Termi “paramilitar” – instrument i shfajësimit të Serbisë për krimin e gjenocidit (20)
Që në fillim po tërheqim vëmendjen në faktin e cituar paraprakisht, se në të gjitha fazat e kryerjes së gjenocidit, fshehja e krimit e preokupon kriminelin, me qëllim që të shmangen nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në kryerjen e gjenocidit. Pikërisht për këtë arsye ata ngrenë në sistem gënjeshtrën për të shkatërruar të vërtetën dhe kujtesën duke ngritur dyshime për vërtetësinë e krimit.
Prandaj fshehja e krimit të gjenocidit të kryer në Kosovë nga forcat e armatosura serbe ishte preokupimi kryesor i shtetit serb. Meqenëse vrasja e civilëve shqiptarë në Kosovë ishte një fakt që askush nuk mund ta mohonte, pushteti i Beogradit zbatoi strategjinë e mohimit të përfshirjes së ushtrisë dhe policisë serbe në vrasjen e civilëve të paarmatosur. Duke qenë të vetëdijshëm, se shprehja “grup paramilitar”, si strukturë jashtë forcave të armatosura të një shteti, është shndërruar në instrument të manipulimit në funksion të fshehjes së përgjegjësisë së strukturave politike dhe ushtarake të një shteti në kryerjen e krimeve të caktuara, propaganda serbe futi në përdorim këtë nocion. Për vrasjen e civilëve në Kosovë para ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, pushteti i Beogradit akuzonte “terroristët e UÇK-së, individë të pavarur dhe grupet paramilitare jashtë kontrollit shtetëror serb”[1], kurse pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, negacionistët e gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve ua hidhnin përgjegjësinë për vrasjen e civilëve shqiptarë “NATO-s, terroristëve të UÇK-së dhe grupeve paramilitare, jashtë kontrollit shtetëror serb”[2].
Një element sqarues në raport me “grupet paramilitare” jep vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) edhe në rastin e padisë së Bosnjës dhe Hercegovinës kundër Serbisë dhe Malit të Zi.
Në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për përgjegjësinë e shteteve, në procesin gjyqësor kundër Duško Tadić-it (Dushko Tadiq), Dhoma e Apelit e GJPNIJ-së[3] bëri përgjegjëse Republikën Federative të Jugosllavisë (Serbi dhe Mal të Zi) për aktet kriminale që kishin kryer serbët e Bosnjës[4]. Për këtë vendim, Dhoma e Apelit u mbështet në kriterin e “kontrollit global”, që Republika Federative e Jugosllavisë (Serbi dhe Mal të Zi) kishte ndaj pushtetit politik dhe ushtarak në Republikën Sërpska. Pikërisht për shkak të këtij kriteri, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk e pranoi vendimin e jurisprudencës së GJPNIJ-së, por u bazua në jurisprudencën e vetë GJND-së. Për të ndriçuar këtë çështje, ajo u mbështet “në vendimin e 27 qershorit të vitit 1986, në procesin e padisë së Nikaraguas kundër SHBA-së për aktivitetet ushtarake dhe paraushtarake në Nikaragua. Fakti që SHBA-ja kishte pasur kontratë me grupe paramilitare nuk mjaftoi që këto grupe të konsiderohen si pjesë e organeve shtetërore të saj, ndaj të cilëve do të kishte kontroll të plotë. Në aspektin juridik është e pamundur të konsideroheshin si pjesë e organeve të SHBA-së. Rrjedhimisht, sipas jurisprudencës së GJND-së, një person, një grup personash ose çfarëdo entiteti mund të konsiderohen si pjesë të organeve të një shteti nëse ky person, grup personash apo entitet vepron nën varshmërinë e plotë të shtetit”[5].
Nuk mjafton që të konstatohet ndikimi ose “kontrolli global” i një shteti në individë ose struktura të caktuara. Duhet të dëshmohet konkretisht, në çdo rast kur është kryer krimi, se ky kontroll ose ndikim ishte i plotë dhe efektiv.
