Shkatërrimi i pjesshëm i grupit dhe numri i viktimave (12)

Siç mundëm të shohim nga pjesët paraprake, karakteristikë e krimit të gjenocidit është vënia në shënjestër e një grupi kombëtar, etnik, racial ose fetar, me qëllim që të shkatërrohet, tërësisht ose pjesërisht, grupi si i tillë. Çështja e numrit të viktimave për të cilësuar një vepër si akt gjenocidal u shtrua gjatë diskutimeve për përpilimin e Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit. Delegacioni francez dorëzoi amendamentin (A/C.6/224), nëpërmjet të cilit kërkonte që gjenocidi të përkufizohej si “goditje e rëndë ndaj jetës së një grupi njerëzor ose një individi, si anëtar i grupit njerëzor”[1]. Paralelisht me propozimet e delegacionit francez, delegacioni norvegjez propozoi amendamentin (A/C.6/228), nëpërmjet të cilit kërkohej që prapa fjalëve “me qëllim që të shkatërrohet…” të futen fjalët “tërësisht ose pjesërisht”[2].

Meqenëse shumica e delegacioneve mbështeste propozimin norvegjez, delegacioni francez “tërhoqi amendamentin e tij dhe mbështeti propozimin norvegjez”[3], i cili “u miratua me 41 vota pro, 8 vota kundër dhe 2 abstenime”[4].

Në rastet kur kemi shkatërrim të tërësishëm të grupit, atëherë nuk mbetet asnjë dilemë se kemi të bëjmë me gjenocid. Mirëpo çështja e shkatërrimit të pjesshëm të një grupi kombëtar, etnik, racial ose fetar, si të tillë, lë mundësi për interpretime të ndryshme të kësaj çështjeje.

Në kontekstin e krimeve që ndodhën gjatë luftërave në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe në Ruandë, juristët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën u detyruan të jepnin një përgjigje edhe për këtë çështje. Fillimisht “kur bëhej fjalë për domethënien e termit ‘pjesërisht’ në përkufizimin e gjenocidit, shumica e gjyqtarëve mbështetën jurisprudencën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën dhe të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, që ka ardhur te konkluzionet e mëposhtme:

            “Në rend të parë, qëllimi duhet të jetë shkatërrimi i së paku një pjese thelbësore (substanciale) të grupit në fjalë. Është pikërisht ajo që kërkon natyra e krimit të gjenocidi: duke qenë objekti dhe qëllimi i Konventës parandalimi i shkatërrimit të qëllimshëm të grupit, pjesa që vihet në shënjestër duhet të jetë mjaft e rëndësishme, saqë humbja e saj të ketë efekte në tërë grupin. Ky kusht, që ka të bëjë me pjesën thelbësore të grupit, është mbështetur nga TPIY[5] dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ruandën (TPIR)”[6].

Një interpretim i këtillë i termit “pjesërisht”, me qëllim për të shkatërruar një grup të veçantë nga grupet që mbrohen me Konventën e Gjenocidit, u përsërit nga një proces gjyqësor në tjetrin, në të dyja gjykatat penale ndërkombëtare. Sa i përket jurisprudencës së gjykatave penale ndërkombëtare rreth kësaj çështjeje, në vendimin e 19 prillit 2004 për rastin e Radisllav Kërstiqit, kjo çështje trajtohet në mbi 15 paragrafë, ndërkaq në fusnota janë dhënë referenca të shumta të proceseve gjyqësore, që mbështesin të njëjtin qëndrim[7].

Ky qëndrim gjeti hapësirë edhe në interpretimet e juristëve shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri. Kështu, Ismet Salihu në veprën “E drejta penale ndërkombëtare” shkruan:

“Sipas frymës së Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit dhe sipas interpretimit restriktiv, për t’u konsideruar se është kryer kjo vepër, është e mjaftueshme që njëra nga këto forma të krimit të paraparë në nenin 2 të jetë kryer edhe ndaj vetëm një pjesëtari të grupit nacional, etnik, fetar apo racor, nëse është kryer me qëllim që grupi si i tillë të asgjësohet tërësisht ose pjesërisht. Mirëpo lidhur me këtë, në praktikën e Tribunalit të Hagës për krimet e kryera në territorin e ish-Jugosllavisë, është marrë qëndrim, se si krim i gjenocidit mund të konsiderohet nëse me rastin e kryerjes së këtij krimi është asgjësuar një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të grupit nacional, etnik, fetar apo racor. Një qëndrim i këtillë i Tribunalit të Hagës sipas mendimit tim është në kundërshtim me dispozitat e Konventës së përmendur dhe njëherësh tregon se e drejta penale ndërkombëtare dhe jurisprudenca penale ndërkombëtare, me gjithë zhvillimet e saj, edhe sot e kësaj dite nuk është formësuar dhe konsoliduar sa duhet, veçmas në aspektin e ligjshmërisë në këtë fushë, e cila kërkon që veprat penale të jenë të parapara në mënyrë të saktë, në mënyrë precize. Lidhur me këtë është mjaft dubioz qëndrimi i Tribunalit të Hagës, se për t’u konsideruar që është kryer krimi i gjenocidit, duhet të asgjësohet një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të grupit. Shprehja ‘numër i konsiderueshëm’ është e papërcaktuar dhe në kundërshtim me parimin e legalitetit. Këtu shtrohet pyetja, nëse krimi i gjenocidit kryhet, p.sh., ndaj popullit kinez, atëherë sipas këtij kriteri, për t’u konsideruar si numër i konsiderueshëm duhet të vriten 200 deri 300 milionë kinezë!”[8].

