“Paanshmëria” e negacionistëve – Rasti i Regis Debray-së (18)

Edhe më skandaloz është qëndrimi i filozofit francez, Regis Debray (Rëzhis Dëbre). Me qëllim të përpunimit të opinionit publik francez, se gjoja “ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër Serbisë ishte e gabuar”, në letrën[1] që i kishte dërguar presidentit të Francës, Jacques Chirac (Zhak Shirak), më 13 maj 1999, ai i kërkoi që të rishikonte pjesëmarrjen e Francës në luftën “e padrejtë” kundër Jugosllavisë, sepse kjo ishte një formë e “nënshtri­mit ushtarak dhe politik të Europës Perëndimore karshi SHBA-së” [2].

Përpara se të shpaloste të dhëna konkrete për të argumentuar se “lufta kundër Jugosllavisë ishte një manipulim i amerikanëve”, Regis Debray kërkoi nga lexuesit e letrës së tij, që të mos e konsiderojnë si “të njëanshëm në këtë konflikt”, sepse ai “bazohet në fakte: ka qëndruar në Serbi, në Kosovë dhe në Maqedoni dhe për të shmangur mundësinë e manipulimit nga përkthyesit që simpatizonin UÇK-në në Maqe­doni dhe në Shqipëri, kishte kërkuar nga pushteti serb që të ketë përkthyesin e vet, veturën e vet dhe mundësinë të shkojë të bisedojë me ata që dëshiron. Pushteti serb e respektoi këtë kontratë”[3], – pohon ai në letrën publike.

Në vazhdën e kësaj përpjekjeje për t’u paraqitur si “i paanshëm”, Regis Debray përpiqet t’i bindë lexuesit e letrës së tij, se gjoja “opozitarët e regjimit” në Beograd i kishin deklaruar: “Z. Millosheviq nuk ishte diktator, sepse ishte zgjedhur tri herë, ndërsa diktatorët zgji­dhen vetëm një herë (…); se ai e respektonte Kushtetutën Jugosllave (…); se Jugosllavia nuk është shtet njëpartiak (…); se në këtë shtet nuk ka të burgosur politikë (…); se ai ishte tolerant dhe mund ta kritikojnë në një tarracë kafeneje, pa u fshehur (…)”[4] e kështu me radhë.

Qëndrime të tilla na detyrojmë ta sqarojmë lexuesin për disa fakte, që do të na mundësojnë të shohim cilën anë merr Regis Debray “i paanshëm”.

Më 19 tetor 1998, Slavko Ćuruvija[5] (Sllavko Quruvija) dhe Aleksandar Tijanić (Tijaniq)[6], publikuan “Letër Presidentit Sllobodan Millosheviqi”, në të cilën morën guximin ta kritikojnë atë!

Nëpërmjet kësaj letre, dy gazetarët në fjalë shprehën revoltën e tyre për faktin se:

“Në Jugosllavi, pa u shpallur as gjendje lufte dhe as gjendje e jashtëzakonshme, aplikohen masa të jashtë­zakon­shme dhe masa lufte (…) Serbëve u është ndaluar të dëgjojnë, të flasin dhe të shohin. Janë ndaluar të shtypen tri gazeta ditore dhe një radiostacion. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e vendit tonë (…). Shoqërisë i është imponuar një psikozë e përhershme e gjendjes së jashtëzakonshme, i është imponuar frika nga policia e gjithëfuqishme ose nga të deleguarit tuaj të gjithëpushtetshëm, që lavdërohen se janë të autorizuar të vendosin për çështjen e jetës dhe të vdekjes së njerëzve që nuk ju pëlqejnë. Kërkohet dëgjueshmëri absolute! (…)

Zoti Kryetar,

Vendi juaj, populli juaj dhe qytetarët tuaj, që dhjetë vjet jetojnë në psikozën e gjendjes së jashtëzakonshme, të rrethuar me të vdekur, me mjerim, pa shpresë dhe me frikë”[7], deklaruan, ndër të tjera, Slavko Ćuruvija dhe Aleksandar Tijanić.

Letra publike, drejtuar presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, nuk ishte letër publike e Regis Debray-së drejtuar presidentit francez, Jacques Chirac. Në Jugosllavinë e Millosheviqit, ndaj atyre që dëshironin “të dëgjonin, të flisnin dhe të shihnin” ndryshe nga ajo që u lejonte ligji dhe dekretet e pushtetit, masat ndëshkuese ishin të menjëhershme.

Për kritikat e shprehura me anë të kësaj letre, Slavko Ćuru­vija, pronari i dy gazetave dhe një reviste të ilustruar beogradase[8], u gjobit me 400 000 marka gjermane[9] dhe iu konfiskuan pronat (…). Për kritikat e ardhshme kundër regjimit të Beogradit, Ćuruvija u dënua me pesë muaj burg[10].

