Shkatërrimi i pjesshëm i grupit dhe numri i viktimave – Pjesa e dytë (13)
Në pjesën e mësipërme përmendëm se njëri nga tekstet juridike themelore të së drejtës penale ndërkombëtare, Elementet e Krimeve, nuk merret në konsideratë nga asnjëri prej juristëve të lartpërmendur të Kosovës. Edhe pse teksti në fjalë u përpilua në Sesionin e Parë të Asamblesë së Shteteve, që janë pjesë e Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, të mbajtur nga 3-10 shtatori 2002, dhe u përfshi në dokumentet zyrtare të këtij sesioni, të publikuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, mund të supozojmë se autorët shqiptarë nuk kanë qenë në dijeni të këtyre të dhënave. Mirëpo, pas miratimit të tekstit të Elementeve të Krimeve gjatë Konferencës për Rishikimin e Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, të mbajtur më 31 maj-11 qershor 2010 dhe publikimi i tij në faqen zyrtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare[1], përsëritja e qëndrimeve të lartpërmendura dëshmon për mungesë informimi rreth zhvillimeve për konsolidimin e bazës juridike lidhur me krimin e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimin e agresionit.
Në kuadër të trajtimit të këtij aspekti e shohim të domosdoshme të tërheqim vëmendjen në faktin, se jurisprudenca e gjykatave të lartpërmendura është e vlefshme vetëm në rastet kur një çështje nuk është e saktësuar në tekstet themelore të së drejtës penale. Rreth kësaj çështjeje neni 21 i Statutit të Romës saktëson: “Gjykata Penale Ndërkombëtare në rend të parë zbaton Statutin e Romës, Elementet e Krimeve dhe Rregulloren e Procedurave dhe Provave, si tri dokumente themelore të së drejtës penale[2]. Ndërkaq, burimet e tjera që përmenden në paragrafët b) dhe c) mund të shfrytëzohen vetëm në rastet kur ka zbrazëtira juridike në dispozitat e shkruara të Statutit të Romës, Elementeve të Krimit dhe Rregullores së Procedurave dhe Provave[3] dhe kjo zbrazëti mund të plotësohet nëpërmjet zbatimit të kritereve të numëruara në nenin 31 dhe 32 të Konventës së Vjenës mbi të drejtën e traktateve dhe me nenin 21-3 të Statutit të Romës”[4].
Sa i përket tekstit Elementet e Krimeve, e përsërisim se kemi të bëjmë me tekstin juridik që “ndihmon Gjykatën Penale Ndërkombëtare të interpretojë dhe të zbatojë nenet 6,7 dhe 8”[5] të Statutit të Romës, e që kanë të bëjnë me krimin e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.
Neni 6 i Elementeve të Krimeve[6] i kushtohet krimit të gjenocidit. Po e sjellim në tërësi këtë nen, sepse i mundëson lexuesit të shohë konsolidimin e formësimit të së drejtës penale ndërkombëtare rreth “përmasave numerike të viktimave të akteve gjenocidale”, që një vepër të cilësohet si gjenocid!
Neni 6 a)
Gjenocid nëpërmjet vrasjes
Elementet
- Autori i krimit ka vrarë[7] një ose më shumë persona.
- Ky person ose këta persona i përkasin një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racial ose fetar.
- Autori i krimit synonte të shkatërronte, tërësisht ose pjesërisht, këtë grup kombëtar, etnik,
racial ose fetar, si të tillë.
- Ky akt është bërë në kuadër të një sërë veprimesh të dukshme të akteve të ngjashme të drejtuara kundër këtij grupi, ose ishte veprim që mund të ndikonte në një shkatërrim të tillë.
Neni 6 b)
Gjenocidi nëpërmjet lëndimit të rëndë të integritetit trupor ose mendor
Elementet
- Autori i krimit ka lënduar rëndë integritetin trupor ose mendor të një ose më shumë personave.[8]
- Ky person ose këta persona i takonin një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racial ose fetar.
- Autori i krimit synonte të shkatërronte, tërësisht ose pjesërisht, këtë grup kombëtar, etnik, racial ose fetar si të tillë.
- Ky akt është bërë në kuadër të një sërë veprimesh të dukshme të akteve të ngjashme të drejtuara kundër këtij grupi, ose ishte veprim që mund të ndikonte në një shkatërrim të tillë.