Ky qëndrim i Ismet Salihut pati ndikim edhe te juristë të tjerë në Republikën e Shqipërisë dhe në Kosovë. Po marrim vetëm dy shembuj, që na duken më domethënës.

Së pari po përmendim veprën “E drejta penale…”[9], e penalistit me famë në Shqipëri, Ismet Elezi. Kur flet për krimin e gjenocidit, ndër të tjera, ai shkruan: “Sipas praktikës së Gjykatës në Hagë, në kundërshtim me nenin 2 të konventës për parandalimin dhe ndëshkimin e krimit të gjenocidit, kërkohet që për të pasur krimin e gjenocidit duhet të kryhen kundër grupit në tërësi ose një numri të konsiderueshëm të pjesëtarëve të tij, por jo vetëm një pjesëtari të grupit. Mbështetur mbi këtë interpretim të ngushtë të nenit të Konventës pa baza nuk e akuzoi Millosheviqin për krimin e gjenocidit në Kosovë, por vetëm në Bosnje, ndonëse në Kosovë, siç argumenton prof. Ismet Salihu, u krye gjenocid i plotë”[10].

Së dyti, Arsim Bajrami[11] në librin e botuar gati dy dekada më vonë përshkruan në tërësi qëndrimin e lartpërmendur të Ismet Salihut. Ndërkaq, sa i përket përgjegjësisë penale të Sllobodan Millosheviqit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ky autor shkruan: “Aktakuza kundër Millosheviqit në TPNJ kishte një terminologji tipike për gjenocid. Edhe pse formalishtë në aktakuzë përmenden krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimi; realishtë përshkrimi i këtyre ështe tipike për gjenocid. Shprehimishtë aktakuza ngarkon Millosheviqin dhe të tjerët për vrasje jo selektive të civilëve, masakrat, deportimet e dhunëshme, spastrimi etnik, zhdukjen e letërnjoftimeve, varrezat masive, transferimin e viktimave me kamion dhe frigorifer në varreza massive, dhunimet seksuale etj. Të gjitha këto përshkrime janë gjuhë tipike për krimet e gjenocidit”[12]!

Për shkak të autoritetit të madh që gëzon në fushën e së drejtës penale në Shqipëri, në kopertinën ballore të veprës së Ismet Elezi jepet sqarimi, se “ky libër u shërben studentëve të drejtësisë, prokurorëve, gjyqtarëve, avokatëve dhe gjithë juristëve të tjerë”. E njëjta gjë vlen edhe për ndikimin e Arsim Bajramit, që, përveç si profesor universitar, ka qenë edhe rektor i Universitetit të Prishtinës, ministër i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, deputet në Kuvendin e Kosovës në disa legjislatura, librin e të cilit e ka botuar Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, anëtar me korrespondencë e së cilës është.

Pikërisht për shkak të ndikimit të madh që mund të kenë në përhapjen e pasaktësive që përmbajnë interpretime të tilla dhe rrezikut që këto pasaktësi të barten nga një jurist te tjetri, e shohim të domosdoshme që, në fund të kësaj teme, të ndalemi më gjerësisht rreth qëndrimeve të tilla në veprat e Ismet Elezit dhe Arsim Bajramit.

Efektet e këtij ndikimi shihen edhe në kumtesat e prezantuara në Konferencë shkencore të mbajtur në Prishtinë, më 28 prill 2023[13], të përgatitura nga Këshilli Organizues i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Isa Mustafa, Jusuf Bajraktari, Arsim Bajrami, Ramë Manaj, Frashër Demaj. Do të marr si shembull juristin nga Shqipëria, akademikun Ksenofon Krisafi. Në kumtesën e titulluar “Trajtimi i masakrave serbe në Kosovë sipas të Drejtës Ndërkombëtare[14], ai jep vlerësimin për librin e Arsim Bajramit, Gjenocidi i Serbisë në Kosovë, aspekte juridike, si “një studim tërësor, gati ezaurues, cilësor, nga më të mirët, ndoshta më i miri deri më sot në literaturën juridike shqiptare”[15].

