Termi “dhunime seksuale” nuk është pjesë e “terminologjisë tipike për gjenocidin” (27)

Në vijim do të shohim përse është i pasaktë pretendimi i Arsim Bajrami, se “dhunimet seksuale janë terminologjisë tipike për gjenocidin”.

Në kuadër të së drejtës penale ndërkombëtare, dhunimi dhe të gjitha format e dhunës seksuale, që paraqesin lëndim të rëndë të integritetit fizik dhe mendor të viktimës, janë të përfshira në të tria kategoritë e krimeve të rënda: krimi i gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.

Në rastet kur dhuna seksuale ndodh gjatë një konflikti të armatosur, qoftë të karakterit ndërkombëtar, qoftë të karakterit jondërkombëtar të përkufizuar në të drejtën ndërkombëtare humanitare, atëherë kemi shkelje të të drejtave themelore të njeriut, të Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949 dhe të protokolleve shtesë I dhe II të vitit 1977.

Ajo që vlen të theksohet lidhur me dhunën seksuale në kuadër të krimeve të luftës ka të bëjë me faktin, se përgjegjësia penale është individuale për autorët e krimeve, sepse kjo dhunë nuk është rezultat i një strategjie shtetërore, por akt individual. Në dallim nga dhunimet e tjera individuale, dhuna seksuale në kuadër të kësaj kategorie cenon njërën nga kategoritë e mbrojtura me këto akte juridike ndërkombëtare. Dhe, si e tillë, është përfshirë në Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare[1].

Kur dhunimi dhe format e tjera të dhunës seksuale ushtrohen gjatë aksioneve të përmasave të gjera dhe sistematike kundër një popullsie civile, e cilësdo përkatësi kombëtare qoftë, atëherë kemi të bëjmë me krim kundër njerëzimit, sepse në këtë rast viktima lëndohet në atë që është njerëzore, sipas Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare[2].

Në dallim nga krimet e luftës, aktet kriminale që hyjnë në kategorinë e krimeve kundër njerëzimit mund të kryhen edhe në kohë paqeje dhe dallojnë nga krimi i gjenocidit, për faktin se aktet kriminale të cilësuara si krime kundër njerëzimit nuk janë domosdoshmërish të drejtuara kundër një grupi kombëtar, etnik, racial ose fetar. Vetëm atëherë kur dhuna seksuale lëndon integritetin fizik dhe mendor të anëtarëve të një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racial apo religjioz, me qëllim të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht grupi si i tillë, përbën akt gjenocidal në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit[3], Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare[4] dhe Elementet e Krimeve.[5]

Për të shmangur çdo konfuzion lidhur me atë se cilat akte hyjnë në këtë kategori, në tekstin juridik të titulluar Elemente të Krimeve, saktësohet:

Elementet e gjenocidit përmes lëndimit të integritetit fizik dhe mendor janë në rastet kur:

  1. Autori i krimit ka cenuar rëndë integritetin fizik dhe mendor të një personi apo të më shumë personave;
  2. Ky person ose këta persona i takojnë një grupi kombëtar, etnik, racial, fetar të veçantë;
  3. Autori i krimit kishte për qëllim të shkatërronte tërësisht ose pjesërisht këtë grup kombëtar, etnik, racial, fetar.
  4. Një veprim i tillë është bërë në kuadër të një serie veprimesh të ngjashme, të drejtuara kundër këtij grupi, apo që mund të shkaktonte një shkatërrim të tillë.

Me qëllim që të saktësohet se cilat veprime hyjnë në aktet gjenocidale, që kanë për qëllim të shkaktojnë lëndimin e integritetit fizik dhe mendor të pjesëtarëve të grupit të vënë në shënjestër, në fusnotën 3 të këtij neni saktësohet: “Pa u kufizuar në format e shfaqjes, ky veprim përfshin aktet e torturës, të dhunimit, të dhunës seksuale, të trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese[6].

