Shkatërrimi i pjesshëm i grupit dhe numri i viktimave – Pjesa e tretë (14)

Tani le t’i kthehemi çështjes së pasaktësive të interpretimeve të Ismet Elezit dhe të Arsim Bajramit.

Pretendimi i Ismet Elezit, se gjoja “për shkak të interpretimit të ngushtë të nenit 2 të Konventës, Gjykata e Hagës nuk e akuzoi Millosheviqin për krimin e gjenocidit në Kosovë, por vetëm në Bosnjë…” është tërësisht i paqëndrueshëm.

Që në kontaktet e para të kryeprokurores së Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte (Karla Del Ponte) me pushtetarët e rinj në Beograd pas përmbysjes së Sllobodan Millosheviqit, ajo iu kërkoi atyre arkivat e Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë. Mirëpo hasi në refuzim kategorik, sepse, siç pohon zëdhënësja e Prokurores Del Ponte, Florence Hartmann[1], “zyrtarët serbë ishin të bindur se arkivat e Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë mund të shpinin deri te dënimi i Serbisë për gjenocid”[2].

Për të ilustruar këtë pohim, zëdhënësja Hartmann sjell qën­drimin e ministrit serb të Punëve të Jashtme, Goran Svilanović (Svillanoviq), i cili në zyrën e kryeprokurores Del Ponte në Hagë, më 3 tetor 2003, përpiqej të arsyetonte shkaqet e refuzimit të dorëzimit të arkivit të Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë. Në këtë takim, Goran Svilanoviq kishte deklaruar se, “nëse ju ndihmojmë ta dënoni Millosheviqin për gjenocid, atëherë edhe shteti ynë do të dënohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për gjenocid dhe do të duhet të paguajmë miliarda dollarë dëmshpërblim…”[3].

Përveç refuzimit të dorëzimit të dëshmive të krimit të gjenocidit, udhëheqësit e rinj të Beogradit deklaronin haptazi, se “inte­resi jetësor kombëtar” i tyre ishte t’i fshihnin Gjykatës Ndër­kom­bëtare të Drejtësisë të gjitha informatat që mund ta bënin përgjegjëse Serbinë për krimin e gjenocidit. Ajo që është edhe më neveritëse në strategjinë e regjimit të Vojislav Koštunica-s (Vojisllav Koshtunica)[4] për të fshehur faktet e gjenocidit serb në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë, lidhet me qëndrimet e pushtetit në Beograd, se gjoja “drejtësia dhe e vërteta e dëmtojnë stabilitetin në rajon dhe veprojnë kundër paqes”[5].

Megjithatë, fshehja e provave të gjenocidit nga ana e auto­riteteve të Beogradit mund të jetë e kuptueshme për arsye të vazhdimësisë së strukturave të regjimit të Millosheviqit në pushtetin “e ri”. Por ajo që është “e çuditshme” në këtë strategji, lidhet me marrëveshjen që gjyqtarët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë kishin bërë me autoritetet e Serbisë, për t’i mbajtur provat e fshehura nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe nga publiku.

Mirëpo Florence Hartmann denoncoi publikisht këtë marrëveshje dhe, për herë të parë, nxori në shesh të dhëna të sakta lidhur me hipokrizinë e drejtësisë ndërkombëtare. Vërtetësinë e marrëveshjes mes Gjykatës së Hagës dhe Serbisë, që Florence Hartmann ia zbuloi publikut, nuk e kundërshtoi askush. As Gjykata e Hagës, që ngriti akuzë kundër saj për publikimin e doku­menteve konfidenciale, nuk e mohoi vërtetësinë e strategjisë së fshehjes së provave të krimit. Megjithatë, për publikimin e detajeve të kësaj marrëveshjeje, sidomos pjesët e faqeve 120-122 të botimit në gjuhën frënge[6], Florence Hartmann u dënua me një gjobë prej 7000 eurosh[7].

Akuza dhe dënimi i Florence Hartmann nga Gjykata e Hagës kishte për qëllim frikësimin e atyre që nuk pranonin pazarllëqet politike në kurriz të drejtësisë. Lexuesit që i interesojnë hollësi rreth kësaj akuze mund të informohen në faqen e internetit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë[8].

Sidoqoftë, vepra “Paqja dhe ndëshkimi” e Florence Hartmann u ofroi mundësinë të interesuarve të njihen me tërë presionin politik që u ushtrua ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare, për të hequr dorë nga kërkesa që Serbia të akuzohej për gjenocid. Marrëveshjet për fshehjen e përfshirjes së shtetit serb në krimet e gjenocidit në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë, nuk mundën ta pengonin daljen në shesh të faktit, se “Millosheviqi jo vetëm që ishte bashkautor i partiturës vdekjeprurëse të spas­tri­mit etnik dhe arkitekt i luftës, por deri në fund ishte dirigjenti i tyre!”[9].