Përveç pasaktësive që përdor për përkufizimin e krimit të gjenocidit[16],, Ksenofon Krisafi përsërit vërejtjet e juristit amerikan William A. Schabas[17], rreth zbrazëtirave që përmban Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit,  vërejtje që autorët shqiptarë janë duke i bartur nga vepra në vepër, nga analiza në analizë:

            “Konventa nuk shprehet për vepra të tilla të tmerrshme, si tortura, zhdukja, skllavërimi, puna e fëmijëve, aparteidi, prostitucioni i dhunshëm etj. E metë tjetër e Konventës konsiderohet fakti, që ajo zbatohet vetëm për ‘grupet kombëtare, racore, etnike dhe fetare’ dhe lihen jashtë ‘grupet politike dhe sociale’, grupet ideologjike, gjuhësore, ekonomike, gjinore, fisnore etj. Lihen jashtë gjithashtu spastrimi etnik, gjenocidi kulturor, etnocidi, ekocidi, shkatërrimi i mjedisit”[18].

Të trajtosh në vitin 2023 “masakrat serbe në Kosovë sipas të Drejtës Ndërkombëtare”, siç bën Ksenofon Krisafi, dhe të kufizosh të Drejtën Penale Ndërkombëtare vetëm në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dëshmon për mosnjohje të dokumenteve themelore të së Drejtës Penale Ndërkombëtare ku përfshihen torturat, zhdukja me dhunë, skllavërimi, puna e fëmijëve, aparteidi, prostitucioni i dhunshëm etj.

Nëse qëndrimi i Ismet Salihut në vitin 2005 lidhur me vendosjen e kriterit për numrin e konsiderueshëm, që nënkupton termi “i pjesërishëm”, me qëllimin për të shkatërruar një grup të veçantë dhe pohimi “se e drejta penale ndërkombëtare dhe jurisprudenca penale ndërkombëtare, me gjithë zhvillimet e saj, edhe sot e kësaj dite nuk është formësuar dhe konsoliduar sa duhet” mund të kuptohet disi përsëritja e të njëjtin qëndrim dhe i të njëjtit tekst në ribotimin i së njëjtës vepër[19] më 2011 dhe më 2021, në Komentarin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës[20], më 2014 dhe në librat e autorëve të tjerë është tërësisht i paqëndrueshëm.

-Vijon-


[1] Documents officiels de la Troisième Session de l’Assemblée Générale, Première Partie, Questions juridiques, Sixième Commission, Comptes Rendus Analytiques des Séances 21 septembre-10 décembre 1948 (Dokumente zyrtare të sesionit të tretë të Asamblesë së Përgjithshme, Çështje juridike, Komisioni i Gjashtë, Shpjegime analitike të seancave 21 shtator-10 dhjetor 1948), f. 91: https://digitallibrary.un.org/record/698144?ln=fr

Për ata që janë të interesuar të njihen me tërësinë e debatit rreth kësaj çështjeje mund të lexojnë faqet 90-97 të përmbledhjes së dokumenteve në këtë link (anglisht ose frëngjisht).

[2] Po aty, f. 92.

[3] Po aty, f. 93.

[4] Po aty, f. 97.

[5] Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

[6] Cour Pénal Internationale Dosja N°: ICC‐02/05‐01/09, 4 mars 2009., f. 56. § 146: https://www.legal-tools.org/doc/001e1b/pdf.

[7] Nations Unies, Tribunal international chargé de poursuivre les personnes présumées responsables de violations graves du droit international humanitaire commises sur le territoire de l’ex-Yougoslavie depuis 1991,

19 avril 2004, Krstic (Affaire no : IT-98-33 A), Jugement, f. 3-10, § 6-23: https://www.legal-tools.org/doc/f61310/pdf.

[8] Ismet Salihu, E drejta penale ndërkombëtare, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti Juridik, Prishtinë 2005, f. 312-313.

[9] Ismet Elezi, E drejta penale (pjesa e posaçme), azhurnuar dhe plotësuar me shtesat e ndryshimet e bëra me reformën ligjore të viteve 2003, 2004 e 2007, botimet “Erik”.

[10] Po aty, f. 20. Dallimi me ngjyrë më të theksuar është yni.

[11] Arsim Bajrami, vepra e cituar: “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – Aspekte juridike”, Prishtinë 2023, f. 563-564.

[12] Po aty, f. 471.

[13] Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, “Gjenocidi dhe masakrat e Serbisë në Kosovë”, Prishtinë, më 28 prill 2023.

[14] Po aty, f. 95-137.

[15] Po aty, f. 97.

[16] Përdorimi i termave “zhdukje”, “shfarosje” dhe mungesa e togfjalëshit “si i tillë”, që nxjerr në pah pikërisht qëllimin për të shkatërruar grupet e mbrojtura, janë indikatorë i këtyre ndikimeve. (Shih sidomos faqet 103-104 dhe 124).

[17] Pikëpamjet e William A. Schabas do të trajtohen në temat e mëposhtme në këtë studim.

[18] Po aty, f. 105

[19] Ismet Salihu, E drejta penale ndërkombëtare, Universiteti Fama, Fakulteti Juridik, Prishtinë, 2011, f. 351.

[20] Ismet Salihu, Hilmi Zhitija, Fejzullah Hasani, Komentari i Kodit penal të Republikës së Kosovës, i publikuar nga Deusche Gesellschaft für Internaionale Zusammenarbeit (GIZ) , Prishtinë 2014, f. 412, § 16.

Share this post