Me një fjalë, sipas këtij dokumenti juridik themelor të së drejtës ndërkombëtare, në kategorinë e krimit të gjenocidit hyjnë vetëm aktet e torturës, të dhunimit, të dhunës seksuale, të trajtimeve çnjerëzore ose degraduese që u bëhen anëtarëve të një grupi kombëtar, etnik, racial ose fetar, me qëllim që të shkatërrohet grupi si i tillë.

Ajo që është me rëndësi të thuhet lidhur me gjenocidin përmes dhunës seksuale, si formë e lëndimit të integritetit fizik dhe mendor, ka të bëjë me faktin se në këtë kategori nuk hyn dhuna seksuale që është bërë si akt individual për shfryrje të epsheve, por vetëm aktet që kanë për qëllim shkatërrimin të cilitdo nga grupet e lartpërmendura.

Pikërisht për këtë arsye, preokupimi i strukturave që kanë planifikuar dhe zbatuar planin e gjenocidit është fshehja e krimeve. Meqenëse në Kosovë viktimat ishin evidente, strategjia e Serbisë dhe e mbështetësve të saj ishte zvogëlimi i numrit të viktimave dhe zhvendosja e përgjegjësisë nga shteti, në grupe dhe individë (paramilitarë), që gjoja ishin jashtë kontrollit shtetëror.

Rrëfimet publike për disa raste të dhunës seksuale në Kosovë e dëshmojnë më së miri këtë strategji. Gjatë disa dhunimeve kemi “ndërhyrjen” e eprorëve ushtarakë serbë, “duke i qortuar” ata që kryenin dhunime dhe i trajtonin si “pisa”. Madje kemi raste, kur kriminelët prezantohen si “të dehur ose nën ndikimin e lëndëve narkotike”. Në këtë mënyrë, shteti serb përpiqet t’i prezantojë si veprime individuale aktet e dhunës seksuale dhe të mohojë vërtetësinë, se synimi i kësaj dhune ishte lëndimi i rëndë i integritetit fizik dhe mendor i shqiptarëve të dhunuar, me qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si të tillë.

Dihet se dhuna seksuale ka pasoja të rënda për viktimën. Por kur dhuna seksuale hyn në funksion të strategjisë së shkatërrimit të një grupi, siç ishin dhunimet e shqiptarëve në Kosovë, atëherë qëllimi i dhunimeve seksuale nuk është vetëm shkatërrimi i viktimave të drejtpërdrejta, por, nëpërmjet dhunimeve, synohej të lëndohej integriteti mendor edhe i të afërmve të viktimave, i tërë grupit, i të gjithë shqiptarëve. Vetëm në kuadër të këtij qëllimi mund të shpjegohen dhunimet e meshkujve dhe detyrimet e dhunimeve brenda anëtarëve të së njëjtës familje, ku prindi detyrohej të kryente marrëdhënie seksuale me fëmijën e vet dhe anasjelltas.

Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm kur përpiqemi të hedhim dritë mbi këtë formë të gjenocidit, sepse rrezikojmë të individualizojmë një krim shtetëror. Fatkeqësisht kemi raste, kur viktima e dhunës seksuale ka rënë viktimë e strategjisë së shtetit serb dhe deklarojnë se janë dhunuar nga “paramilitarë”. Tragjedi e dyfishtë!

Siç e pamë më lart, as vrasjet, as masakrat, as deportimet e dhunshme, as spastrimi etnik dhe as dhunimet seksuale nuk janë “terminologji tipike për gjenocidin”, por terminologji e përbashkët për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, të cilat dallohen nëpërmjet kritereve të veçanta.

Kur trajton çështjen e dhunës seksuale, juristi Arsim Bajrami bën një gabim të rëndë, kur u referohet historianëve (Sylë Ukshini dhe Jusuf Osmani), për të konstatuar se “dhuna seksuale është përdorur si armë lufte dhe instrumente të spastrimit etnik”[7].

