Termi “paramilitar”- instrument i shfajësimit të Serbisë për krimin e gjenocidit – Pjesa e dytë (21)

Si rezultat i propagandës së vazhdueshme të Beogradit për t’ua veshur krimin strukturave që gjoja nuk kanë qenë nën kontrollin e shtetit serb, këtë mendim e kanë përqafuar si të vërtetë një numër i konsiderueshëm politikanësh në shtetet perëndimore (komunistë, socialistë, social-demokratë, të së djathtës të vjetër e të re, neonazistë e neofashistë), si dhe historianë e politologë, filozofë e sociologë, gazetarë e publicistë, të orientimit të djathtë e të majtë, që janë të verbëruar nga antiamerikanizmi si këndvështrim ideologjik[1].

Fatkeqësisht edhe në ligjërimet politike dhe mediatike në Kosovë, shprehja “grupe paramilitare” ka zënë një vend të rëndësishëm, pa menduar për pasojat e mëdha që sjell përdorimi i këtij termi në shfajësimin e shtetit serb për krimin e gjenocidit.

Duke parë këtë rrezik, gjatë vitit 2019 kam publikuar një seri shkrimesh, me qëllim që të tërheq vëmendjen rreth domosdoshmërisë, që të harmonizojmë terminologjinë e saktë që duhet të përdoret nga juristë, historianë, politikanë dhe gazetarë, kur përkufizohen ngjarjet e luftës në Kosovë dhe, në këtë mënyrë, të shmangim grackën e mohimit të gjenocidit përmes një terminologjie jo të duhur. Një përmbledhje të këtyre shkrimeve i botoi Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, në një doracak të titulluar “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”.

Duke u mbështetur në kërkesën time për vigjilencë epistemologjike që duhet të kemi gjatë përdorimit të nocioneve, në librin e tij “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – Aspekte juridike”, Arsim Bajrami del kundër përdorimit të shprehjes “grup paramilitar” dhe citon, herë me thonjëza e herë pa thonjëza, disa paragrafë të shkrimit tim rreth kësaj çështjeje. Madje edhe pjesën kushtuar shprehjes “grup paramilitar” e fillon me konstatimin tim, se “fatkeqësisht edhe në ligjërimet politike, edhe mediatike në Kosovë shprehja ‘grupe paramilitare’ ka zënë një vend të rëndësishëm, pa menduar për pasojat e mëdha që sjell përdorimi i këtij termi në shfajësimin e shtetit serb për krimin e gjenocidit”[2].

Fatkeqësisht kundërthëniet që karakterizojnë librin e Arsim Bajramit shfaqen edhe rreth kësaj shprehjeje. Ai as nuk e ka kuptuar thelbin përse termi “paramilitar” shfajëson shtetin serb për krimin e gjenocidit, prandaj bën gabim të rëndë edhe në titullin që i vë pjesës që i ka kushtuar kësaj teme (Jo “grupe paramilitare”, por formacione kriminale joformale[3]). Në bazë të jurisprudencës së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në rastet kur krimet janë kryer nga individë, grupe apo entitete që janë formacione joformale të një shteti dhe që de jure nuk janë organe të shtetit përkatës, shteti nuk mban përgjegjësi.

E pamë në rastin e padisë së Nikaraguas kundër SHBA-së, se nuk mjaftonte fakti që SHBA-ja kishte pasur kontratë me grupe paramilitare, që këto grupe të konsiderohen si pjesë e organeve shtetërore të saj, ose në rastin e padisë së Bosnjës dhe Hercegovinës kundër RFJ-së, se përkundër të gjitha lidhjeve, ndihmave dhe “kontrollit global” që kishte Serbia ndaj Ushtrisë së Republikës Sërbska dhe grupeve paramilitare, ajo nuk u bë përgjegjëse për krimet që kishin kryer forcat serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Dyzet faqe pas tërheqjes së vëmendjes për rrezikun që të shfajësohet shteti serb për krimin e gjenocidit, duke ua ngarkuar “grupeve paramilitare” krimet e kryera në Kosovë dhe, në vend të kësaj shprehjeje, propozoi ambalazh tjetër (“formacion kriminale joformale”), Arsim Bajrami ua atribuon dhunimet seksuale “forcave ushtarako-policore e paramilitare[4] dhe, në mënyrë të veçantë, thekson: “Paramilitarët serbë merrnin me dhunë femrat e reja shqiptare dhe i dërgonin në vende të caktuara, ku i dhunonin”[5].

