Zhvendosja e dhunshme e popullsisë, spastrimi etnik dhe veçoritë e “etničko čišćenje”-s serbe -Pjesa e dytë (30)

Për të shmangur pandëshkueshmërinë për krimet më të rënda të së drejtës humanitare, një numër shtetesh anëtare të OKB-së ndërmorën nismën për themelimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Në Konferencën Diplomatike të të Plotfuqishmëve të Kombeve të Bashkuara për themelimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, të mbajtur nga 15-17 korrik 1998, u miratua Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, i cili hyri në fuqi më 1 korrik 2002. Kjo ngjarje shënon momentin më të rëndësishëm në formësimin e së drejtës penale ndërkombëtare. Në funksion të saktësimit të përkufizimeve të krimeve ndërkombëtare dhe plotësimit të zbrazëtirave normative, Kombet e Bashkuara krijuan Komision Përgatitor, që do të hartonte edhe dy dokumente themelore të së drejtës penale ndërkombëtare: Elementet e Krimeve dhe Rregulloren e Procedurave dhe Dëshmive. Varianti i parë i Elementeve të Krimeve u finalizua në fund të vitit 1999, ndërkaq varianti i dytë në nëntor të vitit 2000[1]. Mirëpo, siç e kemi përmendur më lart, dokumenti përfundimtar u miratua në Konferencën për rishikimin e Statutit të Romës, të mbajtur më 31 maj-11 qershor 2010 në kryeqytetin e Ugandës, në Kampala.

Në nenin 6(c) të Elementeve të Krimeve[2], që i kushtohet gjenocidit nëpërmjet imponimit të qëllimshëm të kushteve të jetesës, që mund të shkaktojnë shkatërrim të tërësishëm ose të pjesshëm të një grupi të mbrojtur me konventë, sqarohet:

  1. Autori i krimit detyroi një apo më shumë persona t’u nënshtrohen kushteve të caktuara të jetesës.
  2. Ky person ose këta persona i përkisnin një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racial ose fetar.
  3. Autori i krimit synonte të shkatërronte, tërësisht ose pjesërisht, këtë grup kombëtar, etnik, racial ose fetar si të tillë.
  4. Kushtet e jetës duhej të shkaktonin shkatërrimin fizik të tërësishëm ose të pjesshëm të këtij grupi.[3]
  5. Ky akt është bërë në kuadër të një sërë veprimesh të dukshme të akteve të ngjashme të drejtuara kundër këtij grupi, ose ishte veprim që mund të ndikonte në një shkatërrim të tillë”[4].

 

Me qëllim që të hiqen dilemat se çfarë nënkuptohet me kushte jetese, që mund të shkaktojnë shkatërrim të tërësishëm ose të pjesshëm të një grupi, në fusnotën 4 të këtij neni saktësohet:

“Termi ‘kushtet e jetës’ mund të përfshijë, por nuk kufizohet domosdoshmërish, me privimin e qëllimshëm të burimeve të domosdoshme për mbijetesë, si ushqimi ose shërbimet mjekësore, apo dëbimin sistematik nga shtëpitë[5].

 

Megjithatë, përkundër asaj që, sipas jurisprudencës së Gjykatës Penale Ndërkombëtare, “praktika e spastrimit etnik mund të përbëjë gjenocid nëse shoqërohet me elementet e tjera objektive të gjenocidit të parapara në nenin 6 të Statutit të Romës dhe të Elementeve të Krimeve dhe në përputhje me qëllimin specifik që të shkatërrohet, tërësisht ose pjesërisht, si i tillë, grupi që është vënë në shënjestër”[6] dhe përfshirjes tek Elementet e Krimevedëbimit sistematik nga shtëpitë si akt gjenocidal, negacionistët e gjenocidit në Kosovë vazhdojnë t’i interpretojnë krimet e regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve si krime që gjoja kishin për qëllim dëbimin e shqiptarëve, e jo shkatërrimin e tyre fizik, të tërësishëm ose të pjesshëm. Kështu William A. Schabas mbron tezën se, “në njëfarë kuptimi, gjenocidi dhe spastrimi etnik mund të kenë të njëjtin cak, që është të eliminojë grupin e persekutuar nga një zonë e caktuar, edhe pse spastrimi etnik toleron ekzistencën e grupit gjetiu, ndërsa gjenocidi nuk e lejon një gjë të tillë. Hitleri kishte ambicie modeste të eliminonte të gjithë çifutët e Europës, por në rast se do të kishte pasur mundësinë, do ta shtrinte fushatën e tij vrastare në tërë botën. Sa i përket Millosheviqit, ai dëshironte t’i dëbonte Myslimanët e Kosovës, edhe pse nuk dukej i shqetësuar nga ideja që ata të jetojnë gjetiu, në Maqedoni apo në Shqipëri, për shembull. A nuk ka një dallim domethënës këtu? Edhe pse aktet materiale të realizuara gjatë kryerjes së krimeve mund shpesh t’i ngjajnë njëri-tjetrit, ata ndjekin dy qëllime specifike shumë të ndryshme!!! Njëri synon zhvendosjen e popullsisë, tjetri shkatërrimin e saj! Çështja qëndron te qëllimi dhe logjikisht është e pakapshme që dy agjenda të ekzistojnë në të njëjtën kohë”[7].