Sa i përket çështjes nëse Serbia është përgjegjëse për krimet që kishte bërë Ushtria e serbëve të Bosnjës (VSR) dhe grupet e ndryshme paramilitare, GJND-ja thekson: “Kriteri i ‘kontrollit global’, i përdorur në rastin ‘Tadić’, paraqet një të metë të madhe, sepse zgjeron fushën e përgjegjësisë së shteteve përtej parimeve themelore mbi të cilat bazohet e drejta e përgjegjësisë ndërkombëtare të shteteve. Sipas këtyre parimeve, shteti është përgjegjës vetëm për veprimet që bën vetë, d.m.th. veprimet e personave që veprojnë në emër të tij, pa marrë parasysh funksionin. Të tilla janë veprimet që bëhen nga organet e tij zyrtare, si dhe nga persona ose entitete që, edhe në rastet kur juridiksioni i brendshëm i shtetit nuk i njeh formalisht si të tilla, duhet të konsiderohen si organe të shtetit, sepse janë të vendosura në pozita të varshmërisë së plotë. Jashtë këtyre rasteve, aktet e kryera nga personat ose grupe personash, të cilët nuk janë as organe shtetërore dhe as të shkrira në organe të tilla, nuk e bëjnë përgjegjës shtetin, pos në rastet kur këto akte, supozojmë të jenë ndërkombëtarisht të paligjshme, i janë ngarkuar në përputhje me normat e së drejtës zakonore të nenin 8 të tekstit të përpiluar nga Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare[6]. I tillë është rasti, kur një organ i shtetit u ka ofruar informata, u ka dhënë direktiva, mbi bazën e së cilave autorët e veprimit të paligjshëm kanë vepruar ose në rastet kur ka ushtruar një kontroll efektiv mbi veprimin gjatë së cilit është kryer paligjshmëria. Nga ky aspekt, kriteri i “kontrollit global” është i papërshtatshëm, sepse largohet mjaft, deri në atë shkallë, sa të ndërpresë lidhjen që duhet të ekzistojë ndërmjet sjelljeve të organeve shtetërore dhe përgjegjësisë ndërkombëtare të shtetit”[7].
Neni 8 i tekstit të përpiluar nga Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare për përgjegjësitë e shtetit për vepra të paligjshme ndërkombëtare saktëson:
“Sipas së drejtës ndërkombëtare, sjellja e një personi ose e një grupi personash konsiderohet si një vepër shtetërore, nëse ky person apo ky grup personash realisht sillet, vepron nën udhëzimet, direktivat ose kontrollin e atij shteti”[8].
Përkundër asaj se GJND-ja i pranon si fakte të pakontestueshme dëshmitë e palës paditëse, se RFJ-ja i ofronte Republikës Sërpska ndihma të konsiderueshme ushtarake dhe financiare[9], duke përfshirë edhe pagat e një pjese të oficerëve të Ushtrisë së Republikës Sërbska, Republika Federative e Jugosllavisë nuk ishte përgjegjëse e drejtpërdrejtë për krimet që kishin kryer forcat ushtarake dhe paramilitare në Bosnjë, sepse faktet e lartpërmendura nuk i shndërrojnë me automatizëm forcat e serbëve të Bosnjës në pjesë de jure të organeve të RFJ-së.
Në bazë të juridiksionit të brendshëm, Republika Sërbska kishte parlamentin, qeverinë, presidentin, komandën ushtarake dhe ushtrinë e vet. Në bazë të kësaj qasjeje, oficerët që kishin kryer krimet në Srebrenicë ishin emëruar nga presidenti i Republikës Sërpska dhe, rrjedhimisht, ata u nënshtroheshin autoriteteve politike dhe ushtarake të saj. Pa dëshmi që do të tregonin të kundërtën, këta oficerë kanë marrë urdhra nga autoritetet politike dhe ushtarake të Republikës Sërbska dhe kanë vepruar në emër të saj.
Në mbrojtjen e vet, pala serbe solli dëshmi të “divergjencave” ndërmjet autoriteteve jugosllave dhe udhëheqësve të Republikës Sërpska rreth disa marrëveshjeve dhe zgjidhjeve strategjike, që u përdorën si dëshmi e “një autonomie relative, por reale, e Republikës Sërpska karshi Beogradit”[10].