A është e mundur që Regis Debray, i cili përdor formë të njëjtë si Ćuruvija-s për të komunikuar nëpërmjet letrës publike me “Presidentin e Repu­blikës së vet”, të mos ketë dëgjuar se pronari i tri gazetave serbe, Slavko Ćuruvija, u dënua me 400 000 marka gjermane dhe me konfiskim pasurie, vetëm e vetëm pse kritikoi Sllobodan Millosheviqin?

E shtroj këtë pyetje, sepse një muaj para se Regis Debray të ftohej nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit të vizitonte Serbinë, shtypi botëror, në mesin e të cilit edhe një numër i madh mediesh në gjuhën frënge, njoftoi se më 11 prill 1999, në Beograd, përpara banesës së vet, u ekzekutua Slavko Ćuruvija. Gjithashtu, një hapësirë e konsiderueshme në media iu dha reagimeve të shumta të personaliteteve lidhur me këtë vrasje. Nuk po citoj personalitetet politike që reaguan lidhur me vrasjen e Slavko Ćuruvija-s, sepse ato mund të konsiderohen si “të njëanshëm” në këtë luftë. Madje ndodh që Regis Debray të mos i ketë dëgjuar reagime të tilla, sepse ai nuk dëgjon “reagime që bëhen në funksion të manipulimit të opinionit publik”. Por është e pamundur të mos ketë dëgjuar për reagimin e drejtorit të Përgjithshëm të UNESKO-s në Paris, Federico Mayer-it, i cili e cilësoi vrasjen e Slavko Ćuruvija-s si “krim të shëmtuar dhe shkelje të rëndë të lirisë së informimit”[11].

Nga mijëra titujt në gjuhën frënge kushtuar kësaj vrasjeje, që lexuesi mund t’i gjejë në internet, po përmendim vetëm shkrimin e gazetares Hélène Despic-Popovic (Elen Despiq-Popoviq) “Slavko Curuvija, njeriu që fliste shumë, u vra të dielën në Beograd…”[12], të botuar në gazetën “Liberation” më 15 prill 1999. Në këtë shkrim gazetarja e lart­për­men­dur solli informacione edhe për dënimin me 400 mijë marka gjermane, edhe për konfiskimin e pasurisë së tij, edhe për dënimin me burg dhe, në fund, për vrasjen e këtij gazetari. Slavko Ćuruvija u vranga policia e gjithëfuqishme dhe nga të deleguarit e gjithë­pushtetshëm të Sllobodan Millosheviqit, të atyre që lavdëroheshin se ishin të autorizuar të vendosnin për çështjen e jetës dhe të vdekjes së njerëzve, që nuk i pëlqenin pushtetit, të atyre që nuk u bindeshin “kërkesave për dëgjueshmëri absolute” ndaj regjimit”[13].

Nuk e di nëse ishte i qëllimshëm apo i rastësishëm, por është fakt se, saktësisht një muaj pas publikimit të shkrimit të Hélène Despic-Popovic për vrasjen e autorit të “Letrës drejtuar Presidentit të Republikës Jugosllave”, më 15 maj 1999, Regis Debray publikoi letrën drejtuar “Presidentit të Republikës Franceze”, ku pohonte se gjoja “Millosheviqi nuk ishte diktator”, se gjoja atë “mund ta kritikojmë në një tarracë kafeneje, pa u fshehur”…!

Pas vrasjes së Slavko Ćuruvija-s nuk besoj se dikush nga opozitarët e regjimit të Beogradit nuk do të ishte aq i pacipë, sa ta gënjente Regis Debray-në për gjoja “tolerancën e Millosheviqit” ndaj mendimit ndryshe! Kritikat ndaj Millosheviqit i kushtuan shumë shtrenjtë pronarit të tri gazetave të pavarura serbe. Publikimi nga ana e Regis Debray-së e informatave diametralisht të kundërta me realitetin e lirive në Jugosllavi, dhe sidomos pohimi i tij, një muaj pas kësaj vrasjeje, se gjoja Millosheviqin “mund ta kritikojnë në një tarracë kafeneje, pa u fshehur”, është paturpësi e llojit të vet. Ideologjia e antiamerikanizmit e ka verbëruar deri në atë shkallë, që të mos shohë vrasjet e kundërshtarëve politikë të “Kasapit të Ballkanit” dhe të shpërndajnë gënjeshtrën e tmerrshme, se gjoja në këtë shtet nuk ka të burgosur politikë”, në kohën kur burgjet e Serbisë ishin plot e përplot me të burgosur politikë shqiptarë që mbaheshin si pengje lufte në kushte të tmerrshme.