Kundërthënie të kësaj natyre mund të gjemë në libra, ku janë të përmbledhura kumtesa të autorëve të ndryshëm pjesëmarrës në simpoziume shkencore, por është e paimagjinueshme që në vepra serioze, qoftë të grupe autorësh apo të një autori të vetëm, të thuash një gjë dhe të kundërtën e saj!

Gjatë luftës në Kosovë, Serbia vuri në pozita të varshmërisë së plotë të gjitha “grupet paramilitare” ose “formacionet kriminale joformale” që kishin kryer krime në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kroaci, duke i shkrirë në kuadër të strukturave ushtarake dhe policore, si organe shtetërore.

Fakte të shumta që dalin nga burime serbe dëshmojnë se, me urdhër shtetëror, janë liruar nga burgu një numër i madh kriminelësh dhe pasi janë përgatitur në grupe të veçanta, janë dërguar në Kosovë. Kështu, në padinë e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd kundër shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Lubisha Diković, thuhet në mënyrë të qartë:

“Me kërkesë të shërbimeve të fshehta ushtarake dhe policore, gjykatat liruan nga burgjet shumë kriminelë të dënuar për vrasje. Para se këta kriminelë të sistemoheshin në grupe të caktuara dhe të dërgoheshin në Kosovë, shumë oficerë ushtarakë të Brigadës 37, në mesin e të cilëve edhe nënkolonelët Slobodan Stoishiq dhe Miodrag Gjorgjeviq, u angazhuan në rekrutimin dhe trajnimin e tyre. Nënkoloneli Stoishiq i pajisi me uniforma, armë të mira, mjete kimike dhe mjete të tjera të nevojshme për likuidime, dokumente dhe simbole të përkatësisë së Sigurimit Ushtarak. Pasi morën trajnimet e nevojshme, ata u përfshinë në Sigurimin Ushtarak, nën komandën e Slo­bodan Stoishiqit dhe Miodrag Gjorgjeviqit dhe në muajin korrik të 1998 u dërguan në Kosovë”[6].

Nëse raporti i shtetit serb me strukturat e forcave serbe në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kroaci ka qenë e natyrës së “kontrollit global”, në Kosovë nuk ka pasur struktura “paramilitare” jashtë organeve shtetërore të Serbisë. Në këtë kontekst do të përmend rastin e grupit të quajtur “Garda Vullnetare Serbe”[7], i njohur me emrin “Tigrat”, që ka reputacionin ndërkombëtar, për shkak të kryerjes së një numri të madh të krimeve në Bosnjë, në Kroaci dhe në Kosovë.

Sipas dëshmive të publikuara në librin “Në folenë e tigrit”, të ish-komandantit të Njësive për Operacione Speciale Serbe, të njohur si “Beretat e kuqe”, Milorad Ulemek- Legija, i dënuar me 40 vjet burgim për përfshirje në vrasjen e ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, shkruan:

“Nuk është e vërtetë se gardën e krijuan kriminelët. Ajo u themelua nga patriotë serbë, të cilët nuk e kursyen veten që të dalin në mbrojtje të popullit serb. Edhe sot bëhet padrejtësi ndaj Gardës, duke e quajtur një formacion paraushtarak. Kjo nuk është e vërtetë. Që nga paraqitja e parë në Vukovar, Garda u vu nën komandën e APJ­së, dhe më vonë nën komandën e ushtrisë së Krainës Serbe”[8]. Ndërsa kur është fjala për pjesëmarrjen e tyre në krimet në Kosovë, përmendim faktin se gjatë procesit gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit në Hagë, më 13 shkurt 2003, Aleksandar Vasiljeviqi, zëvendësshefi i Drejtorisë së Sigurisë së Ushtrisë Jugosllave, deklaroi se “‘Tigrat’ e Arkanit ishin në kontrollin e drejtpërdrejtë të kolonelit të policisë speciale serbe, Goran Radosavljeviq-Gurit”[9].

