjet pas përfundimit të luftës, në një deklaratë për “TV Mreža”, më 12 qershor 2012, ish-komandanti i Brigadës 549 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, gjenerali Božidar Delić (Bozhidar Delliq) deklaroi: “Për çdo gjë që ka ndodhur në njësinë time ose në zonën që binte mbi përgjegjësinë time, përgjegjës për çdo ushtar ose epror jam unë. Kanë ndodhur disa gjëra. Gjatë vitit 1998 dhe vitit 1999 kam nënshkruar 300 kallëzime penale kundër eprorëve dhe ushtarëve të mi”[2], sepse, sipas pohimeve të Božidar Delić-it, “ushtarët e brigadës 549 kishin vrarë gjithsej tetë civilë shqiptarë”[3]!!!
Nëpërmjet gënjeshtrës për ngritjen e aktpadisë penale kundër 300 pjesëmarrësve të Brigadës 549 për vrasjen e tetë civilëve shqiptarë synohej të mohohej fakti, se vrasjet e shqiptarëve ishin projekt shtetëror, që kishte për qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si grup etnik dhe fetar, i ndryshëm nga serbët, dhe të minimizoheshin përmasat e gjenocidit. Jo vetëm që nuk u dënua asnjë pjesëtar i Brigadës 549 për vrasjen e “tetë shqiptarëve”, por eprorët e kësaj brigade u graduan për rezultatet e mëdha që kishin arritur në luftën kundër shqiptarëve. Pas pensionimit nga ushtria, Božidar Delić u bë nënkryetar i Parlamentit të Serbisë dhe anëtar i të ashtuquajturit “Komiteti për Kosovën”.
Për të zhveshur të vërtetën para opinionit publik serb dhe atij ndërkombëtar, Fondi për të Drejtën Humanitare publikoi “Dosjen për Brigadën 549 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave”[4]. Sipas të dhënave të kësaj organizate joqeveritare serbe, Brigada 549, që operonte në komunat e Prizrenit, të Gjakovës, Rahovecit dhe Suharekës nuk ishte përgjegjëse vetëm për tetë civilë shqiptarë të vrarë. Por “kjo brigadë është përgjegjëse për vrasjen e 2174 personave civilë shqiptarë, prej të cilëve 459 kufoma u gjetën në varrezat masive në Serbi[5], ndërsa 375 persona ende konsiderohen të zhdukur”[6].
Rreth rasteve konkrete të këtyre krimeve do të ndalemi në pjesën që i kushtohet planit gjenocidal “Patkoi”[7]. Shkurt, gënjeshtra për gjoja 300 kallëzime penale dhe minimizimi i numrit të të vrarëve u bë në funksion të shmangies së përgjegjësisë së drejtpërdrejtë apo të tërthortë në kryerjen e gjenocidit. Duke parë zhvillimet përgjatë një çerek shekulli nga përfundimi i luftës në Kosovë, mund të konstatojmë se në këtë aspekt ia kanë arritur qëllimit. Jo vetëm që “asnjë pjesëtar i kësaj brigade nuk dha përgjegjësi për vrasjen e 2174 civilëve shqiptarë në komunat e Prizrenit, Gjakovës, Rahovecit dhe Suharekës, por, përkundrazi, të gjithë eprorët[8] e Brigadës 549 u ngritën në funksione”[9].
Përveç përfshirjes së “300 ushtarëve të Brigadës 549 në vrasjen e tetë civilëve shqiptarë”, negacionistët e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk mohojnë faktin e përfshirjes së serbëve të tjerë në dhunën kundër shqiptarëve. Mirëpo këta ishin “individë ose grupe paramilitare që nuk kontrolloheshin nga pushteti i Sllobodan Millosheviqit”. Sipas Regis Debray-së, “të gjithë pajtohen se ditët e para të bombardimeve ka pasur një dhunë të shfrenuar nga individë ose grupe, që ishin ‘jashtë kontrollit’ të pushtetit qendror”[10].
Në këtë kontekst është e domosdoshme të trajtojmë se çfarë fshihet prapa përpjekjes për t’ua ngarkuar krimet “grupeve jashtë kontrollit shtetëror”.
-Vijon-
[1] Po aty.
[2] Fond za humanitarno pravo, Dosije “549. motorizovana brigada Vojske Jugoslavije” (Dosja: Brigada e 549 e Motorizuar e Ushtrisë së Jugosllavisë), f. 11.
[3] Po aty, f. 11.
[4] Fond za humanitarno pravo, dosje e cituar “Brigada 549….”.
[5] Nga varreza masive e Batajnicës (afër Beogradit) u zhvarrosën 429 kufoma të zonës ku operonte Brigada 549, ndërsa nga varreza masive e Perućes u zhvarrosën 30 kufoma civilësh shqiptarë. Të dhënat janë të Fondit për të Drejtën Humanitare. Dosja e cituar “Brigada 549…”, f. 3, fusnota 3.
[6] Fond za humanitarno pravo, dosja e cituar “Brigada 549…”, f. 3.
[7] FAQJA SAKTËSOHET PASI TË BËHET FAQOSJA PËRFUNDIMTARE.
[8] Në faqet 37-40 të Dosjes së Brigadës 549, Fondi për të Drejtën Humanitare sjell emrat e zinxhirit komandues, që ishte përfshirë në këto krime.
[9] Dosja Brigada 549…, f. 10
[10] Le Monde, Régis Debray, “Lettre d’un voyageur au président de la République”, 13 maj 1999.