Shkatërrimi i pjesshëm i grupit dhe numri i viktimave – Pjesa e katërt (15)

Tani le të ndalemi gjerësisht në pretendimin e Arsim Bajramit, se gjoja përkundër asaj që mungon akuza për gjenocid dhe formalisht Millosheviqi akuzohet për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimi, përshkrimi i krimeve na qenka gjuhë tipike për krimet e gjenocidit, sepse, sipas tij, “shprehimisht aktakuza ngarkon Millosheviqin dhe të tjerët për vrasje jo selektive të civilëve, masakrat, deportimet e dhunëshme, spastrimi etnik, zhdukjen e letërnjoftimeve, varrezat masive, transferimin e viktimave me kamion dhe frigorifer në varreza masive, dhunimet seksuale etj.”[1]!!!

Trajtimi i hollësishëm i çështjeve që ngre ky autor, bëhet për arsye se pasqyron sintezën e ngatërrimit të tërësishëm të klasifikimit të akteve të krimit të gjenocidit, të krimeve kundër njerëzimit dhe të krimeve të luftës.

Le t’i marrim termat një e nga një dhe të shohim nëse vërtet terminologjia që përdoret në aktakuzën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë kundër Sllobodan Millosheviqit është “gjuhë tipike për krimet e gjenocidit”, apo kemi të bëjmë me terminologji të përbashkët për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, të cilët dallohen njëri prej tjetrit nëpërmjet kritereve të tjera!!!

  1. “Vrasje jo selektive”!!!

Sipas Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe Elementeve të Krimeve, krimi nëpërmjet vrasjes përfshihet në krimin e gjenocidit [nenit 6, paragrafi a)], në krimet kundër njerëzimit [neni 7 paragrafi 1 a)] dhe në krimet e luftës [neni 8 paragrafi 2 a) i dhe neni 8 paragrafi 2 c) i].

Siç e pamë te sqarimet shtesë të Elementeve të Krimeve, për t’u cilësuar vrasja e një apo më tepër personave si akt gjenocidal duhet të dëshmohet se:

  1. Autori i krimit ka vrarë një ose më shumë persona.
  2. Ky person ose këta persona i përkasin një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racial ose fetar.
  3. Autori i krimit synonte të shkatërronte, tërësisht ose pjesërisht, këtë grup kombëtar, etnik,

 racial ose fetar, si të tillë.

  1. Ky akt është bërë në kuadër të një sërë veprimesh të dukshme të akteve të ngjashme të drejtuara kundër këtij grupi, ose ishte veprim që mund të ndikonte në një shkatërrim të tillë[2].

Në dallim nga krimi i gjenocidit, ku viktimat janë të përzgjedhura (të seleksionuara) si anëtarë të njërit nga grupet e mbrojtura me Konventën për Gjenocid, me Statutin e Romës dhe me Elementet e Krimeve, tek aktet e krimeve kundër njerëzimit viktimat janë pjesëtarë të popullsisë civile, pa dallim përkatësie kombëtare, etnike, raciale ose fetare:

  1. Autori i krimit ka vrarë një ose më shumë persona.
  2. Një veprim i tillë ishte pjesë e një sulmi të përgjithshëm ose sistematik të drejtuar kundër një popullsie civile.
  3. Autori i krimit e dinte se ky veprim ishte pjesë e një sulmi të përgjithshëm ose sistematik të drejtuar kundër një popullsie civile ose mund të nënkuptohej se bënte pjesë në një sulm të tillë[3].

Në këtë rast është e rëndësishme të theksohet, që Elementet e Krimeve saktësojnë se, “në elementin e kontekstit të krimit shprehja ‘sulm kundër një popullsie civile’ nënkupton një veprim që parasheh kryerjen e shumëfishtë të akteve të përmendura në nenin 7, paragrafi 1 i Statutit kundër cilësdo popullsie civile, duke zbatuar ose duke ndjekur një politikë shtetërore ose të një organizate që kishte për qëllim një sulm të tillë”[4].