Neni 6 c)
Gjenocid nëpërmjet imponimit të qëllimshëm të kushteve të jetesës, që mund të shkaktojë shkatërrim të tërësishëm ose të pjesshëm të një grupi.
Elementet
- Autori i krimit detyroi një apo më shumë persona t’u nënshtrohen kushteve të caktuara të jetesës.
- Ky person ose këta persona i përkisnin një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racial ose fetar.
- Autori i krimit synonte të shkatërronte, tërësisht ose pjesërisht, këtë grup kombëtar, etnik, racial ose fetar, si të tillë.
- Kushtet e jetës duhej të shkaktonin shkatërrimin fizik të tërësishëm ose të pjesshëm të këtij grupi.[9]
- Ky akt është bërë në kuadër të një sërë veprimesh të dukshme të akteve të ngjashme të drejtuara kundër këtij grupi, ose ishte veprim që mund të ndikonte në një shkatërrim të tillë.
Neni 6 d)
Gjenocid nëpërmjet vendosjes së masave për të parandaluar lindjet
Elementet
- Autori i krimit ka vendosur masa të caktuara ndaj një ose më shumë personave.
- Ky person ose këta persona i përkisnin një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racial ose fetar.
- Autori i krimit synonte të shkatërronte, tërësisht ose pjesërisht, këtë grup kombëtar, etnik, racial ose fetar si të tillë.
- Masat e vendosura kishin për qëllim parandalimin e lindjeve brenda këtij grupi.
- Ky akt është bërë në kuadër të një sërë veprimesh të dukshme të akteve të ngjashme të drejtuara kundër këtij grupi, ose ishte veprim që mund të ndikonte në një shkatërrim të tillë.
Neni 6 e)
Gjenocid nëpërmjet transferimit me forcë të fëmijëve
Elementet
- Autori i krimit ka transferuar me forcë një ose më shumë persona.[10]
- Ky person ose këta persona i përkisnin një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racial ose fetar.
- Autori i krimit synonte të shkatërronte, tërësisht ose pjesërisht, këtë grup kombëtar, etnik, racial ose fetar.
- Transferimi u bë nga ky grup drejt një grupi tjetër.
- Ky person ose këta persona ishin nën moshën 18 vjeç.
- Autori e ka ditur ose duhet ta dinte se personi ose personat ishin nën moshën 18 vjeç.
- Kjo sjellje është bërë në kuadër të një sërë veprimesh të dukshme të sjelljeve të ngjashme, të drejtuara kundër këtij grupi ose ishte sjellje që mund të ndikonte në një shkatërrim të tillë[11].
Siç shihet, Elementet e Krimeve mbushën zbrazëtirën juridike në dispozitat e shkruara të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe Statutit të Romës lidhur me përmbajtjen e termit “pjesërisht” në përkufizimin e gjenocidit. Me një fjalë, ky tekst juridik, që “ndihmon Gjykatën Penale Ndërkombëtare të interpretojë dhe të zbatojë nenet 6,7 dhe 8” të Statutit të Romës, saktëson se aktet gjenocidale të numëruara në paragrafët a), b), c), d) dhe e) duhet të jenë kryer kundër NJË APO MË SHUMË PERSONAVE, me qëllim që të shkatërrohet, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racial ose fetar si i tillë.
Prandaj shprehja që përdoret shpesh, “krim në përmasa të gjenocidit”, dëshmon se autorët e një shprehjeje të tillë nuk janë në dijeni se saktësimet që ka bërë teksti Elementet e Krimeve rreth numrit të viktimave të akteve gjenocidale e kanë zhvlerësuar çështjen e “përmasave” dhe kriterin për domosdoshmërinë e numrit të konsiderueshëm (thelbësor, substancial) të viktimave për t’u cilësuar akti si krim i gjenocidit: edhe në rast se një person është vrarë; i është lënduar rëndë integriteti trupor ose mendor nëpërmjet torturës, dhunës seksuale ose trajtimit çnjerëzor apo poshtërues; është detyruar të vendoset në kushte të jetesës, që e privojnë nga burimet e domosdoshme për mbijetesë, si ushqimi ose shërbimet mjekësore, apo është dëbuar sistematikisht nga shtëpia, me qëllim që të shkatërrohet grupi (kombëtar, etnik, racial ose fetar) të cilit i përket, kemi të bëjmë me akt gjenocidal!