 

Jo, William A. Schabas nuk ka të drejtë kur pretendon se “ka një dallim domethënës ndërmjet ambicieve të Hitlerit dhe dëshirave të Millosheviqit”. Sa i përket qëllimit për të shkatërruar një grup nacional, etnik, racial ose fetar si të tillë, që përbën thelbin e gjenocidit, nuk ka asnjë dallim ndërmjet gjenocidit që zbatoi regjimi i Hitlerit kundër hebrenjve dhe gjenocidit që zbatoi regjimi i Millosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës. Dallimi qëndron në përmasat e realizimit të qëllimit.

Nëse kemi parasysh të gjitha aktet gjenocidale (vrasjet, dhunën seksuale, dëbimet sistematike nga shtëpitë, shkatërrimin e pronës private dhe të objekteve që lidhen me identitetit kulturor dhe historik të shqiptarëve), atëherë pa asnjë ngurrim mund të pohojmë se mbi 90% e shqiptarëve të Kosovës kanë përjetuar, së paku, njërin nga aktet gjenocidale. Në qoftë se përmasat e vrasjeve të shqiptarëve në Kosovë janë pakrahasimisht më të vogla me përmasat e vrasjeve të heb­renjve, madje edhe në krahasim me përmasat e vrasjeve në Bosnjë, ky realitet është si rezultat i “ndërgjegjësimit” të udhë­heqësve të shtetit serb, se pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, përgjegjësia për krimet e kryera ishte e pashmangshme. “Ndër­gjegjësimi” i pushtetarëve të Beogradit se nuk mund t’i shpëtonin ndëshkimit, i shtrëngoi që të ndërmerrnin operacione për fshehjen e gjurmëve të krimeve dhe mohimin e qëllimit të pushtetit për të shkatërruar shqiptarët e Kosovës, si të tillë. I vetmi “dallim domethënës” qëndron ndërmjet realitetit dhe interpretimit të tij nga negacionistët!

Të quash “modeste ambiciet e Hitlerit për eliminimin e çifutëve të Europës, në pamundësi që të shtrinte fushatën e tij vrastare në tërë botën”, është banalizim i skajshëm i tragjedisë që kanë përjetuar hebrenjtë, siç është banalizim neveritës interpretimi që u bën William A. Schabas dëshirave të Millosheviqit për t’i dëbuar, jo shqiptarët, por Myslimanët e Kosovës (!), të cilit “Sllobodan Millosheviqi nuk i është dukur i shqetësuar nga ideja që ata të jetojnë gjetiu, në Maqedoni apo në Shqipëri”!

Për ta bërë sa më të besueshëm qëndrimin e tij, William A. Schabas sajoi si “kriter dallimi” ndërmjet spastrimit etnik dhe gjenocidit, qëndrimin ndaj pranisë ose mospranisë së grupit që është vënë në shënjestër për t’u eliminuar nga një zonë e caktuar: “spastrimi etnik toleron ekzistencën e grupit gjetiu, ndërsa gjenocidi nuk e lejon një gjë të tillë”!

Një kriter i tillë dallues jo vetëm që nuk ekziston në asnjë tekst themelor të së drejtës penale ndërkombëtare, por kjo sajesë është në kundërshtim të plotë me normat e përcaktuara në dokumentet themelore të saj. Në tekstin Elementet e Krimeve, që aq shpesh i referohet në librin e tij William A. Schabas, saktësohet se kemi gjenocid nëpërmjet vrasjes kur:

  1. Autori i krimit ka vrarë një ose më shumë persona.
  2. Ky person ose këta persona i përkasin një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racial ose fetar.
  3. Autori i krimit synonte të shkatërronte, tërësisht ose pjesërisht, këtë grup kombëtar, etnik,

 racial ose fetar, si të tillë.