Pra, viktimat e vrasjeve nuk janë seleksionuar (përzgjedhur) si në rastin e gjenocidit, por akte të tilla kanë për objekt cilëndo popullsi civile.

E njëjta gjë ndodh me krimet e luftës:

  1. Autori i krimit ka vrarë një ose më shumë persona.
  2. Ky person ose këta persona kanë qenë jashtë zonës së luftimeve ose ishin civilë, personel mjekësor ose personel fetar, që nuk merrnin pjesë aktivisht në luftë[5].

Teksa kemi parasysh këto kritere të normave juridike të së drejtës penale ndërkombëtare, është tepër e çuditshme se si Arsim Bajrami përpiqet ta argumentojë “vrasjen” si akt gjenocidal dhe shkruan se gjoja “në Kosovë kanë ndodhur vrasje joselektive”[6]!!!

Në vend që t’u përmbahet kritereve të lartpërmendura, Arsim Bajrami interpreton në mënyrë të gabuar të dhënat e moçme të organizatës joqeveritare serbe, Fondit për të Drejtën Humanitare, për krimet në Kosovë. Pa asnjë analizë paraprake të statistikave që nxjerr nga ky burim dhe pa përcaktuar referencat nga ku janë marrë të dhënat, Arsim Bajrami “citon” se gjatë luftës në Kosovë “10 mijë e 749 të vrarë ishin shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, ndërsa të tjerët u përkasin etnive të tjera”[7]. Për të përforcuar këtë qasje, ai vijon me saktësimin e gjinive të personave të vrarë (11 661 meshkuj dhe 1 857 femra, që bëjnë një total prej 13 518 personash të vrarë)[8].

Nëse nga shifra totale prej “13 518” zbritet numri i shqiptarëve dhe i serbëve të vrarë, atëherë del se gjatë luftës në Kosovë janë vrarë 527 pjesëtarë të pakicave të tjera etnike. Realisht, në të shumtën e rasteve, Fondi për të Drejtën Humanitare jep të dhëna të sakta për pjesëtarët e Forcave të Armatosura serbe të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Ndërkaq, Arsim Bajrami sjell një konglomerat statistikash të shqiptarëve, të serbëve dhe të pjesëtarëve të pakicave të tjera etnike të vrarë gjatë luftës në Kosovë, të cilat jo vetëm që nuk mund të shërbejnë si provë “për të argumentuar kriterin e parë të Konventës për Gjenocidin e Serbisë në Kosovë”[9], por përkundrazi, mund të shërbejnë si dëshmi në duart e atyre që mohojnë gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë, sepse krijon përshtypjen se gjatë luftës në Kosovë, Serbia paskësh zbatuar një praktikë “joselektive” vrasjesh, prandaj na qenkëshin vrarë shqiptarë, serbë dhe pjesëtarë të pakicave të tjera etnike!!!

Në këtë kontekst, e shohim të nevojshme të hapim një parantezë të madhe dhe të ilustrojmë se si numri i të vrarëve gjatë luftës në Kosovë është shndërruar në objekt manipulimi nga intelektualë të këndvështrimit ideologjik të antiamerikanizmit, në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë.

-Vijon-


[1] Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Arsim Bajrami, “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – Aspekte juridike”, f. 471.

[2] Cour Pénale Internationale, (Gjykata Penale Ndërkombëtare), Documents, Textes juridiques fondamentaux, Elements de crimes, p.2, article 6 (a) Génocide par meurtre:

https://www.icc-cpi.int/sites/default/files/ElementsOfCrimesFra.pdf

[3] Po aty, Crimes contre l’humanité, p. 5, article 7.1 (a). Meurtre.

[4] Po aty, f. 5, neni 7, Krimet kundër njerëzimit, hyrje, § 3.

[5] Po aty, f. 33, neni 8, § 2 (b) i, Krimi i luftës nëpërmjet vrasjes.

[6] Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Arsim Bajrami, “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – Aspekte juridike”, f. 378.

[7] Po aty, f. 379.

[8] Po aty.

[9] Po aty, f. 378.

Share this post