Dhuna seksuale që është përdorur gjatë zbatimit të planit gjenocidal “Patkoi” ka pasur për qëllim shkatërrimin e grupit etnik shqiptar si të tillë. Duke e përcaktuar si qëllim “spastrimin etnik”, qasja ndaj dhunës seksuale që ka huazuar Arsim Bajrami është e pasaktë dhe mohim i gjenocidit në rastin e luftës në Kosovë, për arsye se ua heq akteve të dhunës seksuale qëllimin që, nëpërmjet lëndimit të integritetin fizik dhe mendor të shqiptarëve, të shkatërrohen tërësisht ose pjesërisht shqiptarët si të tillë.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ruandën i cilësoi dhe i dënoi dhunimet seksuale të Hutuve ndaj Tutcive si akte gjenocidale, për shkak të faktit se dhunimi paraqet lëndim të rëndë të inte­gri­tetit fizik dhe mendor të viktimës. Ndërkaq, si pasojë e pazarllëqeve të Carla Del Ponte-s me pushtetin e Beogradit për të hequr dorë nga akuza për gjenocid, akte të njëjta kriminale që kanë kryer forcat serbe në Bosnjë, në Kroaci dhe në Kosovë u hoqën nga kategoria e krimit të gjenocidit dhe u trajtuan si krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Për këto arsye janë të pasakta pretendimet e Arsim Bajramit, se gjoja “Aktakuza kundër Millosheviqit në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë është terminologji tipike për gjenocid”.

Ekzistenca e një plani gjenocidal nuk është “kriter esencial i Konventës së Gjenocidit”, as termi “spastrim etnik” nuk është pjesë e “terminologjisë tipike për gjenocidin”

 Kur trajtuam zhvillimet gjatë procesit të miratimit të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit përmendëm edhe pikëpamjet e Rafael Lemkin-it, i cili ishte i mendimit se “gjenocidi ka të bëjë me një plan të koordinuar të aksioneve të ndryshme, që kanë për qëllim shkatërrimin e themeleve të jetës së grupeve…”[8] dhe se bëhet fjalë për “akte që janë kryer me paramendim dhe që ka pasur për qëllim të shkatërrojë një grup kombëtar, racial, fetar ose politik, për shkak të origjinës kombëtare ose raciale, bindjeve religjioze apo opinioneve politike të anëtarëve të tij…”[9].

Mirëpo divergjencat që u shfaqën gjatë diskutimeve të çdo paragrafi të projekt-konventës dhanë si rezultat përfundimtar heqjen e “kriterit të ekzistencës së një programi gjenocidal” dhe “kriterin që aktet gjenocidale të jenë kryer me paramendim”. Për këto arsye as ekzistenca e një programi gjenocidal dhe as kryerja e akteve me paramendim nuk figurojnë në kriteret që parashihen për krimin e gjenocidit në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, Statutin e Romës dhe në Elementet e Krimeve, si dokumente themelore të së drejtës penale ndërkombëtare. Çështja e ekzistencës së një plani për kryerjen e krimeve përmendet në kuadër të krimeve kundër njerëzimit, në paragrafin 2 të hyrjes së tekstit Elementet e Krimeve dhe në paragrafin 1 të krimeve të luftës, në Statutin e Romës.

Përkundër asaj se 75 vjet më parë “kriteri i ekzistencës së një programi gjenocidal” nuk u përfshi në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, Arsim Bajrami pretendon se “elementi thelbësor i gjenocidit është ekzistenca e planit gjenocidal”[10] dhe se gjoja “Konventa e Gjenocidit, krahas 5 kritereve konstitutive të figurës së veprës penale të gjenocidit, parasheh si element esencial ekzistimin e planit apo projektit gjenocidal[11]. Për të përforcuar këtë mendim, ai pohon se “edhe Rafael Lemkin, si dhe studiues të tjerë, të cilët janë marrë me studimin e aspekteve teorike të gjenocidit, e theksojnë si element konstitutiv dhe kryesor, për krimet dhe gjenocidin, ekzistimin e një plani gjenocidal, si një plan zyrtar dhe i orkestruar nga shteti”[12].