Është e kuptueshme që pushteti i Serbisë, qoftë i kohës së Millosheviqit, i Tadiqit apo i Vuçiqit zbaton strategjinë e negacionizmit për krimin e gjenocidit të kryer në Kosovë. Gjithashtu, është e kuptueshme përpjekja e tyre për ta zhvendosur fajësinë nga shteti serb te “grupet paramilitare të pakontrolluara nga shteti serb”. Por nuk është e drejtë që juristë, historianë, politikanë dhe gazetarë shqiptarë, në mënyrë të pavetëdijshme për pasojat që ka përdorimi i këtij termi, të përdorin nocionin “paramilitar” dhe, rrjedhimisht, të shfajësojnë Serbinë për krimin e gjenocidit.

Një vit pas letrës “së famshme” drejtuar presidentit Chirac, ku kishte zbuluar “se ditët e para të bombardimeve ka pasur një dhunë të shfrenuar nga individë ose grupe, që ishin ‘jashtë kontrollit’ të pushtetit qendror”, në veprën e titulluar “Emprise”, Regis Debray shkruan se “krimi kundër njerëzimit nuk varet nga numri i kufomave”[10]. Megjithatë, ai këmbëngul se “në Kosovë nuk ka pasur gjenocid”, se “Kosova nuk është Bosnjë”[11], sepse “atje një numër prej 500 kriminologësh nga shtete të ndryshme zbuluan dy mijë e njëqind e tetë[12] kufoma, dhe jo aq sa pretendonte Sekretari amerikan i Mbrojtjes, presidenti Clinton, shërbimet sekrete britanike etj.”[13]. Për të mbështetur mohimin e gjenocidin në Kosovë, edhe Regis Debray bazohet në të dhënat e gaze­tës “Sundy Times”, “The Spectator” dhe gazeta të tjera të cituara më lart.

Regis Debray, njësoj si edhe negacionistët e tjerë të gjenocidit në Kosovë, nuk morën parasysh asnjë të dhënë të publikuar nga institucionet shtetërore të Serbisë[14], ose nga organizata joqeveritare serbe, Fondi për të Drejtën Humanitare, sepse binin ndesh me formën e “përpunuar të opinioneve” në kallëpin ideologjik të antiamerikanizmit. Madje nuk i përfilli as sqarimet e Vuk Drashkoviqit, se “Sllobodan Millosheviqi kishte urdhëruar shefin e Shërbimit Sekret të Serbisë, Radomir Markoviqin dhe Millorad Ulemek-Llegijan, që të vrisnin fëmijë serbë dhe të kryenin një varg sulmesh terroriste(…). Vrasja e civilëve serbë ishte më e besueshme t’u atribuohej ‘terroristëve’ shqiptarë sesa vrasja e civilëve shqiptarë. Për këtë arsye, vrasja e civilëve shqiptarë shoqërohej me sqarimin, se gjoja bëhej fjalë për ‘shqiptarë besnikë ndaj regjimit të Beogradit’. Në krye të ‘eskadronit të vdekjes’[15] ishte caktuar Millorad Ulemek-Llegija, udhëheqësi i Njësisë për Operacione Speciale. Legija, emër me të cilin njihet ky kriminel, i merrte urdhrat nga Radomir Markoviqi, shefi i atëhershëm i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë”[16].

            Krahas publikimit të fakteve, se Shtabi strategjik i Millosheviqit kishte marrë vendimin për vrasjen e civilëve serbë dhe shqiptarë dhe publikimit të emrave të strukturës komanduese dhe operative të “eskadronit të vdekjes”, ish-zëvendëskryeministri jugosllav dhe i Ngarkuari për Marrëdhënie me Jashtë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Vuk Drashkoviq, bëri publik edhe qëllimin e këtyre akteve kriminale:“Përmes një varg sulmesh terroriste të kryera nga Shërbimi i Sigurisë Shtetërore, të cilat duhej t’i visheshin UÇK-së, do të arriheshin dy qëllime: UÇK-ja do të paraqitej në sytë e bashkësisë ndërkombëtare si organizatë terroriste dhe vrasja e civilëve të pafajshëm do t’u jepte zjarr ndjenjave antishqiptare në Kosovë dhe në tërë Serbinë!”[17]deklaroi ai.

Përmasat e vrasjeve të civilëve serbë dhe shqiptarë nga ana e Shërbimit Sekret Serb në funksion të qëllimit për të njollosur UÇK-në dhe për të nxitur urrejtjen kundër shqiptarëve ishin kaq të mëdha, saqë “në kërkesën për falje të dënimit që i kishte drejtuar ish-shefi i Shërbimit Sekret Serb, Radomir Markoviq, kryetarit të Serbisë, Tomisllav Nikoliqit, kërcënoi se do ta rrëzojë Serbinë në gjunjë, nëse e publikon listën e krimeve të bëra kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë”[18].