Duke u nisur nga parimi se vetëm një organ, që zbaton sistematikisht dhe mbështet qëndrimet e një shteti mund të quhet organ faktik i një shteti të caktuar, në vendimin përfundimtar lidhur me padinë e Bosnjës dhe Hercegovinës kundër Serbisë dhe Malit të Zi, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë erdhi në përfundime se:
– Serbia nuk ka kryer gjenocid nëpërmjet organeve të veta ose personave, aktet e së cilëve e bëjnë përgjegjëse nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare zakonore në kundërshtim me obligimet që i dalin në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit[11];
– Serbia nuk ka qenë pjesëmarrëse e një marrëveshjeje për të kryer gjenocid dhe as nuk ka nxitur që të kryhet gjenocid në kundërshtim me obligimet që i dalin nga Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit[12];
– Serbia nuk është bërë bashkautore e gjenocidit në kundërshtim me obligimet që nga Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit[13].
Ndërkaq, për shkak të ndikimit që ka pasur te strukturat politike dhe ushtarake të Republikës Sërpska, GJND-ja erdhi në përfundim se:
– Sa i përket gjenocidit në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, Serbia ka shkelur obligimin për të parandaluar gjenocidin, obligim i paraparë me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit[14];
– Serbia ka shkelur obligimin për të parandaluar gjenocidin, obligim i paraparë me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, duke mos e transferuar Ratko Mladić-in[15];
– Serbia ka shkelur obligimin që i takon në përputhje me masat mbrojtëse të urdhëruara nga Gjykata më 8 prill dhe 13 shtator 1993 për këtë lëndë, duke mos marrë të gjitha masat që ishin në pushtetin e saj për të parandaluar gjenocidin e kryer në Srebrenicë në korrik të 1995.[16]
Edhe në rastin e luftës në Kosovë, fshehja e krimit të gjenocidit të kryer nga forcat e armatosura serbe dhe drejtimi i gishtit te “grupet paramilitare” është pjesë e strategjisë së Serbisë për t’i ikur përgjegjësisë si shtet.
-Vijon-
[1] Fondi për të Drejtën Humanitare, Beograd, Serbi.Traskriptet e seancave të vitit 2002, të 14, 15 dhe 18 shkurtit; të 13, 14 dhe 15 marsit; të 18 e 19 prillit dhe seanca e 14 qershorit 2002: http://www.hlc-rdc.org/Transkripti/Milosevic/_Milosevic.html
[2] Po aty.
[3] Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.
[4] Application de la convention pour la prévention et la répression du crime de génocide (Bosnie-Herzégovine c. Serbie-et-Monténégro), arrêt, C.I.J. Recueil 2007, f.170, § 402:
https://www.icj-cij.org/sites/default/files/case-related/91/091-20070226-JUD-01-00-EN.pdf
[5] Po aty, f.166 § 391-392.
[6] Teksti për përgjegjësinë e shtetit për veprimet e jashtëligjshme ndërkombëtare u miratua nga Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare në vitin 2001 dhe u përfshi si aneks i Rezolutës 56/83 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të 12 dhjetorit 2001. Tërësinë e këtij teksti mund ta gjeni në:
Projet d’article sur la responsabilité de l’Etat pour fait internationalement illicite
https://legal.un.org/ilc/texts/instruments/french/draft_articles/9_6_2001.pdf
[7] Application de la convention pour la prévention et la répression du crime de génocide (Bosnie-Herzégovine c. Serbie-et-Monténégro), arrêt, C.I.J. Recueil 2007, f.170, § 406.
[8] Po aty, f.170, § 398: https://www.icj-cij.org/sites/default/files/case-related/91/091-20070226-JUD-01-00-EN.pdf, dhe Projet d’article sur la responsabilité de l’Etat pour fait internationalement illicite, f.390:
https://legal.un.org/ilc/texts/instruments/french/draft_articles/9_6_2001.pdf
[9] Application de la convention pour la prévention et la répression du crime de génocide (Bosnie-Herzégovine c. Serbie-et-Monténégro), arrêt, C.I.J. Recueil 2007, f.103, § 238-240.
[10] Po aty, f.167, § 394.
[11] Po aty, f. 198, § 471, pika 2.
[12] Po aty, f. 198, § 471, pika 3.
[13] Po aty, f. 199, § 471, pika 4.
[14] Po aty, f. 199, § 471, pika 5.
[15] Po aty, f. 199, § 471, pika 6.
[16] Po aty, f. 199, § 471, pika 6.