Rasti i trajtimit të krimit të gjenocidit në Darfur është domethënës për problematikën që po trajtojmë. Konflikti që shpërtheu në vitin 2003 në krahinën Darfur të Sudanit rezultoi me gjenocid kundër anëtarëve të grupeve etnike fur[12], masalit[13] dhe zaghaua[14]. “Sipas statistikave të OKB-së, të cilat janë jo të sakta dhe të kontestueshme, deri në mars të vitit 2005 vdiqën 180000 persona. Mirëpo sipas disa vlerësimeve të tjera të Kombeve të Bashkuara, shifra e viktimave shkon deri në 300 000, që është më e besueshme, ndërkaq 1,5 milionë persona u zhvendosën brenda territorit të Darfurit dhe 200 000 të tjerë u strehuan në Çad”[15].
Më 4 mars 2009, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi mandat-arrestin e parë kundër presidentit të Sudanit, Omar Hassan Ahmad Al Bashir[16]. Meqenëse ai refuzoi të paraqitej në këtë gjykatë, mandat-arresti u përsërit edhe më 12 korrik 2010. Edhe sot e kësaj dite ai konsiderohet në arrati[17].
Në vendimin e dytë lidhur me kërkesën e prokurorisë për lëshimin e mandat-arrestit kundër Omar Hassan Ahmad Al Bashir[18], Dhoma I paraprake e ngarkon ish-presidentin sudanez “me 5 vepra të krimit kundër njerëzimit: vrasje, shfarosje, transferim i dhunshëm, torturë dhe përdhunim; me 2 vepra të krimeve të luftës: fakti që ka drejtuar qëllimisht sulme kundër një popullsie civile, që nuk merrte pjesë drejtpërdrejt në armiqësi, dhe plaçkitje; për 3 vepra të gjenocidit: nëpërmjet vrasjeve, nëpërmjet lëndimit të integritetit fizik dhe mendor dhe nëpërmjet imponimit të qëllimshëm për çdo grup që ishte vënë në shënjestër që të jetojë në kushte jetese, që mund të shkaktojnë shkatërrimin e tij fizik. Këto krime janë kryer gjatë periudhës 2003-2008 në Darfur (Sudan)”[19].
Vendimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare i datës 14 korrik 2010 u soll një muaj pas miratimit të Elementeve të Krimeve gjatë Konferencës për Rishikimin e Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, më 11 qershor 2010.
Në të tria veprat e gjenocidit që i ngarkohen ish-presidentit sudanez, Dhoma mbështetet në normat e saktësuara nga Elementet e Krimeve. Kështu, në veprën e parë që i ngarkohet, Gjenocid nëpërmjet vrasjes[20], thuhet: “Al Bashir, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer një gjenocid ndaj grupeve etnike fur, masalit dhe zaghaua në Darfur (Sudan) duke shfrytëzuar aparatin shtetëror, forcat e armatosura dhe milicët (xhanxhauid)[21] për të kryer akte vrasjeje kundër anëtarëve të këtyre grupeve si të tilla”[22]. Gjatë argumentimit të kësaj akuze, në asnjë rast të vetëm Dhoma nuk e përmend kriterin paraprak të jurisprudencës së Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën dhe të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë lidhur me “numrit thelbësor të viktimave” për t’u cilësuar vrasja si akt gjenocidal, por mbështetet në qëndrimin se, “sipas Elementeve të Krimeve, elementi material specifik i krimit të gjenocidit nëpërmjet vrasjes është që autori i këtij krimi ka vrarë një ose më shumë persona”[23].
Në veprën e dytë, Gjenocid nëpërmjet lëndimit të rëndë të integritetit fizik dhe mendor, thuhet: “Al Bashir, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer një gjenocid ndaj grupeve etnike fur, masalit dhe zaghaua në Darfur (Sudan) duke shfrytëzuar aparatin shtetëror, forcat e armatosura dhe milicët (xhanxhauid) për të cenuar rëndë integritetin fizik dhe mendor të anëtarëve të këtyre grupeve nëpërmjet përdhunimeve, formave të ndryshme të dhunës seksuale, akteve të torturës dhe zhvendosjes së dhunshme të anëtarëve të këtyre grupeve, me qëllim që të shkatërrohen pjesërisht këto grupe si të tilla, që është shkelje e neneve 6-b dhe 25-3-a të Statutit të Romës”[24]. Edhe gjatë argumentimit të akuzës së dytë Dhoma mbështetet në qëndrimin: “Sipas Elementeve të Krimeve, elementi material specifik i këtij krimi të gjenocidit është që autori ka cenuar rëndë integritetin fizik ose mendor të një ose më tepër personave, që nënkupton aktet e torturës, përdhunimit, dhunës seksuale ose trajtimeve çnjerëzore apo poshtëruese. Për këtë vepër të gjenocidit, akuza ka parasysh:
- përdhunimet;
- aktet e torturës dhe
- zhvendosjen e dhunshme të anëtarëve të grupi që është vënë në shënjestër”[25].