 

Sajesa se gjoja gjenocidi nuk lejon në një zonë të caktuar praninë e pjesëtarëve të grupit që është vënë në shënjestër, mohon nga përkufizimi i gjenocidit aktet që kanë për qëllim shkatërrimin e pjesshëm, të një apo të më shumë personave, që i përkasin një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racial ose fetar dhe, rrjedhimisht, është në kundërshtim të plotë me përkufizimin juridik të gjenocidit.

Kriteri i lartpërmendur që zbaton William A. Schabas hyn në funksion të arsyetimit të dallimeve që ky autor sheh ndërmjet akteve kriminale të Hitlerit dhe të Millosheviqit. Sa i përket krahasimit të këtyre dy kriminelëve, do të citojmë gazetarin e njohur serb, Miroslav Filipoviq:

“Në mediet e vendeve demokratike shumë shpesh Millosheviqin e kishin quajtur ‘Kasap të Ballkanit’ dhe e kishin krahasuar me Hitlerin. Ky krahasim nuk më duket i saktë! Gjermania para Luftës së Dytë Botërore nuk mund të krahasohet me Serbinë e fillimit të viteve ‘90. Kur Hitleri filloi të çartej dhe t’i ngjante një kafshe të tërbuar, atë e braktisën një numër intelektualësh, shkencëtarësh dhe artistësh eminentë të popullit gjerman. Edhe pse gjatë periudhës së sundimit të Millosheviqit, vendin tonë e braktisën një numër artistësh, shkencëtarësh dhe intelektualësh, shumica e tyre u vunë në shërbim të tij, përkundër asaj se e dinin që, me urdhrin e tij, me miratimin e tij ose, së paku, me dijeninë e tij, çdo ditë nga dora serbe e pësonin qindra njerëz të pafajshëm. Tani, të kërkohet nga këta njerëz që të flasin për krimet që janë bërë në Kosovë, do të thotë të kërkohet prej tyre që ta pranojnë pjesën e fajësisë së tyre (…)”[8].

 

 


[1] Për më hollësisht shih: United Nations, Preparatory Commission for the International Criminal Court:

Draft elements of Crimes, UN Doc. PCNICC/1999/DP.4/Add.1, 9 February 1999.

https://digitallibrary.un.org/record/1492413?ln=fr&v=pdf

Draft elements of crimes, UN Doc. PCNICC/1999/DP.4/Add.2, 4 February 1999.

https://digitallibrary.un.org/record/1491413?v=pdf

Report of the Preparatory Commission for the International Criminal Court. Addendum. Part II, Finalized draft text of the Elements of Crimes, PCNICC/2000/1/Add.2, 2 november 2000.

https://undocs.org/Home/Mobile?FinalSymbol=PCNICC%2F2000%2F1%2FAdd.2&Language=E&DeviceType=Desktop&LangRequested=False

[2] Rikujtojmë se Elementet e Krimeve përbëjnë njërin nga tekstet juridike themelore të së drejtës penale ndërkombëtare që “ndihmon Gjykatën Penale Ndërkombëtare të interpretojë dhe të zbatojë nenet 6,7 dhe 8”[2] të Statutit të Romës, e që kanë të bëjnë me krimin e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës (Cour Pénal Internationale, Dosja N°: ICC‐02/05‐01/09, 4 mars 2009., f. 49. § 129, https://www.legal-tools.org/doc/001e1b/pdf)

[3] Termi “kushtet e jetës” mund të përfshijë, por nuk kufizohet domosdoshmërish, me privimin e qëllimshëm të burimeve të domosdoshme për mbijetesë, si ushqimi ose shërbimet mjekësore, apo dëbimin sistematik nga shtëpitë.

[4] Cour Pénale Internationale, (Gjykata Penale Ndërkombëtare), Documents, Textes juridiques fondamentaux, Elements de crimes, neni 6 (c), f. 3 : https://www.icc-cpi.int/sites/default/files/ElementsOfCrimesFra.pdf

[5] Po aty, f. 3, fusnota 4.

[6] Cour Pénal Internationale, Dosja N°: ICC‐02/05‐01/09, 4 mars 2009, § 144-145, f. 55-56.

https://www.legal-tools.org/doc/001e1b/pdf

[7] William A. Schabas, Genocide in International Law: The Crimes of Crimes, Cabridge University Press, botimi 2009. f. 234.

[8] Republika, Miroslav Filipović, Dugi marš ka istini o zloci­ni­m, (Rrugëtimi i gjatë drejt së vërtetës për krimet), f. 27-28: http://www.yurope.com/zines/republika/arhiva/2001/263/263_16.html

Share this post