Termi “shfarosje” dhe gjenocidi (10)

Në fillim të këtij studimi tërhoqëm vëmendjen në faktin se, në mungesë të përkufizimeve të qarta juridike të nocioneve që lidhen me krimet gjatë luftës, në shumicën e rasteve është përdorur termi “shfarosje” për të shënjuar rastet më ekstreme të dhunës. Mirëpo kuptimi i termit “shfarosje”, që është përdorur përpara se të përfshihet si kategori juridike në kuadër të së drejtës penale ndërkombëtare, dallon nga kuptimi që ky term merr në dokumentet e së drejtës penale ndërkombëtare.

Në gjuhën shqipe fjala “shfarosje” ka kuptimin e “zhdukjes së tërësishme ose asgjësimit të njerëzve dhe qenieve të gjalla”. Kjo fjalë është përdorur për të përkthyer një nocion të së drejtës penale, për të cilën në gjuhën angleze, atë frënge dhe në disa gjuhë të tjera përdoret fjala “extermination”.

Fjala “extermination” vjen nga fjala latine “exterminare”, e cila përbëhet nga dy fjalë: “ex“, që do të thotë “jashtë”, dhe “terminus”, që do të thotë “kufij”, “fund” dhe ka kuptimin e “përndjekjes përtej kufijve”.

Fjala “extermination” mund të ketë kuptime të ndryshme edhe në gjuhët që e përdorin. Por ajo që është me rëndësi për temën tonë, ka të bëjë me faktin se termi “extermination” në të drejtën penale ndërkombëtare ka një përkufizim shumë të qartë dhe duhet t’i përmbahemi me përpikëri këtij përkufizimi kur e përdorim në kuadër të fushës juridike.

Në statusin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, me nocionin “extermination” përkufizohet imponimi i qëllimshëm i kushteve të tilla të jetesës, si mungesa e ushqimit dhe e barnave, të parashikuara që të shkaktojnë shkatërrimin e një pjese të POPULLATËS [Statusi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 7, paragrafët 1 dhe 2, pika b) në të dy paragrafët].

Statuti i Romës si tekst juridik themelor i Gjykatës Penale Ndërkombëtare është përkthyer edhe në gjuhën shqipe dhe këtë tekst ia bashkëngjisim librit në shtojcë. Në këtë statut, kategoria juridike “extermination” është përkthyer me fjalën shqipe “shfarosje”. Nuk jemi kundër përdorimit të kësaj fjale për nocionin “extermination”. Mirëpo kur fjala “shfarosje” përdoret në kuadër të përshkrimit të krimeve, që janë të përkufizuara në të drejtën penale ndërkombëtare, atëherë kjo fjalë nuk mund të ketë kuptimin e zhdukjes së tërësishme apo të asgjësimit të njerëzve. Në këtë kontekst, “shfarosja”, si kategori juridike, ka vetëm kuptimin e imponimit të qëllimshëm të kushteve të tilla të jetesës, si privimi i ushqimit dhe i barnave, të parashikuara që të shkaktojnë shkatërrimin e një pjese të POPULLATËS. Dhe si krim hyn në kategorinë e krimeve kundër njerëzimit dhe nuk bën pjesë në krimin e gjenocidit.

Në të dy citatet e statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, fjalën “POPULLATË” e kam shkruar me shkronja të mëdha, me qëllim që të vë theksin në një element që është thelbësor në cilësimin e krimeve.

Në rastet kur kemi të bëjmë me krime që janë kryer gjatë sulmeve të përmasave të gjera dhe sistematike të drejtuara kundër cilësdo popullatë civile, me paramendim që të kryhen aktet e parashikuara në nenin 7, paragrafi 1, të statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, në mesin e të cilave edhe “shfarosja”[1], atëherë kemi krim kundër njerëzimit.

Në dallim nga krimet kundër njerëzimit, ku kemi të bëjmë me krime që janë kryer gjatë sulmeve të përmasave të gjera dhe sistematike të drejtuara kundër cilësdo popullatë civile, në krimin e gjenocidit kemi të saktësuara grupin kombëtar, etnik, racial dhe fetar, që është cak i sulmeve me qëllim, JO TË SHFAROSET, por të shkatërrimit të tërësishëm ose të pjesshëm të grupit si të tillë.

Edhe në rastet kur flitet për imponimin e qëllimshëm të kushteve të jetesës, kemi dallim ndërmjet krimeve kundër njerëzimit dhe krimit të gjenocidit. Në rast se cilësdo popullatë civile të papërkufizuar i imponohen kushte të tilla të jetesës, të parashikuara që të shkaktojnë shkatërrimin e një pjese të popullatës, kemi krim kundër njerëzimit, ndërkaq nëse një ose më shumë persona, pjesëtarë të një grupi kombëtar, etnik, racial ose fetar detyrohen të ballafaqohen me kushte të jetesës, që kanë për qëllim të shkaktojnë shkatërrimin fizik të tërësishëm ose të pjesshëm të grupit të vënë në shenjestër të shkatërrohet si i tillë, atëherë akte të tilla konsiderohen si akte materiale, që hyjnë në kategorinë e krimit të gjenocidit.

Prandaj përdorimi i termit “shfarosje” për të përkufizuar krimet që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë jo vetëm që është i gabuar, por zhvendos krimin nga kategoria e krimit të gjenocidit në krime kundër njerëzimit.

-Vijon-


[1] Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, nenin 7, § 1, pika b.

Share this post