Nuk e shohim të domosdoshme të vazhdojmë me argumente të tjera, që dëshmojnë se heqja e akuzës për krimin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës në procesin gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit nuk ka asgjë të përbashkët me pretendimin e Ismet Elezit, se gjoja një gjë e tillë na paskësh ndodhur, për shkak të “interpretimit të ngushtë të nenit 2 të Konventës nga ana e Gjykatës së Hagës”. Mendojmë se dëshmitë e Florence Hartmann, që ishte zëdhënëse e Prokurores së Përgjithshme të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte, në kohën kur u bënë pazarllëqet për fshehjen e provave të krimit të gjenocidit janë të mjaftueshme, sepse vërtetësinë e dëshmive të saj nuk i kontestoi as gjykata, që e dënoi për nxjerrjen në publik e materialeve konfidenciale, të cilat duhej të mbaheshin të fshehura.

Përkundër fakteve që Serbia, në kundërshtim me obligimet që kishte si shtet, nuk i dorëzoi pjesët e arkivit, që do të dëshmonin në mënyrë të qartë se ky shtet kishte zbatuar gjenocid kundër shqiptarëve të Kosovës dhe se heqja dorë që të akuzohen udhëheqësit shtetërorë të Serbisë për gjenocid ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe statutin e Gjykatës së Hagës, negacionistët e llojit të Serge Halimi-t, Dominique Vidal-it, Cathrine Samary-së (Katrin Samari), Jean-Arnauld Derens-it (Zhan-Arno Dera), që e mohojnë këtë gjenocid, e duartrokitën vendimin, që vrasjet masive, dëbimi i shqiptarëve, dhuna seksuale konsiderohen si krim lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë[10] e jo akte gjenocidi, sikur të ishte dëshmi e vërtetësisë e jo rezultat i pazarllëqeve politike.

Në këtë kontekst do të citojmë William A. Schabas, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Middlesex University (Londër), për arsye se libri i tij “Genocide in International Law: The Crimes of Crimes”[11] është përkthyer në gjuhën shqipe që në vitin 2003 dhe bën pjesë në librat kryesorë, që u sugjerohet studentëve në lëndën e së Drejtës Penale Ndërkombëtare.

“Në mars të 1999, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj ndërmorën ndërhyrjen ushtarake në krizën e Kosovës në emër të mbrojtjes së minoritetit kosovar nga persekutimi i qeverisë qendrore të Jugosllavisë. Miratimi i këtij intervenimi ushtarak nga ana e Këshillit të Sigurimit ka qenë i pamundur për arsye të vetos ruse. Në ditët e para të bombardimeve, liderët e NATO-s, përfshirë edhe Presidentin e Shteteve të Bashkuara, William Clinton (Uilliam Klinton), kanë folur për gjenocid. Madje edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka folur për “renë e zezë të krimit të gjenocidit”. Në këtë kontekst u theksua se detyra për të parandaluar gjenocidin është një normë e pakundërshtueshme ose jus conges[12], dhe rrjedhimisht qëndron mbi çdo detyrim që nuk përputhet me të, qoftë e diktuar nga Karta e Kombeve të Bashkuara[13]. Mirëpo “Prokurori ishte relativisht i kujdesshëm në ngritjen e aktakuzave, duke preferuar që t’i kualifikonte ngjarjet si “krime kundër njerëzimit’” Në rastin më të rëndësishëm, atë të Sllobodan Millosheviqit, për shembull, aktakuza fillestare kushtuar Kosovës në fillim të vitit 1999 nuk përfshiu gjenocidin. Gjenocidi nuk u përfshi as në aktakuzën e ndryshuar të 16 tetorit 2001 dhe as në atë të tetorit 2001”[14].

Duke u mbështetur në memorandumin e 30 marsit 1999 të Zyrës për Çështje Juridike të Departamentit kanadez për Punë të Jashtme, William A. Schabas aderon në mendimin, se “shqiptarët janë vrarë dhe plagosur, me qëllim që të ikin nga shtëpitë e tyre dhe kurrsesi me qëllim që të shkatërrohen tërësisht ose pjesërisht si grup”[15].

Për të përforcuar qëndrimin e tij, se krimet në Kosovë nuk kanë të bëjnë me gjenocid, por me krime kundër njerëzimit dhe me krime lufte, William A. Schabas përmend rastin e Miroslav Vučković-it (Mirosllav Vukçeviq).

Të sqarojmë për lexuesin! Procesi gjyqësor kundër Miroslav Vučković-it, i akuzuar për gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës, u zhvillua në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, duke filluar nga 12 maji i vitit 2000. Pas 21 seancave, Kolegji Penal e dënoi me 14 vjet burg. Mirëpo më 31 gusht 2001, Gjykata Supreme e Kosovës, që kishte në përbërje dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një jugosllav, pezulluan vendimin e shkallës së parë dhe e kthyen rastin në rigjykim. Në të njëjtën kohë, Gjykata Supreme e Kosovës i rekomandoi prokurorisë ta rikualifikonte veprën penale nga gjenocidkrime lufte.