Në veprën e tretë, Gjenocid nëpërmjet imponimit të qëllimshëm të kushteve të jetesës, që mund të shkaktojë shkatërrimin fizik të grupit që është vënë në shënjestër, thuhet: “Që nga marsi 2003, Al Bashir, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer gjenocid ndaj grupeve etnike fur, masalit dhe zaghawa në Darfur (Sudan) duke shfrytëzuar aparatin shtetëror, forcat e armatosura dhe milicët/xhanxhauid për t’u imponuar qëllimisht këtyre grupeve kushte të jetesës, që mund të shkaktojnë shkatërrimin fizik të pjesshëm të këtyre grupeve si të tilla”[26]. “Në dallim nga dy veprat e para të gjenocidit dhe ngjashëm me atë që kërkohet për aktet që përbëjnë shfarosjen si krim kundër njerëzimit, Elementet e Krimeve përfshijnë një element shtesë për këtë krim, duke kërkuar që imponimi i një apo më shumë personave të jetojnë në disa kushte të veçanta, të ketë pasur për qëllim të shkaktojë shkatërrimin fizik të tërësishëm ose të pjesshëm të grupit. Prandaj, që të mund të konstatohet ekzistenca e motiveve të arsyeshme, për të besuar që aktet e përfshira në këtë vepër që i ngarkohen përbëjnë gjenocid, nga njëra anë Dhoma duhet të bindet që aktet vërtet kanë ndodhur dhe, nga ana tjetër, të kenë shkaktuar shkatërrimin fizik të tërësishëm ose të pjesshëm të grupit të vënë në shënjestër”[27].
Nga vendimet e lartpërmendura të Gjykatës Penale Ndërkombëtare lidhur me gjenocidin në Darfur, shihet qartë se në të tria veprat që i ngarkohen ish-presidentit sudanez, Omar Hassan Ahmad Al Bashir, teksti Elementet e Krimeve është baza juridike, mbi të cilën vlerësohet nëse një krim mund të konsiderohet si akt gjenocidi. Sipas këtij teksti themelor, aktet e gjenocidit duhet të jenë kryer kundër NJË APO MË SHUMË PERSONAVE pjesëtarë të një grupi kombëtar, etnik, racial ose fetar, me qëllim që të shkatërrohet, tërësisht ose pjesërisht, grupi si i tillë.
-Vijon-
[1] Cour Pénale Internationale, (Gjykata Penale Ndërkombëtare), Documents, Textes juridiques fondamentaux
https://www.icc-cpi.int/fr/resource-library/core-legal-texts
[2] Cour pénale internationale, Textes juridiques fondamentaux, Statut de Rome de la Cour pénale internationale, neni 21, § (a): https://www.icc-cpi.int/fr/resource-library
[3] Po aty, neni 21, § (b) dhe (c)
[4] Cour pénale internationale, Situation au Darfour (Doudan), Affaire N°: ICC‐02/05‐01/09, 4 mars 2009,
Décision relative à la requête de l’Accusation aux fins de délivrance d’un mandat d’arrêt à l’encontre d’Omar Hassan Ahmad Al Bashir, f. 16. § 44: https://www.legal-tools.org/doc/001e1b/pdf
[5] Cour Pénal Internationale, dosja N°: ICC‐02/05‐01/09, 4 mars 2009, f. 49. § 129: https://www.legal-tools.org/doc/001e1b/pdf
[6] Cour Pénale Internationale, (Gjykata Penale Ndërkombëtare), Documents, Textes juridiques fondamentaux, Elements de crimes
https://www.icc-cpi.int/sites/default/files/ElementsOfCrimesFra.pdf
SHIH PËRKTHIMIN E PLOTË NË SHQIP SHTOJCA? PASI TË BËHET FAQOSJA
[7] Termi “ka vrarë” është i barasvlershëm me termin “ka shkaktuar vdekjen”. (Sqarimi është i tekstit Elementet e Krimeve).
