Termi masakër nuk është pjesë e “terminologjisë tipike për gjenocidin” (26)

Le t’u kthehemi nocioneve që përdoren në aktakuzën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë kundër Sllobodan Millosheviqit, për të cilat Arsim Bajrami mendon se janë “terminologji tipike për gjenocid”.

Në pjesën e sipërme trajtuam aspekte të ndryshme të vrasjes si kategori penale dhe nxorëm në shesh, se krimi nëpërmjet vrasjes jo vetëm që nuk është “gjuhë tipike për krimet e gjenocidit”[1], për arsye se kemi të bëjmë me terminologji të përbashkët për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, por është shndërruar në shtyllë manipulimi nga negacionistët për të mohuar gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Përsëritja e shpeshtë e kritereve juridike të së drejtës penale ndërkombëtare për cilësimin e një vepre si akt gjenocidal ishte i qëllimshëm për të tërhequr vëmendjen në domosdoshmërinë, që të kihet parasysh qëllimi i veçantë i krimit të gjenocidit, që e dallon këtë krim nga krimet e tjera: përzgjedhja (seleksionimi) e një grupi kombëtar, etnik, racial ose fetar që vihet në shënjestër për t’u shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, si i tillë.

Fatkeqësisht jo vetëm në hapësirën tonë politike dhe mediatike, por edhe në shkrime akademike mbizotëron e kundërta: Në vend që të shpaloset qëllimi gjenocidal i vrasjeve të shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë, vëmendja përqendrohet në mënyrën si është kryer krimi! Në këtë aspekt, shembulli i termit “masakër” është domethënës, për arsye se është shndërruar në sinonim të gjenocidit, madje edhe për juristë që pretendojnë se përdorimi i këtij termi është “gjuhë tipike për krimet e gjenocidit”[2].

Në pjesën paraprake kam cituar disa herë këmbënguljen e negacionistëve për të bindur lexuesit e tyre, se gjojanë Kosovë nuk ka pasur gjenocid, por vetëm masakra (…)”[3]. Nëpërmjet përsëritjes së një qëndrimi të tillë nga njëra vepër te tjetra, ata përpiqen t’i zhvendosin krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga krimi i gjenocidit në një kategori tjetër penale.

Të sqarohemi!

Fjala “masakër“ vjen nga fjala gjermane, matsken/metzgern, që do të thotë kasaphanë, therje kafshësh. Mirëpo kjo fjalë ka gjetur shtrirje të përdorimit edhe në rastet kur viktimat e krimeve gjymtohen dhe si nocion ka të bëjë vetëm me mënyrën se si është kryer krimi.

Vrasjet me prerje kokash, prerje gjinjsh, nxjerrje sysh apo forma të tjera të gjymtimit janë akte të përbindshme për çdo qenie njerëzore. Mirëpo mënyra e kryerjes së krimit nuk është kriter për ta cilësuar krimin si akt gjenocidal dhe, rrjedhimisht, nuk përmendet fare në tekstet themelore të së drejtës penale lidhur me krimin e gjenocidit. Prandaj është gabim të konsiderohet termi “masakër” si term i gjuhës tipike për krimin e gjenocidit”[4].

Masakra apo mënyra si është kryer krimi përmendet në kuadër të shfarosjes si kategori e krimeve kundër njerëzimit:

  1. Autori i krimit ka vrarë një ose më shumë persona, sidomos duke imponuar kushte të tilla jetese,

që mund të sjellin shkatërrimin e një pjese të popullatës[5].

  1. Akte të tilla përbënin një masakër të anëtarëve të një popullate civile ose që ishin pjesë përbërëse e saj[6].

 

Për këto arsye, sa herë që përmenden aktet gjenocidale në Likoshan, në Qirez, në Prekaz, në Poklek, në Abri, në Reçak, në Krushë të Vogël, në Krushë të Madhe, në Suharekë, në Gjakovë, në Izbicë, në Grashticë, në Mejë, në Qyshk, në Burgun e Dubravës dhe në qindra vendbanime të tjera të Kosovës, duhet të theksohet se në këto vendbanime u vranë dhe u masakruan shqiptarë, me QËLLIM QË TË SHKATËRROHEN SHQIPTARËT SI TË TILLË. Vetëm në këtë mënyrë mund të nxjerrim, në radhë të parë, atë që është thelbësore: QËLLIMIN SPECIFIK TË AKTIT GJENOCIDAL!

 


[1] Arsim Bajrami, vepra e cituar “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë-Aspekte juridike”, Prishtinë 2023, f. 471.

[2] Po aty, f. 471.

[3] Serge Halimi, Dominique Vidal,… L’Opinion, ça se travaille…, f. 105.

[4] Arsim Bajrami, vepra e cituar “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë-Aspekte juridike”, Prishtinë 2023, f. 471.

[5] Imponimi i këtyre kushteve mund të përfshijë edhe privimin për t’u pajisur me ushqim dhe ilaçe.

[6] Termat “pjesë përbërëse e saj” nënkuptojnë aktin fillestar në një masakër (Shënim në tekstin Elementet e Krimeve).

Share this post