“Nën regjimin ndërkombëtar të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që u krijua pas përfundimit të konfliktit të vitit 1999, Gjykata Supreme anuloi dënimin e Miroslav Vučković-it për gjenocid nga Gjykata e Qarkut në Mitrovicë, në përputhje me ligjin 141 të Kodit Penal të Jugosllavisë. Selia e Gjykatës Supreme të Kosovës përbëhej nga dy gjyqtarë ndërkombëtarë, austriakja Renate Winter dhe francezi Patrice de Charette (Patrice de Sharet), si dhe një qytetar jugosllav. Sipas Gjykatës Supreme, krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit në vitin 1999 nuk mund të kualifikohen akte kriminale të gjenocidit, sepse qëllimi i tyre nuk ishte shkatërrimi i tërësishëm apo i pjesshëm i grupit etnik shqiptar, por dëbimi i detyruar i grupit etnik shqiptar të Kosovës si rezultat i një fushate sistematike terrori që përfshinte vrasje, dhunime, djegie kriminale dhe keqtrajtime. Sipas së drejtës ndërkombëtare, akte të tilla kriminale korrespondojnë me përkufizimin e krimeve kundër njerëzimit (Plan i përgjithshëm ose sistematik kundër popullsisë civile gjatë luftës) ose mund të kualifikohen si krime lufte.”[16]

Një variant të këtij qëndrimi e gjeni edhe në përkthimin shqip të librit të tij, por duke u kufizuar të përmendet rasti i Miroslav Vučković-it vetëm në referencat në fusnotën 300[17].

-Vijon-


[1] Florence Hartmann (Florans Hartman është shqiptimi më i përafërt) ka qenë zëdhënëse në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në periudhën 2000-2006.

[2] Florence Hartmann, Paix et châtiment, (Paqja dhe ndëshkimi), Flammarion, 2007, f. 118.

[3] Po aty, f. 118.

[4] Vojisllav Koshtunica, politikan serb. Pas përmbysjes së Sllobodan Millosheviqit, ishte president i Jugosllavisë së mbetur (7 tetor 2000 – 7 mars 2003) dhe kryeministër i saj (3 mars 2004 – 7 korrik 2008).

[5] Po aty, f. 118.

[6] Faqet 113-115 të botimit në gjuhën shqipe.

[7] Nations Unis, Florence Hartmann reconnue coupable d’outrage au Tribunal, Communiqué de presse, La Haye, 14 septembre 2009: https://www.icty.org/fr/press/florence-hartmann-reconnue-coupable-d%E2%80%99outrage-au-tribunal

[8] Nations Unis, Tribunal Pénal International pour l’ex-Yougoslavie, Nations Unis, TPIY, Hartmann (IT-02-54-R77.5): https://www.icty.org/en/case/contempt_hartmann. Florence Hartmann poursuivie pour outrage au Tribunal Communiqué de presse, La Haye, 27 août 2008, Florence Hartmann poursuivie pour outrage au Tribunal: https://www.icty.org/fr/press/florence-hartmann-poursuivie-pour-outrage-au-tribunal

[9] Florence Hartmann, vepra e cituar Paix et châtiment, f. 115.

[10] Jean-Arnauld Derens & Cathrine Samary, Les 100 portes des Conflits Yougoslaves, Les Éditions de l’Atelier, Paris, 2000, f. 238-239

[11] William A. Schabas, Gjenocidi në të Drejtën Ndërkombëtare, Prishtinë 2003. Botimin e këtij libri në gjuhën shqipe e ka financuar The publication of this book was sponsored by FINNISH – UNHCHR Human Rights Support Programme – Kosovo.

[12] Jus cogens është karakteristikë e një rregulle të pranuar nga të gjitha shtetet, ndaj së cilës nuk mund të bëhet asnjë kundërshtim.

[13]  William A. Schabas, Genocide in International Law: The Crimes of Crimes, Cabridge University Press, Botimi i dytë, 2009, f. 530. Në përkthimin shqip kemi një variant të shkurtuar të këtij citati (f. 589).

[14] William A. Schabas, Gjenocidi në të drejtën penale ndërkombëtare, Prishtinë 2003, f. 452.

[15] William A. Schabas, Genocide in International Law: The Crimes of Crimes, Cabridge University Press, botimi i dytë, 2009, f. 229, fusnota 337.

[16] Po aty, f. 423-424.

[17] William A. Schabas, Gjenocidi në të drejtën penale ndërkombëtare, Prishtinë 2003, f. 467.

“Gjykata Supreme e Kosovës ka konstatuar se veprimet e regjimit të Millosheviçit mund të kualifikohen me të drejtë si krime kundër njerëzimit sesa si gjenocid, sepse ‘qëllimi i tyre nuk ishte shkatërrimi i plotë apo i pjesërishëm i grupit etnik shqiptar, por dëbimi i dhunshëm nga Kosova si rezultat i fushatës sistematike të terrorit, përfshirë vrasjet, dhunimet, djegiet e qëllimshme dhe keqtrajtimet e ndryshme’”.

Share this post