Edhe pse në këtë letër ai nuk përmend se cili ishte për­kthyesi i tij, “që nuk simpatizonte UÇK-në” dhe si e siguroi veturën për të vizituar “vendet që dëshironte”, Regis Debray këmbëngul që të mos e konsi­derojmë si “të njëanshëm”. Vërtetësinë e “të dhënave” që publikoi në letrën adresuar Presidentit të Republikës Franceze, ai i bazon në thëniet e dy dëshmitarëve! Dëshmitari i parë është “Aleksandar Mitić (Mitiq), i cili në të vërtetë ishte me origjinë serbe, por ai ishte korrespondent i AFP-së dhe properëndimor, ndërkaq dëshmitari i dytë është kanadezi anglofon, Paul Waston, korrespondenti i “Los Angeles Times” për Europën Qendrore”[14]. Sipas Regis Debray-së, “për këtë gazetar mund të thuhej se ishte më shumë antiserb, se e kishte përcjellë luftën civile në Kosovë dhe e njihte çdo fshat dhe çdo rrugë të saj. Ditën e parë të bombardimeve kur gazetarët e huaj u dëbuan nga Prishtina, ai u fsheh dhe qëndroi anonim, pa u ndalur së qarku­lluari”[15]!

Regis Debray dëshiron të na bindë, se ky kombinim i “një serbi properën­dimor” dhe i një “perëndimori antiserb” i kanë mundësuar të vijë deri tek “informatat objektive” dhe të mos jetë “i njëanshëm”! Një gazetar kanadez “antiserb”, që paska qëndruar “anonim” gjatë luftës në Kosovë, pa lejen e pushtetit të Millosheviqit (!), i cili, së bashku me një gazetar “serb properëndimor” “rastësisht” takuan Regis Debray-në për ta informuar “objektivisht” për atë që ndodhte në Kosovë! E çuditshme! Më duket dinjitoze për skenarin e një episodi të ri të serisë televizive“Mission impossible”. Jo, gabova! “Mission impossible” është seri amerikane dhe Regis Debray-së nuk i pëlqejnë “produktet e imperializmit amerikan”. Konteksti që ai përshkruan dhe dëshira për të na bindur, se regjimi i Beo­gradit, gjatë bombardimeve të NATO-s, e kishte “respektuar kontratën”, që këtë intelektual francez ta lërë të lirë të shkojë “të bisedojë me kë të dëshirojë”, është shumë më i përshtatshëm me natyrën e filmit të njohur francez: “Le Dîner de cons”![16].

Le të bëjmë një shmangie të qëllimshëm nga tema.

Sipas skenarit të këtij filmi, një botues i famshëm nga Parisi, Pierre Brochant, çdo të mërkurë organizonte “Darkën e imbe­cilëve”, ku njëri nga miqtë ftonte ndonjë “budalla” që takonte rastësisht dhe ky person bëhej objekt i talljes gjatë darkës. I ftuari nuk e dinte lojën që i ishte kurdisur dhe gjatë tërë kohës besonte se nikoqiri e respektonte “kontratën e ftesës”.

Duke pasur si model Shërbimin Sekret të BRSS-së (ÇEKA-n), më 13 maj 1944, Partia Komuniste e Jugosllavisë themeloi Shërbimin Sekret të emërtuar OZNA (Odseka za Zaštitu Naroda – Sektori për Mbrojtjen e Popullit). Që nga themelimi i tij e deri në ditët e sotme ky shërbim ka ndërruar emër disa herë, që të “heqë” nga vetja bagazhin e krimeve të përbindshme, në të cilat ishte i përfshirë. Përkundër ndryshimit të emrit, një gjë mbeti konstante: më 13 maj të çdo viti, Shërbimi Sekret Jugosllav kremtonte festën e themelimit të vet! Gjithmonë, një natë para festës, ata shtronin darkat për “mysafirët” e tyre, për t’i paraprirë festës së 13 majit. Viti 1999 ishte viti i sulmeve ajrore të NATO-s kundër aparateve represive të regjimit të Beogradit. Në këtë vit, 13 maji ishte ditë e enjte.

Nuk mund ta di nëse Regis Debray ishte i ftuar nga Shërbimi Sekret Serb në darkën e të mërkurës së 12 majit. Këtë e di më së miri ai vetë! Ajo që shihet nga letra e tij e 13 majit, del qartë se, në rast se ka marrë pjesë në një darkë të tillë, ai nuk ka mundur të luajë rolin e François Pignon (Pinjon)[17].]