Përkundër kësaj, negacionistët e gjenocidit në Kosovës, qofshin në Serbi apo gjetiu, vazhdojnë të shpërndajnë gënjeshtrat e sajuara në Shtabin e dikurshëm Strategjik të Millosheviqit, për t’ia veshur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës krimet ndaj civilëve në Kosovë.

-Vijon-


[1] Shih për shembull: Le monde, Régis Debray, “Lettre d’un voyageur au président de la République”, 13 maj 1999.

[2] Arsim Bajrami, vepra e cituar, “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – Aspekte juridike”, f. 373.

[3] Po aty, f.373.

[4] Po aty, f. 413.

[5] Po aty. Kundërthëniet e tjera që lidhen me mënyrën e interpretimit të dhunës seksuale nga ky autor janë trajtuar në kuadër pjesës së titulluar “Termi ‘dhunime seksuale’ nuk është pjesë e ‘terminologjisë tipike për gjenocidin’”. TË SAKTËSOHET FAQJA PAS FAQOSJES PËRFUNDIMTARE

[6] Fond za humanitarno pravo, Dosije Diković Ljubiše, (Dosja e Lubisha Dikoviqit), f. 2.

http://www.hlc-rdc.org/wp-content/uploads/2012/01/Januar-23-2012-Dikovic-Ljubisa-Dosije.pdf

[7] Srpska dobrovoljačka garda.

[8] Legija Šokirao Srbiju: Ovo je istina o ARKANOVOJ GARDI! https://www.intermagazin.rs/legija-sokirao-srbiju-ovo-je-istina-o-arkanovoj-gardi/

[9] Shih dëshminë e Aleksandar Vasiljeviqit në procesin kundër Sllobodan Milosheviqit, me 13 shkurt 2003, f. 365: http://www.hlc rdc.org/Transkripti/Milosevic/Transkripti/Transkripti%20sa%20sudjenja%20Slobodanu%20Milosevicu%20(31)/Transkript%20sa%20sudjenja%20Slobodanu%20Milosevicu%20-%2013.%20februar%202003..pdf

Sa i përket kolonelit të policisë serbe, Goran Radosavljeviq – Guri, po përmend për lexuesin, se ky kriminel ka komanduar forcat speciale të policisë serbe në krimet e kryera në fshatin Reçak dhe në Petrovo Selo, ku ndër të tjerë u ekzekutuan edhe vëllezërit: Mehmet Bytyqi (21 vjeç), Agron Bytyqi (23 vjeç) dhe Yll Bytyqi (25 vjeç), shtetas amerikanë me origjinë shqiptare.

[10] Regis Debray, l’Emprise, Gallimard, 2000, f. 13.

[11] Po aty, f. 13.

[12] Ndryshe nga të tjerët që sjellin shifra, Regis Debray numrin e shkruan me shkronja dhe këtu dallon nga të tjerët! Përndryshe, janë të njëjta referenca!

[13] Regis Debray, vepra e cituar, l’Emprise, f. 12

[14] Sidomos Raporti i Grupit Punues që kishte themeluar Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë për të ndriçuar operacionin e fshehjes së krimeve.

[15]Vuk Drashkoviq e quan “Eskadron të vdekjes” strukturën që ishte ngarkuar të kryente vrasjen e civilëve të të gjitha grupeve etnike.

[16]Shefi i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, Radomir Marković-i dhe shefi i eskadronit të vdekjes, Milorad Ulemek (Luković), i njohur si Legija, u dënuan nga Gjykata e Qarkut në Beograd me nga 40 vjet burg për dhënien e urdhrit, porosinë e vrasjeve të shumta në Serbi dhe kryerjen e vrasjeve. Dënimi prej 40 vjetësh është dënimi maksimal që parasheh Kodi Penal i Serbisë.

[17] “Kurir”, “Vuk Drašković: Milošević naredio Radetu i Legiji da ubiju srpsku decu!” (Millosheviqi urdhëroi Radetën dhe Legijën të vrisnin fëmijë serbë”, 18 janar 2014: http://www.kurir-info.rs/vuk-draskovic-milosevic-naredio-radetu-i-legiji-da-ubiju-srpsku-decu-clanak-1185359

[18] Po aty.

Share this post