[8] Kjo sjellje mund të përfshijë, por nuk kufizohet domosdoshmërish me akte torture, përdhunim, dhunë seksuale ose trajtim çnjerëzor apo poshtërues. (Sqarimi është i tekstit Elementet e Krimeve).
[9] Termi “kushtet e jetës” mund të përfshijë, por nuk kufizohet domosdoshmërish, me privimin e qëllimshëm të burimeve të domosdoshme për mbijetesë, si ushqimi ose shërbimet mjekësore apo dëbimin sistematik nga shtëpitë. (Sqarimi është i tekstit Elementet e Krimeve).
[10] Termi “me forcë” nuk kufizohet me forcën fizike, por mund të përfshijë një akt të kryer kundër këtij personi apo personave të tjerë duke përdorur kërcënimin e forcës, të tillë si ajo që shkaktohet nga kërcënimi me dhunë, detyrimi, burgimi, ndalimi, presioni psikologjik, shpërdorimi i pushtetit ose në dobi të një atmosfere detyruese. (Sqarimi është i tekstit Elementet e Krimeve).
[11] Cour Pénale Internationale, (Gjykata Penale Ndërkombëtare), Documents, Textes juridiques fondamentaux, Elements de crimes: https://www.icc-cpi.int/sites/default/files/ElementsOfCrimesFra.pdf.
[12] Furët janë një grup etnik në Afrikën Lindore, rreth 7 milionë, që jeton kryesisht në krahinën e Darfurit, që ka marrë emrin e këtij grupi etnik (Darefur në arabisht do të thotë “shtëpi e furëve, vend i furëve”, por ka edhe në perëndim të Sudanit, në Çad dhe në Egjipt.
[13] Grupi etnik masalit (rreth 8,5 milionë), që jeton kryesisht në Sudan (rreth 6,5 milion) dhe në Çad (rreth 2 milionë).
[14]Zaghaua ose Beri janë grup etnik rreth 8 milionë, 6,5 milionë prej të cilëve jetojnë në Sudan, ndërkaq të tjerët në Çad.
[15] Jérôme Tubiana, Le Darfour, un conflit identitaire? (Darfur, një konflikt identiteti?) i botuar në revistën “Afrique contemporaine” 2005/2 (n° 214), f. 165-206: https://www.cairn.info/revue-afrique-contemporaine1-2005-2-page-165.htm.
[16] Omar Hassan Ahmad Al Bashir, President i Sudanit nga 16 tetor 1993 deri më 11 prill 2019.
[17] Cour Pénale Internationale, Affaire Al Bashir
Le Procureur c. Omar Hassan Ahmad Al Bashir, Affiare ICC-02/05-01/09: https://www.icc-cpi.int/fr/darfur/albashir.
[18] Cour Pénale Internationale, Chambre Préliminaire I, N°: ICC‐02/05‐01/09, Date: 12 korrik 2010
Situation au Darfour (Soudan), Affaire: Le procureur contre Omar Hassan Ahmad Al Bashir,
Deuxième Décision relative à la requête de l’Accusation aux fins de délivrance d’un mandatd’arrêt à l’encontre d’Omar Hassan Ahmad Al Bashir: https://www.icc-cpi.int/sites/default/files/CourtRecords/CR2010_05623.PDF
[19] Cour Pénale Internationale, Affaire Al Bashir, Le Procureur c. Omar Hassan Ahmad Al Bashir, Affiare ICC-02/05-01/09: https://www.icc-cpi.int/fr/darfur/albashir
[20] Po aty, § 19.
[21] Xhanxhauidët ishin milici që u angazhua në veçanti në kryerjen e krimeve më të tmerrshme në Darfur.
[22] Cour Pénale Internationale, Chambre Préliminaire I, N° : ICC‐02/05‐01/09, Date: 12 korrik 2010
Situation au Darfour (Soudan), Affaire : Le procureur contre Omar Hassan Ahmad Al Bashir,
Deuxième Décision relative à la requête de l’Accusation aux fins de délivrance d’un mandatd’arrêt à l’encontre d’Omar Hassan Ahmad Al Bashir, § 19.
https://www.icc-cpi.int/sites/default/files/CourtRecords/CR2010_05623.PDF
[23] Po aty, f. 15, § 20.
[24] Po aty, f. 19, § 25.
[25] Po aty, f. 19, § 26.
[26] Po aty, f. 22, § 32.
[27] Po aty, f. 22-23, § 33.