I bindur se lexuesit do t’i besojnë “paanshmërisë së tij”, Regis Debray rreshtohet përkrah instrumenteve të regjimit të Millosheviqit, që synonin të fshihnin gjurmët e krimit. Numrin prej rreth 2000 personash të vrarë gjatë ofensivës serbe të verës së vitit 1998, shifër që përmendej në shumë raporte të organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Regis Debray u përpoq ta pasqyronte në një “formë të re”. Duke e prezantuar si diçka të “ditur botërisht”, por që vetëm atij i kishte rënë ndër mend “t’ia përkujtonte presidentit francez, Regis Debray publikoi të dhënat, se gjoja “në vitin 1998 ishin vrarë 1700 ushtarë shqiptarë, 180 policë dhe 120 ushtarë serbë!”. Pra, saktësisht 2000 persona të vrarë, pjesëtarë të forcave të armatosura të të dyja palëve!

Po viktimat civile? Ku mbetën civilët shqiptarë të vrarë, për të cilët u alarmua edhe Këshilli i Sigurimit[18] të OKB-së? Jo, as civilët nuk mbetën pa u përmendur nga ky filozof. Por, në bazë të informatave që Regis Debray kishte siguruar nëpërmjet “opozitarëve të regjimit të Beogradit”, nëpërmjet “gazetarit me origjinë serbe, por pro­perëndimor” dhe nëpërmjet “gazetarit perëndimor, por antiserb”, “civilët nuk ishin vrarë nga forcat serbe (!), por nga UÇK-ja”! Për të qenë sa më bindës, Regis Debray saktëson “se UÇK-ja kishte rrëmbyer 380 persona, prej të cilëve 103 ishin liruar, ndërsa të tjerët kishin vdekur ose konsideroheshin të zhdukur”[19]!!!

-Vijon-


[1] Le Monde, Régis Debray, “Lettre d’un voyageur au président de la République”, 13 maj 1999. Të gjitha citimet e mëposhtme janë nxjerrë nga kjo letër.

[2] Letra e cituar e Regis Debray-së.

[3] Po aty.

[4] Po aty.

[5] Ish-kryeredaktori i gazetës “Borba”, pronar i së përjavshmes “Nedeljni Telegraf”, i së përditshmes “Dnevni Telegraf” dhe i revistës së ilustruar “Evropljanin”.

[6] Gazetar dhe ish-ministër i Informatave të Qeverisë së Serbisë!

[7] Aleksandar Tijanić i Slavko Ćuruvija, “Pismo Predsedniku: Šta je sledeće, Milo­ševiću” (Letër Presidentit Millosheviq, cili është veprimi i ardhshëm?), 19 tetor 1998:

„ŠTA JE SLEDEĆE MILOŠEVIĆU?” Tekst zbog kojeg je zabranjen „Evropljanin“

[8] Shih fusnotën e mësipërme për Slavko Ćuruvija.

[9] Në atë kohë vlera e tyre ishte rreth 400 000 dollarë amerikanë.

[10] Libération, Hélène Despic-Popovic, “Slavko Curuvija, l’’homme qui en disait trop. Assassiné dimanche à Belgrade, ce journaliste d’opposition avait longtemps fréquenté l’entourage de Milosevic”, 15 avril 1999.

http://www.liberation.fr/evenement/1999/04/15/slavko-curuvija-l-homme-qui-en-disait-trop-assassine-dimanche-a-belgrade-ce-journaliste-d-opposition_271296

[11] Le directeur Général de l’UNESCO condamne l’assassinat à Belgrad du di­recteur d’un quotidien indépendant (Drejtori i Përgjithshëm i UNESKO-s dënon vrasjen në Beograd të drejtorit të një të përditshmeje të pavarur)

http://www.unesco.org/bpi/fre/unescopresse/99-77f.htm.

[12] Helène Despic-Popovic, “Slavko Curuvija, l’homme qui en disait trop. Assassiné dimanche à Belgrade, ce journaliste d’opposition avait longtemps fréquenté l’entourage de Milosevic”, 15 avril 1999.

http://www.liberation.fr/evenement/1999/04/15/slavko-curuvija-l-homme-qui-en-disait-trop-assassine-dimanche-a-belgrade-ce-journaliste-d-opposition_271296

[13] Tekst nga letra e cituar “Letër Presidentit Slobodan Miloševiqi”.

[14] Po aty.

[15] Po aty.

[16] Sipas Larousse, fjala “con” ka kuptimin e budallait, imbecilit, idiotit. Po e përkthejmë titullin si “Darka e imbecilëve”, për arsye që do t’i themi në pjesën më poshtë.

[17] Rolin e naivit! Shpresoj që aluzioni është i qartë, së paku për lexuesin që e ka parë filmin e lartpërmendur.

[18] Shih OKB-në, Këshilli i Sigurimit, Rezoluta 1160 e datës 31 mars 1998; Rezoluta 1199 e 23 shtatorit 1998 dhe Rezoluta 1203 e 24 tetorit 1998.

[19] Letra e cituar e Regis Debray-së.

Share this post