Në vazhdën e mendimit të tij të pasaktë rreth gjenocidit, Arsim Bajrami arrin në një qëndrim paradoksal dhe të pashembullt në trajtimet teorike të krimit të gjenocidit:

Në frymën e Konventës së Gjenocidit nuk është esenciale për krimet si gjenocid numri i të vrarëve, të masakruarve, të deportuarve dhunshëm, por fakti se ka ekzistuar apo jo një plan gjenocidal, i cili është vënë në aktivizim gjatë luftës apo konfliktit të armatosur… Serbia, para se të fillonte fazën e fundit të implementimit të gjenocidit, gjatë viteve 1998/1999 e kishte operacionalizuar në detaje planin gjenocidal ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ai plan synonte spastrimin etnik”[13]!

Në vend që të mbështeten në kritere të mirëfillta të së drejtës penale ndërkombëtare dhe t’i përqendrojnë hulumtimet e tyre në kontekstin e përgjithshëm të fushatave, gjatë së cilave u kryen krimet dhe në përzgjedhjen e qëllimshme dhe sistematike të viktimave, për shkak të përkatësisë së tyre, një grupi të veçantë që është vënë në shënjestër të shkatërrohet si i tillë, një numër i konsiderueshëm autorësh shqiptarë lëshohen në interpretime të programeve politike serbe, që janë publike, për të argumentuar krimin e gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve. Këtë aspekt do ta trajtojmë më poshtë. Tani do të ndalemi hollësisht te çështja e “zhvendosjes së dhunshme të popullsisë”, “spastrimi etnik” dhe veçoritë e “etničko čišćenje”-s (etniçko çishqenje) serbe, si parakusht për të kuptuar gabimin e rëndë shkencor që ngërthen në vete interpretimi i negacionistëve të gjenocidit në Kosovë, se gjoja qëllimi i Serbisë nuk ishte shkatërrimi i shqiptarëve, por “spastrimi etnik”!

 


[1] Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 8, § 1, pika b-XXII.

[2] Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 7, § 1 dhe 2, pika g në të dy paragrafët.

[3] Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, neni II, § b.

[4] Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 6, § b.

[5] Elementet e Krimeve, neni 6 b) Génocide par atteinte grave à l’intégrité physique ou mentale.

[6] Cour pénale internationale, Textes juridiques fondamentaux, Eléments des crimes,

https://www.icc-cpi.int/sites/default/files/ElementsOfCrimesFra.pdf, Article 6 (b), Génocide par atteinte grave à l’intégrité physique ou mentale, f. 2.

Ky argument citohet edhe në trajtimin e temës kushtuar përdorimit të gabuar të shprehjes “përpjekje për gjenocid”.

[7] Arsim Bajrami, vepra e cituar, “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë-Aspekte juridike”, f. 416.

[8] Axis Rule in Occupied Europe: Laws of Occupation, f. 79.

[9] Nation Unis, Conseil Economique et Social, Comité spécial du génocide (5 avril-10 mai 1948)

Rapport du comité et projet de convention élaboré par le comité (Dr. Karim Azkoul), E/794, 26 mai 1948.

https://digitallibrary.un.org/record/604195?ln=fr

(Origjinali në gjuhën frënge. Në gjuhën angleze shih projekt-konventën e dytë në faqen e mëposhtme:

Convention on the Prevention and Punishment of the Crime of Genocide

– the Secretariat and Ad Hoc Committee Drafts Secretariat Draft First Draft of the Genocide Convention,

Prepared by the UN Secretariat, [May] 1947 [UN Doc. E/447] Ad Hoc Committee Draft, Second Draft Genocide Convention, Prepared by the Ad Hoc Committee of the Economic and Social Council (ECOSOC), meeting between April 5, 1948 and May 10, 1948 [UN Doc. E/AC.25/SR.1 to 28], neni II, f. 11.

http://www.preventgenocide.org/law/convention/drafts/.

[10] Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Arsim Bajrami, “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë-Aspekte juridike”, Prishtinë 2023, f. 296.

[11] Po aty, f. 296.

[12] Po aty, f. 296.

[13] Po aty, f. 297.

Share this post